Agim Gjakova
“Kosovën, Nanën, kur n’flakë t’shpirtit
me përcllim t’zemrës s’djegun kam kujtue
të tanë i shkrimun ndjenjash krejt s’dlirtit
lot m’kanë shpëtue!”
Në shpinë të fotografisë së një djali të ri kah i rrjedhin lot për faqe në një fytyrë ku feksin vijëzimet e një pjekurie e të një stoicizmi janë shkruar me një dorë që nuk dridhet, me një dorë të qëndresës e betimit, ani pse zemër e zhgënjyer, këto vargje nga vetë poeti, luftëtari, trimi e ngadhënjimtari kombëtar – HAKI TAHA.
Gjithë gjelbërimin pranveror të kodrës së Çabratit të Gjakovës, rrjedhën e lumenjve, gurgullimën e krojeve e ngjyrë verdhën e arave me grurë do t’i merrte me vete ngado që shkoi e kudo që u ndodh. Do të merrte me vete edhe vagëllimën e zisë së robërisë, fytyrë jeshilen e urisë, etjen për fjalën shqipe të abetares, përjetimet fëmijnore të luftërave ballkanike e botërore, që do ta bënin shpirtin e tij sa të egër, aq të butë, sa të ëmbël aq të hidhur, sa të dashur aq vnerderdhës, ashtu siç qe e tanë Kosova e tij.
Kalimi i Drinit të shkumëzuar e të dallgëzuar me not në Va-Spa për në Shqipëri më 1928-tën, për të shuar mallin e shkronjave shqipe në shkollë shqipe, do t’i ngjajë gjithë rrjedhës së jetës së tij të mëpastajme, kur do të dijë të notojë kombëtarisht nëpër shakullinat e luftës e të përplasjeve ideologjike e politike.
Hyri në shkollë në Shkodër, pasi punoi një verë për të mbledhë sado pak lekë për librat e fletoret dhe, pas disa vjetësh, kaloi në Normalen e Elbasanit, ku u poq në pikëpamje arsimore e shoqërore. Në këtë qytet ai u bë shpejt epiqendër e shokëve të vet. Me natyrën e tij të gëzuar, sa i qeshnin edhe sytë, ani pse në brendi ndrynte një vorbull ndjenjash rebele atdhedashurie e njerëzore, ai e sillte harenë “me pahir” në mesin e shokëve.
Mjediset e qytetit e njohën këtë normalist poet, protestues të flaktë e shpërthyes kundër vuajtjeve e gjakderdhjeve që pësonin shqiptarët nga sundimi serb në Kosovë, prozator i tregimeve interesante në “Normalisti” e organe të tjera shqiptare, aktor me talent, që, sipas shtypit të kohës, pat nxjerrë një Skënderbe shumë të mirë, të paparë deri atëherë, imponues me trupin e tij të gjatë dhe legjendar me timbrin e intonacionin e zërit të tij kumbues.
Bashkëkohësit e tij në Elbasan do ta mbajnë në mend edhe për një tipar të tij – oratorinë. Oratoria e tij u shoqërua jo vetëm me aftësinë e fjalës, por edhe me guximin. Siç e kanë pohuar ata që e kanë njohur dhe kanë jetuar me të atë kohë e më vonë, Hakiu ka qenë “trim i çartun”, siç thotë populli. Trimëria e tij e pafre, por gjithmonë e mençur, i pat lënë pa gojë, ca të hutuar e ca të habitur në shesh në Elbasan, në përvjetor të festës së 28 Nëntorit, kur në ballkonin, ku qëndronin prefekti e autoritetet e tjera të pushtetit të viteve tridhjetë, u pa një djalë i gjatë që me sjellje të hijshme, por me lëvizje të prera, mënjanoi të pranishmit në ballkon dhe doli para popullit dhe, pa marrë leje e pa përfillë autoritetet, e nisi fjalën e tij guximtare me zë pak ngashëryes, por burrëror: “Sot kur na po festojmë festën e pavarësisë… duhet ta dini se vëllaznit tanë janë tue e ngjye bukën në gjak…”.
Një skenë e llahtarshme, krejtësisht unike e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë, kur as prefekti, as kryetari i bashkisë, as komandanti i xhandarmerisë, askush nuk lëvizte nga mpirja e hutia, ndërsa njerëzit dëgjonin me vëmendje, përloteshin, tundnin kokat dhe mahniteshin me tërë çfarë u paraqitej me atë djalë normalist. E fjalën e tij do ta dëgjonin edhe shumë herë të tjera nëpër tubime të ndryshme në shkollë e nëpër qytet.
“Trimin e çartun” do ta tregojë më vonë në demonstratën antiserbe më 1940 që filloi në Junik, të organizuar nga Ali Bajraktari me Hakiun e shokë, që u mbyll me përleshje me forcat serbe. Do ta shohim si mësues në Shinovlash, kur në krye të një grupi të rinjsh u nis në këmbë për Tiranë[1] për të kërkuar armë nga mbreti e më vonë kur arrestohet nga karabinierët italianë, sepse me ta u grind e u përlesh fytafyt. Do të vazhdojnë këto thirrje kundër pushtimit e fashizmit, që vulosin shpirtin e tij kundër çdo lloj pushtuesi, deri kur mësuesit kosovarë ia dhanë vrapit kush të mbërrijë më parë për të hapur shkolla shqipe në Kosovë, në pranverë të vitit 1941.
Hakiu vendoset si mësues në Deçan, por s’ndalet nëpër Gjakovë e tërë Kosovën duke punuar me mish e me shpirt sa për arsimin aq për grumbullimin e frymëzimin e rinisë me ndjenjat e atdhedashurisë kombëtare që së bashku me ta të bëjnë demonstratën e parë antifashiste kundër pushtimit më 28 Nëntor 1941 në Gjakovë.
Kush asht djalë gjithkah t’qindrojë
Për liri kem me u vra
Dhe kushtrimi le t’ushtojë
Bashkim duem na vëlla me vëlla…!
Vargjet e refrenit të kësaj poezie të thurur prej tij, të cilën e kompozoi kompozitori Eftim Dheri në një këngë burrërie lirike frymëzuese dhe e këndoi liriku i shquar Kristaq Antoniu, u bënë lajtmotiv i gjithë jetës së tij të shkurtër e plot veprimtari për të realizuar ëndrrat shekullore të brezave për një Shqipëri etnike, pa i marrë askujt asgjë, por pa ia lëshuar askujt asnjë pëllëmbë tokë të truallit amtar pa e la me gjak. Kjo këngë u përhap anekënd Kosovës dhe u bë si marsh i mbarë rinisë që përqafoi idenë e luftës për një Shqipëri etnike të vërtetë.
Lufta Nacional çlirimtare mori një rrugë jo kombëtare. Kjo kahe partiake, pra e një partie të vetme të caktuar, Partisë Komuniste, atij nuk i pëlqeu, pasi ai e kishte vulosur fatin e vet me atë të kombit të tij për një Shqipëri të lirë, të pavarur me Kosovën e me tokat etnike të bashkuara. Duke analizuar treguesit politiko-shoqëror si dhe zhvillimet që po ndodhnin në luftë, Hakiu arriti në përfundimin se komunizmi nuk është ajo forcë që do të sendërtonte idealet e tij kombëtare, çka edhe u vërtetua nga rrjedha historike. Megjithatë ai mbajti lidhje me Lëvizjen Nacional çlirimtare, duke e ndihmuar gjerësisht, por duke shpallur botërisht qëndrimin e tij politik ideor.
“Trimi i çartun” e pati vendin të dalë edhe një herë me forcën e shpirtit të tij shpërthyes.. “Aty ku është Haki Taha nuk mund të flitet ndryshe, veçse në gjuhën shqipe”! Tha ai, kur në inaugurimin e Urës së Fshejit mbi Drin të Bardhë afër Gjakovës u kërkua që fjala e rastit të mbahej italisht nga përfaqësuesi italian i partisë fashiste. Hakiu u cakërrua me fjalë vetëm pak sekonda me italianin që këmbëngulte. Pastaj tërë të pranishmit panë se si krahu i tij i gjatë dhe forca e tij burrërore e goditi me shuplakë funksionarin fashist, duke e rrëzuar përtokë dhe e mori vetë fjalën me oratorinë e tij të spikatur në ëmbëlsinë e gjuhës amtare. Tërë nxënësit e shkollave të Gjakovës, që tashmë e njihnin dhe e adhuronin, brohoritën pareshtur duke i detyruar autoritetet të duartrokisnin të heshtur e kryeulët.
“Unë nuk martohem”! – u tha ai gjithë të afërmve, miqve e shokëve, të cilët u përpoqën ta bindnin të krijonte familje. “Nusja ime është Kosova”, duke e ndjerë se angazhimi i tij total do të ishte pengesë për përkujdesjen ndaj familjes dhe anasjelltas. Thonë se në Elbasan si normalist qe dashuruar me një shoqe shkolle me të gjithë thellësinë e shpirtit të tij, por familja e saj e konsideroi këtë kosovar si të papërshtatshëm për dhëndër dhe vajza iu nënshtrua presionit të familjes. Prej këndej lindi polemika me xhaxhain e kësaj vajze, intelektual e shkrimtar i asaj kohe, me anë letrash e diçka prej tyre u botua edhe në shtypin e kohës me motivin:
“Më ka pasë thanë nana, nusja e keqe t’i le krushqit në udhë”!
Hakiu e gjen rrahun e sendërtimit të ëndrrave të tij brenda organizimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke dhënë ndihmesën edhe në gazetën e saj “Kosova”. Tashmë atij i qenë vrarë apo vdekur mjaft shokë si Emin Duraku, vëllai i tij Demush Gjakova, nacionalist e kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Gjakovës, duke ia prerë krahët e mbështetjen për idealet e tij. Rrjedhat e luftës në dëm të interesave kombëtare shqiptare, çka qenë edhe shkak për formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kishin marrë kahe që shkrepnin diku larg në horizont si vetëtimë që do të godiste tërë kombin shqiptar. Të tilla janë vendimet në Jajcë për të lënë po atë Jugosllavi të më parme, e miratuar edhe nga krerët e aleatëve Ruzvelti, Stalini e Çerçilli.
Hakiu vjen në Tiranë me disa pikësynime: për kontroll mjekësor, për të takuar liderët e Partisë Komuniste Shqiptare, por edhe për të dorëzuar një përmbledhje me poezitë e veta në ndonjë shtëpi botuese. Ka zëra , sipas të cilëve libri ka rënë në duart e njërit apo tjetrit, midis tyre edhe të poetëve Lasgush Poradeci e Dhimitër Pasko, të cilët e kanë njohur dhe kanë pasur nderim për Hakiun. Fundi i kësaj përmbledhjeje nuk dihet me saktësi. Sot për sot ajo është e humbur. Pas luftës ndoshta ai që e ka pasur dorëshkrimin mund ta ketë zhdukur nga frika e goditjes së inatit envero-sllav.
Mbetet sot e kësaj dite çështje që duhet hulumtuar takimi i Haki Tahës me Enver Hoxhën e Milladin Popoviqin. Nipi i tij, Hilmi Taha, pohon se “Hakiu kishte ardhur dhe qe sjellë disa ditë duke kërkuar të takohej me udhëheqësit e Partisë Komuniste të Shqipërisë, por, natyrisht këtij nuk i kishte treguar arsyen, por që nënkuptohej se ishte çështja e luftës dhe e Kosovës pas luftës. Para demokratizimit të Shqipërisë, nëpërmjet të ish-oficerit të Sigurimit, Sami Malushi, i cili qe larguar nga shërbimi dhe punonte në fabrikën e porcelanit në Tiranë, pata dëgjuar në mirëbesim se një shok i tij i kishte thënë se Hakiu ishte takuar me Enverin e Milladinin.
Ky ishte oficeri i Sigurimit Mehmet Alishehu (mbiemrin e kishte pasur Shehu, por Mehmet Shehu, për të mos u ngatërruar me të, ia kishte shtuar Ali, më duket emrin e të atit). Mehmet Alishehu deklaron: “I ngarkuar për sigurimin e udhëheqjes së partisë, isha duke e kryer detyrën në një shtëpi-bazë të Luftës Nacionalçlirimtare në Tiranë, ku ndodheshin Enver Hoxha e Milladin Popoviqi. Papritmas erdhi Hakiu dhe, duke ruajtur rregullin e konspiracionit, megjithëse kishim qenë bashkënxënës në Normalen e Elbasanit, nuk i dhamë të njohur njëri-tjetrit. Kërkoi të takohej me Enverin e Milladinin. Hyra dhe u thash se ka ardhur Haki Taha dhe kërkon të takohet me ju. Le të vijë, më thanë, Hakiu hyri dhe doli pas nja një ore. Ishte shumë i nervozuar. Se çka u bisedua apo u tha aty unë nuk e di. Prej atëherë nuk e kam parë më deri kur u dëgjua se e vrau Milladin Popoviqin“[2].
Natyrisht do të mbetet enigmë për tërë jetën se çka dhe si u bisedua për çështjet, për të cilat dihet se mund t’i ketë shtruar Hakiu, si edhe parashtrimin e pikëpamjeve të veta e kërkesat për luftën për Kosovën e Shqipërinë etnike, çështje të cilën Partia komuniste e tradhtoi në Mukje. Pas këtij takimi ( e të tjera) në Tiranë, Hakiu kthehet te i nipi në shtëpinë përdhese tirançe dhe i thotë mjaft i mërzitur : “Hakiu gjallë e serbët prapë në Kosovë, nuk ka me ndodhë”!
“Trimi i çartun” e pa veten në Prishtinë, me kraharorin që i gufonte, me idhëtinë e tradhtisë që i pikonte në shpirt, me gjëmën e gjenocidit etnik që ia ndrydhte zemrën. Hyri në zyrën e “të parit” të Kosovës, Milladin Popoviqit, me atë dorë që vite më parë kishte shkruar vargjet në shpinë të fotografisë. Ngjarja që u përshkrua më vonë dhe fjalët që u thanë nënkuptojnë shumë gjëra.
Krerët e Partisë komuniste të Jugosllavisë për Kosovën i qarkulluan fjalët se Hakiu i mbështjellë me flamur (për të cilin ka prova të sakta se është qëndisur dhe është shkruar “Rrnoftë Kosova e bashkueme me Shqipninë[3]) i tha Milladin Popoviqit : “Si i kemi pasë fjalët?!” Edhe nëse nuk është dëgjuar kjo pyetje, dashje pa dashje qe përfundim logjik i asaj që po ndodhte dhe një provë për atë takim në Tiranë, që përmendëm më lart.
Në mitingun e organizuar në Gjakovë, si nevojë e domosdoshme për të qetësuar popullsinë, me këtë rast Fadil Hoxha (të njohur njëri me tjetrin jo vetëm si gjakovarë, por edhe si shkollarë në Shqipëri, por edhe shokë që kishin menduar në vitet tridhjetë të dilnin nëpër Evropë dhe me veprime të ndryshme kundër përfaqësive të Jugosllavisë mbretërore të sensibilizonin çështjen e Kosovës) tha:
“Haki Taha, shoku ynë ma i mirë, vrau një shokun tonë ma të mirë…”. Edhe vetë kjo shprehje dualiste është provë e saktë për gjithçka ndryni në personalitetin e vet Haki Taha.
Për ngjarjet e marsit të vitit 1945 filluan të thuheshin variante të ndryshme, sipas interesave të caktuara. Pas demokratizimit të Shqipërisë, erdhi nga Amerika në Tiranë Luan Gashi. Shkova t‘i uroj mirëseardhjen dhe e lamë të bisedonim kur të „qetësohej“ gjendja pas vizitave të shumta. Një ditë me anën e të vëllait, Baton Gashi, më çoi fjalë se donte të më takonte urgjentisht pasi i duhej të nisej për SHBA. U takuam. Luan Gashi pohon: „Të thirra me të thanë se të gjitha këto variante që po thuhen janë përralla.
Ne, pak që kemi mbetur gjallë, e dimë të vërtetën. Rreth nja dhjetë dymbëdhjetë veta po e prisnim Hakiun në kodrat e Gërmisë deri sa të kryente veprimin dhe të na bashkëngjitej. Kështu ishte vullneti i tij dhe ne e respektonim pa masë. Ai nuk mundi të dilte. U rrethua, bëri një luftë të shkurtër me pak fishekët e alltisë dhe me fishekun e fundit vrau veten për të mos rënë i gjallë në duart e armiqve“.
Shumë lakej, midis tyre edhe ndonjë historian, në shërbim të Enver Hoxhës edhe sot e kësaj dite mundohen ta mohojnë veprimin e Haki Tahës. Historiografisë shqiptare i mbeten shumë gjëra t’i hulumtojë e t’i vërë në vendin e vet, midis tyre edhe figurën e heroit Haki Taha.
[1] Shkoi te Lasgush Poradeci dhe, me që ai kishte miqësi me autoritetet, i kërkoi të ndërhynte t’i jepeshin armë për të armatosur të rinjtë shqiptarë për të luftuar kundër ushtrisë italiane.
[2] Në vitin1990 u takova me Mehmet Alishehun gjatë pamjes në shtëpinë e Selman Rizës që kishte vdekur. I dhamë të njohur njëri tjetrit. Ia kujtova historinë dhe I kërkova të ma jepte me shkrim, “Është’ plotësisht e vërtetë . Kur të duash ta shkruaj e ta firmos”. Por rasti që është shpesh herë fatkeq, ende pa u bërë gati të shkoja e t’ia kërkoja Mehmet Alishehu vdiq. Kështu mbeti historia vetëm gojore. Mbase mund në ketë ndonjë dokument. Ose edhe atë e kanë zhdukur si shumë dokumente të tera
[3] Arsim Fehmiu tregon: Më thirri baba (Ibrahim Fehmiu) dhe kërkoi ta shoqëroja se do të përcillte Hakiun për Prishtinë (Jetonim në Prizren). Dolëm. U takuam. U përshëndetem. Baba u nda veçmas dy tri minuta me Hakiun. Pastaj u përqafuan dhe i dhanë lamtumirën njëri tjetrit. Hakui hipi në një kamion dhe u nis. Flamuri që’ është përmendur edhe nga autoritetet e atëhershme me mbishkrimin “Rrnoftë Kosova e bashkueme me Shqipninë”, ka dalë nga shtëpia jonë. Unë nuk di me saktësi se kush e ka qëndisur, ndoshta ndonjëra nga motrat, apo edhe dikush tjetër, por është e saktë. Këtë e ka pohuar edhe Hysen Terpeza, që ishte bashkë me grupin.
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar