Izet Abdyli
Anton Nikë Berisha “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…” (Gruaja e Kacabashit). Roman për fëmijë, botoi “Faik Konica” Prishtinë 2020
Përrallat, fabulat, gojëdhënat etj. të traditës letrare gojore shpeshherë u kanë shërbyer shkrimtarëve si lëndë për t’i shtjelluar ato në formën e tregimeve, novelave apo të romaneve, duke i veshur me oreolin artistik.
Pikërisht nga kjo gurrë është shërbyer edhe shkrimtari Anton Nikë Berisha, i cili e ka ndërtuar romanin e tij për fëmijë me titull “Kush dëgjoftë mos tregoftë…” (Gruaja e Kacabashit). Të shtjelluar në 12 kapitujve autori ia ka dalë të krijojë një lidhje harmonike të shtresave të rrëfimit, duke ruajtur njësimin dhe kronologjinë e ngjarjeve.
Romani ka një fillim spontan, që ndërlidhet me përrallën e gjyshes, e cila është rrëfyer prej një brezi në tjetrin, shekuj me radhë. Tradita jonë dëshmon se zakonisht gjyshet u kanë rrëfyer përralla nipërve dhe mbesave, prandaj dhe romani fillon me tekstin “Këtë përrallë ma ka treguar Gjyshja ime. Asaj ja paskësh treguar Gjyshja e saj e asaj Gjyshja e saj: Gjyshe pas Gjyshe e brez pas brezi”.
E mira, po dhe veset dhe e keqja, janë konceptuar dhe shprehen me mjeshtri në tekstin e kësaj vepre, sidomos kur shkrimtari jep (në fillim) shembullin e djalit të mbrapshtë, në këtë rast Lulmirit, i cili pas qortimeve që merr nga babai i tij për punët e pamira që bënte dhe kohën e bjerrë që e kalonte me kot, vendos t’i ndreqë gabimet e tij, përmes veprimeve të mira, duke hequr (pas çdo veprimi të mirë) nga një gozhdë nga muri. Mirëpo, aty, megjithatë, mbesin gjurmët, që nënkupton se disa gabime vështirë përmirësohen, pasi që pasojat veç janë shkaktuar.
Ngjarjet e romanit zhvillohen me plot dramacitet. Përmes imagjinatës, shkrimtari i ballafaqon dy krye personazhet e romanit: Lulmirin, djalin e një bujari të pasur, dhe Delmerin, shërbëtorin besnik të kësaj familje. Ndonëse këta marrin një rrugëtim të rrezikshëm, vendosmëria e tyre për të realizuar misionin: marrjen e gruas së Kacabashit, i vë ata para provave dhe ballafaqimeve të vështira dhe dëshmon aftësinë dhe guximin e tyre.
Besnikëria, si virtyt i rëndësishëm, shpërfaqet tek personazhi i Delmerit, i cili si shërbëtor i mbretit jo vetëm që është i gatshëm t’i ndihmojë djalit të tij, por edhe të flijohet për të. Këshillat e Gjuetarit, Dardaneshës, Nënës së Bjeshkës së Madhe, po dhe e të tjerëve se misioni tyre mbart rreziqe të shumta, sikur i forcojnë ata edhe më shumë.
Elementet mitologjike, fuqia e zanave (orëve), magjia e mollës, që mundëson hapjen e tokës në kërkim të Gruas së Kacabashit, shpeshherë na bëjnë t’i kujtojmë legjendat e mitet e pasura të krijimtarisë sonë gojore, e që me mjeshtri shkrimtari ka arritur t’i ngjizë në këtë vepër.
Ruajtja e fshehtësisë, që ngërthen shprehja ,,Kush dëgjoftë e tregoftë, gur mermeri u mbaroftë” është shumë domethënëse dhe ka funksion të madh, të cilën autori e ka përdorur me mjeshtërisht në zgjidhjen e situatave nganjëherë pa rrugëdalje, duke zgjidhur kështu dilemat dhe vështirësitë e udhëtimit të rrezikshëm të dy krye personazheve për të përmbushur qëllimin e shtruar që në fillim.
Fjalët e finjës së Dardaneshës, Nënës së Bjeshkës së Madhe, po dhe ëndrra e Lulmirit nën mollën magjike, sidomos tri mollët që Delmeri i merr dhe e hap tokën për të dalë në qytetin e Kacabashit, ku jetonte gruaja e bukur e tij, kushtëzojnë rrjedhën dhe thurjen e një drame të shumëfishtë, dhe i hapin udhë dhe duke e lehtësuar marrjen e Gruas së Kacabashit dhe martesën e Lulmiri me të.
Fshehtësia: Gruaja Kacabashit kishte brenda në trup tre gjarpërinj dhe djalit të mbretit i kanose e vdekja e sigurt, ruhet deri në çastin e fundit: Delmeri e shpëton zotërinë e vet natën e dhëndërisë, duke i mbytur gjarpërinjtë, po i ati i Lulmirit e akuzon për vrasje dhe i kërcënohet me vdekje. Në një gjendje të tillë, Delmeri detyrohet ta tregojë të vërtetën e besnikërisë së tij ndaj Lulmirit dhe shndërrohet në gur: “Kush dëgjoftë e tregoftë, gur mermeri u mbaroftë”. Me këtë përmbushet ajo që kishte thënë fqinja e Nënës së Bjeshkës së Madhe: gurëzimi.
Sado që romani përmbyllet tragjikisht: shndërrimi i Lulmirit në gur mermeri dhe rikthimi në jetë i Delmerit, megjithatë mesazhi për triumfin e të mirës dhe të rëndësisë së flijimit është shumë kuptimplotë.
Për të dëshmuar stilin e autorit të zbatuar në këtë roman, sidomos gjuhës figurative të pasur po sjell vetëm dy shembuj.
I pari lidhet me meditimin e Lulmirit para zjarrit në vatër:
Ishte një mbrëmje vjeshte dhe, si rëndom, Nëna e kishte ndezur zjarrin e unë po luaja me drurët që kishin marrë flakë. Zjarri dhe flaka që i kishte mbërthyer ata dhe ngrihej me nxitim grykës së oxhakut, thuajse e tërhiqte diçka e padukshme, më zgjonin kureshtjen e pafund. Nga vjen zjarri vallë? Kush e shkakton atë? Ndoshta drutë e kanë zjarrin brenda dhe për një çast, kur vihen në oxhak, vetvetiu ai merr jetë dhe ato fillojnë të ndizen? Po atëherë ato që janë jashtë oxhakut pse nuk ndizen? Po flaka e zjarrit ku shkon? Ndoshta e gëlltit ndonjë qenie e padukshme? Ndoshta kuçedra me nëntë krerë e nëntë gjuhë ose dragoi shpatull gjerë e sy skifter, që pastaj e nxjerrin përmes gojës kur kanë nevojë të mbrohen ose të sulmojnë? Ndoshta flakën e vjedh ndonjë qenie që ne nuk e njohim? […]
Mua më pëlqente të luaja me zjarrin dhe të mendoja për këto gjëra. Drutë në oxhak i emërtoja me emra të ndryshëm; i ballafaqoja, i vija njërin kundër tjetrit dhe rrija duke i shikuar rrëketë e flakëve që mësynin njëri – tjetrin: kacafyteshin, shtyheshin ose njësoheshin duke u ngritur lart e më lart, thuajse ishin vënë në garë! Cila flakë ngadhënjente mbi tjetrën dhe si mund ta dëshmonte këtë ngadhënjim? Unë kisha dëshirë t’i shihja si e përballonin sulmin që asnjëherë nuk shprehej në të njëjtën mënyrë. Doja që në këtë kacafytje të ngadhënjente ajo flakë që më pëlqente mua më shumë. Ndoshta gjithë kjo ishte vetëm një lojë që ndodhte në mendjen time? Ndezja e druve bëhej jashtë asaj që mendoja unë!
Ose përshkrimi i veçante i hyrjes së vendbanimit të Dardaneshës, Nënës së Bjeshkës së Madhe:
Është një pjerrësi e përzgjatur dhe e thelluar; shpati zbret thik teposhtë, ndërsa përballë ka një ahishte shumëvjeçare me lisa të lartë që thuajse i prekin retë. Ajo vijon nga një qarrishte, ku trungjet e disa lisave janë shumë të trashë sa as dy-tre vetë nuk mund t’i përthekojnë. Afër është një shkëmbësi ngjyrë plumbi të mbyllur. Tek një e çarë është një trung qarri që asnjëherë nuk qet sytha as degë, po nuk është i tharë. Thonë se nën të Dardanesha i mban thesaret.
Pranë këtij shkëmbi është hyrja që të shpjerë në një zgafelle, që të duket e pafund, po nuk është e tillë. Ajo i shërben Nënës të Bjeshkës së madhe si vend ndeje kur hyn ose del nga shtëpia. Flitet se Dardanesha rri me qenie të magjishme dhe flet me të vdekur. Kush ia del të hyjë aty, ka gjasë që ajo, përmes një hyrje të nëndheshme, ta dërgojë në shtëpinë e vet, që nuk është larg: Aty i ndryn dhe i shpalos fshehtësitë. Duhet të kalohet nga një urë e ndërtuar me gurë të shpirtëzuar: Nëse Dardanesha nuk kalon së pari me qenin e saj mbi urë dhe nuk e thotë uratën e fshehtësisë, ura për një çast fillon të tundet aq shumë, sa askush nuk mund ta përballojë dridhjen dhe do të bjerë në një humnerë e do të bëhet njëqind copash. As eshtrat pastaj nuk do t’i gjenden.
Përmes këtij romani shkrimtari Anton Nikë Berisha ka arritur që jo vetëm të begatojë letërsinë tonë për fëmijë me një vepër të mrekullueshme, por të realizojë atë në plotni si në aspektin rrëfimor ashtu dhe në atë artistik, duke na dhënë një vepër me vlera që do t’i qëndrojë kohës, madje edhe meriton të zërë vend në lekturën shkollore.