Shkruan: Florim Zeqa, 13.03.2021
Tani kur vetëm disa orë na ndajnë nga fillimi i kuvendit të jashtëzakonshëm zgjedhor në LDK, zyrtarisht i kemi katër kandidat për kryetar të partisë rugoviane, mirëpo nëpër koluare, rrugë, kafene, portale, rrjete sociale dhe mediume të ndryshme janë duke u shfaqur edhe emra tjerë të mundshëm si kandidat potencial për kryetar të LDK-së, e të cilët nuk janë bërë publik nga kryesia!
Varësisht prej nivelit intelektual, ambicieve dhe mundësive të paraqitjes në media, variojnë edhe deklaratat e kandidatëve për të parin e partisë. Pothuajse të gjithë thirren në frymën rugoviane, por kjo nuk mjafton për t’i bindur delegatët për të votuar për ta.
Me premtime për ruajtjen e vazhdimësisë rugoviane në parti erdhi edhe kryetari në largim. Premtimet për ndrsyhime dhe refomra nuk i arriti asnjëherë. Madje, ai kishte shkuar aq largë me premtime, saqë elektoratit të LDK-së dhe qytetarëve të vendit u kishte thënë se kurrë nuk do të lidhë “kurorë” qeverisëse me kundërshtarët e Ibrahim Rugovës dhe LDK-së. Mirëpo pas çdo procesi zgjedhor i harroi të gjitha, i gëlltiti të gjitha premtimet sikurse qershitë e “lagura”!
Kandidatët e vjetër dhe të rinjë për kryetar të LDK-së, paraprakisht shkuarjes në kuvendin zgjedhor, duhet të shkojnë pranë vendit të shenjtë në Velani, t’i bëjnë një betim elektoratit rugovian pranë varrit të liderit shpirtëror, se “më asnjëherë dhe në asnjë rrëthanë nuk do ta tradhëtojnë vizionin e tij dhe vullnetin e elektoratit rugovian”.
Veq kësaj, kandidatët për kryetar të LDK-së, me një kontratë (deklaratë betimi) të shkruar të sigurojnë delegatët dhe elektoratin rugovian për ruajtjen e vazhdimësisë rugoviane dhe traditës së fjalës së dhënë dhe besës shqiptare për mbylljen e udhëve njëherë e përgjithmonë grupeve të interesit në LDK, klaneve dhe matrapazëve që janë mësuar të shesin dhe kontrabandojnë votën e elektoratit rugovian tek partitë antirugoviane, duke e shndërruar LDK-në rugoviane nga një parti lidere në një parti minore në Paralamentin e Kosovës!
Shpresojmë që kandidatët për kryetar të LDK-së t’i kenë nxjerrur mësimet e duhura nga e kaluara, nga koalicionet joparimore dhe të panatyrshme. Kandidatët për kryetar duhet t’i drejtohen kuvendit zgjedhor dhe elektoratit të LDK-së me program dhe projekte të qarta për rimëkëmbjen dhe forcimin e LDK-se, si kusht i nevojshem dhe i domosdoshem për kthimin e besimit tek elektorati i LDK-së.
LDK-ja duhet t’u kthehet rrënjeve të saja ideologjike, intelektuale, traditave kulturore, solidaritetit dhe humanizmit qytetar, të jetë aktive dhe e pranishme kudo në vendbanimet shqiptare të Kosovës dhe të merret me problemet e përditshme të qytetarëve, të demonstroj forcën dhe gatishmërinë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve ndaj padrejtësive të kohës së keqe nëpër të cilën po kalojmë, ashtu siq iu qendroj pranë qytetarëve në kohërat më të vështira gjatë okupimit barbar serb.
Që kjo të ndodhë duhet një ndërgjegjësim dhe reflektim maksimal i delegatëve në prag të votimit të kandidatëve për kryetar të LDK-së. Delegatët e Kuvendit të jashtëzakonshëm Zgjedhor të LDK-së me votën e tyre të lirë duhet të shprehin jo vetëm bindjet personale të tyre, por të përçojnë edhe vullnetin e elektoratit për të liderin e partisë.
Përmbushja e vullnetit të elektoratit për kreun e LDK-së do të thotë arritje e ndryshimit substancial, kthim të LDK-së në shtratin e saj politik dhe demokratik, ku secili do t’i ketë mundësitë e barabarta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhor.
Pak ka rëndësi a janë katër, pesë, gjashtë apo më shumë kandidatë për kryetar të LDK-së, e rëndësishme është përfshirja e të gjithë kandidatëve në votimin e parë, mandej pasi të nxjerren dy të parët, të votohet në raundin final për zgjedhjen e liderit të ardhshëm të partisë.
Nëse e kërkon nevoja, më mirë është që kuvendi të zgjatë dy apo tre ditë, por e rëndësishme është të arrihet zgjidhja më e mirë dhe se LDK të dali sa më unike nga ky kuvend historik.
Dalja unike nga kuvendi zgjedhor do t’i motivonte tejë mase 14 shtyllat (deputetët) e LDK-së në Parlamentin e Kosovës për mbajtjen e qëndrimeve unike në marrjen e vendimeve në shërbim të vendit dhe të mirën e qytetarëve.
Këtë shkrim dëshiroj ta përmbylli me një thënje të nxjerrë nga libri “Kosova, besa dhe tradhëtia” e autorit Rexhep Bunjaku, po citoj: “Ideologjia mund të jetë hyjnore, por nëse atë ideologji hyjnore e zbaton në jetë një JO-njeri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji djallëzore, dhe anasjelltas, nëse një ideologji djallëzore e zbaton në jetë një njeri i frymëzuar me humanizëm dhe dashuri, ajo ideologji shndërrohet në ideologji hyjnore”.
Bazuar në thënjen e mësipërme, ideologjia dhe filozofia e hyjnorit Rugovë ka nevojë të udhëhiqet nga një njeri i përgjegjshëm, i urtë por i guximshëm i frymëzuar nga filozofia politike rugoviane, humanizmi dhe dashuria ndaj atdheut dhe qytetarëve.
Zoti e bekoftë votën e delegatëve dhe vullnetin e elektoratit rugovian për ndryshime substanciale dhe rimëkëmbje të LDK-së!