ÇELËSI I INTERPRETIMIT TË VEPRAVE LETRARE PËR FËMIJË

0
369
Anton Nikë Berisha - Poetika e letërsisë për fëmijë

Anton Nikë Berisha, Poetika e letërsisë për fëmijë. Botoi Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, Gjakovë 2020, f. 204

Sabahajdin Cena

Tashmë nuk është kontestuese se veprat e studiuesve të mëdhenj të letërsisë në përgjithësi e të letërsisë për fëmijë në veçanti, u bënë gurë për ngritjen e kësaj godine që jo vetëm e mban të zgjuar dhe e kënaq kureshtjen e lexuesve të vegjël e të rritur, të mësimdhënësve të letërsisë, të arsimtarëve dhe të mësuesve, por edhe të studiuesve të letërsisë për fëmijë. Një hap të këtillë e bëri dhe Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani” që mundësoi botimin dhe e vuri në dritë veprën e Prof. Dr. Anton Nikë Berishës me titull “Poetika e letërsisë për fëmijë” me çështjet: Letërsia për fëmijë si art i fjalës, Vëzhgime teorike, Krahasime me letërsinë për të rritur, Interpretime veprash e në fund Portrete shkrimtarësh.

Kjo përmbledhje e hulumtimeve dhe e shkrimeve të Anton Nikë Berishës, studiuesve u erdhi pas veprave: Mundësi interpretimi, Ese dhe vështrime (Prishtinë 1979), Teksti poetik. Vështrime e kritika (Prishtinë 1985), Veçanti ligjërimesh poetike (Tiranë 1996), Gjymtime dhe shëmtime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (Prishtinë 2001), Çështje teorike të letërsisë (Prishtinë 2005), Njëmendësia e fjalëve. Mundësi interpretimesh letrare (Prishtinë 2006), Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë (Cosenza 2008), Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare (Prishtinë 2008),Vëzhgime teorike dhe estetike të De Radës dhe të Fishtës (Tiranë 2011), Larmi vëzhgimesh letrare (Prishtinë 2012), Ligjërime rreth tekstit letrar poetik (së bashku me Labinot Berishën, Prishtinë 2017), Hyrje në historinë gojore shqipe (Prishtinë 2017), Estetika dhe estetika e letërsisë (së bashku me Labinot Berishën) e shumë vepra të tjera.

Pjesa e fundit e veprës “Poetika e letërsisë për fëmijë” vështron letërsinë për fëmijë si art të fjalës, qoftë në rrafshin teorik, qoftë të krahasimeve me letërsinë për të rritur, pastaj interpretime të veprave e të portreteve të shkrimtarëve. Si moto të librit autori ka vënë mendimin e doajenit të letërsisë për fëmijë Mark Krasniqit, autorit të përmbledhjeve tejet të rëndësishme për fëmijë, ndërsa hapet me një parathënie, ku në mënyrë tejet të matur, autori konstaton se studimi i veçantive teorike të letërsisë për fëmijë, veçanërisht i poetikës së saj, krahasimit me letërsinë për të rritur dhe interpretimit të disa veprave të veçanta, ishte një sprovë dhe ballafaqim i mirëfilltë duke sfiduar vetveten dhe përvojën e tij si studiues, jo vetëm i letërsisë kombëtare por edhe botërore për fëmijë, gjë që shihet më gjerësisht edhe në veprat e tjera të autorit.

Në pjesën e parë – Çështjet teorike të letërsisë për fëmijë, autori trajton veçanti të artit të fjalës së shkruar, përkatësisht të letërsisë dhe të aktit të krijimit: “[…] shkrimtari ndien nevojë shpirtërore t’i shprehë gjërat që ‘vlojnë’ brenda tij, për t’ia thënë vetes, për të menduar vetë rreth tyre ose për t’ia thënë tjetrit; të ballafaqohet me mendimet e ndryshme që i lindin kur është në vetmi, ose që ia nxisin dukuritë e jetës së përditshme, leximi i veprave të paraardhësve” (f. 27) duke u ndalur te qenësia e tekstit si strukturë gjuhësore poetike, me theks të veçantë tek rëndësia dhe karakteri njohës i letërsisë për fëmijë. Në këtë kuadër Berisha synon ta përkufizojë letërsinë si art të fjalës dhe ndikimin estetik që teksti ushtron në lexuesin. Pra, theksohet rëndësia e letërsisë për fëmijë dhe ndikimi i saj estetik, krahas rëndësisë njohëse të saj. Po kështu autori thekson rëndësinë e të bukurës si kategori estetike në pasurimin e shpirtit të fëmijëve si dhe të mrekullueshmen.

Si çështje me vete autori e ngrit ndikimin dhe rëndësinë e përrallës si lloj i mëvetësishëm i letërsisë për fëmijë për të hyrë në problemet që ka kjo letërsi përballë letërsisë për të rritur. Duke i trajtuar këto çështje autori ndalet në shtresat dhe llojet e ndryshme të letërsisë me vështrime mbi artin letrar gojor dhe artin letrar të shkruar, pra raportin ndërmjet letërsisë gojore dhe asaj të shkruar, fusha këto të cilat autori i pati rrahur edhe më herët në punimet e shumta duke e krahasuar letërsinë për të rritur me letërsinë për fëmijë me theks të veçantë mbi tiparet integrale dhe dezintegrale që ndikojnë në forma të ndryshme mbi njërën apo mbi tjetrën.

Me të drejtë theksohet: “Gjuha që përdor shkrimtari në veprën letrare për fëmijë është një nga përbërësit e rëndësishëm që e veçon atë nga gjuha e veprës për të rritur. Ajo duhet t’i përshtatet natyrshëm mënyrës së të menduarit të fëmijëve, të jetë një qenësi e kuptueshme prandaj dhe lehtazi e receptueshme. Pikërisht brenda këtyre përbërësve fshihet dhe qëndron fuqia dhe veçantia e gjuhës që përdor shkrimtari në një vepër për fëmijë” (f. 76). Pra, autori ndriçon dhe begatimin shpirtëror, estetik që vepra për fëmijë mund të bëjë përmes artit të saj në marrësin.

Berisha thekson se letërsia shqipe për fëmijë ka vlera të mëdha dhe se përkimet me letërsinë gojore shqipe janë të dukshme, si fjala vjen, këngët e riteve e këngët e motmotit, këngët e riteve familjare, lojanakët (lojënumraket), përrallat, por edhe letërsinë e traditës duke i ilustruar mendimet me shembuj të bukur që gjallojnë ende në letërsinë gojore.

Në pjesën e dytë autori përqendrohet në interpretimet e disa veprave të letërsisë sonë për fëmijë dhe nis me interpretimin e “Postës së porositur” të Mark Krasniqit, njërës prej veprave më interesante, më të këndshme e më të rëndësishme, madje edhe më të lexuara të letërsisë sonë për fëmijë. Galeria e personazheve: njerëz, kafshë shtëpiake e kafshë të egra, shpezë e insekte, paraqet botën e mbushur me anatagonizma të shumtë sepse “I ligu prej të fortit, gjithmonë është në rrezik”, prandaj edhe “Delja kurrë nuk mundi, ujkun ta zërë mik”. Së këndejmi, ujku, ariu e dhelpra rrezikojnë përherë delen me qengja, bletën me mjaltë dhe pulën me zogjtë.

Mirëpo, mbi të gjithë qëndron njeriu që, sipas studiuesit, del më i fortë se guri e mesazhe të qëndresës mishërohen nëpërmjet gjahtarëve: axhës Sat (që ka një pushkë të gjatë) Kapllan Barutit (që mallkon që kafshës t’i qorrohen sytë e t’i dalin sa huti”) e axhës Behram (me kërcënime për derrin e egër i cili e përshëndeti me një telegram), prandaj edhe optimizmi shprehet vetvetiu pa trumbetime e deklarata e moralizime. Në këtë mënyrë ndriçohen vlerat edukative, njohëse dhe estetike të veprës për fëmijë, Mark Krasniqit, të cilin studiuesi Berisha e njeh çdo skutë të veprimtarisë letrare, duke filluar nga vepra “Prrallat e gjyshit” e “Dritës së parë”.

Në këtë pjesë të librit trajtohet dhe krijimtaria letrare e Rifat Kukajt, veçanërisht përmbledhja e vjershave me titull “Pëshurrani i gjyshit” të cilën studiuesi Berisha e vështron dhe e shpall “xhevahir” të krijimtarisë letrare për fëmijë edhe kur e krahason me veprat e autorëve të tjerë në rrafshin intraletrar, me veprat e mëparshme të Rifat Kujkajt dhe me krijuesit e letërsisë sonë në përgjithësi.

Një qasje e këtillë multidisiplinare mund të shërbejë edhe si model e çelës për depërtim në shtresat më të thella të veprave për fëmijë e për të rritur e në saje të qasjeve të këtilla shumë mënyreshe dhe shumështresore. Berisha heton se Rifat Kukaj arrin një rrafsh të lartë shprehës poetik dhe komunikues; përfton me mjeshtëri disa nga pamjet e rralla të poezisë sonë për fëmijë, ku e rëndomta ose e zakonshmja ngjizet me të pazakonshmen, përditshmëria me përfytyrimin dhe aty gërshetohet gëzimi e hareja me rastin e lindjes, gjatë rritjes dhe gjatë pjekurisë, duke theksuar zhbërjen e kufirit midis poezisë për fëmijë dhe poezisë për të rritur, ku vjersha shpreh e paraqet një tekst të mbrujtur mirë me mendime të qenësishme.

Gjatë hapërimit nëpër veprat e autorëve – krijuesve studiuesi Berisha ndalet edhe në interpretimin e poezisë së Agim Devës, ku gjen një botë të mendimit dhe të veprimit të lirë që nga përmbledhja e parë e Devës e deri në fazën kur krijuesi ngrihet, pasurohet e thellohet në përmbledhjet e mëvonshme dhe lexuesi, në saje të vjershave të Devës, por edhe interpretimit të Berishës bindet se me të vërtetë Deva e njeh artin e fjalës së shkruar në përgjithësi e të letërsisë për fëmijë në veçanti; nga teksti i poezisë së tij del se çdo njeri është farkues i fatit të vet dhe se “do të korr atë qe e mbjell”, prandaj vetëdija asnjëherë nuk duhet të jetë e fjetur dhe lexuesit të çdo niveli e grupmoshe i bëhet se gjatë shtegtimit jetësor has lypsarë apo karrocierë të shtypur nga guri i skamjes dhe i varfërisë. Sipas Berishës “Rrëfimi poetik i Agim Devës, është sa i pandërmjemë dhe i qartë, aq dhe simbolik dhe poetik. Poezia e tij tematikisht është aktuale dhe kuptimisht shumësore. Edhe pse autori nuk e kultivon fantastikën, të mrekullueshmen, krijimet e ngritura e të shtjelluara nga gjuha poetike, nxisin një nëntekst dhe një konotim të pasur” (f. 126).

Në këtë libër Berisha interpreton dhe vepra të letërsive të huaja, siç vepron me veprën në prozë të Antoan Dë Sent Egzyperi “Princi i Vogël” të prirë nga motoja se “Libri është zgjatim i kujtesës dhe i imagjinatës”, maksimë kjo e Jorge Luis Borgesit; pra krijuesi duhet të frymojë përmes shkrimit që e harton, duhet të qajë kur shkruan ose të këndojë gjatë shkrimit, në të kundërtën, sipas Anais Ninit, është më mirë të mos shkruajë, për arsye se kulturës nuk i shërben. Këtu studiuesi hap horizontin kah bota në sytë e fëmijës dhe kah bota në sytë e të rriturit.

Në vazhdim Berisha e interpreton romanin “Zogun e bardhë” të Rifat Kukajt, duke e plotësuar portretin e këtij krijuesi. Me të drejtë konstaton se “Vlerat e mirëfillta poetike duhet t’i përkasin gjithë njerëzimit: ato i tejkalojnë kufijtë krahinorë, kombëtarë, racorë e fetarë. Këtë gjë e kushtëzon para se gjithash arti i tyre, komunikimi dhe ndikimi estetik që bëjnë tek marrësi” (f. 147); arti ekziston për njeriun e jo për vetë artin. Në rrafshin poetik ky roman i Kukajt ndjek poetikën, strukturën dhe kompozicionin e përrallës gojore, pra roman i tipit përrallë.

Çështjet e interpretimit të veprës letrare, në formë modeli-çelës Berisha i përfundon me romanin “Shpella e piratëve” të Petro Markos. Duke e interpretuar këtë vepër të Markos, studiuesi i ballafaqon botën reale me botën e gojëdhënave për një shpellë që ngjan të jetë e piratëve, ku lidhen dy kohë: e tashmja me të kaluarën e sërish haset modeli romanit të tipit përrallë, sipas parimit aditiv, kur njëri episod “thërret” episodin tjetër sipas modelit “Çka pastaj?”, por që te Petro Marko, studiuesi gjen një botë të mëvetësishme artistike e cila në një mënyrë apo në një tjetër bëhet pjesë edhe e atij që e lexon.

Pjesa e tretë e librit përmbushet me dy portrete të shkrimtarëve: Rifat Kukaj e Vehbi Kikaj, autorëve të veprave të rëndësishme poetike për fëmijë, shprehur më gjuhën figurative, të dy bardhësive; “Zogut të bardhë” e të “Sarajeve të bardha”.

Krijimtaria e Rifat Kukajt vështrohet nga aspekte të ndryshme; dëshmohet e pasur dhe e përftuar me përkushtim të madh nga se autori jetoi me letërsinë dhe për letërsinë. Romanet e Rifatit studiuesi Berisha i grupon në tri rrafshe. Në rrafshin e parë ky studiues ia gjen vendin “Kokërrmelit dhe pilivesës”, në të dytin, “Ditës së xhufkave” dhe në rrafshin e tretë “Zogun e bardhë”.

Sipas interpretimit të Berishës, Rifat Kukaj dëshmohet edhe mjeshtër i tregimit të shkurtër. Këto krijime janë përftuar mbi bazën e argëtimit dhe të lojës, shpesh të gërshetuar me një humor të lehtë, mbështetur në krijimtarinë gojore.

Nga veprimtaria letrare të Vehbi Kikajt studiuesi ndriçon një varg vlerat e veçantish artistike, qoftë në rrafshin e poezisë, qoftë të prozës.

Në saje të vështrimeve të gjithanshme, të qasjeve multidisiplinare, Anton Nikë Berisha procedon sipas një koncepti të ri e të përfillshëm shkencor, prandaj edhe ka arritur që t’i shtrojë çështjet rreth poetikës së letërsisë për fëmijë, po dhe marrëdhëniet me letërsinë për të rritur, pastaj me letërsinë gojore, ndikimet dhe përkimet në disa rrafshe. Punën serioze të autorit e dëshmojnë burimet e shumta, fusnotat dhe referencat që flasin për gjerësinë dhe thellësinë e të shtruarit të problemit të poetikës së letërsisë në përgjithësi dhe të letërsisë për fëmijë në veçanti, të interpretimit të disa veprave të rëndësishme për fëmijë dhe të ravijëzimit të portreteve të shkrimtarëve.

Me këtë vepër Berisha ndriçoi një varg dukurish të letërsisë; i shprehu mendimet dhe vlerësimet me një drejtpeshim dhe solli argumente dhe fakte të rëndësishme. Pra, edhe arriti t’u japë një përmasë më të gjerë shqyrtimit të problemeve të kësaj letërsie që u kushtohet një pjese të madhe të lexuesve.

Në veprën “Poetika e letërsisë për fëmijë” Anton Nikë Berisha përdor një sistem të tërë të nocioneve, qofshin të traditës sonë, qoftë nga tradita e tjera, me ç’rast pasurohet terminologjia e studimit të letërsisë. Këtë pasuri autori e voli nëpër veprat e ndryshme që i studioi si dhe nëpër qendrat universitare ku qëndroi, veproi dhe i bëri hulumtimet.

Mënyra e të shkruarit të Anton Nikë Berishës është e qartë dhe bindëse, prandaj me mendimet dhe vlerësimet e shprehura në këtë libër mund të komunikojë edhe krijuesi i thjeshtë, por edhe studiuesi specialist i fushës së letërsisë në përgjithësi e i letërsisë, sidomos i për fëmijë.

“Poetika e letërsisë për fëmijë” e Anton Nikë Berishës tejkalon premtimin që i jepet lexuesit përmes titullit për arsye se ai vëzhgon edhe çështje të diskutueshme të letërsisë për fëmijë.

Rahovec, shkurt 2021