Kisha dëgjuar vite më parë për Bajram Ahmet Hoxhën. Kisha dëgjuar atje në vendlindjen e tij, në kullën e të parëve të fisit, në Rrëzë. Atje vite më parë na kishin folur për birin e tyre Bajramin. Natyrisht nuk e njihnim dhe morëm si të mirëqenë opinionin shumë pozitiv të tyre për Të…
Ai vite më vonë, disa herë nëpërmjet kolegut tim Hysa, na kish ftuar për kafe! Nuk na u dha mundësia të pinim kafe, por do e takonim patjetër… E takuam me Feritin në Tiranë më datën 20.03.2021. Që në pamje të parë të jepte përshtypje se ishte njeri me horizont të gjerë dhe rrezatonte mirësi. Pas prezantimit me të bëra një bisedë të gjatë, të përzemërt shumë miqësore. A thua ishim njohur dekada më parë? Jo!
Bajram Ahmet Hoxha ka lindur në lagjen Kumardhë të Rrëzës më 30.10.1953. Ai lindi në një familje të thjeshtë por me shumë tradita. Qe fëmijë i zgjuar, tepër çapkën dhe i etur për dije. Prindërit e tij u kujdesën shumë për shkollimin e tij. Duke kujtuar atë periudhë Bajrami shton: ” Shkollën fillore e bëra në lagjen Dushë me mësues Vesel Nova dhe Sabri Çela nga qyteti i Krujës. Të dy këto mësues qenë shumë të mirë dhe lanë gjurmë në formimin tim si nxënës i fillores.
Shkollën 8 vjeçare e bëra në Bruz-Zall dhe e përfundova në vitn 1968 me nota shumë të mira. Drejtor shkolle në atë periudhë qe Baki Dollma i cili punonte shumë dhe shkolla kishte rezultate. Kujtoj me shumë respekt mësuesin kujdestar Sotiraq Abeshi dhe mësuesen e gjuhës Mahije Hoti. Në shkollë krahas mësimit, unë kisha pasion letërsinë dhe sportin. Në provimin e lirimit kisha bërë hartimin më të mirë, dhe mësuesja më lavdërojë para klasës.
Të gjithë mësuesit qenë profesionistë, shumë të përgatitur dhe kërkues”. Meqenëse Bajrami doli me nota shumë të mira ju dha e drejta e studimit në Shkollën e Mesme Mjekësore “Jani Minga” në Vlorë. Këtë e filloi në vitin 1968 dhe e përfundon me nota shumë të mira në vitin 1972. Për vitet e shkollës së mesme ai kujton: “Vlora qe qytet i bukur dhe shumë i zhvilluar. Shkolla qe me nivel të lartë, kishte profesor shumë të kualifikuar, tepër të përgatitur, të palodhur që lanë gjurmë dhe mbresa të mëdha tek ne si nxënës. Shkolla e mesme është baza e arsimimit dhe e marrjes së kulturës së përgjithshme. Krahas mësimit që ishte kryesori, bënim veprimtari kulturore, artistike e sportive. Këtu mora zanatin e ndihmës mjekut. Mëtu u pajisa edhe me dije e kulturë, që më shërbyen për gjithë jetën”.
Më 1 shtator 1972 Bajramin e caktojnë ndihmës mjek, dhe njëkohësisht e emërojnë dhe drejtor të Qendrës Shëndetsore në Bruze-Zall. Ajo mbulonte të tre fshatrat; Rrazë, Bruz-Zall dhe Bruz-Mal. Për këtë punë mëse dy vjeçare në këtë detyrë Bajrami kujton: “Megjithëse isha me arsim të mesëm, për mungesë kuadri më emërojnë përgjegjës të QSH. Qe detyrë e vështirë për mua pasi isha në fillimet e punës, pa përvojën e duhur dhe arsimin e lartë të pa përfunduar. Përkushtimi dhe motivimi im djaloshar në ato vite qe tepër i lartë. Isha në fshatin tim, kisha mjaft dëshirë për punë, erdha me energji në zanat dhe u përkushtova në kryerjen e detyrave“. Në këtë periudhë personeli mjekësor, arriti të bëjë:
• Kryerjen e vizitave mjekësore për të gjitha grupmoshat.
• Vaksinimet kundra tetanozit, difterisë, turbekulozit etj.
• Morrjen e masave higjeno-sanitare kundra sëmundjeve ngjitëse.
• Uljen e mortalitetit infantil për fëmijët 0-1 vjeç etj.
Bajrami kujton me shumë nostalgji dhe punën plot përkushtim të personelit infermiero-mami në qendrën shëndetsore. Duke kujtuar atë kohë pohon: ” Në Bruz-Mal punonin si mami Naike Meta dhe Me’te Xhaferri ndërsa si ndihmës mjek dentist Asllan Meta; në Bruz-Zall punonin mami Feride Celami dhe Luljeta Salko (Hoxha); në Rrazë punonte Adelina Starja dhe Vera Doka. Në bazë të punës plot përkushtim të tyre u arrit që të ngrihet dhe funksionojë në Bruz-Zall, Shtëpia e Lindjes.
Fëmijët e pritur aty nga Luljeta dhe Metja, sot janë bërë kuadro me arsim të lartë… Nostalgji! Meqë mu dha mundësia, nëpërmjet shkrimit tuaj, dua të përshëndes krahas personelit shëndetësor, edhe ish-kuadro e specialistë të fushave të tjera që punova me to, si : Lik Lika, Fejzulla Murati, Sulejman Velja, Sadik Ahmati, Sabri Murati, Xhevat Myrto, Dërvish Allushi, Murat Murati, Osman Hoxha, Sul Elezi, Sadik Ismaili, Gani Elezi etj.
Keto më mbështetën fuqishëm dhe më frymëzuan në kryerjen e detyrës time. Ekonomia e Bruzit në vitet 1972-’78 qe në rritje, kishte organizim, rezultate në punë dhe veprimtari arsimore e kulturore të larmishme. Kjo kohë është për mua një nga periudhat më të bukura të jetës time”. Në biseda me njerëz dhe intelektual të zonës, flitet dhe thuhen fjalët më të mira, për birin e zonës Bajram Hoxha. Ai ka 43 vjet i larguar nga vendlindja, por asnjëherë se ka harruar atë. Shumicën e kohës së pushimeve në vite ai e ka kalur në vendlindje, pranë trashgimtarëve të fisit, bashkëfshatarëve dhe dashamirësve të tij në Bendë. Për të vendlindja është e shtrejtë prandaj banorët e Rrëzës e duan dhe e respektojnë shumë birin e tyre. Në një bisedë të shkurtër mirëm këto vargje:
Në Bovillë përmbi liqen
Bajram Hoxha mirse vjen!
Në Kumardhë, në Gurrare
Në vendlindjen shumë krenare!
Sapo shkel ti tek pragu
Rrjedh poezia, skalitet vargu!
Zona e Bendës, krahinë e rrallë
Fshati Rrëzë të pret si djalë!
Të pret vendlindja gjithë ngrohtësi
Me zemër të bardhë e bujari!
Lexohet në sy gjithë lumturi
Bajram Hoxha nuk njeh pleqëri!…
Ai vërtetë prej kohësh jeton në Tiranë por rinohet kur shkon në Rrazë. Atje ai ngopet me freskinë dhe aromëm e ajrit, frymëzohet nga bukuria e liqenit të Bovillës, i shton jetë gurgëllima dhe uji i kristalë i Gurrës pranë shtëpisë dhe burimet e tjera… Relaksohet nga bardhësia, por dhe nga gjelbërimi dhe madhështia e Gamtit, Malit të Shkurtër, Kavanjesë, Malit të Kuq, Majës së Hithit aty pranë, dhe maleve të tjera në sfond drejt jugut të Bendës, gjerë të Fekeni i bëmave të ushtrisëqë… Ai është krenar që është bir i këtyre anëve, krenohet me të parët e fisit të tij, krenohet dhe frymëzohet me historinë e krahinës, me trimërinë, guximin dhe besën e Isuf Pulës dhe Islam Lilës, me aktin heroik të Veli Allës etj. Po ai ka dhe një “peng” në jetë. Pengu që nuk mundi të vazhdonte studimet e larta për mjekësi.
Ajo qe “dashuria” e tij e parë, mjekësia… Pasi nuk mundi të vazhdonte për këtë degë, në shtator 1974 jasht dëshirës së tij, vazhdon studimet e larta në Shkollën e Lartë të Oficerëve në Tiranë dhe i përfundon ato me rezultate të mira në maj 1978 ku titullohet oficer. Nga qershori i vitit 1978 deri në qershor 2007 ka punuar me forcat e armatosura dhe ka kryen këto detyra: Shef Shërbimi Brigade, Komandant dhe Shef Prapavije, Shef Logjistike etj. Duke kujtuar atë periudhë thotë: “Gjatë periudhës 29 vjeçaret të shërbimit në ushtri kam kryer detyra të larta dhe jam përkushtuar me gjithë shpirt të bëj më të mirë e mundëshme. Modestisht them se i’a kam arritur qëllimit.
E gjithë periudha e shërbimit tim në ushtri për mua ka qenë, punë, përkushtim, vendosmëri, besnikëri, dinjitet, pastërti e figurës, korrektësi, profesinalizëm dhe devotshmëri. Mbi të gjitha ka qenë marrënje, marrdhënie e sinqertë dhe reciproke me eprorët dhe vartësit. Gjatë karierës në ushtri, në formimin tim kanë lënë gjurmë kuadro me nivel të lartë si: Fuat Çekollari, Gëzim Punavija, Hyqmet Zybo, Rustem Lami, Roland Nasto; shokët e mi në vite si: Pëllumb Shehu, Bashkim Selimi, Haziz Allgjata, Enver Balliu, Sami Murra, Fadil Llozhi, Bashkim Isaku, Shefqet Karaj, Ali Allushi, Nevzat Bezhani, Daut Meçe, Mustafa Gjini, Nesim Ndreu, Idriz Kapxhiu, Ilia Prifti, Rexhep Hoxha, Bashkim Isaku, Kujtim Bregu, Durim Skëndo, Fatmira Harizi, Mimoza Monka, Zineda Ilnica, Tane Kurti, Pëllumb Gjondedaj etj. Pra, jo vetëm unë! Të tillë qenë ushtarakët, e tillë qe detyra, i shejtë Atdheu, i lartë morali, e madhe atdhedashuria…
Unë pata fatin të punoja në Forcat Tokësore, Forcat Ajrore dhe Detare. Fitova një përvojë të madhe dhe atë, e vura në shërbim të vendit tim. Jam shumë krenar për këtë! Ah, sikur në të gjitha postet e istancat e larta, të drejtonin kuadro me formim ushtarak!”. Modestia dhe këmbëngulja e Bajramit, bëri të mundur që të kujtohen e vlerësohen prej tij disa eprorë dhe kolegë. Gjatë shërbimit të gjatë në ushtri ka kryer shumë kurse kualifikimi, trajnimime, etj. Ai ka qenë dhe jasht shtetit si në Pire të Greqisë, në Romë të Italisë etj. për shkëmbim eksperience me Forcat Ajrore. Për punë shumë të mirë në sektorët ku ai ka punuar është dekoruar dy herë me Medaljen “Ylli i Kuq”, dhe një herë atë të “Shërbimit Ushtarak”.
Në vitin 2007 del në rezervë me pension të parakohshëm, dhe në vitin 2009 del në pension pleqërie si ushtarak. Ai pavarësisht se ka dalë në pension, është shumë aktiv, nuk e njeh pleqërinë si nocion dhe moshë dhe është shumë aktiv. Aktualisht është Nën/kryetar i veteranëve (pasardhësve) të lagjes, në Njësisë Administrative Nr.3 në Tiranë.
Bajrami u martua me Luljeta Salkon nga Vithkuqi. Ai u njoh me Të, u dashurua dhe u fejua në punë, në Bryz-Zall, dhe u martuan atje, në vendlindje. Nga martesa e tyre lindën dy fëmijë, vajza Albana dhe më pas djali, Jonadi. Familja është bukuria e jetës. Dhe familja e Bajramit si çdo familje tjetër filloi dhe lulëzoi në vite. Ashtu siç nisi me dashuri jetën çifti, me dashuri e respekt ndaj njëri tjetrit u formësua familja. Një familje model e drejtuar nga “Shefi”-siç e thërriste me dashamirësi Joni, dhe pas tij, familja, shokët, Bajramin! Por vjen një ditë dhe gjithçka ndryshon… Jeta vjen me të mirat dhe të papriturat e saj! Kështu ndodhi fatkeqësisht edhe me Jonadin, djalin e vetëm të Bajramit.
Duke kujtuar këtë ngjarje sa tragjike dhe aq të dhimbëshme, babai i Jonit, Bajrami shkruan: … “Me datë 29.06.2013, rreth orës 19:00, në mënyrë tragjike humb jetën nga një aksident automobilistik biri ynë i shtrejtë, qenja njerëzore më e bukur që Zoti kishte krijuar për ne, djali i bukur, i ëmbël dhe me pamje engjëllore Jonad Hoxha…”.
E dhimbshme dhe shumë tragjike humbja e djalit. Një jetë e këputur në mes, në moshën më të bukur 28 vjeçare. Dhimbja qe e madhe për familjen, fisin, shokët, miqtë, të gjithë ato që e njohën dhe punuan me Të…Dhimbja është e madhe edhe për mua që nuk e njoha kurrë fizikisht. Nuk desha ti shkruaj këto radhë për Të, por babai i tij këmbënguli… Dhe shumë mirë bëri, si unë do njihen dhe të tjerë me këtë ngjarje tragjike. E kështu solidariteti njerëzor për Të dhe familjen shumëfishohet…Pas çdo dhimbje vjen shpresa… Vajza me familjen e saj dhe të afërmit kujdesen shimë dhe u japin kurajo, prindërve. Jeta vazhdon dhe kujtimi për të mbetet i gjallë, nuk vdes kurrë…
Familja, babai Bajrami dhe artistë, kanë bërë shumë për të përjetësuar figurën dhe portretin engjëllor të Jonit, ku përmendim:
1-Libër me autor Bajram Hoxha, ” Në kujtim të Jonad Hoxhës”.
2- Bajrami ka krijuar disa poezi për Jonadin.
3- Tele-reportazh i shkurtër në 35 vjetorin e lindjes: “Jonadi zbret nga universi”.
4- Poezi nga Luçiano Skura: ” Flet shpirti i Jonadit nga parajsa”
5-Balada e dhimbjes së pasosur; nga Llesh Nikolla.
6- Këngë për Jonad Hoxhën me tekst nga Shefqet Merra, muzikë nga Naim Gjoshi, kënduar nga Shkurte FEJZA. Kjo veprimtari kushtuar Jonit, dhe të tjera si këto do ta mbajnë gjithnjë në kujtesë dhe përjetësojnë Jonin tonë të shtrejtë…
…Kur vajton nëna për djalin
I shkul zemrën, shkul dhe mallin
E nga shpirti kur nxjerr fjalët
Dhe Shkumbini e ndal valën…
IBRAHIM KABILI
Tiranë më 24.03.2021
FLM STAFIT TE KESAJ GAZETE SHUME TE SAKTE DHE INFORMUESE
KISHA LEXUAR DISA POR TANI DUA TE JEM I LIDHUR ME INFORMACIONET E PERHERSHME DHE SHUME TE SKATA
SIPAS RASTIT DUA TE DERGOJ PER T’I BOTUA
NUK E DI SE A DO I BOTONI
KAM QENE USHTARAK PER SHUME VITE DHE KAM BOTUAR LIBRA PER USHTRINE KRYESISHT PER ARMET DHE KUADROT E XHENIOS
ME TREHOQI SHUME POTRETI I ISH USHTARAKUT BAJRAM HOXHA
JU FALM RESPEKTE ZABIT CUKU
Komentet janë mbyllur.