Gjirokastra, Berati e Tirana humbi nga Covid njeriun fisnik Petraq Floku, që la një mal me dashuri

1
789
Petraq Floku
Flora Agolli

Flora Agolli

Petraq Floku ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 26 Shkurt 1954 në një familje atdhetare e liridashëse, familje që ka ndihmuar moralisht, materialisht e fizikisht Luftën Nacional Çlirimtare pasi në janar 1944, forcat e Ballit Kombëtar me Gjermanët i djegin shtëpinë e Stavri Flokut në Stegopul të Lunxhërisë.

Babai i tij, Stavri Floku ka qenë në struktura drejtuese në Batalionin “Misto Mame” që në krijim më dt 16 Gusht 1943, e në formimin e Brigadës VIII-S më 25 Prill 1944, në Sheper të Zagorisë Komandant i Kompanise I të batalionit II. Punoi si ushtarak në detyra të rëndësishme me gradën kolonel deri në pension.

Nje nga shume poezite e tij fantastike është edhe kjo:

Vërtetësi

Sa e bukur bëhet jeta,
Kur mes dashurisë jeton,
Sa e ëmbël dashuria,
Kur pranë saj qesh dhe loton.

Sa i vogël duket Dielli,
Para shpirtit që rrezaton,
Sa hapësira përshkon zëri,
Kur dashurisë i këndon.

Sa e brishtë është dashuria,
Kur vërtet dashuron,
Ndonëse flet gjithë gjuhët e botës,
Prapë e prapë nuk mjafton…

Ndoshta më paragjykon,
Dhe habitesh ti me mua,
Por ai që dashuron,
Nuk ka frikë të thotë: të dua!

Se ne kemi veç një jetë,
Dhe ajo duhet jetuar,
Ndaj mbetem shumë i vërtetë,
Kur të them jam dashuruar!

Pse të dua s’ka shpjegim,
Se askush dot s’e ka gjetur,
Ekuacion përjetë jetim,
Ndaj pa zgjidhje ai ka mbetur!

Nga Petraq Floku
Tetor 2020

Vetë Petraq Floku ka spikatur si model në sjellje e rezultate gjatë shkollimit e punësimit…
Pas mbarimit të Liceut Artistik “Jordan Misja” Tiranë, në degën e muzikës për flaut, përfundon studimet e larta në Universitetin Eqerem Çabej Gjirokastër në Fakultetin Histori Gjeografi.

Shumë vite punoi mësues dhe formator – inspektor në rrethin e Beratit. Nga Viti 2002 e në vazhdim jeton në Tiranë dhe prej shtatorit 2004 punon në Komunën Dajt, ku çeli Gazetën Dajti dhe punoi si kryeredaktor prej 15 vjetësh si dhe ngriti ansamblin “Dajti”, i cili në festivalin e vitit 2005 në Gjirokastër përfaqësoi qarkun e Tiranës dhe morri çmimin e parë.

Është autor i shumë shkrimeve opinioneve në disa media te shkruara si dhe realizuesi i librit “Komuna Dajt, 20 vjet qeverisje vendore”.

Ka botuar librat:
Monografi Stavri Floku, 2019;
Profil Publiçistik, 2021;
Veshur Lakuriq, fabula 2021;
Ka mbaruar librin poetik dhe librin me tregime.

Në gjithë rrugëtimin e jetës së tij ka qenë qytetar, koleg, prind dhe mik shembullor. Petraq Floku ishte i përkushtuar në mbrojtje të idealeve te LNÇL dhe gjakut të Dëshmorëve te Atdheut.

Petraq Floku u nda nga jeta në 24 Shkurt 2021 një moshë të re, pasi kishte ende rrugë e punë për të bërë. Covidi, sëmundia e shekullit ia preu ëndrrat në mes, duke e ndarë nga familja, shokët, miqtë dhe të afërmit e tij, që i donte dhe e donin aq shumë.

Organizata Kombëtare e Veteranëve dhe shoqëria e tij e madhe shprehin ngushëllimet e thella familjes të të ndierit !

Flora Agolli
27 Shkurt 2021

1 KOMENT

  1. Petraq Floku qe dhe do mbetet një njeri me vlera të larta humane dhe njerëzore. Qe një mik i joni i përbashkët që rrezatonte mirësi dhe dituri. Intelektual që gjithë jetën e tij punojë me devotshmëri. Falenderoj poeten Flora Agolli, që vlerëson e pasqyron vlerat e mikut, që nuk jeton më… Kjo ëshë vlerë e shtuar, për Florën!

Komentet janë mbyllur.