Shkruan Prof. Zymer Mehani
Studimi i shqiptimit rajonal të tingujve gjuhësorë për gjuhën në përgjithësi ka rëndësi të veçantë, për zhvillimin e gjuhës së sotme letrare dhe veçanërisht për historinë e dialektologjisë dhe të historisë së gjuhës. Dihet se gjuha e folur popullore, përkatësisht variantet e saj, është një burim i pashterrshëm fjalësh e shprehjesh të vlefshme për kumtim e për marrëveshje ndërmjet njerëzve.
Fusha e fonetikës është terreni më i gjerë në të cilin pasqyrohet një vistër varietetesh në të gjitha shtresat shoqërore dhe në të gjitha anët e shtrirjes gjeografike të një gjuhe, madje edhe te një folës mund të vihet re përdorimi i formave të ndryshme gjuhësore, të cilat ndikohen nga faktorët jashtëgjuhësorë.
“Edhe nga aspekti dialektologjik duhet të vëmë në dukje dukurinë: se në viset më anësore e malore, banorët e të cilave, për arsye të pozitës gjeografike dhe të mungesës së infrastrukturës rrugore, nuk kanë shumë qarkullim dhe lidhje me lokalitetet urbane, ruhen varietetet më burimore dhe më konservative; në ato krahina më vështirë dhe më pak depërtojnë elementet inovuese, andaj ato varietete edhe janë më homogjene në pikëpamjen e veçorive gjuhësore. Kjo dukuri përligjet edhe nga faktorët sociolinguistikë: mungesa e kontakteve me banorë visesh të tjera, mungesa e objekteve të kulturës, të sportit, të mediave etj.”(Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Faik Konica, Prishtinë, 2012, faqe 65-66).
Ndikojnë që të ruhen më shumë tiparet arkaike gjuhësore. Ngjet e kundërta në qytete dhe në vendbanime të tjera urbane: varietetet fonetike janë të gërshetuara me shumësi formash dhe me veçori të shumta, të cilat janë si rrjedhojë e lëvizjeve dhe përzierjeve të popullatës, e cila, nga varieteti që sjell me vete dhe nga ai i vendbanimit të ri, krijon një varietet tjetër si rezultat i përdorimit të dy varieteteve; gradualisht mbizotëron varieteti i lokalitetit të ri ndonëse pjesërisht, për një kohë, ruhen edhe elementet e varietetit të bartur.
NYJËTIMI DIATOPIK I FONEMAVE
Komunikimi mund të ketë nënndarje të ndryshme. Ai mund të ndiqet nga pikëpamja e sasisë së ndërkomunikimit si dhe nga aspekti i shtrirjes rajonale; ai do parë nga ana e grupeve sociale më të vogla ose më të mëdha duke ndjekur shtrirjen e tyre në terren dhe duke hetuar identitetin e tipareve dalluese gjuhësore.
Është me interes për dijen sociolinguistike që të hetohet rrafshi social i ndërveprimit dhe kategorizimi i partnerëve folës.
“Në aspektin e zbatimit të relacionit gjuhë – të folur (langue-parole), Gumperci vë re se tërësia e varieteteve gjuhësore që përdor rregullisht një bashkësi, përbën repertorin gjuhësor të kësaj bashkësie”. (Cituar sipas autorit Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Faik Konica, Prishtinë, 2012, f. 43). Kjo do të thotë se ato varietete gjuhësore që ka një bashkësi, po ato i përdorë rregullisht në jëtën e përditshme në të gjitha fushat e jetës.
E përbashkëta gjuhësore është model i ndërveprimit social në fusha të ndryshme si personale, sociale, religjioze etj. Bashkësitë sociale, religjioze, zejtare etj. Piqen në varetetet gjuhësore me anën e të cilave mund të kuptohet identiteti i brendshëm i pjesëtarëve të grupeve shoqërore. Nga kjo kuptojmë se çdo bashkësi shoqërore ka të përbashkët varietetin gjuhësor, me të cilin identifikohet.
Në kërkimet sociolinguistike rreth bashkësisë gjuhësore është shtruar edhe çështja e terminologjisë së emërtimit. Blumfeldi, p.sh., ka përdorur termin “speech community”, kurse Klose shtron kërkesën për një emërtim për përbashkësinë e njerëzve të gjuhës së njëjtë amtare dhe përdor termin “Repertoiregemeinschaft” krahas të cilit, në literaturën gjermane, përdoret edhe termi “Sprechgemeinschaft” për grupin që ka një varetet repertori të përbashkët dhe përkatësi identike sociale. Në komunikim folësi zgjedh atë inventor gjuhësor, i cili, në situatën e të folurit, i duket i përshtatshëm edhe për bashkëfolësin.
Praktika e komunikimit në përgjithësi, sidomos e të rinjve në Kosovë karakterizohet nga deficit i të shprehurit gjuhësor, nga fjalori I varfër si rrjedhojë e mosleximit të duhur, karakterizohet nga përdorimi I trajtave dialektore si pasojë e mosnjohjes së gramatikës, nga përdorimi I shprehjeve të huaja edhe në rastet kur ekzistojnë korrespondueset e tyre në gjuhën shqipe për arsye të mungesës gjuhësore etj.
SHTRESAT SHOQËRORE
Në studimet sociolinguistike gjuha do parë në bashkërendim të ngushtë me proceset sociale. Brenda një bashkësie shoqërore ekzistojnë diferenca fushash të ndryshme gjuhësore, të cilat mbështeten në disa faktorë si p.sh. shtresat shoqërore, niveli I arsimimit të tyre, statusi familjar: familje e shkolluar, profesioni, vendbanimi anësor, malor, urban, në lokalitetet më të zhvilluara, mediat, biblioteka, teatri, veprimtaria kulturore, sportive, standardi jetësor, ndërlidhjet me vendbanimet tjera, infrastruktura rrugore, dendësia e vendbanimit, fushat e veprimtarisë si burime të jetës etj.
Në të gjitha vendet ekzistojnë klasa ose shtresa shoqërore, të cilat krijohen si rrjedhojë e proceseve heterogjene zhvillimore rajonesh të ndryshme.
Sipas një makrondarjeje, dallohen: shtresa e ulët dhe shtresa e lartë shoqërore. Midis këtyre dy shtresave ka dallime, ndër të tjera, edhe gjuhësore, të cilat janë të lidhura me pozitën sociale të shtresës shoqërore.
Shtresa e varfër shoqërore, duke jetuar në rrethana të vështira sociale, e preokupuar me krizën ekzistenciale, më pak e arsimuar, më pak ose shumë pak e punësuar etj., përdor varietetet dialektore të gjuhës me veçoritë dalluese të anëve përkatëse, me fjalor më të kufizuar, me nyjëtim lokal të tingujve gjuhësorë, me kompetencë të ngushtë komunikative etj.
VARIETETET NË FUSHËN E FONETIKËS
Varietetet fonetike, në hapësirat e të folmeve shqipe, por edhe në mërgatën shqiptare, dalin shumë heterogjene. Fusha e fonetikës është terreni më i gjerë në të cilin pasqyrohet një vistër varietetesh në të gjitha shtresat shoqërore dhe në të gjitha anët e shtrirjes gjeografike të një gjuhe, madje edhe te një folës mund të vihet re përdorimi i formave të ndryshme gjuhësore të cilat ndikohen nga faktorët jashtëgjuhësorë.
Si nga aspekti dialektologjik, ashtu edha nga ai sociolinguistik, do vënë në dukje një dukuri: në viset më anësore e malore, banorët e të cilave, për arsye të pozitës gjeografike dhe të mungesës së infrastrukturës rrugore, nuk kanë shumë qarkullim dhe lidhje me lokalitetet urbane, ruhen varietetet më burimore dhe më conservative; në ato krahina më vështirë dhe më pak depërtojnë elementet inovuese, andaj ato varietete janë më homogjene në pikëpamjen e veçorive gjuhësore.
THEKSI (AKCENTI)
“Karakteristikat që e dallojnë një të folme dialektore nga një e folme tjetër dialektore në dialektologji i quajmë karakteristika dalluese”. (met Halimi, E folmja e Karadakut, IAP, Prishtinë, 2008, faqe 69).
Në të folmet shqipe VP, sikurse në të folmet tjera të gegërishtes në përgjithësi, theksi është zhvendosur nga rrokja fundore në rrokjen parafundore te disa fjalë me prejardhje turke, si: xháde, hállve, çéshme, káfe, tenéqe, dájre, páre etj.
“Lëvizja e theksit përbrenda rrokjeve të fjalëve ka përfshirë edhe disa fjalë autoktone shqipe, si: níeri, qíri, ái, kálli, ngjéti, fjalë të cilat në dialektin e toskërishtes si dhe në disa të folme te gegërishtes shqiptohen me theks në rrokjen fundore, si:njerí-u, verí-u, kallí-ri, qirí-u, gjetí-u, aí, etj”. (Ragip Mulaku, Hulumtime dialektologjike dhe onomastike, IAP, Prishtinë, 2005, faqe 17).
GJATËSIA E ZANOREVE (KUANTITETI)
Te gjatësia e zanoreve mund të vërehen varietete të shumta dhe madje jo vetëm në shkallë krahine, por edhe në vendbanime më të vogla dhe edhe brendapërbrenda grupesh e individësh.
Kështu në krahinat veripërendimore të të folmeve të shqipes përdoren më shumë se dy nivele zanoresh: të shkurtra dhe të gjata. Tek emrat mashkullorë në rrokje të mbyllur, në pjesën mbizotëruese të rasteve, përdoren zanoret e shkurtra: p.sh.
kủnat, plák, bác; po kështu edhe te mbiemrat: i lárt, i pákt etj.
“Tek emrat e gjinisë femërore, në trajtën e pashquar, në stilin e ligjërimit dialektor të të folmeve gege, përdoren zanoret e kuantitetit të gjatë, p.sh, dri:t, o:r, rru:g, di:t, fle:t, lo:p, rro:g etj.” (Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Faik Konica, Prishtinë, 2012, faqe 66).
HUNDORËSIA E ZANOREVE (NAZALIZIMI)
Një tipar tjetër dallues i varieteteve gjuhësore është edhe hundorësia e zanoreve , dukuri fonetike kjo e të gjitha të folmeve gege, p.sh. emni, vendi, peni, reja, pesë, ka, ja (trajta dialektore të foljeve kam e jam).
Ekzistenca e hundorësisë në njërin dialekt dhe mungesa e saj në dialektin tjetër përbën një ndër dallimet më qenësore të shqipes së vjetër dhe të shqipes së sotme.
“Kështu ndërsa në të folmet e toskërishtes sistemi vokalik karakterizohet vetëm nga një palë zanoresh fonema, nga zanoret gojore, p.sh. a, e, o ,u etj., në të folmet e gegërishtes sistemi vokalik karakterizohet nga dy palë zanoresh fonema, edhe nga zanoret gojore a, e, o u etj., edhe nga zanoret hundore â, ê, ô, û etj”. (Latif Mulaku, E folmja e Shalës së Bajgorës, IAP, Prishtinë, 2005, faqe 44-45).
Çështja e ruajtjes ose e shkrirjes së diftongjeve dhe togjeve zanore e bashkëtingëllore po kështu është një nga tiparet dalluese të varieteteve gjuhësore. Në varietetet e ligjërimeve dialektore të anëve veriperëndimore të etnisë shqiptare mbizotëron ruajtja e diftongjeve ua, ie, ye p.sh. krua, thua, ftua, si dhe te foljet g’zua, k’tua; thye, k’cye, te emrat: diell ,miell etj.
MONOFTONGIMI
Po nga ky fenomen fonetik dallohen dhe varietetet e të folmeve verilindore të shqipes në të cilat mbizotëron monoftongimi i tyre në përbërësin e parë, p.sh. shku, shkru, dill, qill, thy etj., por, sikundër është parë nga ndonjë studiues, ka edhe raste të ruajtjes së këtyre diftongjeve psh;”Kur i çuen atje… Tipar dallues varietetesh gjuhësore janë edhe togjet zanore ae dhe oe, të cilat në të folmet e gegërishtës verilindore, p.sh. “në të folmen e Karadakut, ruhen të pareduktuara (me ndonjë përjashtim): thae, lae, pae, voe, droe, roe etj., kurse në të folmet e gegërishtes veriperëndimore, janë përmbledhur në përbërësin e dytë, në një e të gjatë, p.sh. thae:the, dhae:dhe, pae:pe, roe:re, voe:ve etj.”. (Shih më gjerësisht: Mehmet Halimi, E folmja e Karadakut, IAP, Prishtinë, 2008).
Edhe në fushën e konsonantizmit mund të vihen re disa dallime varietetesh, sidomos sa u takon disa grupeve bashkëtingëlloresh, p.sh. nd, mb, ng, ngj etj., të cilat kanë dhënë reflekse të ndryshme në të folmet e shqipes dhe trajtohen si tregues varietetesh në shtrirje dhe në nivele të ndryshme sociolinguistike.
Në të folmet veriperëndimore të shqipes, këto togje bashkëtingëlloresh, kanë pësuar këto alternime: nd:d, nd:t, nd:n, , p.sh. daloj, dalem, da (për nda), katut (për katund), kuvet, ner; mb:b, mb:m, mb:p, p.sh. bledh, bush, paj (për mbaj), dhep etj.; ng:k, p.sh.cuk (për cung), lak (për lëng); ngj:q, p.sh.qyej (për ngjyej) etj.
Në ligjerimet popullore të gegërishtes verilindore vihet re një shumësi trajtash me reflekset e këtyre togjeve në përbërje, p.sh. togu mb:m, si: mi (për mbi), mrri, mret; nd:n, p.sh. komanir,; ng:n, narkoj (ngarkoj) etj.
Edhe veçoritë morfologjike janë pjesë përbërëse të krijimit të varieteteve gjuhësore. Ato kryesisht janë në pajtueshmëri me evoluimet fonetike, të cilat ruhen edhe në trajtat morfologjike të fjalëformimit dhe të përdorimit të formave foljore sipas kategorive gramatikore, sidomos në format e pashtjelluara të foljeve tek vihet re shkrirja ose ruajtja e togjeve zanore në pjesore.
Në të folmet veriperëndimore të shqipes, në format e pashtjelluara të foljeve si dhe në format analitike të tyre, nuk përdoret sufiksi temëformues për asnjë grup foljesh, p.sh. ka ktua dikur, a ardh, me fol, me pa, tye dal, tye shkua, pa lavrua etj. Pra, në përgjithësi ruhen fenomenet fonetike edhe në ndërtimin e formave foljore. Ky vlerësim vlen për fazën më të hershme.
Dukuritë morfologjike janë shumë të larmishme edhe në të folmet e gegërishtes verilindore; ato, në sistemin foljor, pësojnë shumë ndryshime varësisht nga shtresat shoqërore që i përdorin dhe nga krahinat e ndryshme verilindore. Foljet në mënyrat e pashtelluara të foljeve dhe në format analitike të kohëve të përbëra, në pjesën më të madhe, dalin me zero mbaresë dhe me monoftongim togjesh vokalike që i kanë në përbërje, p.sh. me zi, tuj shku, tuj u kthy, asht msu etj.
Mbiemrat e dalë nga pjesoret e foljeve, në disa varietete, si p.sh. në të folmen e Karadakut edhe sot i ruajnë sufikset e vjetra temëformuese të pjesoreve si p.sh. –un, -m,- n:i ter-un, i punun, e livrume etj.
Fusha e fonetikës është terreni më i gjerë në të cilin pasqyrohet një vistër varietetesh në të gjitha shtresat shoqërore dhe në të gjitha anët e shtrirjes gjeografike të një gjuhe, madje edhe te një folës mund të vihet re përdorimi i formave të ndryshme gjuhësore, të cilat ndikohen nga faktorët jashtëgjuhësorë.
Komunikimi mund të ketë nënndarje të ndryshme. Ai mund të ndiqet nga pikëpamja e sasisë së ndërkomunikimit si dhe nga aspekti i shtrirjes rajonale; ai do parë nga ana e grupeve sociale më të vogla ose më të mëdha duke ndjekur shtrirjen e tyre në terren dhe duke hetuar identitetin e tipareve dalluese gjuhësore.
Praktika e komunikimit në përgjithësi, sidomos e të rinjve në Kosovë karakterizohet nga deficit i të shprehurit gjuhësor, nga fjalori i varfër si rrjedhojë e mosleximit të duhur, karakterizohet nga përdorimi i trajtave dialektore si pasojë e mosnjohjes së gramatikës, nga përdorimi i shprehjeve të huaja edhe në rastet kur ekzistojnë korrespondueset e tyre në gjuhën shqipe për arsye të mungesës gjuhësore etj.