Zbërthimi i enigmës

0
409
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Ngjitëm shkallët e autobusit, me të cilin do të udhëtonim deri në Gjilan. Afër dritaresh do të ulej çupa ime me kike të bukura, ndërsa unë ende pa e mbështetur shpinën në ulëse i mbylla sytë. Ndihesha i lodhur.
Ëndërroja.
E pabesueshme, veç e vërtetë.

Mësyja të vizitoja ndonjërën nga personazhet e një shkrimi tim të hershëm!
I shikoja të gjithë të ulur në autobus, megjithatë të gjithë flasin me një gjuhë, me një zemër. Për të gjithë vlente e njëjta dritë, i njëjti ajër, e njëjta rrugë. I njëjti synim.. të gjithë kishin të njëjtën veshmbathje. Të gjithë ëndërronin të njëjtat pushime vjetore, qoftë verore dhe dimërore… Autobusi ikte gjuhën e përhirtë, ikte bërrylat dhe aty – këtu rrëshqitjet e lehta mbi gungat e lugjet e imta.

Të gjithë kishin rënë në gjumë, përkrye shumë tallazesh të ashpra shiritash të zgjatur ngjyra-ngjyra, për të krijuar pëlhura të ndritshme ëndrrash. Pamje të ndryshme të magjepsura. Secilit i ndriste fytyra, nën ngjyrat e gjalla të dritës së mëngjesit, i cili binte në dritaret e autobusit, krijonte takime të ngrohta me mendimet e tyre. I shikoja në hutuar, ndërsa ëndërronin dashurinë, flatrat e bardha të jetës. Ndonjëri fliste symbyllur, kërkonte të fluturonte nën figurat e panjohura apo dhe të largëta, që stolisnin qiellin.

Kalonim nëpër një pyll të dendur të mendimeve. Ajo çfarë kishe krijuar gjysmë në gjumë, vajza ime me sy në dritare, në të cilin tashmë shfaqeshin shtëpitë e vjetra e të reja të qytetit për ku ishin nisur. Ajo tërë kohën shprehte ngazëllim dhe buzëqeshte. Unë përqendrohesha në ndryshimet që kishin pësuar sheshet, rrugët, shtëpitë, të cilat i njihja kohë më parë… Mendja më bartte në ngjyrat e vjeshtës së kuqërremtë në të verdhe… Ajo kaq qartë shtrihej nëpër pemë, kopshte, lugje, brigje, e ngado. .. Autobusi u ndal. Zbritëm unë e vajza të merrnim frymë lirshëm.

Në të njëjtën kohë, seç m’u kujtua një vizitë e largët në kombinatin e tekstilit «Integj» në Gjilan. E njëjta pamje dhe frymë më rrëmbeu dhe përnjëherë më mori në parzme era e bulave të djersës dhe e ritmeve të zgjuara të makinave, ku thuret pëlhura dhe gatuhet buka, ku shkruhet poezia e këndohet jeta, ku gërshetohet dashuria e aty ku rrjedh dashuria është pranvere gjithherë… Ja-lulëzojnë bukuritë të krijuara me gjilpërë, çelin lulet e bardha, ato, më te bukurat, që mund t’i punojë vetëm njeriu, që mund t’i krijojë dora e vyeshme pa pike ndihme nga mjeshtri më i madh – natyra.

I tëri kalova mes atyre, që e mbanin gjallë rrjedhën me duart e tyre dhe ngrohtësinë e përhershme, me fijet e gjata dhe vargjet për dashurinë, aty ku zbërthehen edhe enigmat, flasin fshehtësitë…

– Këtu, natyrisht, gjithherë është pranverë, – derdhen buzëqeshjet e shkrihen nëpër pëlhura, lëvizin duart nëpër penjtë e bardhë që ikin tufa-tufa nëpër makina, varg e varg të thuren në gjuhën e fundit – në perde, në tepihë, në lule. Po kjo gjallëri, lëvizje, po kjo frymëmarrje derdhet gjithherë këtu, ne «Gival», po dhe në repartin përbri, tek prore mbështillen e çmbështillen mbështjellësit e penjve në vekun e tepihëve. Tejkalohen rrjedhat: buka është më e madhe se ajo që është paraparë të gatuhet. Natyrisht, pse djersët kanë rrjedhur më hovshëm, më me ritëm. Cili punëtor do të këndojë këtë ditë? A thua Mira, do t’i prijë varrës, apo Bahria? Apo ndoshta Bejtullahu, apo Nehalja? Cili do ta shkruajë punën, lumin e djersës, cili do ta flasë ne vargje vetveten, copën e bukës, e cila është më e vogël se ajo e nesërmja, por me e madhe se e djeshmja.

Të gjithë do ta këndojnë punëtorin, veç pse e njohin mirë, në gëzim e hidhërim, në secilën frymëmarrje. Vetë janë punëtorë dhe poet. Punojnë dhe shkruajnë, krijojnë… Aty, afër makinave, ku gjithherë vjen erë e djersës, e penjve, e luleve, e pranverës, e cila këtu nuk perëndon kurrë. Përtërihet me vargje e poezi, jeton në zemra, në dashuri, në djersë e bukë.

Shkruhet zgjimi i hovshëm i ditës, i punës. Mbyllet në fije e vargje, në bukën që gatuhet për çdo ditë, e thyhet në sofrën e përbashkët, për secilin aq sa derdh djersë pa kursim. Natyrisht dhe shpërblimi është më i madh.

Këta punëtorë Bahria, Nehalia, Bejtullahu dolën tok para punëtorëve – punëtorët për punëtorë, t’ua lexojnë vargjet që i shkruajnë për jetën, për pranverën, për ëndrrat, për duart e vyeshme të tyre, nëpër çarjet e të cilave rrjedh drita, djersa, era e tokës dhe e bukës. Natyrisht nuk ndalet me kaq rrjedha… ata, në gjiri e shoqërisë kulturale-artistike formuan grupin letrar

Çajupi, i cili në krye të secilit muaj, në krye të secilës të premte, mbajnë orë letrare e në secilin takim të afërt mes tyre, të krijuesve, të cilët aty ku angazhohen për horizonte të reja të jetës, në një log, i lexojnë krijimet letrare për të bukurën, për fshehtësitë, për zbërthimin e enigmave , ndërsa gjithherë punimi më i mirë shpërblehet. Kjo për të nxitur e stimuluar dhe më fjalën e bukur poetike…aty ku zbërthehen dhe enigmat e shpërthen drita.

Poetët punëtorë, e ndajnë dhe shpërblimin vjetor për punimin më të mirë, ndërsa gjatë verës së ikur botuan dhe tufën e parë të poezive, të cilat u mbyllën nën kopertinat dhe titullin e bukur e simbolik «Fije e vargje.

E kemi në dorë këtë panoramë, këtë kurorëzim të punës së tyre. E lexojmë, në kujtim të largët, me shumë vëmendje. Ka krijime brenda librit me vargje. Lehte vërehen motivet qe preokupojnë – puna, dashuria, njeriu. Derdhet bota e brendshme, e kristaltë e punëtorit, me te gjitha gjërat e pranishme pe te përditshmet e tyre të mëdha, të shkruara nga ritmet e makinave, nga djersa dhe fshehtësia e zbuluar në secilin varg, në të gjithë penjtë e tërhequr hapësirës së magjike, neper vargjet e krehura në dritën e derdhur në të kaluarën, të tashmen e në të ardhmen e tokës e qiellit kosovar, për dëshminë e lashtësisë së rrënjëve në këtë truall, për gjakun, i cili kurrë nuk bëhet ujë.

Në këtë hapësirë poetët punëtorë e thurin rrjedhën e ëndrrës, gjithherë me sy në të nesërmen. Është thurur në gërshet e vërteta e botes së brendshme dhe ritmi i tiktakut të zemrës, ritmi i makinës që tërheq penjtë, të ndërlidhen në pëlhura të ndritshme…ende më jehon ndonjë varg i shkruar punëtori poet për vete, ndërsa ecën dashurisë nëpër fijet e nyjat, kthesat e penjtë e gjatë, të cilët zgjaten nga shtëpia e deri në uzinë, ku të gjithë tok e krijojnë një dezen të madh jetësor, një dezen dashurie, një dezen të ritmit të këngës së përbashkët, një dezen të bukës së përditshme, që gatuhet me djersë. Në këtë rrjedhë, shkruhet për intimitetin personal, i cili nuk ndahet, por shndërrohet në urë-lidhjen e tufës së dritës së sotme, lidhet me të nesërmen, e cila shënon kahen e të ardhshmes së ndritur.

Ja, tërë këtë sesi e këndon poeti…
«është mrekulli të jesh punëtor – poet,
për brezin e ri, dritë e vërtetë…”
“kam lindur të këndoj për ty,
për dashuri,
për liri!»
Ose, më bukur «brezat ,që do të vijnë këto vargje do t’ i lexojnë
këto vargje me erë djerse
si dashuri e punëtorit tim!”

Nëpër repartin e perdeve, tek të gjitha makinat janë te zgjuara . shkruhet edhe një këngë, ajo e bukës. Aty, nga makina nën fijet magjike trokon me ritëm të zemrës makina tjetër. Te e para i end duar Nehalja, te makina në radhë ngjet në flutur Mira, te makina e tretë thur perde të bardha Bahria, e në radhë, shkruan lulet më të bukura në pëlhurë Vjollca, ajo me sy të kaltër, të ngjashëm me hapësirën e detit e të qiellit. Ato vetëm shkruajnë vargje për pranverën, shkruajnë vargje për cicërima zogjsh, e në të njëjtën kohë punojnë e puna krijon mrekulli…

-Babi, çfarë do të bëjmë tashmë?
-Do të shkojmë t’i vizitojmë dy apo tri nga personazhet e një shkrimi tim më të hershëm.
-A e ke adresën? Të ecim, sepse mbetëm këtu në trotuar as me personazhet tua as pa to, – tha vogëlushja ime me kike të bukura…
-Adresa e tyre është kudo, te secili lexues.
-Të shkojmë atëherë?
-Ecim…
-Sa do të gëzohen ndërsa të mësojnë se kemi mësyrë te to…- qeshi ajo e ngazëllyer.
-Kaq vite më vonë.
-Vërtetë është kënaqësi të mësojnë sesi e kemi zbërthyer enigmën e tyre.
-Ndoshta do t’i qëndronte më mirë të thoshim Fshehtësitë e rinisë së tyre… – e mora vogëlushen për dore e morëm të ecnim, duke i shikuar me vëmendje shtëpitë e vjetra e të reja, të cilat krijonin vetvetiu një maje të vërtet qyteti me traditë të lashtë.