APEL SHQIPTARËVE NGA MAQEDONIA VERIORE QË JETOJNË DHE PUNOJNË NË MËRGIM

0
591
Mërgata shqiptare në botë

Nga Mërgata Shqiptare në Botë

Regjistrimi i popullsisë filloi më 3 mars 2021 në Maqedoninë Veriore dhe do të vazhdojë deri më 21 Prill 2021.

Çdo qytetar i lindur në Maqedoni dhe fëmijë të lindur jashtë vendit por të regjistruar në Maqedoni, që kanë numrin e amzës në çertifikatën e lindjes, pasaportën, çertifikatat e kurorëzimit dhe letërnjoftimin kanë të drejtë të regjistrohen.

Siç e dini, në vitin 2001 regjistrimi i mërgatës u ndalua për arsye politike, pasi regjimin i Gruevskit e zu paniku meqë shqiptarët do të dilnin me dyfishin e numrit zyrtar, nga të dhënat zyrtare nga autoritetet në statistikat e tyre në MV.

Dhe, pikërisht këtu qëndron rëndësia e regjistrimit të çdo shtetasi shqiptar, sepse sipas Kushtetutës së MV, të drejtat politike dhe civile diktohen dhe burojnë nga sfondi i çdo etnie. Që do të thotë se nga përfaqësimi politik bazuar në përqindjen e popullsisë së etnive bëhet shpërndarja e buxhetit, kapitalit, investimeve, punësimit, bursave për studentë, subvencioneve për fermerët, donacioneve për komuna, donacioneve për kulturë, shkolla, arsim, artet dhe të tjerët.

Dhe, siç e dini, sot populli shqiptar në MV është i diskriminuar në çdo fushë të përmendur më lart si rezultat i diskriminimit që buron nga kushtetuta e MV si një shtet unitar i sllavo-maqedonasve që sipas sajë ne trajtohemi si një pakicë kombëtare, edhe pse në realiteti jemi mbi 40% të popullatës në MV, që sipas standardeve demokratike duhet të trajtohemi si një faktor shtet-ndërtues i barabartë me sllavët maqedonas.

Në ndërkohë, ne posaçërisht u bëjmë thirrje shqiptarëve ortodoksë që në të kaluarën sistemi i mëparshëm i detyronte ata të regjistroheshin si sllavë maqedonas, kësaj here për t’u bërë të vetëdijshëm dhe për të rifituar identitetin e tyre të vërtetë të paraardhësve të tyre, të regjistrohen si Shqiptarë. Është një fakt që nga dërgesat e mërgatës shteti i Maqedonisë Veriore, sipas bankës shtetërore të MV, merr rreth 2 miliardë euro në vit, dhe shumica dërrmuese e këtyre fondeve diku 75-80% vijnë nga emigrantët shqiptarë. Sidoqoftë, shpërndarja e financave nga qeveria e MV deri më sot nuk ka qenë në përpjesëtim me përqindjen e popullsisë dhe shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen dhe trajtohen si pakicë dhe jo si etni ndërtuese e shtetit të cilës i përkasin.

Regjistrimi i mërgatës është një faktor jetësor për shqiptarët e Maqedonisë Veriore dhe është një mbështetje e fortë dhe kontributi më i madh që mund të japim për atdheun tonë.
Mund të regjistroheni në internet në web faqen: https://census.stat.gov.mk/ Formulari është në shqip, anglisht, maqedonisht dhe gjuhë të tjera.

Pas futjes së të dhënave tuaja personale (Emri, mbiemri, numrin amzë dhe emailin tuaj), klikoni – dërgojeni. Dhe formulari i regjistrimit vjen direkt në postën tuaj elektronike së bashku me “fjalëkalimin”. Hapni faqen dhe shenoni të dhënat e kërkuara aty. I gjithë procesi zgjat jo më shumë se 10 minuta për të plotësuar formularin e regjistrimit.

Implikimet e mosregjistrimit mund të jenë të shumta në të ardhmen siç janë humbja e shtetësisë, e drejta e votës, humbja e pasurive të patundshme por rëndësia më jetësore është avancimi i statusit të vëllezërve tanë në MV si një popull shtetndërtues dhe etnik në trojet e veta!

Ju lutemi regjistrohuni sa më shpejt të jetë e mundur.

Mërgata Shqiptare në Botë.
Më 20 mars 2021
Ramazan Hajdini

Dërgoi për publikim, Gabni I. Mehmeti, gazetar