Shkrimtari indian Osho: Nënë Tereza mashtruese dhe hipokrite

0
1698
Osho

Dita, 13 shtator 2016

Për dekada me radhë, shkrimtari dhe mistiku nga India, Osho. ka shpërfaqur ideologjinë e Nënë Terezës prapa punës së saj, agjendën religjioze dhe indoktrimin e fëmijëve, që mund të vlerësohet si abuzim, thuhet në një shkrim të faqes së shkrimtarit oshotimes.blog.osho.com, i cili është riaktualizuar pas shenjtërimit të humanistes shqiptare.

Osho (1931-1990) nga India, librat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 60 gjuhë nga rreth 200 shtëpi botuese, ndër to edhe në shqip, konsideron se politikanët dhe priftërinjtë gjithmonë kanë qenë në një konspiracion të thellë. Sipas tij, këta të dy e kanë ndarë njeriun: politikani kontrollon të jashtmen, prifti rregullon brendësinë e njeriut.

“Ata janë së bashku në një konspiracion të thellë kundër humanizmit. Ata mund të mos jenë të vetëdijshëm çfarë bëjnë, por nuk dyshoj në qëllimet e tyre”, shkruante Osho.

Tutje ai tregon për një letër që ia kishte shkruar Nënë Tereza, disa ditë pasi kjo e kishte fituar çmimin Nobel për paqe.

“Sapo më erdhi një pjesë e fjalimit tënd. Më vjen shumë keq për çfarë keni folur. Për gjithë çfarë më keni atribuuar, unë ju fal me dashuri të madhe”, citon Osho, letrën e Shën Terezës. Letrës, ajo ia kishte bashkëngjitur fjalët që Osho i kishte shkruar në gazetë: Mashtruese, sharlatane dhe hipokrite.

Osho thotë se i pëlqeu letra e saj, por i vjen keq për të se nuk e ka kuptuar qartë çfarë ka shkruar ai.

Sipas tij, mashtruesi nuk është vetëm ai person që mashtron dikë, por edhe që mashtron vetëvetën. Ai e konsideron Nënë Terezën në këtë nivel. Sipas tij, shenjtorja me origjinë shqiptare nuk ka pasur qëllime të këqija, por duke mashtruar vetëvetën, ka mashtruar edhe të tjerët sepse sipas Osho-s, rezultatet nuk varen nga qëllimet.

“Ajo u ka shërbyer të varfërve, por të varfërve u janë shërbyer prej shekujsh dhe varfëria nuk është zhdukur. Varfëria nuk zhduket, duke u shërbyer atyre”, konsideron mistiku dhe mësuesi spiritual nga India.

Sipas tij, pranimi i çmimit Nobel nga Nënë Tereza, është një arsye pse atë e konsideron mashtruese të pavetëdijshme. Kjo sepse ky çmim i është dhënë nga një shoqëri e çmendur, duke marrë shembull filozofin francez Jean Paul Sartre, i cili kishte refuzuar Nobelin për të njëjtën arsye. Ai e justifikon këtë edhe duke shtuar se paratë e Nobelit nuk dihet se nga vijnë.

Osho arsyeton tutje duke thënë se e ka quajtur Nënë Terezën “sharlatane”, sepse një njeri religjioz nuk do ta pranonte çmimin Nobel në asnjë mënyrë.

“Një njeri vërtet religjioz është i rebeluar, shoqëria e përjashton atë. Jezusi është dënuar si një kriminel dhe Nënë Tereza është respektuar si një shenjtore. Sharlatanët gjithmonë janë vlerësuar nga shoqëria, për shkak se ata janë të dobishëm për këtë shoqëri, për këtë status quo”, shkruante Osho.

Ai shton se e ka quajtur “hipokrite” sepse sipas tij, të gjithë njerëzit që shfaqin diçka tjetër nga jashtë dhe nga brenda janë e kundërta, janë të gjithë të tillë. Ai arsyeton se të gjitha këto atribuime që ia ka bërë Nënë Terezës, nuk mund të merren si ofendime.

Osho hedh dyshimet se nga i kishte siguruar Nënë Tereza gjithë ato fonde për ushqime.