Dino Murtezani, Ikona e Muzikës Instrumentale Shqiptare

0
259
Dino Murtezani dhe Duo Aritmija

Nga Nora Kalaja

Artisti i mirënjohur Dino Murtezani, ka lindur në Tetovë, Maqedoni në vitin 1970. Në moshën 15-vjeçare shpërngulet në Slloveni, ku jeton dhe punon tani. Njihet si artist i shquar i muzikës tradicionale-instrumentale në rajonin e Ballkanit. Disa nga performancat e tij më së fundit janë: Java Evropiane 2020 bashkë me grupin Slloven “Duo Artimija”, “Harmonia e Botës: Kuarteti Dino Murtezani” në Lubjanë, Slloveni (2019), Festivali “Zâ Fest” (2017), si dhe shumë evente të tjera kulturore-artistike.

Dino Murtezani është një artist i cili ka kontribuar shumë për muzikën shqiptare ndër vite me veprimtari muzikore, duke e bërë traditën kulturore dhe artistike shqiptare të njohur për ballkanasit. Me shpirtin e tij artistik, dhe talentin e tij magjepës, Dino Murtezani ka sjellë dhe interpretuar disa kryevepra, nëpërmjet tingujve instrumental të kavallit, dhe jo vetëm.

Na tregoni për veten tuaj si artist. Si mund ta përshkruani muzikën tuaj.

Dino Murtezani: Unë nuk jam artist i shkolluar, por kam filluar si fëmijë nëpër shoqata artistike-kulturore në vendindje në Tetovë ku kam lindur. Pas moshës 15-vjeçare erdha të ndjek shkollën dhe të jetoj të babai në Slloveni. Dhe mbas një kohe, mbas 20 viteve abstenencë, iu bashkangjita shoqatave artistike në Slloveni dhe kemi krijuar muzikën e Ballkanit.

Nuk jam muzicient i arsimuar, por e bëj muzikën vetëm për shpirt dhe për dashuri. Kam patur dëshirë të arsimohem por ashtu jeta solli që të mos e kem atë mundësi. Kam arritur mjaft suksese duke ruajtur vlerën e artit, pa e komercializaur atë.

Çfarë do të thotë arti për ju? Si është kultura muzikore në qytetin tuaj?

Dino Murtezani: Arti është një krijimtari e çdo individi dhe krijimtari e njerëzisë që le shumë gjurma, na tregon për historinë dhe na dallon nga speciet e tjera. Jemi të veçantë në këtë aspekt. Zhvillimi i teknologjisë e ka mundësuar artin bashkë me krijimtaritë e tjera.

Në qytetin e Lubjanës ku unë edhe jetoj u takova edhe me muzikën xhaz. Kështu që fillova muzikën popullore, të bëj etno-xhaz. Xhazi më solli te Elina Duni, e cila më ka ngazëllyer dhe jam befasuar kur e zbulova si artiste. Pata fatin të performoj me Elidën në festivalin “Zâ Fest” 2017, ku shkova në Shqipëri për herë të parë dhe mund të them se jam shumë i lumtur.

Me cilat projekte po merreni aktualisht?

Dino Murtezani: Meqenëse artin nuk e komercializoj nuk planifikoj projekte por ja lejoj spontivitetin. Kam shumë miq, shumë muzicientë që më thërrasin të bashkëpunoj me ta. Dhe nëse më lejojnë mundësitë me shumë qef e realizojmë, dhë kështu e bëj për qefin dhe shpirtin tim. Pasi jam betuar se artin nuk e komercializoj asnjëherë. Egzistencën m’a mundëson profesioni që bëj. Jam mjeshtër i byrekut edhe të dy gjërat i bëj me shumë dëshirë. Byrekun e bëj për egzistencë, nuk kam strese. Muzikën kur luaj, luaj për shpirt edhe nuk ngarkohem me pagesa.

Mund të na tregoni më tepër për performancën e fundit?

Dino Murtezani: Performanca e fundit ka qenë në bregdetin e Sllovenisë, në Piran me disa miq me të cilët bëmë një projekt më të madh për “Europe House” (Shtëpinë Europiane) nga Tirana. Ambasada e Sllovenisë na angazhoi. Edhe ai ishte një projekt shumë i bukur që tashmë videot janë shfaqur edhe në facebook. Kënga “Baresha” më gëzoi shumë sepse publiku e njeh si këngë dhe ka patur shumë shikime. E parashikova këtë gjë. Kjo ka qenë një projekt më i rëndësishëm edhe besoj që do ketë edhe të tjerë në vijim.

Na tregoni për disa nga projektet tuajat më preferuarat.

Dino Murtezani: Si e përmenda më lart, Festivali “Zâ Fest” 2017 që bashkëpunova me Elina Dunin, më thirri në Shqipëri. Kjo ka qenë një rrugëtim epik për mua, ku vizitova Shqipërinë për herë të parë. Kështu m’u realizua ëndrra 35-vjeçare, prej kur isha i vogël nëna më përmendi se mbas maleve të Bjeshkëve të Sharrit ka një shtet që quhet “Shqipni”. Por atëherë ishim në kohërat jugosllave, të politizuara. Edhe nëna më hoqi vërejtjen mos fol shumë se daja Rexhep Munishi, që ka qenë arsimtar i gjuhës shqipe dhe veprimtar, ka qenë i burgosur për çështjen e Shqipërisë pas luftës së dytë botërore. Edhe mua si fëmijë atëherë imagjinata gjithmonë më ngacmonte, pse të ndodhin këto gjëra, ne jemi shqiptarë, jemi të gjithë të barabartë – nuk kuptoja si fëmijë.

Dhe kështu që vizita e Shqipërisë dhe mikpritja që më bënë në festivalin “Zâ Fest” në Theth më ngazëlleu shumë. Edhe ajo do të mbetet performanca më e bukur, kulminacion i suksesit tim në art. Ashtu e kam pas edhe ëndërr, dhe nuk pres më tepër.

Çfarë instrumenti luani?

Dino Murtezani: Si fëmijë kam filluar me fyell. Mandej daja, Rexhep Munishi që përmenda, më dhuroi mandolinën kur isha 9 vjeç. Nëpër shoqata kulturore e kisha ëndërr kavallin, por isha shumë i vogël edhe ato pleqtë që luanin në kavall më thanë, “eh mor çun duhet shumë gjizë me hëngër t’i biesh kavallit!” Po më provokonin me një mënyrë. Edhe mandej kavallin e realizova në moshën 35 vjeçare dhe kur m’u dha mundësia.

Jam stërvitur shumë, kam luajtur 3-4000 orë që i kam kushtuar stërvitjes së kavallit, që ta kem nën kontroll. Ai është instrumenti im i parë. Përndryshe përpiqem të luaj në të gjithë instrumentet, i njoh edhe me harqe edhe me tela edhe frymor. Por kavalli është ai instrument që më ka ngrohur shpirtin dhe më lidh me universin. Është shumë rrallë të sqaroj është një instrument mistik.

Cilët janë influencat tuajat muzikore? Çfarë ka ndihmuar në krijimin e identitetit tuaj artistik?

Dino Murtezani: Nëse njeriu beson, ke një besim të pashmangshëm dhe një dashuri të sinqertë, gjithmonë është një parakusht të kesh sukses. Edhe artistët, njerëzit që merrem me art e kanë vërejtur këtë gjë te unë se unë e dua artin me shpirt dhe sinqeritet. Por puna është ajo që të bën mjeshtër, të çon në një nivel të lartë. Dhe njerëzit që janë të arsimuar e vërejnë një gjë të tillë dhe normalish që të ndihmojnë artistët. Jemi shumë njerëz të sinqertë. Dhe kjo për mua është formula e suksesit.

Këshilla juaj për një person që dëshiron të ndjekë artin/muzikën si karrierë.

Dino Murtezani: Rruga e suksesit në art është e shtruar plot me gjemba. Dhe për ato që merren profesionalisht duhet shumë punë, shumë sakrifica sepse konkurenca është e madhe. Dihet normalisht varet edhe në çfarë pike geo-sociale jetojmë. Disa shtete e përmbajnë artin për shembull në vendet jo në zhvillim nuk përmbahen artistët, talentët. Kështu që duhet shumë punë, duhet shumë dashuri, duhet shumë sinqeritet për të patur sukses në art.

Çfarë mund të presim nga ju vitin tjetër/planet?

Dino Murtezani: Siç përmenda dhe më lart, gjithçka ja lëshoj spontivitetit, nuk bëj plane. Uroj të kalojë para së gjithash kjo kriza e pandemisë edhe besoj se do të vijnë shumë gjëra të bukura. Ashtu edhe unë me shumë qef dhe dëshirë do t’i pranoj. Shpresoj se do të ndodhin shumë gjëra të bukura. Jam optimist gjithmonë.