Formimi i institucioneve të reja, test demokratik i Albin Kurtit!

0
296
Albin Kurti

Shkruan: Florim Zeqa, 22.02.2021

Askush nuk e ka të drejtën të abuzoj me postin e presidentit në emër të votës së lirë, për shkak se qytetarët e vendit më 14 shkurt votuan për 120 deputetët e legjislaturës së re të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe e jo për kryeministër dhe president. Përderisa kryeparlamentari i takon partisë së parë, zgjedhja e presidentit të ri duhet të jetë produkt i marrëveshjes mes forcave politike dhe jo i mazhorancës në kuvend.

Pas zgjedhjeve të vitit 2001, të cilat e nxoren fituese LDK-në e Ibrahim Rugovës me 48 % kundrejt PDK-së së Hashim Thaçit me 26 %, zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 e nxoren fituese LVV-në e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit me një diferencë akoma më të lartë ndaj PDK-së së hutuar mes ruajtjes së vazhdimësisë dhe reformimit!

Edhe kundër fitores bindëse dhe legjitimitetit të lartë qytetar në vitin 2001, lideri historik i Kosovës në mes të mundësisë së lidhjes së koalicionit me minoritetin serb apo partitë politike shqiptare, e zgjodhi këtë të fundit!

Lideri historik për formimin e institucioneve shtetëore, përkatësisht qeverisë së re e zgjodhi dialogun dhe kompromisin politik me forcat politike shqiptare, duke i dhënë postin e kryeministrit pikërisht partisë rivale dhe ndarjen e posteve ministrore.

Kështu pra, pas qeverisë së vitit 2001, qeveria e zgjedhur pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 do ta ketë legjitimitetin më të lartë qytetar dhe përgjegjësinë më të madhe politike, do të thoja historike në këto dy dekadat e fundit.

Edhe përkundër rezultatit të lartë në zgjedhje, megjithatë sigurimi i 2/3-ve në kuvend për zgjedhjen e presidentit dhe për miratimin e ligjeve bazike dhe miratimin e marrëveshjes eventuale me Serbinë do të jetë sfidë e mundimshme për ‘Qeverinë Kurti 2’!

Kësisoji, Albin Kurtit për arritjen e 2/3-ve në kuvend, patjetër i duhet bashkëpunimi me forcat politike shqiptare.

Madhështia e një lideri me legjitimitet qytetar dhe kredibilitet të lartë popullor matet me ndarjen e tri posteve të larta shtetërore, përkatësisht postit të presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

Edhe pse vakumi kushtetues dhe demokracia parlamentare nuk e parashehë dhe as nuk e kundërshton marrjen e tri posteve të larta shtetërore nga partia fituese, për shkak të rrethanave politike dhe pozocionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndarja e dy posteve të larta shtetëtore (presidentit dhe kryministrit) duhet të jetë ekuivalente mes pushtetit dhe opozitës.

Çdo dendencë e uzurpimit të tri posteve të sipërpermendura shtetërore nga partia fituese, do t’i lëndonte proceset demokratike dhe do ta dëmtonte stabilitetin politik të vendit tonë.

Andaj, dhënja e postit të presidentit njërës prej partive shqiptare në opozitë, përveqse do të prodhonte stabilitet politik, do të evitonte bllokadën e zgjedhjes së presidentit të ri dhe do të garantonte jetëgjatësi të ‘Qeverisë Kurti 2’ deri në fund të mandatit politik.

Votimet në zgjedhjet e 14 shkurtit u ngjajnë vërshimeve si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme të shiut, që shkaktojnë rritjen e përrockave dhe përrojeve. Pas ndaljes së reshjeve të shiut përrockat e përrojet zbresin vrullshëm në drejtim të lumenjëve, të cilët e vazhdojnë rrjedhen e zakonshme në shtratin e tyre.

Mënyra inatçore e votimit në zgjedhjet e 14 shkurtit, më tepër se votë për ndryshim, ishte votë për hakmarrje dhe ndëshkim të qeverisjeve të deritanishme, e në veçanti ishte votë për ndëshkimin e lidershipit të LDK-së për udhëheqjen totalitare të partisë!

Vota e motivuar nga urrejtja personale dhe hakmarrja politike nuk garanton qëndrueshmëri politike dhe qeverisje të mirë.

Vetëm pas konstituimit të legjislaturës se re, mbetët të shihet, se a do ta kalojë testin demokratik Albin Kurti apo do të bie pre e premtimeve personale të dhëna Vjosa Osmanit gjatë fushatës!?

Pas kalimit të “dardanëve” në LVV, aq shumë ka degraduar skena politike, saqë më nuk po dihet kush është i djathtë e kush i majtë, kush është komunist e kush demokrat, kush është ëngjëll e kush djallë!

Jo vetëm sa për ta thënë si refren, por vendit i duhet një fillim i ri, i duhet një forcë e re politike që i bashkon me bindje dhe dashuri njerëzit e ndershëm dhe athetarë, që fenë e ndanë përfundimisht nga politika siq është në të gjitha shtetet e zhvilluara, të civilizuara dhe demokratike.

“Gjuha nuk ka eshtra, por then eshtra” e thotë një urti popullore! Pasojat e thyerjeve të 14 shkurtit i shëron vetëm një forcë e re politike me gjuhë të ëmbël dhe dashuri vëllazërore, me tolerancë dhe bashkëpunim të sinqertë me qytetarët.