– Letër e hapur drejtuar historianit Ali Hoxha dhe tërë trurit dibran në botë.
Nga Abdurahim Ashiku
Të kisha harruar i dashur Ali në fjalën që diçka të shkruaja për brengën tënde dhe timen, brengë që ma do mendja është e të gjithë dibranëve që nuk e kanë përzierë gjakun dhe qelizat e trurit me serbë e mendje serbësh që donin t’i hynin shqipes mes përmes për të dalë e mbushë vegshat me ujë të kripur deti. Arritën që t’i presin kokën e t’i linin trupin, t’ia merrnin qytetin e qendrën gjeografike të shqiptarëve, qendër që ngado që t’i heqësh drejtëzat në Dibër bashkohen.
E fillova këtu bisedën me ty sepse sapo zbrita nga interneti një përkthim të Gëzim Aliut nga gazeta Corriere delle Puglia, Bari XXVI, 354, e 21 dhjetorit 1913 me titull: “Raport zyrtar paraqitur Fuqive të Mëdha: Ja masakrat serbe të 1913 në Dibër.”
Unë e ti e njohim këtë “raport” falë shkrimtarit të shquar dibran Haki Stërmilli në librin e tij “Dibra në prak të historisë” i vitit 1940 (çuditërisht ende në dorëshkrim) por edhe të “Kalendarit kombjar” dhe “Përlindjes së Shqipërisë” të qeverisë së Vlorës…
E nisa bisedën me “Masakrat serbe në Dibër, sepse ato mu përballen sot kur lexova një njoftim në internet se METE (Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë) kishte shpallë tenderin për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës….
Do të thotë lexuesi në skaj të ngjarjeve se çfarë lidhje kanë masakrat serbe në Dibër, gati një shekull më parë, me hidrocentralin e Skavicës gati një shekull më vonë.
Unë them se ka një lidhje. Masakrat serbe në Dibër kishin si qëllim ta zhduknin popullsinë autoktone, t’i zhduknin shqiptarët dhe në vend të tyre të vendosnin kolonë serbë, plan i cili, afro tri dekada më vonë, do të paraqitej në nivel akademik në leksionin “Shpërngulja e arnautëve” të akademikut famëkeq serb Vasa Çubriloviç. Asaj kohe i takon shpërngulja masive e qytetarëve të Dibrës drejt Tiranës (ku ka edhe sot një lagje me emrin “Lagja Dibrane”), Elbasanit etj.
Ja si e përshkruan shkrimtari Haki Stërmilli pamjen e asaj ikjeje biblike…
“Ndërsa burrat e Dibrës po luftofshin egërshëm mbi majat e Kërçinit, të Korabit dhe të Jabllanicës, familjet e Dibranëve – të qytetit dhe të katundeve – ishin vu n’ikje drejt Tiranës e Elbasanit.
Ishte natë dhe nji nga ata ma të zezat për Dibranin, pse po i thoshte lamtumir Atdheut, liris, pasunis, e lumnis. Ma shumë se 100.000 frymë – gra, burra e çilimij – po vrapojshin drejt Perëndimit për me mos ra në dorë t’anmikut. Terri i natës ishte shdukë nga drita e zjarrit të katundeve të djegun prej Serbëve. Klithma e fëmijëve dhe gjama e grave që përbëfshin koncertin e asaj nate dy herë të zezë, përziheshin me krismën e pushkëve dhe bubullimën e topave për t’u ngjitë naltë. Ky ishte marrshi funeral i Dibrës së vorrueme në robëni, ishte vaji i zemrave të plasuna e të përvëlueme për liri. Dy kortezhë të gjatë –
Dibër – Elbasan dhe Dibër – Tiranë – përcjellën lirin në robni.
Kjo qe kanga e fundit q’i këndoi Dibrani liris e lumntunis…
Të gjithë kishin ikë vetëm me petkat e shtatit dhe shumë kush pa asnjë dysh në xhep, pse s’kishin pas kohë…”
Në një nga faqet e Balkan Web më 17/4/2008, ora 08.54 më ra në sy një titull i bujshëm “ Harrohet prej 3 vitesh Hidrocentrali i Skavicës “. Më tërhoqi vëmendjen ndaj si të gjitha shkrimet që Verilindjen e shohin nga “ sisët ” dhe jo nga “ goja “, e lexova dhe e rilexova me vëmendje. Zoti G. K ishte i shqetësuar se një investim prej 600 milionë eurosh ka mbetur pezull “ndonëse bëhet me financim tërësisht të huaj dhe ka të bëjë me sektorin problematik të energjetikës”. Ai është tepër i shqetësuar se “Qeveria shqiptare ka lënë në harresë zhvillimin e tenderit për dhënien me koncesion të HEC-it të Skavicës.”
Pas kësaj zoti K. nuk mungon të bëjë avokatin e konsorciumit italian TGK duke theksuar se “duhej të përbënte investimin më të madh të realizuar ndonjëherë nga kapitali i huaj privat deri tani, me fondet e veta…”
Më tej kalon nga roli i avokatit në atë të inxhinierit projektues hidroelektrik dhe të zëdhënësit të firmave të mëdha private italiane të cilat janë të shqetësuara për vonesën pa asnjë justifikim të tenderit “ndonëse “ Geoteknika “ kishte paraqitur një studim të plotë për hidrocentralin e Skavicës si dhe projekt idenë përkatëse që ekonomizon terrenin”. Nuk harron zoti Kondi të sqarojë edhe “ meraket “ e qeverisë, “ me një zgjidhje origjinale edhe pse me një liqen më të vogël, pa u shtrirë në tokën maqedonase, jep të njëjtin rendiment si me liqen më të madh, ruan ambientin dhe konsideron veçoritë gjeologjike të tokës e zonës në përbërjen e materialeve të digës “.
Nisur nga kjo bëra një shkrim me titull: “Skavica mbyt një qytetërim të lashtë”, shkrim të cilin ia përcolla “Ballkan Web” dhe gazetës me pronar italian. Shkrimi nuk u botua dhe as u mor mundimi të më bënin një përgjigje njerëzore. Nuk kish si ta botonin dhe as të përgjigjeshin për faktin se gazeta është një gazetë italiane në gjuhën shqipe dhe nuk kishte se si të mbronte interesat e një treve të tërë që mbytej kundër interesave të bosëve italianë që bashkë me z. K. ishin skandalizuar pse “ Qeveria shqiptare ka lënë në harresë zhvillimin e tenderit për dhënien me koncesion të HEC-it të Skavicës.”
Më 17 nëntor 2008, më në fund, e njëjta agjenci, njofton si “sihariq të madh” se METE, Ministria e Energjetikës dhe Tregtisë, ka shpallur tenderin për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës (!)
Dibra i nderuar miku im Ali do të mbytet. Qeveria shqiptare kërkon xhelatin për ta mbytë atë. Në qoftë se, në ata që ju përcolla më lart, dje orekset për shuarjen e Dibrës vinin nga Beogradi, sot ata vijnë nga Tirana. Mjerisht në zërin thirrës për mbytjen e Dibrës ka edhe dibranë “me grada” në qeveritë që brohorasin “Ta mbysim Dibrën”, të majta e të djathta, se zërat për mbytjen e saj janë gjithëpërfshirës në politikën shqiptare.
Më 8 prill 2008 ju gjeta në Bibliotekën Kombëtare me një faqe gazete përpara me titull me germa të mëdha kapitale: “NDAL! PROJEKTEVE PËR SHITJEN DHE ASGJËSIMIN E PELLGUT TË DIBRËS”, fiksuar edhe në një fotografi që po ta dërgoj.
Nuk do të ndalem në hollësitë e shkrimit tuaj botuar më 14 qershor 2005 në faqen 6 të gazetës “Rimëkëmbja”, as edhe në shkrimet e tjera që janë përcjellë në “Rruga e Arbrit”, “Dibra” dhe në ndonjë gazetë tjetër. Kush ka dëshirë ato mund t’i gjejë dhe t’i lexojë, veçanërisht dibranët “me grada”.
Ti je historian dhe unë do të desha të di prej teje se çfarë dëmi i sillet historisë shqiptare me fshehjen nën ujë të historisë të një treve nga më të lashtat dhe nga më krenaret, një treve që ka nxjerrë Heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun i cili, nga 26 beteja fitoresh të mëdha me zë në historinë e Shqipërisë dhe të Evropës kundër dy sulltanëve osmanlinj, 19 i ka zhvilluar me dibranët dhe në tokën dibrane. Vetëm kaq do të mjaftonte që Dibra të shndërrohej në një “Park Kombëtar Kujtimesh të Luftimeve të Mëdha”, i mbrojtur nga shteti, madje edhe më gjerë.
Ju, i nderuar Ali jeni nismëtar dhe kryetar nderi i shoqatës “Për mbrojtjen e pronave dhe të mjedisit të pellgut të Drinit të Zi“. Në një dëshmi para ministrit Ruli disa muaj më parë, në një takim me të në praninë edhe të një deputetit dibran të djathtë keni deklaruar: “Dëmi ekonomik qëndron në plan të dytë në krahasim me dëmin historik dhe etnokulturor që i shkaktohet Kombit.” Duke ballafaquar rastin e Dibrës me atë të Vlorës ju theksonit, “…Vlonjatet kundërshtojnë ndërtimin e një TEC – i në krahinën e tyre, vetëm me pretekstin se ai u dëmtuaka atyre biznesin dhe turizmin.
Krejt e kundërta ndodh me projektin e Skavicës. Këtu nuk bëhet fjalë për një “dëmtim“ mjedisi, por me zhytjen përgjithmonë nën ujë të gjithë pellgut të Dibrës, më saktë zhdukjen e gjithë Dibrës dhe historisë së saj. Këtu nuk është fjala për cenim të pronës, por është fjala për zhdukjen e vendbanimit të një krahine të tërë, për zhdukjen e kujtimeve historike dhe varreve të të parëve, të trashëgimisë kulturore, bile mijëravjeçare, të rrënjëve etnokulturore të një krahine të tërë.”
Para ministrit ju deklaruat: “Në qoftë se shteti ka me të vërtetë interes kombëtar për ndërtimin e atij HEC – i, atëherë më parë duhet të ndërtojë një Dibër të re…”
Ju, në shkrimin tuaj “Ndal! Projekteve për shitjen dhe asgjësimin e pellgut të Dibrës” ndaleni në faktin se fqinjët i kanë bërë dhe i bëjnë presion qeverisë shqiptare që të ndryshojë historinë e Shqipërisë sipas interesave të tyre. Grekët, më në fund, nën presionin e njohjes së marrëveshjes së asocim stabilizimit, arritën që të kenë varrezat e tyre në tokën shqiptare duke i dhënë një kuptim tjetër historisë.
Nesër këtë gjë mund ta bëjnë edhe turqit duke kërkuar që të ngrenë një varrezë në kodrat e Gjoricës atje ku dibranët, me shpatë dhe pushkë me gjalmë, në vitin 1844 bënë, siç thotë kënga, “nand mijë vorre” të nizamëve të Hajredin Pashës. Po të njëjtën gjë do të kërkojnë edhe serbët për mijëra të vrarët e tyre në luftërat e paepura të dibranëve në dekadat e para të shekullit të kaluar për mbrojtjen e Dibrës nga synimi i tyre i afërt që vija e kufirit të kalonte nga Qafa e Buallit në Mërkurth të Lurë-Mirditës dhe ajo e largët për të dalë në Durrës e Shëngjin. Për ju projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, “jo vetëm e ndryshon, por, bile, e përmbyt dhe e zhduk krejt Dibrën me gjithë historinë e saj”.
Më poshtë, duke hulumtuar në “ndërtimin e një Dibre të re” ju theksoni: “Në qoftë se do të ishte fjala që ai projekt të ishte bërë me të vërtetë për interesa kombëtare, atëherë Qeveria Shqiptare që e ka firmosur atë koncesion për HEC-in e Skavicës, le të ndërtojë më parë një qytet të ri, ashtu siç u ndërtua Kukësi i Ri dhe pronarëve që u përmbyten pronat tu sigurojë një sipërfaqe toke të barabartë me aq sa përmbytet, afro 64 kilometra katrore, pra të krijojë një Dibër të re…dhe pastaj të hyhet në bisedime me pronarët e ligjshëm të Pellgut të Dibrës për atë problem. Në qoftë se u plotësohen të gjitha kushtet e lartpërmendura, përfshirë këtu edhe të qenurit aksionarë të përhershëm të gjithë pronarëve e banorëve të zonës që përmbytet…”
Këtu i dashur Ali ke harruar të shtosh se duhet të ndërtojë shteti edhe një varrezë ku të varrosen eshtrat e qindra mijë dibranëve se ata që do të ikin nuk do t’i lënë eshtrat e të parëve të mbyten e mbulohen nga llumi i harresës.
Më sipër je treguar pak ëndërrues dhe ke dalë jashtë realitetit të kohës që jetojmë dhe shoqërisë që po ndërtohet dhunshëm me synimin e fitimit maksimal. Ju në shkrimin tuaj keni llogaritur, në bazë të kostove financiare të deklaruara, se për 64 kilometra katrore tokë të rrëmbyer e të mbytur ofrohen 41.3 milionë euro. “Italianët, vreni ju, kanë vlerësuar Pellgun e Dibrës, me 41.3 milionë euro, që për 64 kilometra katrorë të sipërfaqes që parashikohet të përmbytet, i bie një vlerë prej rreth gjysmë euroje për metro katror…”
Kalemxhinjtë e kapitalit shfrytëzues deri në palcë të vendeve të tjera e kanë mësuar se si rezultat i lëvizjes masive të dibranëve drejt Tiranës e Durrësit pas viteve ’90-të (ikje disa herë më e madhe pas asaj të vitit 1913 nga pushtimi serb i trojeve shqiptare) vlera e tokës më pjellore në Dibër, tokë e cila është në planin e përmbytjes, rrotullohet nga 50 – 100 lekë. Kaq është kocka që ata japin. Ndërsa për atë që thua për një “Dibër të Re”, për 64 kilometra katrore, apo 6400 hektarë tokë për të përmbyturit dhe për varrezat që shtova unë, harroje. Sot në Shqipëri nuk ka një metër katror tokë të lirë nga pronarët e ligjshëm dhe të kundërligjshëm, tokë e cila vlerësohet jo me një gjysmë euroje për metro katror por me njëqind.
Nuk është koha kur tokat ishin “pronë shtetërore” dhe shteti i merrte “të mbyturit” e Ulzës e i zbriste në Mamurras e Thumanë, të mbyturit e Fierzës i ngjiste në Qytetin e Fajzave duke i punësuar në ndërmarrjen bujqësore të Krumës, në gjeologji, miniera etj, të mbyturit e Banjës i zbriste në vila të ndërtuara apostafat për ta mes pishave, vetëm njëqind metra larg detit dhe i punësonte në Ndërmarrjen Bujqësore të Hoxharës. Harroje atë që shkrove i nderuar Ali. Shteti ka vendosur ta mbysë Dibrën në interesa të një kompanie të huaj fituese e tenderit që ka shpallur duke u lënë dibranëve alternativën e vetme për të shpëtuar, daljen me not në breg dhe ngrohjen në diell, në qoftë se do të ketë diell.
Ti je dibran i nderuar Ali me rrënjë në një fshat që i ka dhënë kombit kujtesën e masakrës më të madhe në historinë e Shqipërisë që njihet me emrin e dhimbshëm “Masakra e Çidhnës”, qyteti-kështjellë që përjetoi masakrimin nga shpata e pushtimit osman të më se dhjetë mijë shqiptarëve në rezistencën e fundit pas vdekjes së Skënderbeut. Ti je historian dhe për krimin historik të mbytjes së Dibrës duhet të ftosh në tryezë njerëz që i dinë mirë gjërat, të ftosh autorin e veprës madhore për Skënderbeun – Kristo Frashërin, njeriun që më shumë se kushdo tjetër i ka qëndruar pranë historisë së lashtë dhe të re të Dibrës, të ftosh historianin dhe politikanin Pëllumb Xhufi, të ftosh arkeologun-nënkryetar të Kuvendit të Shqipërisë Neritan Ceka… dhe të tjerë për ta thënë fjalën e tyre dhe për t’i thënë ndal krimit të shuarjes së një treve dhe të historisë së saj.
Unë nga ana ime, desha të ftoj në një tavolinë debati publik, jo si specialist, por si gazetar, si një njeri që i njeh burimet energjetike të Dibrës, specialistë të hidroenergjisë me në krye akademikun, projektuesin e hidrocentraleve të mëdhenj të Shqipërisë, njeriun që më mirë se kushdo në Shqipëri i njeh projektet dhe potencialet hidroenergjetike të vendit dhe besoj edhe të Dibrës, Farudin Hoxhën. Do të desha të ftoj inxhinierin e talentuar dibran Elmas Xhediku, kryeinxhinierin e fundit të ndërtimit të një hidrocentrali shtetëror në Shqipëri, njeriun që drejtoi me kompetencë punimet e hidrocentralit të Banjës, njeriun që i mbytet vendlindja e tij, Zall-Dardha, të ftoj ata që bënë projektin e ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël lokalë mbi veprat ujore të Dibrës e që dolën në përfundimin se Dibra nga 15 milionë kilovat-orë energji që prodhonte në vitet ’80-të mund të prodhojë 220 milionë kilovat-orë, me mundësinë e ngrohjes dhe gatimit me energji elektrike të tërë krahinës, inxhinierin hidroteknik Kliton Rusi dhe atë elektrik Bardhok Rajta.
Do të desha të komunikoj në një mjedis debati televiziv edhe me mbrojtësin më konsekuent të mjedisit shqiptar zotin Xhemal Mato.
Dua që “pretencën për mbytjen e Dibrës” ta bëjnë jo shtetarët por shkencëtarët.
Dibra ka një potencial ujor dhe basen ujëmbledhës nga më të mëdhenjtë (në mos më të madhin) në të gjithë rrjedhën e lumenjve, basen i cili fillon nga Struga me Drinin e Zi, në Dibër të Madhe me Radikën dhe degëzimet e tjera. Në të majtë të rrjedhës së Drinit të Zi ajo merr ujërat e maleve të Gollobordës nëpërmjet përrenjve e burimeve ujëgjallë të Tuçepit, Okshtunit, Bulqizës, Murrës, Setës dhe Mallës. Në të djathtë ajo mbledh ujërat e basenit të Bellovës, Deshatit, Gramës dhe Veleshicës.
Dua që t’i pyes njerëzit e mëdhenj të shkencës hidroelektrike të vendit se çfarë potencialesh ujore dhe energjetike fshehin këta burime ushqyese të Drinit të Zi në qoftë se ata futen në skemën e shfrytëzimit të forcës së ujit.
Ti e njeh Setën i dashur Ali, e njeh jo vetëm nga kanali që ushqen një hidrocentral që më ngjan se është i mjaftueshëm për të furnizuar aktualisht me energji elektrike fshatrat e Çidhnës dhe të Sinës. E njeh sepse me siguri në fëmijëri ke zbritur monopatin e thepisur dhe ke freskuar trupin ditëve të nxehta të verës në ujërat e saj. Sikur t’i pyesnim bashkë, madje të ftonim edhe ekonomistin e njohur, ish guvernatorin e Bankës së Shqipërisë çidhnakun Shkëlqim Cani, ndihmësin e kryeministrit Berisha, ekonomistin e talentuar me rrënjë lindje në Shumbat, Selami Xhepa dhe të tjerë, çfarë vlerash do të kishte që pikërisht pak më lart se godina e hidrocentralit të vogël të ngrihej një digë hidrocentrali mbi Setë?
Unë do të ftoja edhe drejtues të Ministrisë së Turizmit që nga sheshi mbi trapezin e digës së liqenit të Setës të më përgjigjeshin se a nuk do të ishte e udhës që prej atje të lundronin midis atij monumenti natyror, por edhe të një monumenti trimërie për hapjen e kanalit të Setës në verën e vitit 1967, varka-gondola që do t’i merrnin turistët për t’i zbritur në Gurë-Lurë e nëpërmjet një teleferiku për t’i ngjitur në sheshin tek Liqeni i Luleve? Do të kishim disa gjëra bashkë: një ujëmbledhës të madh, dritë elektrike, veprimtari turistike. Po të njëjtën gjë këtyre, dhe të tjerë, do tua bëja edhe në qoftë se do të ngrinim të tillë hidrocentrale me liqene “turistikë” mbi Mallë, Murrë, Veleshicë, Zallin e Okshtunit etj.
Dibra me një potencial të tillë hidroenergjetik, me një luginë pjellore ku molla, dardha, qershia, vishnja, arra, kumbulla, gështenja janë në “shtëpinë e vet”…dhe me perime e një blegtori të shëndetshme, me liqene të mrekullueshëm malorë si ato të Lurës dhe Kacnisë, me bjeshkë madhështore si ato të masivit të Korabit…do të ishte një perlë e maleve tona.
Në shoqëri të këtyre specialistëve, për të vënë dorën në zemër dhe për të thënë fjalën e tyre “Ndal mbytjes së Dibrës!” do të ftoja edhe deputetin Farruku për ta pyetur në se më e udhës është mbytja e Muhurrit, e vendlindjes së tij apo ndërtimi i një hidrocentrali mbi Murrë me vlera të barabarta me ato të Setës.
Po në të njëjtën shoqëri do të ftoja edhe deputetët e tjerë ngjitur në Kuvend me votën e popullit të Dibrës, zotërinjtë Kaleci, Shehu dhe Abazi
Për t’i pyetur në se më mirë është që mbi degëzimet e Drinit të Zi, në të dy krahët e tij, që nga Zalli i Okshtunit e deri në Veleshicë të krijoheshin ujëmbledhës dhe hidrocentrale dhe me ta edhe pika turistike në këmbë dhe drejt majave të maleve të Dibrës me Korabin në ballë apo ta mbysnim gjithë luginën pjellore të Dibrës në rritje të fitimeve të një firme të huaj që veç parasë nuk i hyn asgjë në sy.
Pasi të merrja një përgjigje “teknike” dhe “politike” do të desha të shuaj kuriozitetin me një pyetje komplekse: Sa do të ishte volumi ujëmbledhës i të gjithë këtyre hidrocentrale mbi degëzimet e Drinit të Zi dhe cili është raporti i ujëmbledhjes së tyre me “kazanin” e Skavicës? Sa do të ishte energjia elektrike e prodhuar nga këto ndërtime “të vogla” në raport me atë që do të prodhojë Skavica? Nuk e di, ndoshta gaboj me hamendjet e mia por më ngjan se raportet do të jenë një me një dhe sasia e ujit që do tu jepet hidrocentraleve të Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe “Bushatit” në kohë piku do të ishte po aq, madje e sigurt, sa ajo e Skavicës. Them “e sigurt” pasi unë dyshoj se kompania e huaj do ta mbaj fjalën që kur niveli në Fierzë të arrijë pikën minimale do ta ndërpresë prodhimin e energjisë elektrike për të hapur portat për boshatisjen e ujëmbledhësit mbasi kjo ka qenë (nuk e di në se edhe tani është) vendi i hidrocentralit të Skavicës në raport me hidrocentralet e tjerë.
Kam frikë se do të ndodhë si një herë e një kohë kur Maqedonia nuk i hapte portat e hidrocentralit të Spiles dhe shteti i diktaturës e kërcënoi me ultimatumin: “Në qoftë se nuk hapni portat atëherë ne do të hapim një tunel për ndërtimin e një hidrocentrali në Përrenjas dhe nivelin e liqenit të Ohrit do ta zbresim në pikën ku Drinin e Zi nuk do të rrjedhë më ujë”. Një ultimatum i tillë për kompaninë italiane shfrytëzuese të ujit të Skavicës nuk vlen. Ajo, e shumta, mos prodhimin e energjisë elektrike si pasojë e hapjes së portave, do të kërkonte ta kompensonte me “shitje uji”.
Por, në lidhje me ujin, mbushjen e rezervuarit ka një problem që nuk ka se si të mos ngjallë kontradikta mes firmës së huaj dhe shtetit shqiptar, Dikur thuhej se mbushja e rezervuarit do të kërkonte kohë, jo muaj por vite. Gjatë kësaj kohe sistemit të hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit, pronë, tani për tani, shtetërore do t’i mungojnë tërësisht prurjet e Drinit të Zi, prurje që janë shumë më të mëdha se sa prurjet e Drinit të Bardhë. Gjatë kësaj kohe Shqipëria, pa alternativë të shpejtë burimesh energjetike ujore e termike, do të përjetojë një errësirë marramendëse. Mbytja e Dibrës nga hidrocentrali i Skavicës do të reflektojë me “mbytje” energjetike në mbarë Shqipërinë.
Por le të ndalemi edhe në një çast tjetër, atë të ndërtimit të hidrocentralit dhe të mbushjes së rezervuarit.
Nuk ka ndonjë të dhënë për brigjet e pasqyrës ujore të rezervuarit përveç asaj që është deklaruar si “zgjidhje origjinale … me një liqen më të vogël, pa u shtrirë në tokën maqedonase”. ( Sa largpamës jemi, nuk shqetësohemi se po mbytet një trevë e tërë, po mbytet fusha e Gjoricës dhe fushëzat e fshatrave për rreth, por shqetësohemi se po mbyten disa dhjetëra dynymë në bërrakat e fshatrave shqiptarë nën Maqedoni!)
Po përfytyroj një skenë miqsh e miqësish i dashur Ali. Ti je në Çidhën. Unë jam në Zdojan. Të dy kemi në sy përpara Dibrën e përmbytur. As ty dhe as mua nuk na ka prekur uji as tokat, as shtëpitë dhe as na ka mbytur varret e të parëve tanë. Në këtë komoditet indiferent mua më shkon mendja që të vij mik tek ti, ta pi një kafe në atë kullën e hershme të gjyshërve të tu, t’ju marr përkrahu të kalojmë anës kullës në tri pode të Krrashëve për të kundruar liqenin poshtë këmbëve. Nuk e di në se burimet ujëvarës të Sopanikës do të jenë mbytur apo jo por, sidoqoftë, syri do të na ndalet mbi ujë e kujtesa nën ujë.
Do të na ndalet në Sinë, diku aty ku është muzeu i vendlindjes së Skënderbeut, në “Kuvendin e Arrasit” e më tej te “Pusi i Gjonit”, “Ara e Gjonit”, “Fusha e Torviollit” dhe kujtesa historike për fitoren e shqiptarëve, me përmasa të fitores më të madhe botërore të kohës… Ato janë zhytur në ujë e mbuluar me llumin që shirat rrëmbyes të vjeshtës e të pranverës mbledhin nga Gjagjishti në Korab dheun e të gjitha ngjyrave. Nuk e di në se do të jetë “ishull” apo “gadishull” Suka e Arrasit, kodra e bukur që dominon tërë pamjen në veri, lindje e jug, e merr e ta jep Dibrën mbi pëllëmbë duarsh të hapura, ashtu siç i falemi Zotit. Por një gjë di: Unë nuk mund të vij ta pi një kafe me ty dhe të dal shëtitje ndash poshtë e ndash lart Gjalicave.
Nuk mund të vij sepse ura e hekurit në Muhurr do të jetë mbytur dhe të “Nëntë Malet e Dibrës” nuk mund të jenë më të Dibrës. “Rruga e Rinisë” e nisur në vitin 1946 është e mbytur dhe mbi bregun e ujëmbledhësit nuk ka as rrugë dhish që të lidhë tërë “Malet e Dibrës”. Tërë fshatrat në perëndim, që nga Hoteshi e deri në Bardhaj Reç do të jenë përfundimisht të ndarë nga Dibra. Do të ndodhë një shpërndarje administrative e Dibrës. Lura me siguri do të shkojë me Mirditën. Me të mund të bashkohet edhe Çidhna e Dardha. Reçi mund të bashkohet me Arrnin e të bëhet “mal” i Kukësit. Katër Grykët e Murrës do të bashkohen me Matin. Nuk e di se me kë do të shkojnë Muhurri dhe Luznia, me Bulqizën apo me Matin. Dibrës do t’i mbetet vetëm një rrip majëmalesh që nga Kërçini në Korab e Sorokol dhe një “prehër” tokë…
…E ndjen se sa tragjike do të jetë një ndarje e tillë i nderuar Ali? E ndjen se si ai ujë i amullt mbuluar me leshterikë të gjelbër mbyt dhe ndan përgjithmonë kohët, njerëzit, miqësitë, krushqitë. Nuk të duket ky brez ujor më i tmerrshëm se “brezat e butë – klonet elektrikë” që në kohë të shkuara ndanin kufijtë? Nuk të duket kjo ndarje më e tmerrshme dhe më e kobshme se sa ndarja e dhunshme e Dibrës –qytet me Dibrën-fshat nga Konferenca e Londrës e vitit 1913? Nuk të duket kjo si në tregimin e fillimit të këtij hulumtimi për “Barbaritë serbe në Dibër” në fillimshekullin e kaluar?
Mos donë të thuash se “shtoj dhe ekzagjeroj” i dashur Ali? Ma korrigjo të lutem shikimin tim për “Dibrën e mbytur”. Jo vetëm ti por të gjithë ata që i thonë vetes intelektualë, dibranë qofshin apo jo, ata që u dhemb në shpirt çdo pëllëmbë e kësaj toke të mbrojtur me gjak, çdo skelet nëntokë me plagë nga shpata e plumbi ngulur thellë në gjoks nga armiqtë e të gjitha kohërave.
Unë fola dhe shkrova i nderuar Ali. Po e lë fjalën time në Odën Dibrane, në Universitetin e Dibrës, për ta marrë e thënë kushdo, nga çdo hapësirë e globit ku jeton, me gojë e me zë të lartë…
Athinë, Nëntor 2008
Nga libri A. ASHIKU “PO DIBRËS! JO SKAVICËS” f. 25-37