Octavio Paz
THELB I SHPIRTIT TIM
Përse kraharorin sërish ma prek?
Dhe vjen në heshtje fshehtas e armatosur,
porsi luftëtarët që përvidhen në qytetin e fjetur;
gjuhën ma djeg me buzët e tua, oktapod,
dhe m’i ngjall furishëm harbimet,
e këtë ankth të pafundmë
që e ndez flakë gjithçka që prek
dhe gjithçkaje ia ngjiz
lakminë e mugët.
Bota epet dhe shkrihet
Si metali në zjarr.
Nga rrënojat e mia ngrihem unë,
Vetmitar, lakuriq, i shkretë,
Mbi shkrepin madhështor të heshtjes,
si ndonjë luftëtar i vetmuar
përballë bujtësve të padukshëm.
E vërtetë kaq përvëluese,
përse më nxit vallë?
Të vërtetën tënde nuk e honeps dot,
as pyetjen tënde të pakuptimtë.
Përse vallë kjo luftë shterpë?
Njeriu është krijesë e paaftë për të të ngërthyer,
lakmi që veç etja shlyen,
flakë që përpin gjithë buzët,
shpirt që nuk gjallon në asnjë mënyrë
e çdo formë prapëseprapë përcëllon
me zjarrin e fshehtë të pashuar.
Megjithatë, ti ngulmon, lot qesëndisës,
brenda meje ngre perandorinë tënde djerrinë.
Lartësohesh nga humnerat e mia,
nga qendra e paemër e qenies sime,
ushtri, baticë detare.
Rritesh, më mbyt etja jote,
dëbon zgjedha jote,
gjithçka që nuk epet
ndaj tërbimit të shpatës sate.
Veç ti jeton brenda meje,
Ti, lëndë e furishme, e pa emërtueshme,
lakmi nëntokësore, përçartëse.
Kraharorin ma godasin shajnitë e tua,
zgjohesh nga prekjet e mia,
ballin ma ngrin
dhe sytë m’i bën profetikë.
Përkap botën dhe të prek ty,
lëndë e paprekshme,
njësim i shpirtit dhe i trupit tim,
e kundroj kacafytjen që luftoj
dhe dasmën time tokësore.
Sytë m’i mjegullojnë pamjet e kundërta,
e sakaq këto pamje mohohen
nga të tjera syresh, më kuptimplota,
belbëzim përvëlues,
ujëra që mbyten nga terrimi i ujit të dendur.
Në errësirën e vet të lagshtë, jetë dhe vdekje,
prehje dhe lëvizje, janë e njëjta gjë.
Ngulmon, ngadhënjyese,
ngase unë gjalloj vetëm falë gjallimit tënd,
dhe goja e gjuha ime qenë ravijëzuar
veç për të shprehur frymën tënde
dhe rrokjet e tua të fshehta, fjalë
e paprekshme dhe despotike,
thelb i shpirtit tim.
Je thjesht një ëndërr,
po krejt bota ëndërron ngërthyer brenda teje
dhe heshtja e saj gjen shprehje në fjalët e tua.
Kur prek kraharorin tënd
kam cekur skajin elektrizues të vetë jetës,
mugëtirën e përgjakur
ku puqen goja mizore e dashuruar,
akoma e etur për të rrënuar gjithçka që dashuron
dhe për ta jetuar sërish gjithçka që ka shkatërruar,
me botën e pandjeshme
e gjithmonë të njëjtë me vetveten,
ngaqë asnjëherë nuk ka ditur të ndalet
as ta humbasë kohën me çfarë ka ngjizur.
Merrmë në vetminë tënde,
shpjermë në ëndrrat e tua,
merrmë, nëna ime,
zgjomë tërësisht,
lejoma fanitjen e ëndrrës sate,
me vaj m’i njom sytë,
për ta njohur veten time, kur të të njoh ty.
E shqipëroi nga spanjishtja
ELVI SIDHERI
Dërgoi për publikim, A. N. Berisha, shkrimtar