BAHTIR SHEHOLLI

0
872
Bahtir Sheholli

Prof. Bahtir Sheholli

Gani I. Mehmeti
Gani I. Mehmeti

Gani I. Mehmeti

Me rastin e 78-vjetorit të lindjes dhe 11-vjetorit të vdekjes të Prof. Dr. Bahtir Shehollit, etnomuzikolog.
Bahtir Sheholli është profesori që e njoha si profesor të lëndës së edukatës së muzikës, kur unë isha nxënës i Gjimnazit në Podujevë.

Sa shumë më pëlqnte ta dëgjoja duke folur! Kishte një timbër të të folurit aq tërheqës, aq të sigurt, aq të fortë, aq melodik, aq të ëmbël, sa dot nuk ngopesha së dëgjuari. Dinte të ishte edhe i affërt, edhe humorist, edhe i ashpër – gjithherë sipas situatave, por gjithherë i sigurtë në vetveten sa nuk ia ndiente për askë, cilësi e njeriut të aftë, të dashur, dhe atdhedashës, por që ne aso kohe nuk e dinim, nuk e njihnim, nuk e kuptonim zjarrin e tij të brendshëm kombëtar e liridashës.

I linduri në Herticë të Llapit, në atë fshat të shtrirë për së gjëri e së gjati e me ato kodrina të ëmbla diku-diku më pak të larta, e, diku-diku ngriten drejt qiellit, me lëndina, ara e pemishte të mjaftueshme e të llojllojshme.
Në kohën kur vendi ishte në luftë kundër fashizmit gjerman, por që si popull po merrte frymë më lehtë prej tridhjetë vitesh robëri nga serbi, erdhi në jetë profesori ynë i muzikës gjithshqiptare, etnomuzikologu – Bahtir Sheholli.

Ai po na fliste për muzicientët botërorë me pietet, sa ne na vinte vështirë t’i mësonim vetëm emrat e tyre, pse nuk ishim mësuar të dëgjojmë për ta, gjithherë duke menduar se çka na hyjnë ne në punë këta emra e kjo muzikë e huaj!…
Koha po kalonte. Shumë rrallë shihesha me profesorin.

Ai pushtoi botën me muzikën dhe për muzikën. Pushtoi Europen, ai shkoi edhe deri në Rusi (BRSS) të mësonte për vete, por edhe atyre t’u mësonte muzikën shqipe. Edhe atje kishte mësuar për ndonjërin nga muzicientët shqiptarë!
Me profesorin e gjimnazit u takuam në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Unë si bashkëpunëtor i jashtëm e ai me titullin doktor i etnomuzikologjisë, punëtor shkencor në Institut.

Me profesorin ndodhi të takoheshim edhe sa po funksionote Shoqëra Kulturo Artistike “Aksionisti “ i Pakashticës, kur ai bënte seleksionimin nëpër gjithë Kosvoën këngët e vallet për rivista e organizime të ndryshme të shoqërive kulturore në Kosovë e më larg në Jugosllavi.
Tani kuptova se kush ishte profesori im i dikurshëm, i cili vazhdimisht kishte kërkuar dijen dhe ishte pajisur me të deri në majat më të larta.

Tek tani, kur u ndodha më 1987, nëse nuk gaboj, ishte më 27 gusht, në një organizim të muzikës shqiptare brenda Institutit Alabanologjik, kuptova dhe e njoha edhe më mirë profesorin tim, të cilit po i kallej zemra për muzikën, për lirinë, për kombin shqiptar! Ai kishte ditur ta mbante të fshehur zjarrin që e digjte përbrenda! Më erdhi aq mirë që e njoha!

Salla e Institutit Alabanologjik ishte e mbushur përplot, kur në ekran përpara të pranishmëve po shfaqeshin valle e këngë tradicionale shqiptare.

Aty paraqitej puna e profesorit Bahtir Sheholli se kush ishte dhe për çka kishte punuar e çka i donte zemra. Aty u binda se atdhetari e liridashësi, me çka do që të merret, e ngritka lart kombin e tij, në këtë rast – muzikën.

Në kohën sa po shfaqej një valle, ndër vallet më të mira shqiptare, vërejta se Prof. Dr. Shefki Sejdiu, që e kisha përkrah, kishte dalë nga salla e po shëtitej atje larg, nëpër malet e larta shqiptare, i cili nga mimika dukej si tepër i shqetësuar! Qëllimisht e preka dhe vetëm sa e thirra: Profesor! – duke e prekur lehtë. Me kaq e tërhoqa, e zgjova, ndoshta nga një ëndërr edhe të ëmbël edhe trishtuese, që kuptova nga përgjigja e tij: Gani, po mendoja ku kemi arritur, por edhe sa jemi të sulmuar tani nga politika serbe, e cila përpiqet të na rrënojë me të gjtha! – pra ishte brenga se situata politike ishte në hulajë.

Në anën tjetër, e kisha përballë muzikologun Prof. Dr. Bahtir Shehollin, po e vëreja se tek sa po donin t’i dilnin lotët edhe të gëzimit edhe të hidhërimit.

Të gëzimit se deri ku kish arritur me studimet shqiptare në fusha të ndryshme, pra edhe në muzikë, dhe të hidhërimit nga situata politike që nuk po i dihej e ardhmja për shqiptarët.

Në ekran u soll gjithë shqiptaria me anën e muzikës dhe valleve folklorike dhe popullore, të zgjedhura nga Prof. Dr. Bahtir Sheholli me punën e tij shsumvjeçare. Me këtë ishim të gjithë të entuziazmuar dhe sa të emocionuar, aq edhe të brengosur për të ardhmen.

Bahtir Sheholli lindi në Hërticë të Komunës së Besianës (ish-Podujeva), më 16 mars të vitit 1943. Shkollën fillore e kreu në Krypimeh, shkollën e mesme të muzikës në Prizren, kurse fakultetin e muzikës në Universitetin e Arteve në Beograd – dega e Teorisë Muzikore. Po aty vijon edhe studimet në sektorin e Etnomuzikologjisë në katedrën e Historisë Muzikore dhe të Folklorit Muzikor në Beograd, ku kreu edhe studimet pasuniversitare.

Gjatë vitit 1978–1979 u specializua në konservatorin e muzikës në Shën Petërsburg – BRSS, ku po ashtu ka bërë hulumtime shkencore në një pjesë të bjeshkëve të Kaukazit etj.

Një pjesë të aktivitetit të tij profesional ia kushtoi pedagogjisë dhe mësimdhënies në gjimnazin e Podujevës, në vitet 1963 – 1970, dhe nga viti 1977 disa vite rresht ka punuar si mësimdhënës i lëndës së formës muzikore, historisë muzikore botërore, njohurisë së veglave dhe folklorit muzikor në shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë.

Prej vitit 1976 punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues në Sektorin e Etnomuzikologjisë.
Nga viti 1974 deri më 1987 ka qenë anëtar i Organeve të Revistës së Folklorit Burimor Kosovar të Gllogovcit, si seleksionues dhe udhëheqës artistik i saj.

Si organizator dhe drejtor artistik me grupe të ndryshme folklorike ka përfaqësuar Kosovën në shumë manifestime në ish-Jugosllavi, Shqipëri, Gjermani, Francë etj., në të cilat është shpërblyer me çmime të larta dhe mirënjohje publike.

Bahtir Sheholli ka drejtuar si kryetar edhe Shoqatën e Kompozitorëve të Kosovës.
U nda nga jeta më 11 mars 2010, para 11 vitesh.

Lavdi jetës dhe veprës të Profesorit Bahtir Sheholli!