Miftar Sejdiu, mbrojtës besnik i të drejtave kombëtare

0
482
Miftar Sejdiu

Shkruan: Florim Zeqa, 20.02.2021

Personalitete

Në 92 vjetorin e lindjes së veprimtarit

Sa është e lehtë, po aq është e vështirë të shkruhet për njerëzit e mëdhenjë siç ishte Miftar Sejdiu. Na ishte personalitet i rrallë, i dashur dhe i respektuar nga familja, fqinjët, miqtë dhe farefisi i gjerë.

Padyshim njëri nga intelektualët dhe veprimtarët më të devotshëm të komunës së Klinës ndër vite ishte edhe Miftar (Metë) Sejdiu, i lindur me 20.02.1929 në fshatin Grabanicë të Klinës. Rrjedh prej një familje të madhe me tradita atdhetare, fisnike dhe bujare.

Ishte njëri prej veprimtarëve të kohëve më të vështira, i cili asnjëherë nuk u gjunjëzua përballë sfidave të kohës në të cilën jetoi dhe veproi.

Miftar Sejdiu na ishtë njëri prej veprimtarëve të periudhave më të vështira historike që nga vitet e para të pasluftës së dytë botërore e deri në vitin 2006, kur dhe iku në përjetësi, duke qëndruar gjithmonë vertikalisht i pathyer në sfidat e kohës.

Ishte një personalitet aktiv në politikbërjen e komunës së Klinës përgjatë sistemit të kaluar politik, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave kombëtare, rujajtjes së kulturës, traditës dhe vlerave të pastra të popullit shqiptar.

Edhe përgjatë viteve të ’90-ta, të lëvizjes paqësore demokratike, me autoritetin e tij ka dhënë kontribut të çmuar në unifikimin e faktorit politik shqiptar në Bashkësinë Lokale të Grabanicës dhe më gjerë.

Fjala e tij ishte me vlerë dhe me peshë të madhe në proceset e vendimarrjeve të mëdha, si në fshatin e tij të lindjes ashtu në Bashkësinë Lokale dhe Komunë.

Miftar Sejdiu aktivitetin e tij politik e filloi nga mosha rinore dhe e kulmoi atë me plot sukses në të mirën qytetare dhe të prosperimit të kombit përgjithësisht. Pra, gjithnjë ishte në shërbim të vendit dhe qytetarëve, duke u shkrirë si qiriri për të mirën e popullit, duke dhënë gjithçka nga vetja për komb dhe atdhe.

Edhe pse atëherë ishte kohë e privilegjeve partiake, Miftari asnjëherë nuk ka vrapuar pas tyre, nuk iu ka shërbyer interesave personale dhe as grupore, por gjithnjë ka sakrifikuar për interesat e klasës punëtore dhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi.

Miftar Sejdiu për disa mandate rresht me devotshmëri ka shërbyer si Delegat i Kuvendit Komunal të Klinës, si dhe një mandat ishte Deputet i Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Prishtinë (KSAK), si dhe pjesëmarrës i shumë organizimeve dhe aktiviteteve shoqëroro-politike të kohës.

Asnjëra nga periudhat nëpër të cilat veproi Miftari nuk ishin të lehta për të qenë në ballë të aktiviteteve, madje disa prej tyre ishin tepër sfiduese.
Mirëpo, padyshim periudha më e vështirë ka qenë ajo e pjesës së dytë të viteve të ’80-ta, kur nacionalshovenizmi serb iu kishte vërsulur qënjes sonë kombëtare, për të shtypur dhe zhbërë çdo gjë shqiptare.

Në këtë kohë, regjimi i Sllobodan Millosheviqit përmes propagandës antishqiptare e kishte instrumentalizuar pakicën serbe në Kosovë. Në këtë periudhë, pakicat serbe kishin filluar të prishin fqinjësinë që e kishin me shqiptarët, duke u kthyer me provokime dhe mospërfillje të vullnetit të shumicës shqiptare në Kosovë.

Filluan me iniciativat për ndryshimin e emrit të shkollave dhe institucioneve, rrugëve e shesheve kudo nëpër Kosovë, të cilat kishin emërtime nga figurat më të çmuara shqiptare.

Kështu, cak i parë i nacionalshovenistëve serb të komunës së Klinës ishte përpjekja e ndërrimit të emrit të shkollës fillore “Azem Bejta” në Grabanicë.

Njëri në mesin e të parëve, në mbrojtje të emrit të shkollës, ishte edhe Miftar Sejdiu bashkë me shtyllat e rezistencës në Bashkësinë Lokale të Grabanicës, si: Selman Etemi, Zenun Zeqa, Riza Fazliu, Musli Sahiti, Bajram Buqani e shumë të tjerë, vargu i të cilëve është i gjatë dhe i pambarim.

Edhe përkundër presionit dhe shantazheve të papara të strukturave komunale dhe më gjerë të LKJ-së për ndërrimin e emrit të shkollës, falë qëndresës heroike edhe të Miftarit dhe rezistencës vetëflijuese të bashkëveprimtarëve të tij, shovenistët serb dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë nuk ia arritën qëllimit të keq për heqjen e emrit të kësaj shkolle, e cila edhe sot e mbanë me krenari emrin e heroit kombëtar Azem Bejta.

Kështu pra, falë rezistencës së organizuar dhe qëndresës heroike të banorëve të Bashkësisë Lokale të Grabanicës, shkolla fillore “Azem Bejta” në Grabanicë ishte bërë sinonim i rezistencës edhe për mbrojtjen e emrit të QAMO-s “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe shumë shkollave të tjera në mbarë Kosovën.

Rezistenca e Bashkësisë Lokale të Grabanicës e viteve ’87-’90-ta për mbrojtjen e emrit të shkollës kërkon një trajtim të veçantë dhe gjithëpërfshirës, por ky ishte vetëm një shkas për të vënë në pah meritat e mëdha që kishte Miftar Sejdiu në mbrojtje të interesave kombëtare, e në veçanti të emrit të shkollë fillore “Azem Bejta” në Grabanicë.

Miftar Sejdiu ishte një personalitet i respektuar jo vetëm në fshatin e tij të lindjes, Bashkësi Lokale e Komunë, por edhe më gjerë.
Të tillë e bëri sinqeriteti, drejtësia, besnikëria, guximi intelektual dhe vendosmëria në arritjen e qëllimeve pavarësisht konseguencave personale.

Kur jemi në këtë segment, me lexuesit dëshirojë të ndajë një thënje të Miftar Sejdiut në fillim të viteve të ’90-ta, po citoj: “Po u nise një rruge mos u kthe pas, qoftë edhe gabim, se fundi do t’i del i mirë”.

Ndjehem me fat që Miftar Sejdiun e kam pasur dajë, e për më tepër se dajë e kam pasur shok të mirë e të çmuar të jetës, nga i cili mësova shumë rreth artit
më të vështirë në botë, atij të politikës, të cilin daja e kishte përsosur me dekada.

Për elaborimin e bisedave të shumta që kam pasur me dajën Miftar rreth zhvillimeve politike në vend, rajon dhe më gjerë, nuk do të mjaftonte një libër voluminoz, por në këtë rast po e shkëpus vetëm një detaj të një bisede në mars të vitit 1993 rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës, po citoj: “E vetmja mundësi për të dalë fitimtar në përballje me Serbinë, është ndërlidhja e interesave amerikane në Ballkan me interesat tona, që i bie se, nëse arrijmë të shfrytëzojmë gërshëtimin e atyre interesave do t’ia arrijmë më lehtë dhe më pakë viktima ta çlirojmë vendin, në të kundërten, na pret punë e vështirë…“, përfundon citati.

Vërtetë, edhe tani pas 27 viteve nga ajo kohë, 21 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet shtet i pavarur, nuk kam arritë të gjejë definicion më të qartë për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Edhe pas gjithë atyre viteve, Kosova përsëri vazhdon të jetë peng i interesave të fuqive të mëdha mbi rajonin e trazuar të Ballkanit.
Sikurse dje, sot dhe përgjithmonë, ne pasardhësit e Miftar Sejdiut jetojmë me krenarinë për autoritetin dhe veprat e tija madhore.

Ndjehem krenar që jetova në kohën e tij, i paisur e brumosur me mësimet e tija, dhe mbetem i përkushtuar ta çojë në vend amanetin e tij.

Miftar Sejdiu ishte dhe mbeti promotor i drejtësisë qytetare dhe mbrojtjes besnik i të drejtave kombëtare në nivelin lokal të qeverisjes së vendit.
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës madhore të Miftar Sejdiut!

P.S. Ky shkrim është nxjerrë nga libri im i fundit, VITET E KRENARISË KOMBËTARE, botuar vitin e kaluar, ndërsa fotografitë janë marrë nga familja dhe nga arkivi i tezes time të ndjerë Fatime (Sadrijaj) Sejdiu.