Naxhije Doçi – Prishtinë
(Fragment nga libri “SHPIRTI I DËRMUAR – Dhuna serbe kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999 – Botim 2001 – Naxhije Doçi)
Menjëherë pas luftës së tmerrshme dhe shfarosëse sebe të vitit 1999, në Kosovë, unë Naxhije Doçi, autorja e librit: “SHPIRTI I DËRMUAR-Dhuna serbe kundër femrës shqiptarë në Kosovë 1997-1999”, vizitova shumë familje nëpër Kosovë, që kishin të vrarë e të zhdukur, se doja që edhe unë të isha për pak kohë bashkë me ta, në ndarje të dhembjes së madhe që kishin për humbjen e më të dashurve të tyre. Doja që të isha në mesin e tyre edhe në ndarjen e krenarisë që kishin ata për lirinë e shumëpritur të Kosovës, për të cilën edhe kishin rënë familjarët e shtrenjtë të tyre. Gjatë vizitave të tilla mblidhja edhe shënime për përjetimet dhe pësimet e gruas shqiptare dhe përgjithësisht të popullit shqiptar të Kosovës gjatë luftës së tmerrshme dhe të pabarabartë serbe, se mendoja që t’i vëja në letër ngjarjet e tilla.
Më dukej i nevojshëm dhe i domosdoshëm një veprim i tillë, që të mos e harrojmë të shkuarën tonë të dhembshme dhe realitetin tonë të hidhur historik. Që t’ia bëjmë me dije edhe botës demokratike për krimet dhe barbaritë mesjetare të forcave serbe mbi popullatën e paarmatosur shqiptare në Kosovë. Rrëfimet e mbledhura mënjëherë pas luftës, pra në vitin 2000 i përpunova i mbarështova me të gjitha kriteret e një libri monografik dhe në janar 2001 i botova me titull “SHPIRTI I DËRMUAR-Dhuna serbe kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”. Që ngjarjet në libër të jenë sa më autentike, rrëfimet i kam për përpunuar realisht dhe në formë tregimi, por të trajtuara në vetën e parë, pra ia kam lënë rolin kryesor personazhit të rrëfimit.
Njëra prej vizitave të bëra nëpër Kosovë, ishte edhe ajo e bërë në vendlindjen time, në Therandën time dhe pikërisht për të biseduar me të shpëtuaren nga masakra serbe e 26 marsit 1999, Vjollca Berisha. Në ditën e vizitës sime në Familjen Berisha, Vjollca Berisha dukej për së tepërmi e heshtur. Dukej edhe se ishte edhe shumë e shqetësuar për tmerret që i kishte përjetuar nga krimet e foscave ushtarake serbe mbi të, si edhe mbi anëtarët e ngushtë të familjes së saj. Në përpjekjet e mia që të bisedoja me të, ajo mëzi që i qilte buzët e bëra shkrum nga tmerret e përjetuara. Që të qetësohej pak Vjollca, sepse ajo rrinte në këmbë e heshtur dhe duke e shtrënguar edhe duartë, unë fillova bisedën me anëtarët të tjerë të shpëtuar të familjes, kuptohet bisedë e lirë dhe me përpjekje përkushtimi për të folur për tema të tjera dhe asesi për temën që e kisha në planifikim, për atë të tragjedisë së luftës.
Pas pak minutash dhe dalë ngadalë Vjollca sikur u qetësua pak. Filloi edhe që të më shikojë pak edhe si më ndryshe, që mua m’u duk se shikimi i saj shprehte një si mirëseardhje për mua. M’u duk që edhe më njohu që ishim të një vendi dhe me lidhje familjare nëpër kohë të shkuara, por më shumë me afërsi të mëdha shoqërore.
– Si të flas për tmerret që i kam përjetuar, prej nga të filloj- Ishin fjalët e papritura të saj…? Oh, O Zot i Madh!
Bisedën e filluam vetëm kur Vjollca Berisha u lirua pak nga ankthi i shqetësimit të madh…!
PËR TË VDEKUR MË KANË GJUAJTUR NË KAMION
Quhem Vjollcë Berisha dhe u linda e u rrita në Therandë (Suharekë). Jam 36 vjeçare. Burri im quhej Sedat Berisha dhe ishte 46 vjeçar, kur e vranë mizorisht kriminelët serbë. Në prag të shtëpisë e vranë më 26 mars të vitit 1999, bashkë me të vëllain dhe me kushërinjtë. I vranë dhe i dogjën bashkë me shtëpinë. Ndoshta të gjallë i dogjën, se nuk na lanë as ta kthejmë kryet prapa, që të shikojmë se çka iu bënë. Gjurmë prej tyre mbetën vetëm hiri dhe eshtrat. Për mua dhe për djalin tim të gjallë, Gramozin, si edhe për tërë familjen tonë e tmerrshme dhe kobzezë ishte dita e asaj fillimpranvere të vitit 1999. Ishin kohëra shumë të trazuara dhe të përgjakura ato dy fundvite të shekullit njëzet mbi Kosovën e lodhur dhe të rraskapitur nga robërimi i gjatë serb. Ishte luftë kretjtësisht e pabarabartë dhe e mbarsur me tmerre tragjike, ku kriminelët serbë të armatosur deri në dhëmbë, vranë e prenë gra e fëmijë të pambrojtur. Vranë e prenë edhe burra në shtëpitë e tyre dhe kështu për një kohë të gjatë, për ne që në nismë të luftës e vranë buzëqeshjen e jetës sonë përgjithmonë. Na lanë që të jetojmë me dhëmbje të trishtueshme për tragjedinë e rëndë…
Unë e Sedati i kishim dikur tre fëmijë të mrekullushëm, si tri rreze dielli, prej të cilëve dy i vranë, Dafinën 16 vjeçare dhe Drilonin 14 vjeçar. Gati e shuan familjen dhe e venitën gëzimin e jetës sonë! Tani kemi mbetur unë e Gramozi 10 vjeçar për t’i kujtuar të tjerët. O Zot, sa e vështirë qenka jeta pa të dashurit e shpirtit…?!
Me këto fjalë prekse flet Vjollca, tek e cila që në vrojtim të parë njeriu mund të vërejë një qëndrim karakteristik të një gruaje të sjellshme dhe të edukuar. Në pamje i kishte të vijëzuara ende gjurmët e të këqijave tmerruese, që i përjetoi duke qenë në mes të jetës dhe vdekjes. Kishte një natyrë të heshtur dhe një shikim herë pas herash të përqëndruar në një largësi të papërcaktuar, prej nga si duket përpiqej për t’i kërkuar në kujtime të dashurit e vet, që i kishte humbur sa çelë e mbyllë sytë… Flokët i kishte ngjyrë gështenjë, që shpeshherë i binin mbi sytë dikur të bukur, sot të mekur e disi të thelluar në gropëza. Me të dyja duartë e mbulonte fytyrën e vrerosur, sikur donte për ta ndalur ngashërimin e dhimbjen e madhe. Kështu qëndronte një kohë relativisht të shkurtër. Kur qetësohej pak i hiqte duartë nga fytyra e përlotur, flokëve të gjata iu jepte një fërfëllimë prapa dhe me ofshamje të thella ulej në një kënd të dhomës dhe rrinte e strukur dhe e heshtur. Për një moment ngritej në këmbë dhe në syzen e dollapit që gjendej në dhomën ku rrinte, e nxirrte herë pas herë një fotografi, që ishte pjesërishtë e djegur.
– E Sedatit është kjo fotografi – i fliste Vjollca më tepër vetëvetës se sa të tjerëve.
Ishte i pashëm dhe shumë i sjellshëm burri im. Përherë e kisha përkrahjen e tij dhe unë sikur fluturoja nga gëzimi për përkujdesjen që kishte ai ndaj meje.
U shkollova me mundime në vendlindjen time të bukur, dhe pasi e kreva shkollën e mesme, u martova. Më dëshirë u martova me djalin, me të cilin u njohëm në një ditë të bukur pranvere. Kishim kushte mesatarisht të mira për jetesë. Edhe unë hyra në punë si nëpunëse dhe kjo më gëzoi pa masë, se të paktën e kisha një element të pavarësisë së jetës sime. Gëzimi im nuk zgjati shumë, se e shkurtoi gjakpirësi serb, siç e shkurtoi gëzimin e të gjithë shqiptarëve të tjerë të Kosovës. Ishin vite të vështira ato, kur pothuajse të gjithë shqiptarët u përzunë nga vendet e tyre të punës. Në vendet tona të punës hynë serbët dhe veç kishin filluar më të madhe që të silleshin kolonët e rinj të sjellur nga Kroacia e Bosna e Hercegovina. Shqiptarët mbetën rrugëve dhe rrinin kot në shtëpi të papunë e me shumë halle. Pasoi kriza e madhe ekonomike dhe migrimi i shqiptarëve jashtë Kosovës. Dalëngadalë zbrazej Kosova nga shqiptarët dhe kjo ishte një brengë e madhe për ne.
Unë jetoja në bashkësi familjare me prindërit dhe vëllazërit e burrit tim, ku secili anëtar i familjës i aftë për punë i kishte obligimet e veta. Më rëndësi ishte se aty në mes të anëtarëve të familjes kishte harmoni dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Kjo atmosferë e koordinuar familjare ndikoi që unë lehtë t’i përshtatem jetës së re dhe kjo e kishte një domëthënie të rëndësishme për mua.
Më lindën pastaj fëmijët dhe tani tërë jeta ime ishte e orientuar për t’i rritur dhe për t’i edukuar, me ç’rast ndjeja një kënaqësi të posaçme, kur i shihja duke u rritur. Kur qeshnin fëmijët e mij foshnje,kishin një zë karakteristik ëmbëlzues për ne prindët, dhe dyshoja se mos po gullmoj tepër në ta. Shpeshherë nga një ndjenjë e tillë mundohesha të largohesha, se më kujtoheshin fjalët e gjyshës, e cila më thoshte që të mos i shikoj fëmijët gjatë me sy të ngulitur, se mund t’iu mirrja mësysh. E respektoja mendimin e shprehur të gjyshës, por megjithatë nuk mund përmbahesha…
Fëmijët e mij rriteshin nëpër përflakjet e kohëve tona, ashtu siç ishim rritur edhe ne nën peshën e robërisë së gjatë. Koha e fëmijërisë së tyre u bë e trazuar. Të gjitha kohët tona ishin të trazuara. Fëmijët e mij, por edhe fëmijët e të gjithë shqiptarëve të Kosovës nuk mësonin më në lokalet e tyre shkollore, sepse pushtuesi serb i kishte përzënë qysh para dhjetë vjetësh dhe ua kishte zaptuar. Nxënësit shqiptarë mësonin në shtëpitë-shkolla, në kushte të vështira dhe të rënda. Edhe pse nuk kishin as banka shkollore, korrnin suksese të vazhdueshme mu para syrit kriminel të pushtuesit barbar.
Dafina ime si nxënëse shpërblehej përherë me medalje për dituri dhe për këtë vazhdimisht e gëzonte shkollën e vet ku mësonte. E veçanta e mrekullisë ishte, se më së shumti na gëzonte ne prindëve. Ajo i pat vetëm 16 pranvera, kur me gjakun e vetë i ujiti rrënjët e lirisë së Kosovës. E Driloni im me syrin e tij pishë?! Kurrë nuk kam mundur për ta ndalur që të mos dilte në protesta, kur kërkohej liria e Kosovës. Edhe pse ishte i ri, dinte të logjikonte se ishim të robëruar dhe se nuk kishte lojëra të qeta fëmijërore. As nuk mund të shkonte i qetë në shkollë, se rruga ishte e mbushur me policë serbë dhe më ushtarë e me tanke serbe, të cilët dinin vetëm të vrisnin, të masakronin, të plaçkisnin dhe të shkatërronin çdo gjë që ishte shqiptare. Sikur u poq para kohe Driloni im, se kishte sjellje dhe qendrime gati burrërore. Sikur e kuptoi se jeta e shqiptarit ishte tërë lotë e gjak…
– O Zot, fëmijët e mij nuk janë më në jetë! M’i vranë gjakpirësat në ditën e 26 marsit të vitit 1999. Trishtueshëm m’i vranë në lokalin e përgjakur në Qëndrën Zejtare. Me dhunë na mbyllën në atë lokal të tmerrit dhe na vranë e na masakruan pamshirshëm. Ishte fillimpranvera më e përgjakshme që mbahet mend ndonjëherë në këto anët tona. Ishte fundshekulli i dhembjeve të pafuntme… Ndoshta edhe duke i vrarë e masakruar m’i kanë madhështuar fëmijët e mij si engjuj për të kaluar në pavdekësi… Kështu po më thonë ata, të cilët po përpiqen të më ngushllojnë. Por, unë kam mbetur pa ta!!! O Zot i Madhë, si kësshtu…?!
Në vendlindjen time që nga viti 1998 u ballafaquam me ofensivat e njëpasnjëshme serbe. Luftë e rrebtë u bë gjithkah gjatë atij viti. Me javë e me muaj të tërë shihnim vetëm tym e flakë. Digjeshin fshatrat shqiptare përreth, si Bukoshi, Vraniki, Buzhala, Dardha (Sllapuzhani), Gurmadhi (Peqani), Lumari (Reshtani), Gurrasi (Sedenqani), Vneshta (Samadragja) etj. U shkatërruan e u zhdukën shtëpitë dhe pasuritë e tyre si të mos kishin qenë kurrë aty. Banorët e këtyre fshatrave masovikisht i dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe i vranë e i masakruan kudo që i gjetën.
Edhe ne në Therandë aso kohe gdhiheshim dhe ngryseshim me shqetësime të mëdha nga bresheritë e plumbave dhe të granatave, që na binin mbi krye. Lëvizjet e lira të shqiptarëve ishin të kufizuara ditën edhe natën, apo edhe krejtësisht të ndaluara. Ata që nuk i respektonin këto rregulla luanin me kokën e tyre.
Kur më 24 mars 1999 filluan sulmet e para të aeroplanëve të NATO-s mbi pozicionet serbe, ne u gëzuam shumë. Nuk e dinim fare, se pas jo më shumë se pesë-gjashtë orësh gëzimin e tillë do ta paguajmë me jetën dhe me gjakun e më të dashurëve tanë… E merrnim me mend se serbët, në një mënyre apo tjetër, do të hakmerren në ne shqiptarët, por se do të bie mbi familjen tonë tragjedia më e madhe e urrejtjës së tyre të sëmurë, këtëë as në ëndërr nuk kemi mundur që ta merrnim me mend… Kishte më se dy vjetë që flitej për vendosmërinë e NATO-s për sulme, po që se regjimi serb nuk e ndal dhunën dhe terrorin mbi popullin e pafajshëm shqiptar, por ne disi i merrnim me rezervë lajmet e tilla… Prej moti erreshim e gëdhiheshim me trishtime nga pushtuesi serb dhe normal që nga pesha e rëndë e një trajtimi të tillë tmerrues mesjetar, që na bëhej si popull në trojet tona, ndonjëherë ndoshta edhe kemi menduar, se mos edhe Bota e edhe Zoti janë në anën e Serbisë fashizoide. Normal që e vërteta ishte ndryshe dhe në bazë të kësaj të vërteteje ndryshoi edhe bindja jonë, se në botë, megjithatë dominon drejtësia dhe humaniteti…
Më 25 mars 1999 ishte dita e dytë pas sulmeve të aeroplanëve të NATO-s mbi pozicionet serbe. Në dukjen e parë ishte një qetësi, por thelbësisht ajo qetësi ishte e rrejshme dhe vrastare. Çdokund ndihej një heshtje e tmerrshme…Në orët e hershme të mëngjesit, papritmas në shtëpinë tonë hynë njerëz si të çmendur të uniformuar, të cilëve u prinin disa serbë vendës, të cilët ne edhe i njihnim. Ishin Zorani i Peros dhe Mishkoviqi, që dikur kishin punuar në një zyre bashkë me shqiptarët. Këta tani ishin bërë kryekriminelë u prinin kriminelëve të tjerë serbë të ardhur nga Serbia. Na bastisën shtëpinë tonë dhe të kunatit si edhe shtëpitë e djemëve të axhës së burrit tim, të cilëve u morën shuma të mëdha parash pa dhënë kurrfarë shpjegimesh për to. Ndërsa pronarët e parave, Nexhatin dhe Fatonin, të cilët ishin vëllezër, në prani të familjes i rrahen me shufra gome dhe me kundak pushkësh derisa i alivanosën dhe i shtrinë për tokë. I rrahën dhe i malltretuan edhe të tjerët, që hasnin në ta. Ishin të tmerrshëm në dukje kriminelët, me fytyra të ngjyrosura dhe me shamia ngjyrash të ndryeshme të lidhura në kokë.
Me këtë bastisje dhe me plaçkitjen e tërë asaj shume të madhe parash që na i bënë, ne menduam se një mllef të madh e kryen njëherë ndaj nesh dhe se për disa ditë më nuk do të na trazojnë. Në bazë të kësaj bindjeje kobëzezë ne edhe vendosëm që edhe për një kohë të rrimë në shtëpi, se ishte shumë vështirë që të largoheshe nga shtëpia. Ishte vështirë, se ishim të rrethuar, nga se shtëpia jonë gjendej afër stacionit policor, si edhe afër postbllokut të improvizuar ushtarako-policor serb, të vendosur ditëve të fundit enkas për malltretime dhe për krime mbi shqiptarët. E, nga ana tjetër na dukej edhe mëkat ikja nga shtëpia jonë. Patëm menduar edhe se a do të largohemi nga shtëpia, apo do të rrimë ende në të, kjo do të varet krejt nga rrethanat e qetësimit provizor të gjendjes, apo të acarimit të mëtejmë të saj…. Bëmë gabim tragjik për familjen tonë që ndejtëm. Gabimet për njerëzit gjatë luftës së pabarabartë kurrë nuk kanë skaj! Mbi bazën e atyre gabimeve ne edhe pësuam. Të ishim larguar me kohë nga shtëpia, ndoshta ngjarjet do të rridhnin ndryshe…!Por, ne nuk u larguam! Nuk donim që të largoheshim të parët. Largimi ishte dhimbja që e shkretonte Kosovën…
Të nesërmën, më 26 mars 1999, para mesditës, diku kah ora dhjetë forca të shumta serbe me tanke dhe me armatim tjetër të rëndë i rrethuan shtëpitë tona. Vinin turma-turma ushtarë e paramilitarë dhe ne u trishtuam kur e pamë një invadim të tillë, aq të madhë. Këta kishin ardhur me qëllime të caktuara, që të na likuidonin të gjithëve. Na hynë brenda me barabari të pakrahasuar, duke bërtitur me zëra çmendurakë dhe duke kërsitur me armë. I kërkonin për t’i marrë burrat dhe ngado që silleshin thenin gjera të vlefshme nëpër shtëpi dhe e rrahnin ke e hasnin. Vjehrra ime, Hava doli jashtë për të parë se çka po ngjan dhe çka po bëhet kështu me ne. Nga tmerri të gjithë dolëm jashtë. Kriminelët kishin sy të gjakosur. Ishin të armatosur dhe thikat iu vizëllonin në këllëfa. Na thanë që menjëherë të niseshim për Shqipëri, se përndryshe do të na likuidonin të gjithëve. Nuk na dhanë afat për asgjë, as që t’i vishnim fëmijët e as që të merrnim ndonjë gjë më vete. Dolëm ashtu si ishim në shtëpi, megjithëse ne prej kohësh asnjëherë nuk ishim krejtësishtë të shkujdesur, se ishte luftë. Luftë e pabarabartë totale, sepse armiku serb kishte armatim të rëndë, ndërsa ne shqiptarët ishim popull duarthatë, i mbetur në mëshirën e pamëshirshme të bishës së egërsuar…
Në ndërkohë një pjesë e kriminelëve serbë i ndanë burrat tanë dhe duke i rrahur dhe maltretuar i dërguan deri në qendër të qytetit dhe prapë i kthyen. Kishte shumë ushtarë dhe policë serbë atë ditë para shtëpive tona. Mund të them se ishin më së njëqind, të cilët duke vrapuar herë lartë e herë poshtë shkrepnin me armë sa mundnin dhe shanin e bërtitnin sa me të luajtur mendja e kresë. Vështirë se mund të koncetroheshe për të menduar diçka të mençur në ato momente të rënda.
Pasi i bënë skenat e tilla, e kërkuan kunatin tim, Bujarin me emër dhe pasi e maltretuan dhe e rrahën pa ia da me kundak e shqelma, e vranë në vend. I tmerruar nga vepra e kryer kriminele iu doli përpara burri im, Sedati, që të mirrej vesh dhe të kuptojë se për çfarë arsye vepronin asisojit dhe u tha: “Çka i bëtë kështu vllait tim?!”. Ata e ndalën edhe Sedatin dhe i thanë, se pasi po të intereson se çka i bëmë vëllait, ndalu edhe ti, se edhe ty të rregullojmë si atë dhe shkrehen breshëri plumbash mbi të e e vranë. E vranë Sedatin dhe unë kisha mbetur e mpirë në këmbë nga tmerri, duke u dridhur e menduar se a është e vërtetë vallë kjo që po ngjan me ne, apo është ndonjë ëndërr e trazuar. Nuk më lanë gjatë që të mendoj për realitetin e tragjedisë, që po e përjetonim, se krisën armë të tjera të shumta në drejtim të ne grave e fëmijëve dhe ne më nuk dinim se nga t’ia mbanim. Na urdhëruan që të largohemi dhe na ndiqnin me shkrepëtima armësh, që të dalim në rrugën e asfaltuar, që shpiente për Perzeren, për t’iu bashkangjitur kolonës së gjatë që dëbohej për Shqipëri.
Kunatin Nexhmedinin, bashkë me djemtë e xhaxhait Nexhatin dhe Fatonin nuk i lanë kriminelët e mallkuar që të hynë në kalvar. I kthyen dhe pasi i mbështetën për muri, i pushkatuan para shtëpisë. Kur kërsitën armët, ne të tmerruar u ndalëm dhe e pamë rrëmujën tragjike. Gruja e xhaxhait, Fatimja, kur e vëren se po donë t’ia vrasin djalin e vetëm, Fatonin, të cilin edhe e kishte rritur jetim, vrapoi për t’ia kapur automatikun njërit prej policëve, që gjuante pandërprerë në anëtarë të familjes, por polici kriminel e vret edhe atë bashkë me të tre të mbështeturit për muri dhe me nipin. E vrisnin secilin që mundohej për t’i dalë në ndihmë tjetrit… Edhe kunata ime, Lirie Berisha, mësuese dhe shtatëzënë në muajin e nëntë, e tmerruar për skenën tragjike që e shihte me sy, kishte hyrë në vendkrimin e tmerrit, që ta shpëtonte bashkëshortin, Nexhmedinin, nga se kishte vërejtur që ai ishte i plagosur. Kishte dashur, që ta tërhiqte zhagas, për t’ia shpëtuar jetën, por e kishin tmerruar kriminelët me krisma armësh gjithkah përreth dhe e kishin bërë shoshë edhe atë të ngratën…
Krejt kjo ngjarje u zhvillua me shpejtësi marramendëse sa është vështirë që të veçohen detajet. Aty kishte kacafytje të pabarabarta. Kishte zëra fëmijësh të çjerrur gjer në trishtim dhe krisma të pandërprera armësh, nga të cilat binin njerëzit në tokë si lisat e prerë. Njerëzit e vrarë mbetën të shtrirë në mes të dy shtëpive, që kriminelët i dogjën dhe i bënë shkrumb. I dogjën edhe kufomat dhe prej tyre s’ka mbetur pothuaj asgjë pos ndonjë pjesë e eshtrave të tyre apo ndonjë gjurmë tjetër e përafërt identifikuese, si rrypi i zingjirit i orës së dorës, ndonjë dhëmb ari, që e kanë pasur viktimat në gojë etj.
– Përzgjedhur për ripublikim sot më 26.03.2021 – Naxhije Doçi