HUMBJA AMORTIZOHET, NËSE REFLEKTOHET

0
233
Isa Mustafa me shkop

IDRIZ ZEQIRAJ

Humbja nuk është fundi i botës, sepse përgjatë jetës sukseset dhe dështimet, janë të pritshme. Por, menaxhimi i mirë i humbjes amortizohet, zvetnohet, nëse reflektohet drejt dhe shpejt. Ngushëllon fakti, se kjo situatë e krijuar, është kuptuar drejt dhe përmasa e përgjegjësisë duhet pranuar, nga secili, varësisht, nga pozicioni që ka pasur në hierarkinë partiake. Edhe komanda, vendimmarrësit, aprovuesit dhe heshakët, janë përgjgegjës, në raport me fuqinë e tyre në parti.

Humbja drastike e LDK-së, nuk është kurrëfarë befasie. Përkundër, ajo ishte e pritshme dhe, pothuajse, e qëllimshme. Veprimet arbitrare të një lidershipi-klan, të halitur, të lazdruar, tejkalon çdo normë, etikë e moral. Të kuptohemi, lidershipi është Kryesia e ngushtë, klani rreth kryetarit të LDK-së dhe jo Kryesia e partisë. Megjithatë, mbi Kryesinë rëndojnë tri faje të rënda:
1. Mos denoncimi i veprimeve rrënuese të LDK-së, për intersa karrieriste e tjera;
2. Mos kundërshtia e hapur e vendimeve fatale për LDK-në;
5. Heshtja aprovuese, sipas logjikës idioteske, se shumica vendosi, edhe pse votimi është aklamativ, fiktiv, më saktë, i tufëzuar, blegëtoral!

Themi faje dhe jo gabime, sepse faji penalizohet, kurse gabimi qortohet. Në rastin konkret, këtu kemi të bëjmë me një fajësi të përsëritur, me dëmet enorme, që i kanë shkaktuar partisë, pra, LDK-së, elektoratit, popullit, Kosovës, shqiptarëve, janë tejet të mëdha.

Kështu filloi çmontimi i Statutit të Rugovës dhe vet frymës rugoviane

Lidershipi-klan, pasi janë akomoduar, rehatuar në kupolën e LDK-së, filloi të mendojë për një karrierë, sundim afatgjatë të partisë. Për ta realizuar këtë, duhej anashkaluar organizimin klasik rugovian. Dhe, gjetën një shkak: Ndryshimin e statutit të LDK-së, me arsyetimin e përshtatjes me atë të Partive Popullore të Evropës (PPE). Ishte një mashtrim i madh, të provosh barazimin e mendësisë Ballkanike, aq më tepër shqiptare, me emancipimin politik evropian. Edhe pas një humbje zgjedhore, ata reflektojnë, lëshojnë karrikën e parë dhe të tjerat me radhë , ndërkohë që ne nuk lëvizim as pas një duzinë humbjesh!

Goditjja e parë ishte shuarja e Aktivave; shkëputja nga baza partiake; rrënimi i sistemit zgjedhor; përjashtimi i tri parimeve bazë të demokracisë:

1) Debatin e hapur, të shpenguar, në të gjitha strukturat e partisë;
2) Heqja e konkurrencës të ndershme zgjedhore, duke përdorur nenin kopil e satanik – 50+1% -, të kandidimit për kryetar;
3) Shpërfillja e frikshme dhe e përbuzshme, deri në harresë, e votimit të fshehtë demokratik, duke e zëvendësuar me votimin aklamativ, fiktiv, të rrejshëm, të hapur, me ngritje dore, pavarësisht hipokrizisë klasike, mizerabël- proverbiale të shqiptarëve të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, i koracuar me kompetenca mbretërore, me të drejtë propozimi të 2/3-ve të Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, deputetëve si dhe i të gjitha kuadrove qeveritarë, në rast të qenurit në pozitë. Shkëputja tërësore nga anëtarësia, elektorati, populli dhe centralizimi i pushtetit partiak, tek një grup servilësh, puthadorësh, fundosi trashëgiminë rugoviane.

“Peshku qëlbët në kokë” dhe kjo është një e vërtetë e njohur. Të gjitha deformimet, devijimet nga parimet dhe fryma rugoviane, kanë filluar nga qendra e LDK-së dhe janë imponuar në bazën partiake. Duket e pabesueshme, por, është krejt e vërtetë, se nënkryetari i Degës, nuk guxon të kontaktojë, pa lejen e kryetarit, Nëndegët! Sepse akuzohet se “po tenton ta marrë partinë!” Njësoj si në qender, edhe në bazë, nuk është lejuar dhe nuk është parashikuar asnjë kuadër i dytë, për ta zëvendësuar, me konkurrencë zgjedhore, qoftë kryetarin e partisë apo të komunës! Kjo flet për një degradim, deri në degjenerim, të LDK-së, sepse është varrosur – vota e fshehtë demokratike -, njësoj si në epokën zezë të Rankoviçit.

Tashmë, është faktuar edhe pretendimi publik i Vjosë Osmanit se “Logon LDK mbani ju, por, unë përfaqësoj elektoratin rugovian!” Dhe, ashtu ndodhi. Shifra e tejkaluar 250 mijë vota, për Vjosën, në mbrojtjen e parimeve të Rugovizmit, lëndëzimin e slloganit të LDK-së – BESO -, më 6 tetor 2019 dhe të slloganit të Lista Vjosa, – GUXO -, më 14 shkurt 2021, është domëthënëse dhe vetëfolëse.

LDK-ja fisnike, sërishmi do të bëhet kryezonjë

“Kuvendi i 9-të Zgjedhor i LDK-së nuk ka përfunduar”, është titulli i një shkrimit tim, pak muaj më parë. Si ndjekës besnik i rrjedhave politike, vendore e botërore, në veçanti, në shtëpinë time, LDK-e, qëndron konkluzioni im i hershëm, se Kuvendi i fundit Zgjedhor i LDK-së, nuk ka përfunduar! Vazhdimi i Kuvendit të shkuar, është i pamundur me të njëtit delegatë. Sepse, ata, qëllimshëm e nxitimthi, ngutshëm e përmutshëm, lejuan dhe aprovuan, me aklamacion dhe duartrokitje turpëruese, shkelën parimet elementare të demokracisë.

Megjithatë, anatemat dhe përjashtimet, në një garë zgjedhore brenda-partiake, nuk janë të shëndetshme për LDK-në. Nuk janë as zgjidhja e duhur, për rimëkëmbjen e partisë. Ndarja në breza, është më e keqja, për partinë e parë pluraliste në Ballkanin tonë e më gjerë. LDK-ja, si parti akademike, me kuadro të bollshme, i ka të gjitha mundësitë, për ta amortizuar humbjen, tashmë, të pësuar. Vetëm me reflektimin e thellë, mund të riparohen edhe fajet e përsëritura.

Plagët nuk shërohen vetëm me balsam zbutës. Ndonjëherë duhet përdorur edhe bisturia. Por, vetëm me qëllimin e mirë, që ringritja e LDK-së të bëhet pa lëndime shtesë. Masat parësore që duhet ndërmarrë, nga idealistët rugovistë:

a) Hapi i parë, ndryshimi i statutit hileqar, i bërë për qëllime individuale e klanore dhe kthimi i Statutit rugovian, është domosdo;
b) Hapi i dytë, organizimi i Kuvendit të Jahtëzakonshëm Zgjedhor të LDK-së, nga një Këshill Organizativ, bazuar, kryesisht e tërësisht, në frymën e dlirë rugoviane;

c) Hapi i tretë, fushatën zgjedhore duhet ta përshkojë: Debati i shpenguar; konkurrenca e ndershme, me më shumë se një kandidat në garë; dhe, absolutisht, vota e fshehtë demokratike, për të gjitha strukturat e partisë, është garanci e suksesit.
d) Hapi i katërt, por, i pari, në kohë, LDK-ja dhe LVV duhet të bëjnë koalicion qeverisës. Qëllimi nuk është, thjeshtë, përfitim reciprok, por, interes kombëtar.

Energjia e LVV dhe guximi i Listës Vjosa, të mbështetur nga mençuria dhe urtësia klasike e LDK-së, padyshim, do ta nismonin, së mbari, çkapjen e shtetit nga kthetrat e PAN-it zullumqarë fizikë dhe xhepistë! Jane dy subjektet të vetme parlamentare, të cilat nuk janë të inkriminuara, me krim vrastar dhe hajni zyrtare. Prishjen e koalicionit LVV-LDK dhe rrëzimin e Qeverisë Kurti i organizoi Hashim Thaçi, me SHIK-un e tij. Edhe qeverinë Hoti e kompletoi Hashimi. Të tri rastet, i ka denoncuar dhe konfirmuar SHBA dhe BE!

Paniku demobilizon, frustron veprimtarët, aktivistët e LDK-së. Andaj, lypset angazhim i sinqertë dhe thellësisht parimor, gjithësesi, edhe intusiazëm të natyrshëm.