Sa hije të mëdha paska kjo dreq e djeshme!

0
281
Kristaq Turtulli - Zhgënjimi

Për ju miq të mi një fragment nga novela: “HIJET E SË DJESHMES”, shkëputur nga libri me novela: “ZHGENJIMI”.

Haxhi Çali u shkul prej territ, rënduar nga balta e errët dhe e helmët. Shkundi kuvertën e pistë, të mbushur me morra e tartabiqe. Kroi dhembët e verdhë dhe u zgjat si neperke në shtegun e mjegullt;
– Hëm, hëm, hëm – u gërmuq.
– Ti je o Haxhi Cali, apo ana e keqe e jotja? Mjegulla dhe errësira?!
– Hëm, e kush tjetër. Gjarpri dhe lakuriqi i natës kanë qenë dhe janë në modë. Ha, ha, ha, ha!

U tërhoqa prapa dhe mata të bërtisja me sa zë që kisha në kokë:
‘Qepe halenë Haxhi Çali. Çfarë fitimi ke që ma bëre këtë gjëmë?! Unë të kam falur gjithnjë, ndërsa ti s’reshtën së më kafshuari në vesh. Çfarë të kujtoj më parë nga ty dhe të harroj. Ç’të keqe ke pasur nga unë?! Por ti je më i keq, më këllirë se të gjithë. Kjo koka ime është me qoshe trekëndore, prandaj nuk ve mend. Harrove o pusht, Haxhi Çali, mi i qelive, të shpëtova jetën në burg, jo njëherë por disa herë?

Në hale nuk guxoje të shkoje, kishe frikë se të skopitnin koqet, të dërmonin prapanicën. Ramë kokëmushka, pas daljes prej biruce, donte të shtypte kokën. Ishe ti or mi fekalesh, që i bëre peshqesh birucën kur Rama shau partinë dhe komandën e burgut. Kokëmushka mesi priste të përfundonte dënimin prej asaj të flamosur hapsane. I gjori Ramë kishte lënë pleqtë e sëmurë, një tufë me kalamaj dhe me të drejtë bërtiste si i shkalluar:

‘Haxhi Çali, i spiun bir spiuni, nuk ke lindur nga vëra e femrës por prej llumit e qelbit. Prandaj je qelbak, i poshtër, nga tinëzitë e tua po më nxihet jeta më keq. Prandaj kam vendosur ta shtyp kokën si qelbak, të shpëtojnë të gjithë të burgosurit njëherë e mirë.’ ‘Aman mos më vrit, të puthsha këmbët,’ luteshe dhe qaje o Haxhi Çali. U zgjate të puthje gishtat e këmbëve përlyer me baltë.

‘Hy dreq, mos më qelb këmbët!’ të shtyu Rama: ‘Kështu të urdhëruaka komanda, për të na kalbur në biruca. Nuk ke besë dhe nder pis i ndyrë, të shet për një fije lakër të kalbur. Unë e kam vendosur ta shtyp kokën si qelbak që je. Të shpëtoj kampin, të burgosurit e tjerë, pa mua në daç të më vrasin në daç të më kalbin përjetë në birucë.

‘Mos Ramë, mos e vrit, është i dobët, nuk e sheh, i ka përmjerrë pantallonat,’ i thashë, ‘është bërë për gjynah.’
‘Ka gjynah ky llum i keq, më lër, ky vetën të kafshojë, të qelbë e të helmosë dynjanë di,’ bërtiste Rama.
E shtyra me forcë Ramë kokëmushkën, por guri më ra në këmbë dhe më nxiu gishtërinjtë.

Hale ke qenë gjithë jetën. Majën e mprehtë të shigjetës e leve me helmin vdekjeprurës të kobrës. Haxhi Çali më qëllove me shigjetë në zemër.
O hienë, tani do të marrësh në qafë një popull të tërë, me depudetllëkun tënd të pështirë. Hapu dhe të futesh…

Me naivitet u përpoqa ti harroja të gjitha. I hodha pas shpine, shtriva dorën e miqësisë dhe paqes, sepse e di fort mirë që demokracia nuk do revanshe. Por nuk harron Haxhi Çali, prandaj më qëlloi me shigjetë të helmatisur pas shpine. Mirë i thoshte Ramë kokëmushka, gjarpër je dhe shkuar gjarprit o Haxhi Çali, prandaj duhet ta shtyp kokën..!

Por kur majat e thonjve të pistë të vdekjes dhe te ligesise se njeriut kafshe, ngulen tinëzisht ne zemër është pashërueshme…
Sa hije të mëdha paska dhe sa fort na shtrëngon fytin, s’ na lë të marrim fymë, kjo dreq e djeshme!

KRISTAQ@ TURTULLI.
HIJET E DJESHMES, fragment nga libri me novela ZHGENJIMI. Botuar ne Amazon 2014