ISA MUSTAFA NË MISION SHKATËRRUES

0
1045
Isa Mustafa

Analizë

Shkruan Shefqet DIBRANI

Tashmë fati i LDK-së ka mbetur vetëm në mëshirën e Isa Mustafës, sepse kryesia e LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm dhe delegatët e Kuvendit të Kosovës, me ndonjë përjashtim, janë nënshtruar përpara Isa Mustafës. Por, si ka ndodhur që partia e dr. Ibrahim Rugovës, e cila me sukses shkatërroi Jugosllavinë, të shkatërrohet nga komplotisti komunist Isa Mustafa?! Ky veprim i Isa Mustafës është një hakmarrje kundër LDK-së, e cila ia prishi punët me “vëllazërinë serbe”, sepse nuk ka si të thuhet ndryshe kur komplet partia iu ka nënshtruar poshtërimit klasik që Isa Mustafa po ia bën LDK-së, duke e bërë LDK-në parti satelite të PDK-së.

Tashmë secili po e kupton se ai ka ardhur në krye të LDK-së në mision të Bujar Bukoshit për ta shkatërruar partinë e Ibrahim Rugovës, me të cilin nuk kanë pasur bashkëpunuar kurrë, përkundrazi ai dhe Bujar Bukoshi tërë jetën e tyre kanë punuar kundër dr. Ibrahim Rugovës, kundër LDK-së, kundër Lirisë së Kosovës dhe kundër Amerikës.

Nxjerrja në pah e aq pak fotove që kryeministri i tashëm i Kosovës i paska bërë nga takimet e tij me Presidentin e Kosovës dr. Rugova, është dëshmia më e mirë për të kuptuar se ai kurrë nuk ka bashkëpunuar me dr. Ibrahim Rugovën, në kohën kur dihet se Rugova është fotografuar me secilin, dhe madje veprimtar të rëndomtë kanë fotografi më të shumta se sa Isa Mustafa i cili për gati një dekadë ishte ministër për Ekonomi dhe Financa në kohën kur dr. Ibrahim Rugova ishte President i Kosovës.

Por, Isa Mustafa në cilësinë e ministrit për Ekonomi dhe Financa nuk është në gjendje t’i postojë më shumë se dy apo tri fotografi që i posedon me dr. Rugovën flet më së miri për raportet e tij me të. Po ashtu, mendoj se kryeministri i tashëm i Kosovës e di fort mirë edhe për pengesat e vazhdueshme kur ia bënte dr. Ibrahim Rugovës me rrudhjen e financave dhe duke e lënë me dhjetëra herë nëpër aeroportet e Evropës, veçmas kur ai udhëtonte për në Amerikë. Po ashtu, besoj se kryeministri i tashëm nuk ka harruar për shantazhet e vazhdueshme që ua bënte Degëve të LDK-së në Diasporë, me të cilat Isa Mustafa në cilësinë e ministrit për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e Bujar Bukoshit në Ekzil, jo që nuk bashkëpunuan, por ishin rrënuesit kryesorë të bazës financiare që e kishte krijuar Lidhja Demokratike e Kosovës në Evropën Perëndimore, ShBA dhe vende të tjera.

Sigurisht Isa Mustafën e kanë zënë mallkimi i nënave kosovare të cilat mallkonin funksionarët shqiptarë në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, të cilët kishin shtrirë zullumin mbi Kosovë, atëherë kur regjimi komunist ua burgoste bijtë e bijat e tyre studente e studentë në Universitetin e Prishtinës, atëherë kur Isa Mustafa në cilësinë e zyrtarit të dhunshëm në Qendrën e Studentëve, jo që nuk pati reaguar asnjëherë në mbrojtje të studentëve, por me ngulm mbronte atë sistem, sigurisht mund të ketë hartuar lista për të bërë zapt rebelimin studentor, ashtu siç pati arritur t’i bëjë zapt Degët e LDK-së në Diasporë, të cilat ishin të papërfillshme për Isa Mustafën, i cili pasi i shkarkoi të gjitha komisionet e 3% që i kishte themeluar LDK-ja, në afat rekord arriti t’i mobilizonte mbi 2500 aktivistë të cilët ishin kudo, por një pjesë e madhe e tyre vazhdimisht kanë atakuar veprimtarët e LDK-së sa që janë sjellë tamam si “poreznikët” e dikurshëm të LKJ-së.

Të gjithë ata që nuk iu binden udhëzimeve politike të dr. Bujar Bukoshit dhe të Isa Mustafës janë cilësuar se bëjnë veprime kundër institucionalizimit shtetformues të Kosovës, slogan që tashmë po e dëgjojmë pa pra nga vet Isa Mustafa, kundër veprimtarëve të rebeluar nga radhët e LDK-së, dhe kundrejt popullit që proteston i pakënaqur me udhëheqjen e tij. Së këndejmi refreni i tij shfrynë dufin e pakontrolluar edhe kundër opozitës së rebeluar dhe qytetarëve që dalin për të protestuar.

Tashmë mbi shpatullat e Isa Mustafës rëndon edhe mallkimi i mërgimtarëve të cilëve ky Isa Mustafa nuk po ua ndal zullumin as sot e kësaj dite, ndërsa Kryesia Qendrore e LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së po heshtin, nuk bëzajnë dhe po i miratojnë në heshtje çdo gjë që ua sjell Isa Mustafa. Pra, deri në këtë nivel ka rënë gjendja e pseudorugovistëve që këlthasin se janë më rugovistë se vetë Ibrahim Rugova kur ishte gjallë, por një gjë dihet se ata janë duke abuzuar me votën e elektoratit i cili i ka votuar duke iu ka besuar sloganeve të tyre se “në asnjë mënyrë nuk do të hyjnë në dallavere udhëheqëse me PDK-në”.

Për fat të mirë, sot teknologjia moderne ka fiksuar në celuloid çdo gjë dhe tashmë me një të shtypur butoni, këto sekuenca filmike gjenden si deklarata faktike të kësaj kaste politike e cila si asnjëherë në historinë e Kosovës ka pranuar nënshtrimin, madje duke abuzuar me vullnetin e qytetarëve dhe në emër të votës së tyre tashti po tallen me të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Por një gjë mbetet e pa hulumtuar se si arriti Isa Mustafa me këtë perfiditet ta pushtojë “Kalanë e LDK-së nga Brenda”?! Por kronologjia e ngjarjeve na kthen në vitin 1995, atëherë kur për shkak edhe të Isa Mustafa kanë dhënë dorëheqje edhe dy ministra në Qeverinë e Kosovës dhe siç e theksuam edhe më lart, pas këtyre dy dorëheqjeve Isa Mustafa i pati qëruar hesapet më kollaj me dy Degët e LDK-së në Diasporë. Pikërisht kur thuhej se ata merrnin rroga minimale, Isa Mustafa paska themeluar dhe paska qenë edhe aksionar i Kolegjit RIINVEST në Prishtinë, në të cilin si duket janë nisur të gjitha nismat profesionale(?!) për ta marrë kalanë e LDK-së nga brenda.

Gjatë kohës së Luftës dhe në fillimet e saj mund të flasin eprorët e karrierës të cilët do të ndahen në dy grupe joformale, por më shumë në dy grupe konceptuale. Një pjesë iu kishte nënshtruar urdhrave të Bujar Bukoshit duke i zbatuar pa hezitim, madje kohëve të fundit janë bërë të zëshëm dhe të padurueshëm me reagime fyese nëpër rrjetet sociale, kushdo që ua kritikon Isa Mustafën, për çka jep për të dyshuar se lidhjet e Isa Mustafës me Bujar Bukoshin në asnjë çast nuk janë shkëputur. Pjesa e tjetër kanë kryer misionin e tyre në luftë duke u gjendur edhe atje në mes kudhrës së Bujar Bukoshit dhe çekanit të zullumshëm që ua sillnin njerëzit e LPK-së së Xhavit Halitit dhe Hashim Thaçit.

Këta oficerë të karrierës me përvojë ushtarake dhe shkollime të larta, pothuajse të gjithë janë kthyer në vendet e Bashkimit Evropian, dhe atje janë gjetur kush si ka mundur, ndërsa në udhëheqje të Kosovës dhe bashkëpunim të mirë në vitet e pasluftës kemi pasur në mes Hashim Thaçit dhe Bujar Bukoshit, gjë që nuk kemi nevojë të lëshohemi më poshtë.

Me gjithë investimet e mëdha financiare, propagandistike dhe vrasjeve të pashembullta politike që iu bë kryesisht bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës, për të gjallë të tij nuk arritën as ta mundin dhe as të fitojnë, prandaj sipas gjitha gjasave atij ia kanë përshpejtuar edhe vdekjen në mënyrë që të lëshohen me yrysh për ta pushtuar LDK-në.
Në këto rrethana, si duket pa u hamendur, dr. Fatmir Sejdiu do të kërkojë profesionalizmin e Kolegjit RIINVEST, nga ku do të importohet Isa Mustafa, madje duke i anashkaluar edhe rregullat e brendshme partiake, atë e ka rehabilituar, fillimisht si këshilltar në kabinetin presidencial dhe nga aty pa qenë kurrë anëtar i LDK-së do t’ia ofrojë postin e kryetarit të Prishtinës, ku Isa Mustafa pa asnjë pengesë nga aty do ta ndërtojë strategjinë për pushtimin e Kalasë së LDK-së nga brenda.

Edhe pse Isa Mustafa i humbi tri palë zgjedhje lokale dhe dy palë zgjedhje nacionale, asnjëherë nuk dha dorëheqje, por gjithmonë do të gjejë arsye për ta vazhduar avazin e shkatërrimit të LDK-së. Po ashtu, Isa Mustafa premtoi reforma në LDK, pra nëse i ka bërë ato reforma janë zhvilluar gabimisht, duke sjellë afër vetes fshatarë nga zonat rurale dhe si kuadër i ngathët, ndërsa elita akademike e Kosovës s’kishte më se si t’u afrohet, por t’u thënë “zdravo” edhe nëpër kafenetë e Prishtinës.

Me këtë avaz Isa Mustafa ka lënduar kudo procesin zgjedhor brenda LDK-së, fillimisht duke ia zgjatur vetes mandatin në mes Kuvendit VII dhe të VIII, po më shumë duke e pushkatuar mendimin ndryshe dhe sidomos duke eliminuar nga praktika, konkurrencën e brendshme zgjedhore. Tashmë zgjedhjet në LDK ngjasojnë me ato në Korenë Veriore, ku me ngritje duarsh plotësohet kuota 100%, ose të paktën mbi 90%. Si askund tjetër, Isa Mustafa ka ditur të shkatërrojë çdo vlerë demokratike, duke mos lejuar as mediat dhe duke ua mbyllur dyert për pjesëmarrje jo vetëm delegatëve nga diaspora që ishin familjarë të heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës, por edhe mediave dhe trupit diplomatik i akredituar në Kosovë, kurse në anën tjetër vazhdimisht thërrasin për dialog në kohën kur asnjë lëshim, asnjë komunikim dhe asnjë pranim për biseda nuk e kanë pranuar me Degët e LDK-së në Diasporë, prandaj në këtë kontekst dialogun që e premton Isa Mustafa është farsë, është përpjekje për të mashtruar të gjitha atë që mund të shpresojnë në fjalën e tij.

Avazi i shkatërrimit të vlerave institucionale nga Isa Mustafa do të vazhdojë me shkeljet kushtetuese, qoftë atëherë kur është zgjedhur kryetar i Parlamentit të Kosovës, por kjo nuk u konsiderua shkelje e rëndë, sikurse shkelja për “zajednicën” që nuk u përfill po nga Isa Mustafa dhe as që i shkoi mendja të japë dorëheqje. Po ashtu, në planin akademik Isa Mustafa do të jetë doktoruar në një kohë kur flitet se ndikimi politik i tij ka ndikuar shumë, ashtu sikurse edhe grada akademik që është e ndikuar nga pozita politike, duke bërë shkelje flagrante të të gjitha kritereve për avancime të tilla akademike.

2.
Pavarësisht nga këto një gjë është e qartë se Isa Mustafa nuk i do familjarët e heronjve të Kosovës por ua do përmendoret për të shkuar tek varrezat e tyre për të bërë selfie për konsum të brendshëm partiak. Përndryshe që nga maji i vitit të kaluar ai nuk ka pasur kuraje t’i takoj familjarët, sidomos ata që janë delegat nga Degët e LDK-së në Diasporë, proceset e tyre të rregullta që i ka anuluar vetëm përmes mediave elktronike dhe të shkruara.

Në një plan tjetër Isa Mustafa vazhdimisht është cilësuar si ekonomist i fuqishëm, madje për të kaluarën e tij komuniste ai ka thënë se nuk ia heq asnjë prese, por e vërteta është se edhe në atë sistem, në kuadër të atyre rrethanave, Kosova dhe ekonomia e saj ka qen në fund të pusit, dhe kjo krejt në saje të politikave të tij komplet të dështuara. Po ashtu edhe e tashmja nuk ka sjell përparime prandaj është anakronike ruajtja e tij dhe sakrifikimi i LDK-së dhe i tërë Kosovës për Isa Mustafën.

Para se të vinte në pushtet Isa Mustafa ka kritikuar mbingarkesën e stafit civil dhe stafit politik nëpër institucionet e Kosovës si dhe ka kritikuar shpenzimet e shumta që bëhen me parat e taksapaguesve të Kosovës. Në kohën kur ai ka ardhur në krye të qeverisë së Kosovës është rritur numri enorm i ministrive, janë shtuar keqpërdorimet dhe nuk janë pakësuar udhëtimet me lidhje dhe pa lidhje të zyrtarëve qeveritar të Kosovës nëpër vendet e botës, ndërsa vet në vend se të udhëtonte me biçikletë, pasi nuk i ka borxh askujt, për të pirë një kafe të zamë në Parkun Gërmia në skaj të Prishtinës, ku merret vesh se një restorant i madh qenka në pronësi të një FARK-isti të Bujar Bukoshit, i cili sa ishte në Tiranë, thuhet se ka bërë punë të mëdha pasi atje ishte shef i logjistikës, në kohën kur grupe të oficerëve janë lënë në mëshirën e zotit, kur dihet se në Tiranë kanë ndodhur veprime e likuidime të dënueshme dhe gjëra të tjera mjaftë të ndjeshme. Ruana zot nëse ndonjëherë edhe dr. Ibrahim Rugova na qenka ushqyer në këtë restorant, pasi dihet se është vend i frekuentueshëm edhe për personalitete të larat politike.

Në vend se ky renegat i Isa Mustafës të kujdeset më mirë për biznesin e tij, të krijuar sigurisht me favore e Bujar Bukoshit nga UFORK, për çdo ditë na plason në FB fotografi të vazhdueshme me Presidentin Rugova, dhe në anën tjetër shanë, kërcënon dhe shpif të gjithë ata që ia kritikojnë Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafën, i cili për ta pirë kafen e mëngjesit tek ai, angazhon në përcjellje eskortën e policisë me mbi 30 makina, gjë që kryeministri i Kosovës këtë e bënë në emër të shkurtimit të shpenzimeve për çdo mëngjes kur shkon edhe në punë nga Xhamia e Llapit deri te zyrat qeveritare dhe anasjelltas.
Por nuk është në rregull gjithë kjo heshtje e LDK-së e cila duke mos dashtë të identifikohet me opozitën ia ka lënë duart e lira Isa Mustafës për ta shkatërruar LDK-në dhe bashkë me te po e shkatërrojnë komplet Kosovën.

Vetëm fjalori i tij vulgar, pervers dhe i pakontrolluar flet mjaftë, të paketën në këtë pikë Isa Mustafa e ka shkatërruar kulturën e Ibrahim Rugovës dhe vizionin e tij paqësore, kurse ky në paqe është bërë kaq pervers edhe kundër 200 mijë qytetarëve që kanë protestuar dhe kundër të gjithë atyre që guxuan dhe guxojnë ti thonë “boll mo o Isa Mustafa”. Prandaj ky fjalor vulgar, këto shprehje perverse, gjithë përjashtim dhe linçim publik janë bërë pjesë e fjalorit të shkruar dhe atij për komunikim duke rënë ndesh me rugovizmin si nocion dhe me vizionet dhe konceptet e LDK-së që i kishte dikur.

Me gjithë kallëzimin penal për mbi 70 abuzime në komunën e Prishtinës, me gjithë kallëzimet penale që ia kanë bërë për keqpërdorimin e UFORK dhe Fondit të tre përqindëshit, me të gjitha abuzimet kundër demokracisë, me përjashtimin e dialogut të brendshëm si mundësi. Ikja nga Kosova e rreth 100 mijë qytetarëve dhe gjendja e krijuar në universitet, ishin skenarë i kësaj qeverie për të cilat askush nuk dha përgjegjësi, Isa Mustafa jo se jo, por një gjë nuk u kuptua kurrë se si ai notoi, nga kush u përkrah dhe kush e mbështeti në të gjitha etapat dhe krizat që kaloi Kosova.

Prandaj të mos habitemi se me të gjitha shkeljet kushtetuese që i bëri para syrit tonë dhe syrit të huaj, dhe pa marrë asnjë përgjegjësi as për pesë palë zgjedhje të humbura, pa pasur asnjë rezultat konkret, s’ka qare Isa Mustafa pa u bërë patericë e marionetë e Hashim Thaçit dhe e PDK-së, qoftë për ta bërë president e qoftë në misionin e tij për të shkatërruar LDK-në, e me këtë për të shkatërruar filozofin rugoviane gjithëpërfshirëse. Po shqetësues mbetet sjellja e tij teknokrate e përjashtuese që nuk ka gjë të përbashkët me konceptin pajtues dhe afrues të dr. Ibrahim Rugovës, por Isa Mustafa për ta shkatërruar LDK-në ka zgjedhur metodologjinë e kundërt, andaj po i përdor gjithë kët0 shprehje perverse dhe vulgare.

Prandaj edhe ofshama jonë del si një lloj dëshpërimi pse gjithë ky “mot i keq ka rënë mbi LDK-në?!”, do të thoshte poeti ynë i madh Ali Podrimja!

St. Gallen, 24.02.2016.