KUPTIMI I EMRIT ALBAN – ARBER

0
574
Muharrem Abazaj

Muharrem Abazaj

Alban janë quajtur të parët tanë. Cili është kuptimi i këtij emërtimi? Sqarimi i tij nuk është një shuarje kurioziteti, por një argument i fuqishëm për të provuar lashtësinë e kombit tonë, autoktoninë e tij në këto troje.

Emri arbër për herë të parë është përmendur me trajtën alban nga Ptolemeu i Aleksandrisë në shek II e.s. Me këtë emër ai lidh një fis ilir i cili shtrihej në një trevë të Shqipërisë të mesme midis Durrësit, Tiranës, Lezhës dhe Dibrës me kryeqendër Albanopolis. Mirpo pas daljes së tij ky emër nuk shfaqet më në dokumentet historike për më se 1000 vjet. Ai rishfaqet përsëri në shek. XII –XIII. Këtë rishfaqje e vëmë re tek autorët e veprave letrare në gjuhën shqipe të kësaj periudhe të cilët vendin tonë e quajnë Arbënë, popullin arbënesh dhe gjuhën e tij arbëneshe.

Një mungesë e këtij emërtimi për një periudhë kaq të gjatë kohore u bë shkas që mjaft studjues të huaj si Eras Vranus, Bariç etj. të shfaqnin mendimin se ky kontinuitet nuk ka ndonjë domethënie, sepse shqiptarët nuk kanë mundur të trashëgojnë këtë emër prej banorëve të vjetër ilirjanë në atdheun e tyre të ri. Ata kanë qënë të mendimit se ilirët këtë emër e kanë trashëguar prej popullsisë së lashtë joindoevropiane.

Mungesa e këtij emri në këtë periudhë lidhet me shumë faktorë, por arsyeja më kryesore e paraqitjes së vonë të emrit Arbëri, ka qenë praktika administrative, kancelareske e kishtare e shtetit bizantin për të përdorur elemente të traditës antike,si: Iliri, Epir, Maqedoni etj. Shkrimtarët e vjetër shqiptarë e të huaj emërtimiet Epir e epirot i kanë përdorur si sinonime të emrave Arbëri e arbën. Maqedonia është përdorur si emër më i vjetër dhe Arbëria, si emër mesjetar, duke u konsideruar si dy emra sinonime.

Emri arban dhe arbëresh jo vetëm që ka ekzistuar pa ndërprerje, por ai ka patur një shtrirje edhe më të gjerë. Kështu një fshat në jugëlindje të Tiranës quhet Arbana, një fshat tjetër në perëndim të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh. Në pjesën Jugore të vendit disa krahina të ndryshme të trevës malore të Labërisë midis qyteteve të Vlorës dhe Gjirokastrës e Delvinës quhen Arbër e Arbëri dhe banorët arbëreshë e arbërorë. Gjithashtu ky emër del edhe në disa vise të tjera të Shqipërisë me trajta të ndryshme ( arbën, arbër, arbënesh, arbëresh, arbnuer arbëror), emërtim i cili përdoret në popull me një kuptim etnik, për të shënuar shqiptarin në dallim nga aromuni apo nga ndonjë antar i ndonjë popullsie ballkanike.

Studjuesi Ludvig Jeriçek i cili ka bërë studime të gjera për këtë çështje, citon disa burime në latinisht, sidomos në burimet kishëtare, në të cilat vendi quhet arbanum, populli arbanenses, prej nga rrjedh italishtja, ( në liberate raguzes 1320, albanese). Mbështetur në këto të dhëna Jirecek arrin në përfundimin: se “ në Arbanum perfshiheshin gjithë vendet prej Alpeve shqiptare midis lumenjve Lim e Drin e gjer te malet në jug të Elbasanit”.

Mbështetur në aktet raguziane te vitit1386, në veri shtrihet deri në Sergius ( sot Shrtiq në grykë të Bunës) në dokumenta të vitit 1419 përfshin Tivarin, në të vitit 1413, përfshin Lushtricën. Një përshkrim rreth vitit 1570, Arbër quhet vendi prej Uqinit gjer ne Vlorë, në malet e Himares. Dihet se edhe vendi i Kotorrit u quajt Albani venetjane. Në kohën e Napoleonit quhej si Albania franceze, para 1448 si Albania austriake.

Ndër arsyet kryesore të shndërrimi të këtij emri të fisit të albanëvë, arbanëve në një emblemë të përbashkët edhe për fise të tjera në territoret ilire, është kundërshtimi i pandalur ndaj invadorëve sllavë që filluan të depërtojnë në Ballkan qysh nga shek.VI.e.s. Ky rrezik forcoi ndjenjën e solidarsisë etnike ndër fise të ndryshme ilire dhe si rrjedhim u arrit edhe pranimi i një emëri të përbashkët, për t’u paraqitur si një fuqi e bashkuar.

Të gjitha këto të dhëna na shpien në përfundime se ky emërtim u takon shumë brezave që kanë banuar në këto troje nga lashtësia deri në daljen e emërtimit të sotëm shqiptar. Edhe pse në fillim është dokumentuar si emërtim për një fis ilir, atë të albanëve dhe i shtrirë në një territor të kufizuar, ai fitoi shtrirje më të gjerë gjeografike duke u bërë etnonimi i të gjithë kombit tonë.

Cili është kuptimi i emërtimit alban -arbër? Kësaj pyetjeje do të mund t’i përgjigjemi në se arrijmë të zbulojmë saktë se cili është kuptimi gjuhësor i fjalës alban / arbër. Por, të zbulosh kuptimin gjuhësor të një fjale duhet të dish se cilës gjuhe i përket ajo fjalë. Cilës gjuhe i takon fjala alban / arbër? Nuk është bërë e mundur të arrihet në një mendim të gjithpranueshëm nga ana e studjuesëve se cilës gjuhe i përket kjo fjalë. Dy pikpamje kryesore kanë konkurruar për gjuhën me të cilën është formuluar ky emër.

Çabej ka mendimin se fjala alban, arban, i përket gjuhës ilire pasi e vëmë re në onomastikën ilire tek emri arbër dhe Arbëri Sipas tij “ nga dy format e tij, arb- dhe alb-, e para është forma e mirëfilltë, sikundër del dhe nga dëshmitë vendëse së bashku me dëshmitë popullore ballkanike …. Prandaj kërkimi i një rrënje alb- me kuptimin e pretenduar “mal”, krahasimi me emrat topike Alba- të Italisë e të viseve të tjera, me emrin e Alpeve etj, nuk kanë ndonjë bazë solide. Duke u nisur përkundrazi nga forma arb-, e nga kuptimi “fushë, rrafshinë”, i cili ruhet në mal e arbën të përmendur më lart, mund ta afrojmë këtë emër me latinishten arvum “arë, tokë e punuar, fushë”, greqishten e vjetër aroura “arë “ Shqiptatët midis Perëndimit dhe Lindjes”)

Pikpamja tjetër është ajo e përfaqësuar nga H.Bariçi dhe Jokli.që mbështet pikpamjen se rrënja alb duhet të jetë e trashëgimisë paraindoevropiane.duke e lidhur atë me kuptimin lartësi, mal.

Pavarësisht kundërshtisë së pikpamjeve, asnjëra palë nuk arrin ta mbështesë me material gjuhësor, pasi si ilirishtia që përmend Çabej ashtu edhe gjuha paraindoevropiane që përmend Bariçi dhe Jokli nuk janë njohur prej tyre. Atëhere cilës gjuhe të lashtë i përket kjo fjalë? Vërtet se dokumentimi i saj është bërë në shek.II e.s, por kjo fjalë duhet të jetë shfaqur në kohë shumë më të lashta.se shek II e.s. Këtë lashtësi të saj e mbështesim me dy argumenta:

Banorët e kësaj treve ilire, ku na shaqet ky emër, duhet të kenë qenë vendosur në këto troje shumë shekuj më parë. Studimet e kohëve më të reja pranojnë se ardhja e ilirëv në këto troje i përket një epoke shumë të lashtë, midis mezolitit dhe neolitit, e mbështur kjo pikpamje edhe me gjetjet e shumta arkelogjike në këto troje që i përkasin kësaj epoke të lashtë, si ato në Xarë Saradë, Vlushë Skrapar. Maliq Korçë etj. Kjo do të thotë se gjuha me të cilën është lëçitur në zanafillë fjala alban, ka qenë gjuha e këtyre banorëve të lashtësisë.

Duke qenë se ilirët, si shumë popuj të lashtësisë, janë shkëputur nga një trung shumë i lashtë i përbashkët, edhe gjuha e tyre do ketë qenë ajo e këtij trungu amë. Këtë gjuhë amë të përbashkët të kësaj poullsie të lashtë e vëmë re edhe në gjetjen e fjalës alban në shumë vende të tjera. Një ishull në Dalmaci mban emrin Arbe. Albi është emri i një qyteti në Francë.,Ky emër gjendet edhe në Itali, Angli, Skoci, nëAzinë e Vogël, në Kaukaz deri dhe në Amerikën Qëndrore.

Gjuhësia botërore e ka pranuar ekzistencën e një gjuhe të tillë të përbashkët në periudha shumë të lashta, të një gjuhe mëmë, nga e cila lindën të gjitha gjuhët e tjera duke formuar familje gjuhësore siç është ajo indoevropiane. Mendimi i shumë gjuhëtarëve është se kjo gjuhë mëmë ka qenë gjuha pellazge.

Ka më se dy shekuj që një numër i madh gjuhëtarësh dhe studjuesish kanë shprehur mendimin dhe kanë këmbëngulur se gjuha shqipe lidhet drejtperdrejt me gjuhën pellazge. Një lidhje e tillë, një vazhdimësi gjuësore pellazgo – shqipe, mund të themi pa frikë se sot është faktuar.

Nga të dhënat që disponojmë për gjuhën pellazge po japim shkurt tiparet kryesore te saj. Gjuha pellazge ka qenë një gjuhë njërrokëshe. Fjalët e saj kanë patur trajta të ngurta, pasi pellazgjishta si një gjuhë e lindur, e pa zhvilluar plotësisht, nuk ka patur mjete ndihmëse gjuhësore si: parashtesa, prapashtesa, mbaresa. Çdo fjalë e saj ka patur një trajtë të vetme, përmes së cilës shprehte të gjitha kuptimet gramatikore. Kështu fjala AT, e cila ruan të njëjtën trajtë në shqipen e sotme, është përdorur në këtë trajtë të vetme si për të treguar një person ashtu dhe për të treguar shumë persona. Fjala DI ka patur vetëm këtë trajtë të ngurtë di, por ajo ka patur shumë kuptime. Kështu di ka patur kuptimin e foljes di, me ditë, të mbiemrit i ditur, të numërorit dy, të emrit dhi, etj.

Këto fjalë njërrokëshe të pellazgjishtes ose përqasen ( janë rrenja ) ose janë identike me fjalët rrespektive të shqipes së sotme. Numri i fjalëve njërrokëshe të pellazgjishtes ka qenë i kufizuar. Për të pasuruar fjalorin e tyre, për të formuar fjalë të reja, është aplikuar në masë të gjerë mënyrën e përngjitjes së fjalëve njërrokëshe. Kjo mënyrë është përdorur edhe për formimin e emrave të personave, të fiseve, venbanimeve, maleve, lumenjve etj. Emri Bardhyl eshte formuar nga përngjitja e fjalëve njërrokëshe: bard – yl. Fjala e parë njërrokëshe bard ka dhënë në fazën e dytë të shqipes trajtën bardh, pasi d është bërë dh. Fjala e dytë njërrokëshe yl ka dhënë yll, pasi l është bërë ll.

Kuptimi i emrit është: “ Yll i bardhë ”. Emërtimi Dimal eshtë formuar nga përngjitja e dy fjalëve njërrokëshe: di – mal. Fjala e parë di ka dhënë dy. Kjo vihet re ende në disa të folme krahinore të vendit tonë: sy / si, ki / ky, kam hyrë./ kam hi. Fjala e dytë mal ruan trajtën e vjetër. Kuptimi i emërtimit del “ Dy male ”.Një emërtim i tillë është lidhur me pozicionin midis dy maleve të vendosjes së këtij qëteti të lashtë. Emërtimi Tushenisht ( venbanim pranë Pogradecit ) është formuar nga përngjitja e tri fjalëve njërrokëshe: tu – shem – isht.

Fjala e parë tu ka dhënë psesëzën foljore tuj të dialektit të gegënishtes , në toskërisht duke. Fjala e dytë shem ka dhënë foljen shemb të dialektit të gegënishtes, në toskërisht shembur. Fjala e tretë isht ruan të njëjtën trajtë. Kuptimi i emërtimit del: “ Tuj shemb isht / Ishte duke u shembur ” Një emërtim i tillë mund të ketë lidhje me ndonjë fund tragjik të paralajmëruar për banorët e këtij venbanimi të hershëm.

Duke qenë se pellazgjishtja ka qenë gjuha e përbashkët e një bashkësie të gjerë njerëzore, edhe emërtimet e lashta të shumë vendeve bëhen të kuptueshme me gjuhën pellazgo – shqipe.

Të shohim shkurt disa emërtime të tilla: armen është quajtur një fis i lashtë pellazg i vendosur në Armeninë e sotme. Ky emërtim është formuar nga përndjitja e dy fjalëve njërrokëshe pellazge : ar – men.Fjala e parë ar ka kuptimin e emrit arë të shqipes.Fjala e dytë men ka kuptim e emrit mend të gjuhës shqipe. Të zbulojmë kuptimin e emërtimit: “ Arë mëndje / mëndje arë./ ka mendje për arë/ ka dituri për ara/ ka dituri, zotësi për punët bujqësore“.

Menela, emri i një heroi tek “ Iliada” e Homerit. Ky emër është formuar nga përngjitja e fjalëve njërrokëshe : men – e – la. Kuptimi: Mendja e la/ u çmend. Kuptohet fare lehtë : Menelaun, burrin e Helenës së bukur që u rrëmbye nga Paridi, e ka lenë mendja…
Mbështetur në këto njohuri që kemi për gjuhën e lashtë shqipe (pellazgjishten) analiza jonë nuk mbështetet tek rrënja alb, si kanë vepruar studjuesit paraardhës, por tek trajtat njërrokjore të fjalëve të përngjitura.të gjuhës së lashtë shqipe.

Emri alban / arban, duke qenë se është formuar në një periudhë të lashtë, duhet të jetë formuar, si të gjitha fjalët e reja, përmes përngjitjes së fjalëve njërrokëshe: al – ban / ar – ban. Përse ka ndodhur ky ndryshim tingëllor l/r tek ky emërtim? Ndyshimi ka ndodhur në përputhje me zhvillimin fonetik të gjuhës shqipe. Bashktingëllorja l në mjaft raste ka ndryshuar ne r, për shkak të dukurisë fonetike të qiellëzorizimt. Një altrnim të l ne r kemi tek mjaft fjalë të shqipes së sotme: gjalpër / gjarpër, albitër / arbiter, Në gjuhën e lashtë shqipe emri bir ka patur trajtën bil. Në gjuhët e huaja është ruajtur trajta e lashtë alban, pasi tek këto gjuhë nuk veprojnë ligjet fonetike të shqipes.

Në dallim nga studjuesit e mëparshëm, mbështetur në gjuhën e lashtë shqipe (pellazgjishten), ne nuk e shohim fjalën alban./ arban si të formuar nga një rrënjë alb, arb dhe prapashtesën an, por si përngjitje të dy fjalëve njërrokëshe të shqipes së vjetër (pellazgjishtes) ar – ban. Fjala ar është identike me fjalën arë të shqipes, tokë e punuar, e vënë nën kulturë, kurse fjala ban është identike me foljen ban të shqipes, por në trajtën e dialektit të gegënishtes. Në toskërisht kemi trajtën bën. Kuptimi i emërtimit del: “ Arë ban “.Fare lehtë mund t’u ndërrojmë vendet fjalëve dhe të themi “ Ban arë ” Përngjitjen e fjalëve të tilla e vëmë re dendur në gjuhën shqipe: punon hekurin – hekurpunus, gdhend gurin – gurdhendës.etj

Si të ketë lindur ky emërtim dhe çfar shpreh ai? Arbanët kanë qenë një ndër fiset e shumta ilire që zinin të gjithë bregdetin lindor të Adriatikut.Të gjithë këta fise kanë patur një gjenezë të përbashkët, që do të thotë edhe një gjuhë të përbashkët. Por çdo fis ka pasur një emër të veçantë. Ashtu si emri i një personi nuk vihet nga vetë ai, por nga persona të tjerë, edhe emrat e fiseve nuk janë vënë nga vetë fiset, por nga fiset fqinjë. Fqinjëve të lashtë të tyre, që flisnin të njëjtën gjuhë, u ka rënë në sy ndonjë tipar i veçantë i këtyre banorëve fqinjë. Për banorët e trojeve ku është shfaqur emri alban, ata kanë vënë re se këta banorë kanë patur aftësi të rralla për punët e bujqësisë. Ata kanë parë se këta banorë të këtij territori arrijnë që të shndërrojnë në tokë buke, ta bëjnë arë, çfarëdolloj terreni.

Këto aftësi të tyre si bujq të aftë për bërjen e tokave të ndryshme ara prodhuese, do të jenë bërë objekt diskutimi tek fqinjët e tyre. Duke u përmendur shpesh kjo aftësi e rrallë e tyre, ajo është bërë si një tipar dallues për këta banorë. Kur është dashur të flitet për ta, gjithmonë është përmendur tipari më karakteristik i tyre: bërja e arave. Ky tipar i veçantë, me kalimin e një kohe të gjatë, është bërë emri i tyre, arban.

Ja si e ka parë kuptimin e këtij emri S. Frashëri. Në librin e tij “ Shqipëria ç’ka qnë, ç’është dhe ç’ do të bëhetë ” ai shkruan:

“Shqipëtarëtë janë m’i vjetër’ i kombeve t’Evropësë. Duketë që këta erdhë më parë se gjithë prej mezit t’Asisë n’Evropë; edhe këta prunë në këtë vënd ditjen e të bërit shtëpi me mur si edhe diturin’ e të lëruarit, të mbjellit e të korrurit …pandaj prindëritë tanë të vjetërë u quajtënë Arbënë, fjalë të cilën na Toskëtë, pas zakonit tënë që bëjmë n në r, e këthyemë në Arbënë, si e përdorim edhe sot. Do-me-thënë ky komp kaq’ i vjetërë thuhëshë që m’atëherë Arbënë a Arban, do-me-thënë ata që punojnë arënë, që korrin e mbjellinë.”