ALTARI I MADHËSHTISË – NGRITJA MENDORE DHE LIRIA E NJERËZIMIT

0
1012
Zymer Mehani - bibliotekë

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Sa njerëz kanë vdekur dhe sa do të vdesin (shkruan Deni Didro), të cilët nuk kanë pasur mundësi për të treguar se çfarë ishin.

Unë i krahasoj ata me piktura të mrekullueshme të fshehura në galeri të errëta, ku nuk ka depërtuar kurrë rrezja e diellit dhe ku do të shkatërrohen pa i parë askush, pa u kënaqur askush me to.

Çdonjërit koha i jep vendin e vet, por jo edhe mundësinë për të treguar se çfarë është dhe çfarë mund të bëhet. Te koha nuk ka mashtrime.

Janë faqebardhë të gjithë ata që asnjëherë s’e bartin krimin dhe ligësinë me vete. Të tillët janë të urtët që do të rendin nëpër bardhësitë e shekujve. Sepse ata në duart e tyre mbajnë prore pishtarë për të ndritur njerëzimin. Ata janë fanarë ndriçues në errësitë e shekujve. Ata janë vetë pikturat e mrekullueshme të ekspozuara në galeritë e ndritura, ku depërtojnë rrezet vezulluese të mendjeve të tyre.

Është thënë kaherë se altari i madhështisë ndërtohet vetëm në ngritjen mendore të njerëzimit dhe te liria e tij, sepse të gjithë njerëzit ndihen të lirë dhe të fuqishëm për ta ndërtuar jetën vetëm:
Aty ku shpirti nuk njeh frikën edhe koka ngritet lart;

Aty ku i jepet udhë diturisë;
Aty ku bota nuk është e përndarë ndër mure të ngushta; Aty ku fjalët burojnë nga thellësitë e së vërtetës; Aty ku dëshira e flakët i shtrin duart kah mrekullia; Aty ku përroi i kthjellët i mendjes s’ka rënë në dyshim nëpër ranishten e moçme të paragjykimeve; Aty ku ti i prin shpirtit tënd kah mendja dhe puna më e ndershme dhe më e madhërishme Sepse edhe sot e gjithë ditën sa e sa njerëz vdesin pa pasur mundësi për të treguar se çfarë janë, se në këtë botë shumë popuj ende dergjen në errësirën e shtypësve, të tiranëve e diktatorëve, të hapët apo të fshehtë, të atyre që me mashtrime e dhunë mundohen ta tresin të vërtetën; mundohen që popujve t’u hedhin hi syve. Por, sytë e popullit s’i verbon asgjë, se ata s’verbohen dot. Ata sy shikojnë larg. Janë prore vigjilentë.

Janë sytë më të mprehtë. E dallojnë të mirën nga e keqja.
Tirania, diktatura, sëmundjet, skamja e mjerimi; narkotikët, delikuenca, prostitucioni e injoranca janë aleatë të fuqishëm që pengojnë njerëzimin për t’i gëzuar frutet e djersës së vet.

Njeriu nuk është vetëm njeri, por ai është më shumë shpirt, të cilin natyra e fali për t’u bërë punëtor, piktor, muzikant, poet, mjek e filozof. E bëri punëtor ta fitojë bukën me mund e djersë; e bëri piktor ta pikturojë dashurinë ndaj çdo gjëje të gjallë mbi tokë; e bëri këngëtar e poet për t’i kënduar pikëllimit të zemrave dhe e bëri mjek e filozof për të shëruar shpirtësinë, që pa fjalë, është për njerëzimin.

Të gjithë njerëzit vetëm varri do t’i qetësojë. Ata vetëm koha do t’i nderojë. E gjenitë i pret altari i përjetësisë. Ata janë të mëdhenj, prandaj i përkasin mbarë njerëzimit.

Nganjëherë njeriu bëhet tjetër, si nuk dëshiron vetë. Humb mendjen në vijën e jetësimit dhe si anije me vela të grisura lundron përmbi valët, ngado që i bartin erërat. Kurse disa të tjerëve u mbeten ngushëllim vetëm ëndrrat dhe pamundësia për t’u treguar se çfarë janë a çfarë mund të bëhen. E njeriu shëmbëlleka me detin! Qenka i ngjashëm me të, që askush s’mund ta njohë, sepse që të dy, si njeriu, ashtu edhe deti, qenkan të thellë, tinëzakë, smirakë dhe nuk dihet se çfarë kanë në guaskën e zemrës! Askus s’mund t’i njohka shpirtrat e tyre të mbështjellur me përplot fshehtësi!