21 VJET NGA MASAKRA SERBE NË KRUSHË TË VOGËL TË KOMUNËS SË PRIZRENIT

0
370
Naxhije Doçi

Naxhije Doçi – Prishtinë – 25-26.03.2021

KRUSHA E VOGËL E KOMUNËS SË PRIZRENIT I KA 113 SHQIPTARË TË VRARË

(Fragment nga libri Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999”, i përkthyer edhe në gjuhën angleze, me mjetet financiare te autores dhe të familjes së të ngushtë – DOÇI)

Krusha e Vogël është fshat i Komunës së Prizrenit dhe para luftës serbe të vitit 1999, në Kosovë  kishte diku mbi 70 shtëpi dhe mbi më shumë se 400 banorë. Ishte një fshat me banorë të përzier, se në të jetonin edhe serbë, diku 20 shtëpi, si edhe disa shtëpi me magjupë.

Gjatë ofensivës serbe të 26 marsit 1999 në Krushë të Vogël forcat kriminele serbe vranë e masakruan 113 meshkuj shqiptarë të këtij fshati, prej moshës 13 vjeçe e deri në pleqëri të shtyrë. Gati të gjithë i kishin vrarë e djegur me tmerre të papërshkrueshme në shtëpinë me dy dhoma e një korridor të Qazim Batushës, të cilën shtëpi thuhet se Qazimi më parë e kishte blerë prej një serbi të Krushes së Vogël. Fqinjët serbë, Momqillo Nikoliç, Sveta Tasiç, Sllavisha Petkoviç dhe Ljubisha Stankoviç kishin qenë ata që kishin hyrë në shtëpinë-therrtore dhe i kishin vrarë shqiptarët, që i kishin ngujuar më parë vetë në të.

I plagosuri në atë shtëpi-pleme, Qamil Shehu e kishte dëgjuar djalin e vëllait të tij, Shefqet Shehun, i plagosur rëndë dhe i mbetur shtrirë afër tij, duke i thënë fqinjit serb, Momqillos, se a edhe ti kojshi na bëre këtë të zezë a?! Krimineli Momqillë, nga inati për fjalët e dëgjuara nga Shefqeti, kishte shtënë edhe një herë me rafale plumbash mbi të dhe e kishte mbytur, duke i thënë se, paske mbetur ende i gjallë hë nënën shqiptare…!

Kriminelët uniformistë serbë të bindur se i kishin vrarë të gjithë shqiptarët në shtëpinë si pleme të Qazim Batushës, kishin dalë jashtë në oborr që të merrnin kashtë e tallë për t’i djegur të vrarët. Që të kryhej me sukses procesi i kalljes së të vrarëve, mbi kashtën dhe tallën e shtrirë mbi të pushkatuarit kishin derdhur edhe benzinë dhe sipas të mbijetuarit të masakrës, Mehmet Krasniqi një veprim të tillë e kishin bërë fqinjët kriminelë serbë, Sllavisha Petkoviç dhe Ljubisha Stankoviç.

Naxhije Doçi - The Serbian Crime and Rape

Kur e kishte kapluar flaka e tymi shtëpinë, Mehmeti i kishte shtyrë të vrarët që i kishte pasur mbi veti dhe me përjetime të shumta e gati gjysmë i përcëlluar nga zjarri kishte dalë për dritare dhe kishte shpëtuar. Ishte strehuar në shtëpinë e afërtë të xhaxhait të tij dhe kur ishin ndërprerë pak të shtënat, ishte larguar nga aty për t’u strehuar në malin mbi fshat.

Si Mehmet Krasniqi kishte shpëtuar edhe Qamil Shehu, poashtu i mbetur nën të vrarë, dhe kur kriminelët serbë e kishin parë Qamilin duke dalur nga dritarja ishin çuditur si kishte shpëtuar dhe nga inati kishin gjuajtur rafale pushkësh në të dhe kishin menduar që e kishin vrarë. Fati që Qamili edhe këtë herë kishte shpëtuar, se ishte shtrirë për tokë para se të shkrehnin plumba në të dhe pas ndërprerjes së të shtënave edhe ai kishte ikur në mal. Pushkatimi i burrave shqiptarë të Krushës së Vogël, djegia e trupave të vrarë dhe përpjekja për zhdukjen e dëshmive të krimit të bërë është bërë më organizim të fqinjëve serbë, Sava Nikoliç, Dimitrije Nikoliç dhe të tjerë, të inkuadruar të gjithë në njësitet speciale të policisë ushtarake serbe dhe në radhët paramilitare.

Vrasja dhe masakrimi i djemve dhe burrave të Krushës së Vogël është enigmë e madhe e llojit të vet, që vështirë se do të mund zbulohet e të tregohet ndonjëherë saktë dhe si duhet realiteti.  Krusha e Vogël i ka diku mbi 70% të meshkujve të vrarë dhe është vendi më i madh në Kosovë, që ka meshkuj të humbur. Në të janë 82 gra të veja, që bëjnë të pamundshmet për  mbijetim të vështirësive jetësore për vete dhe për 150 fëmijët e tyre jetimë, që kërkojnë rritë e shkollim si edhe moshatarët e tyre në Kosovën e lirë.

Përsonazh i rrëfimit rrënqethës për Krushën e Vogël është Luljeta Shehu, që e ka të vrarë burrin, Nexhatin dhe 38 familjarët e tij, si edhe që ka parë e përjeuar shumë tmerre gjatë luftës serbe të vitit 1999 në Krushë të Vogël. Si grua e shkolluar dhe si njeri ajo është përpjekur që t’i qetësojë dhe t’ua mbaj moralin edhe grave të tjera, që gjendeshin para tytave të pushkëve të ushtrisë serbe. Luljeta është profesoreshë e kimisë, ndërsa gjatë viteve 2007-2010 ishte edhe deputete e Kuvendit të Kosovës.

JETOJ KRENARE NË KUJTIM TË BURRIT TIM TRIM

Jam Luljeta Zendeli-Shehu  dhe jam profesoreshë e kimisë në Gjimnazin “Gjon Sereqi” në Prizren. Jam e lindur më 1962 në Strugë në një familje të njohur arsimdashëse shqiptare e dëshmuar nëpër gjenerata edhe për atdhetarizëm të përkushtuar. Gjatë ofensivës së 25 marsit 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit forcat serbe e vranë burrin tim, Nexhat Shehun në moshën më të mirë të jetës së tij dhe mua më lanë që të vuaj tërë jetën për të. Nexhati ishte profesor i kimisë i lindur më 1959 dhe kur e vranë uniformistët kriminelë serbë ishte në moshën 40 vjeçe.

Tre fëmijët e mij, Arbëri, Njomëza dhe Fjolla sot rritën pa dashurinë dhe përkujdesjen e babait të tyre, mungesa e të cilit u krijon zbrazëtirë dhe ndieshmëri të shumta në jetë. Sytë e tyre janë përherë të përlotur nga përmallimi i madh për babain që nuk e kanë pranë dhe që nuk dinë asgjë të sigurtë se a mos gjendet diku i gjallë, apo se ku gjenden sigurtë mbetjet mortore të tij. Është enigmë e madhe dhe shumë e dhembshme vrasja e tij për ta dhe për mua!

Në këto kohë të lirisë së shumëpritur të Kosovës, fëmijët e mij përherë pyesin se pse nuk kthehet babai i tyre në shtëpi. Çdo hapje e derës së shtëpisë ua ngjallë ndjenjën e dëshirës së madhe, se mos ndoshta është babai i tyre i dashur, se nuk e dinë ku e vranë, si e vranë dhe ku e varrosën. Ata shpresojnë kurrë pa u ndalë se ai do të kthehet një ditë në shtëpi dhe bisedojnë me orë të tërë se ajo ditë dhe ai moment për ta do të ishte më i gëzueshmi i jetës së tyre. Unë dhe familjarët të tjerë, si edhe dashamirët nuk kemi forcë, por nuk kemi as fakte bindëse, që t’ua ndryshojmë mendimin e t’ua themi se realiteti për babain e tyre mund të jetë edhe ndryshe…?!

E doja bashkëshortin tim, Nexhat Shehun dhe nga dashuria për të se si m’u bë edhe Krusha e Vogël vendi më i dashur në botë. Bile me kënaqësinë më të madhe pranova edhe që të jetoja në të, e jo të jetoja në Prizren ku edhe punoja. Ishin ato kohë tepër të mira dhe do të thoja edhe të arta për mua, që nuk do të kanë më kurrë të përsëritur në jetë. Ishin ato kohë…! Në të vërtetë koha e bashkëshortësisë sime me Nexhat Shehun e Krushës së Vogël ishte kohë nën robërinë e gjatë serbe, që na ngulfiste për çdo ditë keq e më keq si shqiptarë që ishim dhe si Kosovë.

Dhe në këtë kohë Nexhati nuk mund të ishte spektator indiferent ndaj së keqes serbe, që na kishte pllakosur pamëshirshëm. Ai u përpoq pa u hamendur dhe asnjëherë nuk u ndal së sfiduarit pushtuesin serbë, dhe përkrahës të përkushtuar në këtë aspekt më kishte edhe mua. Unë dhe Nexhati përherë konsultoheshim për gjërat në jetën tonë të përbashkët, se kështu na dukej që bëheshim më të fortë për t’i tejkaluar vështirësitë dhe pengesat që na dilnin përpara. Sot jetoj në Krushë të Vogël me kujtimin dhe krenarinë për bashkëshortin tim trim dhe zemërbardhë, Nexhat Shehun dhe me dashurinë për tre fëmijët e mij dhe të tij. Kjo edhe është ajo mrekullia esenciale që i jep kuptim jetës sime.

Gjatë dhjetëvjetëshit të fundshekullit njëzet policët serbë e kanë maltretuar disa herë Nexhat Shehun duke shkuar në punë në shkollën e Zymit dhe në Gjonaj, ku punonte profesor i kimisë. Udhëtonim bashkë me të, se një kohë edhe unë punoja në Zym mësuese klasore dhe e shihja se sa jonjerëzorë dhe kriminelë ishin policët serbë ndaj nesh. E ndalnin në rrugë me veturë Nexhatin pa bërë kurrfarë shkelje rregullash të komunikacionit, se donin me qëllim ta maltretonin fizikisht e psiqikisht, që t’ia humbnin edhe orët mësimore te nxënësit.

E ndalnin, kinse vetëm që t’ia kontrollonin dokumentet e vozitjes dhe letërnjoftimin, por ai e dinte, se kur të ndalnin policët serbë për çështje të tilla të prisnin zezona të mëdha. Të prisnin torturime e maltretime të shumta, që me vështirësi të mëdha përballoheshin dhe mjer ai shqiptar që ishte viktimë e pamëshirësive të tilla. Bashkëshorti im, Nexhat Shehu ishte një intelektual i përkushtuar për edukimin me atdhedashuri të gjeneratave të reja dhe për arsimimin e shëndosh dhe cilësor të tyre. Më 1990 do të bëhet edhe aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kurrë nuk është kursyer së vepruarit për çështjen atdhetare. Për këtë edhe është marrë në biseda informative nga pushtuesi serb, e edhe është maltretuar nga policia serbe e kohës.

Provokime ka pasur edhe nga serbët vendës të Krushës së Vogël dhe do të thoja me plot bindje se këta edhe ishin ata katalizatorët kryesorë të së keqes së madhe për të dhe për krejt shqiptarët e Krushës së Vogël. Këta e informonin policinë serbe e më vonë edhe ushtrinë vrastare të tyre, për çdo aktivitet që bënin shqiptarët e këtij fshati dhe të fshatrave përreth, që ata i njihnin. Nëpër copëzat e jetes së tij me plot padrejtësi, Nexhati kishte përjetuar maltretime të shumta nga pushtuesi serb në Kosovë. Atë edhe e vranë me tmerre forcat kriminele serbe dhe me tmerre edhe e varrosën në varrezë masive. Eshtrat e tij janë rivarrosur disa herë dhe kjo është dhëmbje tjetër tepër e rëndë për t’u përballuar dhe për t’u tejkaluar për ne familjarët e mbetur gjallë.

Forcat kriminele serbe, bashkë me bashkëshortin tim, Nexhatin, i vranë edhe katër vëllezërit e tij, Raifin (56), Salihun (50), Reshatin (48), dhe Dervishin (45). Thuhet se në shtëpi të kunatit të tretë, Reshatit i vranë të pestit, se ata shkonin te njëri – tjetri të konsultoheshin, si për të gjetur ndonjë mundësi të organizimit, që të mbroheshim nga sulmet shfarosëse të forcave serbe, që e kishin rrethuar Krushën e Vogël nga të gjitha anët. Të nesërmen, në ofensivën e 26 marsit 1999, uniformistët kriminelë serbë i vranë e i dogjën edhe tetë djemtë e kunetëve, Sahitin (27), Xhavitin (24), Bekimin (21), Burimin (21), Dritonin (18), Flamurin (18), Naitin (17) dhe Kujtimin (15), bashkë edhe me 26 burra e djem të tjerë të agjallarëve të burrit tim.

Uniformistët serbë e vranë edhe motrën e burrit tim, Fatime Tarjanin 55 vjeçe në shtëpi të vet në fshatin Piranë, bashkë edhe me burrin Hysen Tarjanin, që ishte i sëmurë dhe i palëvizshëm. Ende nuk janë gjetur eshtrat e tyre. Gjatë ofensivave serbe të vitit 1999 në këto anë të Anadrinisë, Fatimja nuk ishte larguar nga shtëpia, se nuk kishte pasur si ta barte burrin e paralizuar, por kishte menduar edhe se ndoshta forcat serbe nuk do t’i përzënin nga shtëpia si të moshuar dhe si të sëmurë që ishin. Nuk i kishte dalë Fatimes ashtu si kishte menduar, se uniformistë serbë nuk i kishin zgjedhur viktimat e tyre se në çfarë gjendje shëndetësore ishin, pos që ishin shqiptarë. Gjashtë fëmijët e saj, katër vajzat e dy djemtë Fatimja i kishte këshilluar që të largoheshin me çdo kusht nga fshati, në kohën kur popullata e Piranës dëbohej me barbari për Shqipëri. Ishte gëzuar shumë kur kishte dëgjuar se fëmijët e saj kishin mbërrijtur shëndoshë në Shqipëri.

Në Krushë të Vogël, që nga paslufta e tmerrshme e vitit 1999 e deri në këtë vit 2011 vazhdimisht janë bërë rivarrime. Kujtoj se rivarrimet në këtë vend nuk do të pushojnë asnjëherë deri sa të mos zbardhet plotësisht fati i burrave dhe i djemve të vrarë e të masakruar të saj. Dhe rivarrimet, krahas zhgënjimit të madh për mosinteresimin e mjaftueshëm të shoqërisë së kohës për këtë çështje, sjellin vazhdimisht edhe dhembje me lotë e me ofshamë të përtërira. Loti i derdhur gjatë rivarrimeve të shpeshta të mbetjeve trupore të njerëzve të dashur të djegë e të përvëlon si prushi. Mund të ndodhë që në Krushë të Vogël për çdo 26 mars përkujtimor të ketë vazhdimisht edhe rivarrime, se forcat kriminele serbe i varrosën meshkujt e këtij fshati në varreza masive kah mundën nëpër Kosovë e Serbi dhe të vrarëve nuk iu dihen saktë as këto varre të përbashkëta.

Në Krushë të Vogël do të ketë vazhdimisht rivarrime, deri sa secili i vrarë të mos e ketë një varr të vetin. Kujtoj se është e drejtë e patjetërsueshme morale dhe njerëzore që secili njeri në këtë botë ta ketë varrin e tij të caktuar, si shenjë kujtimi për familjarët e vet dhe për gjeneratat në vazhdim. Në Krushë të Vogël edhe një gjë është e ditur, se deri sa të ketë vazhdimisht zbulime të dyshimta dhe të pasigurta të mbetjeve trupore të të vrarëve të tyre të shtrenjtë, vazhdimisht do të shpresohet, e bile edhe do të këmbëngulet, se të dashurit e tyre mund të egzistojnë ndokund edhe të gjallë. Pra në Krushë të Vogël ka dhembje të mëdha deri në pakufi, por ka edhe shpresa të pafundme edhe për ndonjë mrekulli…! O Zot i Madh…!