Sheqeri që dielte nga Maliqi seç kishte një ngjyrë si të purpurt, njësoj sikur merrte me vete gjakun e inxhinerëve të pafajshëm të varur në litar apo të pushkatuar tok me të burgosurit, që dhanë shpirt, të harruar në baltë.
Nga Agim Dëshnica
Boston SHBA
Në këto ditë fushate, kur në 25 prill, do të votohet për ndryshimin, për fitoren e Shqipërisë, kujtimet na kthejnë mbrapsht,në 2 dhjetorin e votimeve 1945 dhe dramave tragjike që zgjatën pothuaj gjysëm shekulli. Pasi krismat e Luftës së Dytë Botërore heshtën, kudo u kryen punime për rindërtimin e qyteteve, porteve, urave, rrugëve dhe hekurudhave.
Në vendin tonë, e rreshtuar në krahun e gabuar lindor u fol për “fitoren e popullit”, por pushteti i fituar me gjakun e atdhetarëve liridashës, ra në duart e një kaste të rrezikshme. Mandej në zgjedhjet e vitit 1945, “Fronti Demokratik”- u përball me një opozitë të pafuqishme, me vota të manipuluara nga komunistët.
Ndërkohë bijtë e familjeve fisnike, studentë të shkëlqyer në universitetet e Europës, u kthyhen në atdhe si mjek, veterinerë, agronomë, inxhinierë e punuan në institucionet përkatëse, ndërmjet tyre inxhinieriAbdyl Sharra, i cili mori përsipër rindërtimin e Portit të Vlorës,urës së Drashovicës, urës së Mifolit të dëmtuara gjatë luftës, Ndërsa lnxhnieri talentuar Kujtim Beqiri , aftesitë e veta i vuri në sherbim të atdheut duke drejtuar me sukses punime për hapje rrugësh pa makinritë aq të nevojëshme, ndër to, rrugën e vështirë malore Kukës – Peshkopi, Por zhvillim i ngjarjeve politike. ndryshoi drejtimin në kah të kundërt. Komandantët e komisarët, shumica pa shkollë, të zbritur nga malet, u sulen drejt pushetit me gjyqe pa ligje, kundër-firmatarëve të pavarësisë- intelektualëve të shkencës, letërsisë e kulturës.
Pas votimeve të 2 dhjetorit 1945, më 11 janar 1946, u shpall me brohori Republika Popullore me një parti. Ky akt u shoqërua me skenare gjyqesh në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë etj. Një ndër ta ishte gjyqi i “grupit opozitar”, ku bënte pjesë shkrimtarja e parë shqipare Musine Kokalari. Më pas u vijua me “grupin e sabotatorëve”, “agjentë të amerikanëve”, e inxhinierëve, Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri, të dy nga Vlora, tok me ekipin teknik, për tharjen e kënetës së Maliqit, për panxharin e fabrikës së sheqerit, kur populli vuante nga mungesa e bukës. Aso kohe ndihma me ushqime falas nga UNRA, u shit me racion. Mallrat e tregtarëve të shpronësuar, iu dërguan Beogradit të uritur. Një veprim i tillë, shkaktoi mungesën e frikshme të mallrave të nevojshme për qytetarët.
Kjo krizë rëndoi mbi shpatullat e fshatarëve që punonin e prodhonin. Për habi ata njerëz të ndershëm e punëtorë, u quajtën ”kulak” “armiq të popullit”. Ata skllevër në tokën e tyre, duhej t’i dorëzonin shtetit prodhime më tepër se detyrimi i caktuar. Në qytete u shfaqen dukuri të tjera të panjohura deri atëhere, cilësimi sabotator, borgjez e reaksionar.
Gjyqi i “sabotatorve”, ishte edhe një veprim dinak, për të mbuluar mashtrimin e madh, e një viti më parë, për votime të lira.
Ndryshe nga premtimet, u krijua një qeveri e dhunëshme, me Partinë Komuniste të fshehur nën disa maska: “Frontit demokratik”, e “ Partia e Punës” por anëtarët mbanin emrin komunist. Në skena kinemash e teatrosh, e fshehur pas perdes Fronti apo Partia drejtoi zhvillimin e gjyqeve pa ligje, pa fakte me sajesa hetuesish, prokurorësh kriminelë e gjyqtarësh, pa shkollën përkatëse. Vendimet ishin të nenshkruar qysh më parë nga dora gjakataree diktatorit E. Hoxha.
Sipas kryetarit kukull të gjyqit, shumica e “sabotatorëve”, nxënës të shkollës teknike, paskëshin qenë “agjentë.të Fulcit.”Të gjithë inxhinierët, u arrestuan, në punë e sipër, në ditën e gjashtë të nëntorit 1946.
Me atë gjyq, diktatori E. Hoxha me urdhër nga Beogradi, synoi gjetiu, prishjen e marrëdhënieve me SHBA dhe Britaninë e Madhe, Pesë ditë pas proçesit gjyqësor kundërligjor, misionet amerikane dhe angleze në shenjë proteste u larguan nga Shqipëria. Veprimi i drejtë diplomatik amerikan dhe anglez, u përdor nga “drejtësia e partisë” para popullit të paditur, si provë tjetër “sabotimi”. Kjo ngjarje e rëndë, e ndau vendin tonë nga dy shtetet më të pasur në botë, SHBA dhe Britania e Madhe.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite emri Maliq seç ka diçka të zymtë, të ngjashëm me Matahuzenin e shfarosjes së njerëzve pa emër në hi e pluhur, siç ndodhi me te burgosurit e vrarë me plumb apo zhytur nën baltë, nga oficerët sadistë gjatë punimeve për hapjen e kanalit kullues për tharjen e kënetës.
Ç’thonë të vërtetat e historisë përmes dijetarëve të fushave te ndryshme studimore?
Dikur këneta e Maliqit ishte liqen i pastër përqark me pyll, një nga mrekullitë e natyrës, ku gjallëronin shpend, kafshë e peshq gjithëfarësh. Sipas zbulimeve arkeologjike, atje ndodhej dikur një vendbanim i lashtë, tashmë i zhdukur. Edhë në kohët e reja aty pranë bleronte Pylli i Fazanëve. Në zona livadhesh e drurësh, në ajër e tokë, mbi e nën ujë, endeshin peshq, shpend e kafshë të egra.Kush qe ai, që nënshkroi vendimin shkretan për prishjen e asajë parajse të natyrës mbi tokë. Kush qe ai i krisur, që kërkoi të prishej ajo bukuri pjellore eish-kënetës së Maliqit?
Dijetarët vendas e të huaj, për vlerat e saj turistike këshillonin të mos prekej.
Por Qeveria e aftë vetëm për vrasje, kërkoi me këmbëngulje tharrjen e plotë të kënetës. Veçse ajo nuk qe e zonja të financonte projektin e inxhinirëve të paharruar vlonjatë Abdyl Sharra e Kujtim Beqir me të cilin sigurohej mbrojtja përfundimtare e fushës së Maliqit, duke ndërtuar prita të fuqishme betoni mbi grykëderdhjen e Devollit për përballimin e prurjeve të shumta në sezonin e shirave apo nga shkrirja e borës në male.
Diktatori donte gjak, jetë njerëzish, për sheqer të kuq, në një kohë, kur Shqipëria vuante nga mungesa e bukës e cila vazhdoi edhe pasi stalinisti i betuar u marros.
Megjithatë me akuzën e “sabotimit”, meqë kanali nuk u përurua në 1 maj, sepse papritur u zbulua një shkëmb masiv i nëndheshëm, që ngadalësoi punimet në ditet e fundit, Për faj të qeverisë së paaftë, duhej të vdisnin njerëz të pafajshëm. Një gjyq i tillë për nga barbaria, nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e drejtësisë. Proçesi gjyqësor, i duhej pushtetit të dhunshëm, të fshihte të vërtetën për tharjen e kënetës. Kundër çdo arsyetimi teknik, ishte vendosur që “vepra e madhe” të kryhej me punën e krahut e mijëra të burgosurve skllevër brenda tetë muajve.
Por me mjete të tilla, si kazma, lopata, e tokmaku, qe krejt i pamundur mbarimi në kohën e caktuar verberisht.Sipas logjikës prej të marri, duhej të dënohej me varje në litar, me pushkatim e me burg “grupi i sabotatorëve.” Në akuzën mashtruese u rreshtuan si fakte “sabotimi”, fajet e vetë qeverisë: mungesa e maqinerive, e motorave, e çizmeve, e ujit, e ushqimit për punëtorët e burgosur që u dergjën të sëmurë në barakat e kampit të rrethuar me tela me gjemba, me kullat e rojave me mitrolozë.
Kush ishte ky “grup sabotatorësh”?
Dy inxhinierët projektues e drejtues të punimeve, Abdyl Sharra 35 vjeç i diplomuar në Fakultetin e inxhinerisë së ndërtimit i në Romë; me medalje ari, pasardhës i familjes princërore të Gjergj Arianitit, nip te Vrana-jt e Kaninës,përfaqësonte nderin dhe dinjitetin e Vlorës.
Kujtim Beqiri, 32 vjeç, me medalje ari , Ylli i Universitetit të Inxhinerisë së Vienës. Edhe sot foto e tij duket në muret e Universitetit.I kthyer nga studimet për t’i shërbyer vendit të vet.humbi jetën në moshë të re, i dënuar me varje, dy here në litar, deri sa dha shpirt si shenjt, në prani të prokurorit sadist Haznedari. Fjala e tij e fundit jehon përjetsisht:” “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë Flamuri!”
Në ekipin zbatues të punimeve, bënin pjesë inxhineri Vasil Mano me bashkëshorten Zyraka. Mirush Përmeti 34 vjeç, nga familje fisnike, prind i dy fëmijëve të mitur dhe italiani, dashamirës i Shqipërisë, Eugenio Scaturo i ndershëm në punën e vet. Të katër u dënuan me pushkatim, Tregojnë se Scaturo vetëm në çastin, kur u ndodh para grykave të pushkëve, kuptoi se po e vrisnin. Gjyqi nuk mori parasysh as deklaratën e një inxhinieri specialist nga Moska për saktësinë e projektit e zbatimin e tij.
Mandej ushpik edhe akuza poltike kundër inxhinierëve si “bashkëpunëtorë me fashizmin” dhe “anëtarëtë organizatës Balli kombëtar”. Më tej në sallën e gjyqit u lexuan “letra nga populli “ të dërguara, edhe nga zona të thella, ku nuk dihej se nga binte Maliqi e çfarë ndodhte atje. Në ato letra të rralla për nga poshtërsia të sajuara nga agjentët e sigurimit kërkohej denimi me vdekje, me varje në litar.
Inxhinieret e huaj që erdhën në mbarim të tragjedisë, u mahnitën nga projekti i përkryer, i inxhiniereve Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri dhe nga përfundimi i punimve, në një kohë aq të shkurtër se bashku me vartësit e tyre dhe punëtorët- skllevër të burgosur, për tharjen e kënetës. Por tronditja e përzier me habi, qe edhe më e thellë, kur u thanë se ishin dënuar me varje në litar si “sabotatorë!” Nuk mjaftuan këto mjerime, por duhej të botohesh romani “Këneta”, nga shkrimtari i mefshtë F. Gjata. Pastaj Kino-Studio “Shqipëria e Re”, me një filmin të zi pasuroi arkivin me kundërvlera.
Por ç’ngjau më pas?
Pas përmbytjeve në stinën e shirave punimet për tharjen e kënetës vazhduan pafundesisht. Mijëra të burgosur, midis tyre poetë e shkrimtarë, si Mitrush Kuteli, Vexhi Buharaja, Arshi Pipa, me mjete mesjetare u sfilitën nëpër baltra përgjatë kanalit të nëmur.
Në vitin 1959, u fol përsëri për tharjen e kënetës. Kush ishte “sabotatori” këtë herë? Dhe si papritur e pakujtuar në kohët e reja, u zbulua një dokument arkivor i turpshëm:
“VENDIM nr. 388 16-11-1959
Mbi tharjen e plotë të kënetës së Maliqit me rjedhje të lirë.
– Byroja Politike e Komiteti Qendror të PPSh në mbledhjen e saj të dates 16.11. 1959, mbasi mori në shqyrtim propozimin e Kryesisë së Këshllit të Ministrave mbi tharjen e plotë të kënetë së Maliqit me rjedhje të lirë”, duke marrë parasysh leverdinë ekonomike që ka kryerja e kësaj vepre, mbasi sipas studimeve të bëra, do të përfitohen 1.300 ha tokë e re dhe do të përmirësohen rreth 4.000 toka të tjera, si dhe do të sigurohet kullimi më i mire i vendeve më të ulta të fushës,
VENDOSI
Të bëhet tharja e plotë e kënetës së Maliqit me rrjedhë të lire, sipas projekti të hartuar nga organizata projektuese sovjetike “ Giprovod – hoz.”
Punimet për këtë vepër do të fillojnë në vitin1960.
Sekretari i Parë i Komitetit Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë
Enver Hoxha (Firma dhe vula me draper e çekan.)”
Dhe poetesha e frymëzuar nga këto vendime këndonte me zërin e qyqes:” Parti e vendit tim/ Në mal përmbi këto male/ E ngritëm Shqipërinë,/ Plot dritë e sotmja jonë, / Më të bukura ditët vijnë/ Dhe dora shtrëngon dorën/ Dhe bëhet grusht i fortë, / Të gjithë rreth Partisë/ Rreth shokut Enver.”/
Me gjakun e burrave, grave e fëmijve të pafajshëm, u mbajt gjallë diktatura e pangopur, që shkatërroi natyrën mbi e nën tokë. Gjithçka i takonte asaj, kurse sot këta me kënetën e vdekjes, na tregojnë sa i mirë qe panxhari rus, sa i përpjetë oxhaku i zi i fabrikës. Ai sheqer që dilte andej seç kishte një ngjyrë si të purpurt, njësoj sikur merrte me vete gjakun e inxhinerëve të pafajshëm të varur në litar apo të pushkatuar tok me të burgosurit, që dhanë shpirt, të harruar në baltë.
Por për ironi të fatit, shohim herë pas here, krenar buzëgaz pushtetarët e koruptuar me premtime mashtruese Rama, Veliaj, Gjiknuri, Spiropali, Balla, Doshi etj, që po bëjnë çmos të mbajnë pushtetin, për të grabitur edhe më tej pasuritë kombëtare me anën projekteve korruptive, pyjet e Libazhdit, Valbonën e Beshkët përrallore të Tropojës, Vjosën e Përmetit e Vlorës, mrekullinë e natyrës shqiptare më e bukura dhe më e pastra në Europë, ashtu siç ndodhi në kohën e diktaturës komuniste me shkatërimin e rezervatit të pasur të natyrës në Maliq.
Deri sot inxhinierët Abdyl Sharra e Kujtim Beqir janë nderuar me titullin “Martirë të Demokracisë”, veçse për çudi në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave, emri i tyre i nderuar mungon.
Vlorë e Pavarësisë, në këto ditë fushate, kujto djemtë e tu atdhetarë, inxhinierët e talentuar Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri dhe gjithë viktimat e Kampit të Maliqit që humbën jetën duke ëndërruar Shqipërinë në gjirin e Europës të përparuar me liri e demokraci.
Shqipëri, në këto ditë fushate zgjedhore, ndero emrat e veprat e tyre në shërbim të atdheut, Të gjithë në votime për të ardhmen e sigurtë, më të qetë e më të mirë në Europën e Bashkuar.
Dërgoi për publikim, Enver Memisha, gazetar