Shkruan: Florim Zeqa 04.03.2021
Pas rezultatit zgjedhor askush nuk ka të drejtë ta kontestoj dhe as nuk mund ta pengoj zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër të ri të shtetit të Kosovës, pasi këtë ia mundësuan qytetarët e vendit tonë me votën e lirë dhe demokratike në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Konsensus politik për zgjedhjen e presidentit (tes)
Kështu duhej të ndodhte edhe për zonjën më të votuar në Kosovë, por sa i përket zgjedhjes së presidentit e kemi një situatë pak më të ndërlikuar.
Edhe përkundër legjitimitetit të lartë qytetar, zgjedhja e zonjes Vjosa Osmani në postin e presidentes kërkon konsensus më të gjërë mes forcave politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe se sistemi aktual qeverisës dhe kushtetuta e vendit nuk i mundësojnë zgjedhjen si presidente nga vota popullore.
Çdo tendencë e abuzimit me rezultatin zgjedhor në emër të votes popullore për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë vendin drejt një krizë të re politike, e cila mund të prodhojë destabilitet dhe zgjedhje të njëpasnjëshme.
Pa ndryshimin e kushtetutës nuk mund të kemi sistem elektoral që e mundëson zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga vota popullore.
Thirrja ime në shkrimin e fundit për heqje dorë të Vjosa Osmanit nga posti i presidentit për të mirën e vendit, nuk ka të bëjë me preferenca personale por me çasje pragmatike.
Bazuar në kompetencat e kufizuara të presidentit si rrjedhojë kufizimeve kushtetuese dhe sistemit politik, konsideroj se Vjosa Osmani më e dobishme për shtetin do të ishte në cilin do post tjetër politik sesa në atë të presidentit deri në ndryshimin e Kushtetutës apo kalimin në sistem presidencial të qeverisjes.
Ndryshimi i sisetmit elektoral, hapë rrugën e ndryshimit të sistemit politik
Ndryshimi i sistemit elektoral do ta ndryshonte rrënjësisht edhe sistemin qeverisës në vendin tonë. Vetëm kalimi nga sistemi parlamentar në atë presidencial do t’i krijonte premisat e një qeverisje stabile dhe demokratike në vendin tonë.
Sistemi Presidencial dhe zgjedhja e presidentit të shtetit drejtëpërdrejt nga populli (ide e kahmotshme e presidentit historik Ibrahim Rugova) do t’u jepte fund bllokadave paszgjedhore dhe mënyrës së kontrabandimit të postit të presidentit të shtetit nga partitë politike.
Ndryshimi i Kushtetutës, përkatësisht i ligjit dhe akteve nënligjore që mundësojnë reformën e mirëfilltë zgjedhore për kalimin nga sistemi parlamentar në atë presidencial, i cili përveqse imperativ i ngutshëm kohorë, ka si mbetur e vetmja zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kolapsi i një sistemi të dështuar qeverisës 22 vjeçarë.
Sistemi presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale paszgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës!
Sistemi presidencial automatikisht krijon premisat e dy blloqeve të forta parazgjedhore, respektivisht bipolarizimin e skenës politike me krijimin e krahut të djathtë dhe atij të majtë politik.
Përderisa në sistemin parlamentar mundësia e manipulimit me zgjedhjet është jashtëzakonisht e madhe, në sistemin presidencial zvogëlohet në minimum ajo mundësi, pasi vota e sovranit (qytetarit) është e drejtëpërdrejtë dhe vendimtare në përcaktimin e kaheve qeverisëse të vendit.
Republika parlamentare, dështim i demokracisë
Sisemi parlamentar, gjegjësisht republikat parlamentare nuk janë treguar të suksesshme në zgjidhjen e krizave politike paszgjedhore shkaku i polarizimit të skajshëm të skenës politike.
Probleme të kësaj natyre janë shfaqur dhe po vazhdojnë të manifestohen kriza të thella paszgjedhore edhe në shtetet më të zhvilluara si; Gjermania, Italia, etj, e të mos flasim për Kosovën me një demokraci të brishtë parlamentare.
Jo vetëm për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, por edhe për shumë arsye të tjera, legjislatura e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka për detyrë të themelojë një komision të pavarur parlamentar, të përbër nga ekspert të fushës juridike për të ridizajnuar kushtetutën e vendit konformë kërkesave të kohës, për çuarjen para të reformave dhe proceseve demokratike.
‘Pakoja e Ahtisarit’ e tejkaluar për rrethanat e kohës
Kushtetuta aktuale e bazuar në të ashtuquajturën “Pako e Ahtisarit”, është bërë pengesë e vendimarrjes në Kuvend. Kthimi i referendumit në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si instrumentin më demokratik për zgjidhjen e problemeve madhore (ndryshimeve kapitale për vendin) dhe dryshimi i ligjit për heqjen e votës së dyfisht (vetos) të serbëve në parlament do t’i largonte përfundimisht vargonjët serb nga qafa e Kosovës.
Për më shumë se kaq, Kosova, “De Jure” dhe “De Facto” do ta merrte formën e shtetit sovran. Me kalimin në sistemin presidencial në njërën anë dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në anën tjetër, shteti ynë do të bëhej partner i fuqishëm politik dhe ushtarak i Aleancës Veriatlantike, përkatësisht NATO-s dhe SHBA-së, si garantuesin më të fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë.
Përfundimisht, sistemi presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxjerrte Kosovën nga “çarku i mbyllur” politik. Kjo, përveqse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siq ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecedent në vendet e lira dhe demokratike!