Emrat e trilluar ose pseudonimet, siç emërtohen në të shumtën e rasteve, nuk janë risi dhe madje privilegj i një krijimtarie kombëtare. Me këta lloj emrash kanë bërë emër shumë shkrimtarë të botës, të cilët, madje, vetëm si të tillë njihen përjetësisht.
Nga Sinan GASHI
Fillimi i nënshkrimit me pseudonime
Po, ajo që është edhe më interesante ka të bëjë me fillesën e kësaj forme nënshkrimesh. Pra, shikuar nga gjeneza duhet thënë se pseudonimi e ka origjinën në Kinën e hershme dhe i dedikohet vitit 772, kur shkrimtari i poezisë sociale Pe Jo Tjen firmosi me Po ÇI-Ji. Pastaj vijimësinë e kohës së shkrimeve me emër të trilluar e bën emri i shkrimtarit arab Abu-Osman Amir ibn-Bahr ibn-Mahbud al-Kinani Al-Basri, i cili pseudonimin e krijimtarisë tejet praktike e bëri me shkurtesën Xhahiz aty rreth vitit 775. Po ashtu më 905 shkrimtari arab Abu’l Tajib Ahmed ibn-Husajn al-Mutannabi e praktikon për emër artistik vetëm pjesën e fundit të këtij emri të gjatë, pra Mutannabi. Shkrimtari tibetas Tas-Pa-Dga, rreth vitit 1040, do të nënshkruhej me MI-La-Ras-Pa.
Emri i njohur i poetit Persian Nizami është në të vërtetë shkuresa nga emri i vërtetë i tij Nizama’d Din Ilyas ben Isuf, që daton vitin 1145. Poeti Italian Jakopone de Benedetto ndërron vetëm mbiemrin dhe njihet letrarisht si Jakopone de Todi në vitin 1203.
Dramaturgu spanjoll me publikime rreth vitit 1500, Tirsso de Malino, në jetë ishte Gabriel Telezi. Njëqind vjet më vonë, në Francë, Molieri i famshëm kishte emër të vërtetë Zhan Baptiste Pokuem. Poetesha meksikane sa e kishte emrin të gjatë, po aq e kishte edhe pseudonimin: Sar Xhuana Ines de la Kruz, kurse emër të vërtetë kishte Xhuana Ines de Asbaja Y Ramirez de Santiliane. Kohërisht radha vjen viteve në letërsi të botës, madje duke u manifestuar edhe në letërsinë tonë kombëtare.
Pseudonime te të gjithë krijuesit e botës
Për ndihmesë praktike a kuriozitet po i radhisim më poshtë edhe disa emra dhe pseudonime të krijuesve të popujve të ndryshëm të botës.
Krijuesi i fantastikës fëmijërore Elin Pelin emrin e vërtetë bullgar e ka Dimitër Ivanov. Shkrimtari i përjetshëm anglez Xhorxh Elliot është emërtuar nga prindërit e tij mari An Gravis; tregimtari i shquar amerikan O Henri e kishte marrë pseudonimin nga emri i një gardiani të burgut, i cili ishte sjellë tejet mirë kur ky ishte duke mbajtur dënimin, emër të vërtetë kishte Viliam Sindej Porter; poetesha kiliane Gabriela Mistral ishte person i vërtetë Lucia Godon Alkajaga; krijuesi letrar i përjetshëm Pablo Neruda, e që mbiemrin Neruda e kishte marrë nga një krijues çek, emrin zyrtar e kishte Nefali Rikardo Rejes; romantiku gjerman Novalis ishte i vërteti Fridrih von Hondenberg; tregimtari holandez Eduar Daves Deker nënshkruhej për veprat letrare me një emër pak të çuditshëm Multatuli, që përkthimi nga latinishtja i jep kuptimin: “mjaft kam duruar”.
Publicisti e tregimtari italian Ignjacio Silone ishte në jetë njeriu me emër Sekokndo Tronkili; Ling Tingu i letërsisë kizene quhet Cjang Fing ÇI; shkrimtari vietnamez i njohur si To Hu e thërrasin përditë Ngujen Kim Than: burmanezi Den Han njihet si Zar Xhi; filozofi e shkrimtari francez Volter kishte emër paksa më të gjatë në dokumentet zyrtare: Fransua – Mari Anuet; poetesha e dramaturgia letoneze Elza Rozenberga njihet si letrare me një emër të thjeshtë poetik Aspazia; spanjolli Joze Martinez Riuz përjetësoi veten në letërsi me emrin e ri Azarini; poetja lirike ruse Ana Ahmatova jetësisht abligohej si Ana Andrejevna Gorenko; poeti çek Petar Bezuç në shënimet zyrtare thirrej Vladimir Vashek; lirikun e shquar sllovak Ivan Krasko e njohin vendasit si qytetarin Zhan Bato.
Një krijues i larmishëm slloven, që shkroi poezi, drama, skenare filmi e staria, si Matej Bor, rëndomësia jetësore e obligon si Vladimir Pavshiç. Kurse kroatja që u bë e njohur edhe në qarqet letrare perëndimore madje edhe romanin “Ilirija” është Cvijeta Grospiç, por njihet vetëm me pseudonimin simpatik Flora Dozan. Kush do ta njihte anekënd botës një Henri Bëll para një Stendali të famshëm ose kush do të adhuronte një lucie-Amor Dupin para një Zhorzh Sandi atraktive, kush do të përcillte me admirim një Erik Bler para një personi artistik me emër e krijimtari të njohur vetëm si Xhorxh Orvel aktual. Gjithsesi s’i vë kush veshin një personi që dukej mjaft i rëndomtë me emrin Samuel Longhore Clemens pran një Mark Tveni të afërt me lexues të shumtë në botë.
Radha do ishte e gjatë e mjaft atraktive, atëherë kur do të thelloheshin edhe me historitë e nismës së këtyre pseudonimeve, që gjithsesi kanë në vete diçka nga fati e travajat jetësore të autorëve të tyre. Shpesh nga një imtësi e vogël zhvillohet peri i lëmshit të jetës specifike të krijuesit, pasi që jetën gjtihsesi e kanë specifike.