KOSOVA – FRYMËZUESE POETIKE (IV) “EPOPEJA JONË KOMBËTARE”

0
270

Nikollë Ivanaj
1879-1951

Sinan Gashi Nga Sinan GASHI

Ajo që ia nxiti fantazinë poetit Nikollë Ivanaj ishte lufta e Lumës kundër turqve, të cilët i ishin sulur Kosovës me ekspedita ushtarake nën udhëheqjen e Xhavit Pashës. Pavarësisht se a përmbyllej një betejë me fitore apo me humbje, autori ka besimin e patundur në trimërinë e vendësve dhe në fitoret e reja.

Duke mos u përqendruar vetëm në një kahje dhe njëkohësisht duke i dhuruar gjithçka të jetës dhe aftësisë intelektuale çështjes së atdheut Nikollë Ivanaj (1879-1951) nga Triepshi (Grudë), kishte lëvizur nga Trieshta në Podgoricë, nga Raguza në Bukuresht, nga Roma në Shkup, nga Roma në Stamboll, nga Sofja në Viri (Zeta), nga Nezideri i Hungarisë në Kautzen të Austrisë ose edhe në Paris, si dhe brenda tokave shqiptare: nga Shkodra në Durrës, nga Vlora në Fushë-Kosovë, nga Hoti në Korçë, nga Orashi i Mirditës në Dibër, nga Elbasani në Krujë, nga Grizheja në Çesmen e Koplikut, duke lënë dëshmi krijimet me data e tema autentike.

Po ashtu, duke menduar ta aktualizojë fjalën propagandistike edhe jashtë Shqipërisë, kishte botuar gazetën “Shpnesa e Shqypëniis” (1905-1908), që doli në Raguzë, në Tiranë dhe në Romë. Aty madje u kalitën penat e reja që, disa sosh, më vonë u bënë krijues të shquar. Ai ka botuar edhe një histori kombëtare-dokumentare në dy vëllime: “Historija e Shqypnis së re I” në Tiranë më 1943 dhe “Historija e Shqypnis së re II” në Tiranë më 1945.
Pas fitores së xhonturqve (1908) u kthye në Atdhe, me ç‘rast organizoi kryengritjet kundërosmane (1910-1912).

Veprimtarinë publicistike e ka zhvilluar edhe jashtë Atdheut, si në Itali, Greqi, Mal i Zi, Bullgari e ShBA. Pas Luftës së Parë Botërore nga partitë politike të shqiptarëve të Amerikës u dërgua në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Shkodrës. Po ashtu ka një meritë (me ç’rast shprehet aftësia e tij) për drejtimin e organeve “Lidhja Kombëtare” 1915, “Koha e Re” 1919-1925, “Republika” 1923-25.

Moszënia vend, kontakti me shumë fytyra të shquara dhe domethënëse të shqiptarizmit ose edhe endja e mesazheve me vlera të përhershme bënë që ai përjetoi burgimet në Podgoricë, në burgun e komandës ushtarake të Austrisë, internimi në Hungari (Nezsider) dhe Austri (Kautzen) më 1916, përkatësisht 1917.

Kushtimisht nga të gjitha këto të dhëna të jetës së tij krijohen edhe poezi të motivit patriotik, të cilat i botoi si pjesë të parë të vëllimit poetik “Lulet e pasosme” në Tiranë më 1944. Ai vetë i quan vjersha kombëtare. Përmes tyre është përshkrimi poetik i rrugës së tij jetësore-kombëtare.

Shkruan edhe për Malësinë e Madhe si “Djepi i besës e trimërisë/Djep i nderës, fisnikërisë?/ Dorë e djathtë e Shqyptarisë”. E frymëzon shpata e Skënderbeut, duke synuar kërkesën e hershme për bashkim, poezi për shpatën e heroit tonë legjendar që ruhet në muzeun e Marie Theresës në Vjenë, atje ku u frymëzua edhe Naim Frashëri, e cila lind idenë “Për bashkim kombëtar, e liri!”. Në numër vjershash janë për qytetet nga i ka rënë hise të qëndrojë, si: Stambolli, Korça, Roma, Shkodra, Elbasani, Kruja, Vlora e tjerë.

Majde ka sish që u kushtohen nga dy vjersha, por gjithmonë duke lidhur motivin me diçka nga kombëtarja, të cilin e përkufizon gjithmonë si territori – Shqiptari. Për Kosovën shkruan ekskluzivisht një poezi më 1909 në Lumë-Prizren, ndërsa me motiv të njëjtë edhe një tjetër, titulluar “Irredentës”, shkruar në Malëci të Dibrës, në kallnor 1916, në të cilën shpreh indinjatën për copëtimin e tmerrshëm të tokave shqiptare në pjesë të shumta.

Si edhe poetët pararëndës Nikollë Ivanaj Kosovën e ka shembull të bujarisë e trimërisë (“Buka dhe besa shqiptare”) dhe më vonë e gradon “Epoeja jonë kombëtare”.

Ajo që ia nxiti fantazinë poetit ishte lufta e Lumës me turqit, të cilët ishin sulur kundër Kosovës me ekspedita ushtarake nën udhëheqjen e Xhavit Pashës. Pavarësisht a përmbyllej një betejë me fitore apo me humbje autori ka besimin e patundur në trimërinë e vendësve dhe në fitore të reja:

Qindro pra, Kosovë, se shpejtë
Do të mbretnojnë e plotë lirija;
E sa malet e njati Sharrit –
Do të rrnojnë Shqyptarija!

Nëpërmjet poezisë së dytë ai shpreh indinjatën për pazarllëqet që u bënë në kurriz të tokës shqiptare. Kjo ishte një sakatosje që nuk ishte parë në asnjë vend: ndarja e një trualli etnik në katër-pesë pjesëza, për t’i kënaqur apetitet e tjerëve. Poeti, me ndjeshmërinë që e ka në tepri dhe vetëdijësimin e lartë kombëtar, përjetimin e ka të thellë, shqetësimin e përhershëm. Thotë:

Ç‘patë e marrë, shtrigë Evropa
Që e shartoj kështu Shqypninë,
Tue ‘ia pre krahët e kambët
Hotë, Grudë, Ohër e Ulqinë?!-
Me Priren, Gjakovë ‘dhe Pejë,
Me ty Tetovë, der’ në Janinë,
A por deshti për me n’a shti
Shpejt në luftime me fqinjë.

Poezia mjaft konkrete, të cilën vetëm sa e përshkon një vel artistik, përmbyllet me optimizmin e përhershëm të rilindësve se do të luftojmë dhe do ta fitojmë patjetër lirinë, që këso radhe krijuesi e sheh vetëm si bashkim – në Shqiptari.

Krijues i synimeve tejet të angazhuara kombëtarisht, e jo të bëhet vetëm mjeshtër i fjalës së shkruar, rendit fakte, duke i parë ato edhe si art, edhe si dëshmi dokumentare, për të ndodhurat e mëdha të historisë sonë.

KOSOVA

Hajde Kosovë, dy të lumtë pushka!
Buka ‘dhe besa shqiptare, –
Hallallë të qoftë! Se ktu xu fillë
Epopeja jonë Kombëtare! –

Ashtu gjithmonë të punoftë fati
Në mprojë të nderës e kombësisë;
Ty perherë, Lumë, t’a dhashtë Zoti,
Faqëja e bardhë e Shqiptarisë.

S’e epë armët Shqiptarija –
Për me i ra mohit kombësisë –
Ka me pasë çka Xhavit Pasha
Me i rrfye Halldupit t’Azisë…

– Liriën konstitucionare
Kështu e paska pasë kuptue
Don Kishotët e Turqisë
Tue e monopolizue!?-

Qindra, pra Kosovë, se shpejtë
Do të mbretnojnë e plotë lirija;
E – sa malet e njati Sharit –
Do të rrnojnë Shqiptarija!

1909, Lumë-Prizren
Nikollë Ivanaj