Nga MUSTAFA V. SPAHIU
QAFAT E MALEVE
Qafat e maleve me krenari i adhuroj,
Kur isha gjashtë vjeç më hapën derë.
M’i llëpinin duart katër-pesë kapro’j,
Lepuri syçelë m’shikonte nën ‘i ferrë.
Qafat e maleve mbi shkop i shalova,
Përrenjtë tekanjoz që i ndanin n’dysh.
Zërat e fyejve si n’burime i gjerbova,
Bëheshin livare ylberi m’rrinin sysh.
Jam hashari – qafat e maleve i dua!
Me pushkallë pa trembur shpendinë,
Puhiza e pranverës luante me mua-
Turtujt shpesh ma hapnin shtëpinë.
Imazhet nga qafat e maleve m’vijnë,
Lisash më fshihet e arta fëmijëri, dhe
Trishtilat veshve diç m’pëshpërinjë,
N’logun e dredhëzave – për miqësi.
Maj – qershor 2016, në
Dhèvendlindje
POETËVE
Keni mirësi vjershë mos nisni,
Pa gjerbë me librash një det, e
Strehën tuaj mos e braktisni –
Se nuk bëheni dot – poet!..
Poezia ngjanë sikur bredhat,
Rriten të blertë në çdo stinë…
Vargje mos vekroni si edhat;
Qëmtoni metafora kolandinë!
Talenti – Migjen – vjen’ vetmi!
Vetëm një vjershë t’bën qyqe!
Vargu i zgjedhur është si flori –
Ars poetica i ka dhe do ligje…
Të ngashëren qershiz’e njomë,
Dikojnë motive – shkrep hareja.
Tërë natyra të futet në dhomë-
Shijavinë s’ndalen-rritet shèja.
Në çast përlotën – sytë mitarë,
Jakëni iu grishin – gjethe tërfili!
Shpirti përrua – me rreze t’larë,
Shkrepash erëmon trëndafili…
Në Anamoravë, 2016
GJËRAT NË VEND TË VET
Keni degjuar shpesh e shpesh,
Ç’merr prej Gjilanit n’Martanesh,
Kush i ka dy okë shega mend –
Çdo gjë duhet të jetë në vend.
Po si kështu, ore burrë me tru,’
Gjërat s’ndërrohen tutj’e tëhu?
Gjolet shtihen n’djepin e tokës,
Zbulimet e reja cepit të botës,
Trenat nxitojnë mbi tre binarë, e
Bletët herake n’punë për nektar.
Habi, sojkat malit s’bëjnë zhurmë;
Gjuetari gerit ia vëren çdo gjurmë!
Dhjeta fletoresh s’vocit shkëlqen;
Gjyshi me gjyshen mcykje këmben.
Zgalemi si kapiten rrin mbi anije,
Të shkyç llullën, në mend s’i bije!..
Sheshesh jehon – grykë e g’rnetës,
– Eja, ore i uruar në logun e festës!
Vetëm yjët e qiellit kanë marifet –
Xixëllojnë feneresh n’fronin e vet…
E premte, 4 gusht 2015, në
Anamoravë
OMEGA E DASHURISË
Zgjohen qepallat me buzëqeshje,
Kuis një violinë e mrekullueshme,
Prilli e maji ngjitur – kalaveshje! –
Rètë e mbarsura t’papërtueshme.
Të nesërmen hopakalas në agim,
Heracakët – çunat – ëndërrbardhë;
Zogjët rodhanit – qiellit fluturim –
Me trishtilat ndjehen – këngëtarë.
Sovajkë janë fsheht’sit’e dashurisë,
Dronat përndajnë shpresë drite, me
Puthjet e ngrohta – t’buzëqershisë;
Pëllumbi i takimit – vetëtimë rrite…
Zërat shndërrohen varg në timbre,
– Shiko gocën – nektar – gojëvogël!
Është loçkë, dëgjo shumë mendime,
Rrite zemrën, mos e lë sa ‘i gogël!
Nëpër gëmusha – strehë besnik’rie,
Kujdes po ndizet puthja e flakëruar!
I saktë – omegë – në çaste dashurie
Ndez mikja ndonjë puthje-graflluar!
E martë, 21 korrik 2015, në
Anamoravë
M’I JEPNI ORËT E VERËS…
M’i jepni orët e arta të pranverës!
Të zgjatet nata – s’merr guxim, e
Agimi vjen si me krahët e erës –
Me magjepsje – vjollcat n’amësim.
M’i jepni orët e arta të pranverës,
Yjesh hëna thur kurorë me nxitim,
Me cicërimat e zogjve të terrës, si
Përroi i malit zbret me ngazëllim..
M’i jepni orët e arta të pranverës!
Le të Vjosohet vargu me kaltërsim,
T’i merr përqafimet e çdo derë, dhe
Degësh pemësh shilarset n’blerim.
M’i jepni orët e arta të pranverës,
S’do jetë e fshehtë asnjë dashni.
Me buzagaz diellor të penxherës;
Lulesyri larg dallon çdo smirëzi…
M’i jepni orët e arta të pranverës,
Çdo fëmijë e kërkon orën e vet –
Trëndafilishtja s’çel prej poterës,
Trigfilet urojnë – shëndet – det!
E diel, 23 gusht 2015, në
Anamoravë
S’PENGOHET URTIA E
KËNGËS
Urtësia me urtësi matet me gjak e fjalë
Nëse prin fatkeqësia e ndalë shpresa,
As s’e mbulon me balsame harresa, e
Ajo shklet e hepohet valë mbi valë, me
Këngën me tharmë fort e kanë bekuar,
Rrugën me rusgjere duke ia kthyer, si
Bulzën e brishtë me degë t’rrëmbyer;
Ndjenjash poeti në gjunjë ka qëndruar.
Kënga vjen n’lloh’e n’shi dhe tërthore,
Ndihet tingëllimë në unazën e ditës, e
Askush nuk ia mbyllë dritaret e dritës,
S’është lule miturake rritet n’tërthore.
Çapkëni diell tashmë është zbuluar,
Vargjet qiparisa t’heshtur s’po rrin-
As gishtat e mij azgana s’po ngrin;’
N’lëkurë gjaku riosh ësht’himnizuar,
Njerëzit me tapi do ta alkimizojnë,
Si Wilhelm Teli zgjedhë metaforën,
Kah kup’e verës Odinit kurrë dorën
S’ia zgjas purpurët të trashëgojnë.
E enjte, 25 shkurt 2021, në
Dardaninë Ilire
NË ÇETELEN E KUJTIMEVE
Nëpër liqenet e fëmijërisë sime,
Kur s’u krodha sikur palombar;
Guaskat e mallit endin ngacmime,
Rosat i çukisin – strukur n’shevar.
Kujtimet motesh janë shkoklitur,
Poende shfaqen me shije mushti.
Pas tyre pjergullash jam ngjitur –
Qepallash përcëlluar nga gushti!
Ndala te një murator i pa emër,
Usta kujtimet a murosën si gurë?
– I uruari qeshi me lule n’zemër!
Tha: “malli… ndërton dhe një urë!”
Ndaç me kalë – nisu me këmbë,
Kujtimet kudo rrugës të ndjekin…
Çelin trëndafilash në pëllëmbë;
Me t’reja universit të përpjekin.
Gajtana shtigjesh zgjatën’vapë,
Si pjepëri s’pëlcasin përnjëherë!
Kujtimet si kujtime – lumë i gjatë,
Kujtimet dimrin e bëjnë pranverë.
E enjte, 26 gusht 2015, në
Anamoravë
LULËKUQJA
Kuq tasfesin megjës si luhatet,
Vetminë ia këndoi poeti Asdren,
Petalet ia lëpijnë suta me ‘i dren;
Lulëkuqes kërcelli seç i zgjatet.
Poeti Robert Desmos (në Francë).
Ejani të mbledhim – erdhi vera! –
Qiellit lulëzojnë lifqere e ylbera, të
Vemi me lulëkuqet dhe n’vakancë.
E botoi veprën “Lulkuqet e gjakut”
Liriku i mirënjohur Beqir Musliu, iku
Furtuna Dardanisë – gjaku shkriu-
U bë pikturë n’çdo ballë t’oxhakut!
Nonja tre – katër vargjesh i stisi
Për lulëkuqen dhe poeti Avdush,
Me nadje i përshëndeti në fushë;
Simpatinë lulëkuqes ia gremisi!?
U nis pas lulëkuqeve – sysh mallë,
Kësulëbleroshe – Mustafa Spahiu,
Ç’mallë djegëkte – prush kongjiu, i
Ngazëllyer n’lëvizje fare pa ndalë!
E diel, 04 prill 2021, në
Dardaninë Ilire