Dita “D” apo dita “V”!?

0
317
Vjosa - Albini

Shkruan: Florim Zeqa, 21.03.2021

Qytetarët e vendit janë duke e pritur me kërshëri të madhe ditën e hënë apo ditën vendimtare për formimin e institucioneve të reja shtetërore! Disa po e quajnë dita vendimtare “D”, e sa të tjerë dita plot vitalitet “V” me zgjedhjen e kandidatëve të së njëjtës parti në tri postet e larta shtetërore!

Ditëve të fundit më ka rënë të dëgjojë dhe lexoj mendime të ndryshme rreth (pa) mundësisë së formimit të institucioneve të reja shtetërore. Në rrethana normale, kur e kemi një parti fituese me mbi 50 % të votave të qytetarëve, duhej të ishin krejtësisht të panevojshme dilemat për formimin e institucioneve të reja.

Megjithatë dilemat ekzistojnë si pasojë e paqartësive (vakumeve) ligjore (kushtetuese), mungesës së lidershipit të partisë fituese dhe mos seriozitetit të disa partive opozitare!

Paaftësia e liderit të partisë fituese për gjetjen e zgjidhjes optimale për formimin e institucioneve shtetërore dhe paaftësia e kandidatit (tes) më të votuar për deputet (e) për të mposhtur egon personale e ka shkaktuar dilemën e madhe, se a do të kemi institucione të reja apo do të shkojmë sërish në zgjedhje nacionale!?

Përderisa konsiderohen të mjaftueshëm numrat e deputetëve për votimin e organeve drejtuese të kuvendit dhe qeverisë qeverisë së re, gjegjësisht kryeparlamentarit dhe kryeministrit, enigmë e madhe mbetët sigurimi i numrave të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, në këtë rast presidentes së presupozuar nga partia fituese!

Sigurimi i numrave në kuvend mbetet detyrë eksluzive e partisë fituese të zgjedhjeve e cila pretendon të qeverisë në katër vitet e ardhshme me vendin, por jo edhe detyrim i partive opozitare, për arsye se kushtetuta e vendit ua jepë atë të drejtë dhe mundësi.

Ndryshe, pas çertifikimit të rezultatit zgjedhor dhe në veçanti pas konstituimit të kuvendit, opsion dhe objektiv permanent i partive opozitare mbetet rrëzimi i qeverisë dhe shkuarja e parakohshme në zgjedhje, ndryshe nuk do të kishte kuptim opozitarizmi dhe politik-bërja në sistemet demokratike.

Sikurse deri më tani, edhe kësaj radhe zgjedhja e presidentit nuk është çështje vote, por çështje konsensuesi nacional në mes forcave politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pra, presidenti nuk mund të zgjidhet si shprehje e vullnetit monopartiak, por si produkt i konsensuesit politik, i cili reflekton unitet të gjërë politik në vendin tonë.

Përderisa nuk krijohen kushtet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, duhet të respektohet rendi kushtetues, rregullimi ligjor dhe demokratik në vendin tonë.

Askush nuk mund të realizojë premtimet personale dhe ambiciet partiake duke thyer rregullat kushtetuese dhe duke rrënuar sistemin aktual qeverisës parlamentar.

Se a do të kemi kompletim të institucioneve shtetërore dhe evitim të zgjedhjeve të radhës do të mësojmë gjatë javës në vazhdim. E gjitha varet nga pjekuria politike e lidershipit të partisë fituese dhe vendosmëria në qëndrime e partive opozitare.

Përgjegjësia për mos zgjedhjen eventuale të presidentit dhe çuarjen e vendit në zgjedhje bie mbi partinë fituese dhe kandidatin për kryeministër, i cili për asnjë çmim dhe për asnjë premtim personal nuk guxon ta vë në pikëpyetje besimin e qytetarëve për qeverisjen katër vjeçare!