SFORCIMI BIZAR I NJË FUSHATE

0
263
Politikanët në Kosovë

IDRIZ ZEQIRAJ

Vërtet, zyrtarisht, fushata ishte e kufizuar në 10 ditë, për arsye Pandemie, por, realisht, PDK dhe AAK, e kanë nismuar qysh në ditën e shpalljes të paligjshme të qeverisë Hoti! Thaçi më parë, e Veseli më vonë, mësuan se do të jenë target i Gjykatës Speciale. Dhe, patën kohë t`i linin ca “amanete”, për vartësit e tyre.

Zgjedhjet e 6 tetorit 2019, refuzuan sundimin e mëtejmë të PAN-it, nën akuzat e rënda: krimin e organizuar vrastar; korrupsionin, më troç, hajninë zyrtare dhe kapjen e shtetit në tërësi.

Në zgjedhjet e tetorit 2019, LDK-ja erdhi me imazh të përmirësuar, falë angazhimit të Vjosë Osmanit me brezin e Republikës, brezin e ndryshimit. Së bashku me LVV, ajo me shokë bënë një opozitë dinjitoze, përballë bandës-PAN. Koalicioni i dy subjekteve, deri atëherë opozitare, ngjalli shpresë e besim. Por, ndërhyrja e Hashim Thaçit, me SHIK-un e tij, realizoi tre objektiva, në koordinim me Isa Mustafën, që rezultuan fatale për LDK-në, Kosovën, buxhetin e abuzuar të saj, për mbajtjen e zgjedhjeve të sërishme:

1. Prishjen e koalicionit LVV-LDK;
2. Rrëzimin e qeverisë Kurti;
3. Koalicionin fatal me partitë banda të PAN-it, ku Hashimi “u zu me pelë për dore”, duke e këmbyer një votë deputeti në mesnatë, për qeverinë Hoti, me emrimin e një konsulli qumështor! Pse duhej ta bënte këtë Hashim presidenti?!! Mos vallë, ia donte kaq shumë të mirën LDK-së, për ta sjellë, pameritueshëm në pushtet?!

Fushata mashtruese dhe rrenacake e Hoxhaj

E gjithë fushata ishte e sforcuar dhe bizare. PDK-ja, me bartësin e listës, Enver Hoxhaj, një demagog i neveritshëm, shpifi, pa doganë fare, për kundërshtarët politikë, LDK-në dhe LVV. Ai, me shokë, i bindur, paraprakisht, për humbjen e pritshme, mashtroi shqiptarët me premtime boshe, duke i joshur trutharët masivë, me ngritje imagjinare të pagave, pa fije mbulese financiare, për ta shtuar elektoratin. Dhe, me gënjeshtrat e tij, megjithatë, arriti mjaft.

Shifrat paushalle e hiç reale, për ngritje pagash, për disa kategori, në veçanti, për “veteranët”, ende pa i spastruar listat nga 33.600 “veteranë” të rrejshëm, është një krim shtesë. Me përrallisje të tilla, në vend të verifikimit të listave dhe trajtimit dinjitoz të veteranëve të vërtetë, po synohet ligjësimi i statutit të rrejshëm, për dhjetra-mijëra “luftëtarë” fiktivë. Të trimëruar nga “pafajësia” e “komandantëve” abuzues e kontrabandues të “Dëshmisë të Veteranit”, PDK tenton të rehabilitojë e ligjësojë krimin dhe kriminelët!

Mbi këtë bazë, PDK ndërtoi të gjithë fushatën me NISMA e Limajt, se kujt i takon lufta dhe “çlirimtarët”?! Një lajthitje e “vogël”, në vend që të thuhet luftëtarët, pasi çlirimin faktik të Kosovës, e bëri NATO-pakti. PAN-i vazhdon të provojë ta demantojë ish-presidentin Fatmir Sejdiun, i cili është i bindur se “ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe veprimtarët e LDK-së, nuk i kanë vrarë jashtëtokësorët”, duke nënkuptuar LPK-në, alias PAN-in me SHIK-un e tij si vrasës faktik.

Fushatë ekstremisht e papërgjegjshme e Ramushit

Me tam-tamet bajate fushatore, nuk i la gjë mangut as AAK. Me vetëshpalljen president të Ramushit, zgjoi ilaritet, të qeshura kolektive tek shqiptarët! Glauk Konjufca thotë se “është budallallëk për Ramushin, më heq dorë nga kërkesa e postit të presidentit!” Ai ka parasysh edhe ndihmën e Isa Mustafës, si mjeshtër të zgjedhjes banditeske të presidentit, andaj Ramushi mund ta bëjë ëndrrën realitet!

Përveç lavdërimeve dhe përvehtësimeve të disa të arriturave, që realisht, u takojnë edhe qeverive të LDK-së dhe PDK, me aleatët e vegjël, ai, si gjithëherë, bëri “yrysh” në premtimet, duke kulmuar me kthimin e Çakorrit dhe të Kullës! Ramushi sikur “harroi” se pjesë e dhurimit të territorit tokësor Malit të Zi, ishte edhe ai, në këmbim të postit të kryeministrit! Si shumë lirë u shit “gjenerali!”

Protestat e dhunshme të mars-prillit 2004, të organizuara nga Serbia dhe të zbatuara nga të ashtuquajtura “Shoqata të dala nga lufta”, kryesisht, nga OVL të UÇK-së, zhvatëse falsifikuese të buxhetit të lodhur të Kosovës, nën maskën e “Dëshmisë të Veteranit”, me shumë mijëra “veteranë” të rrejshëm. Rrjedhojat ishin fatale: sollën decentalizimin, me fshat e komunë serbe e deri tek “Zajednica”. Shqiptarët u turpëruan, u vranë dhe Kosova u detyrua të ndërtojë shtëpitë dhe kishat e djegura. Vandalët u dënuan simbolikisht, por, u liruan me konspiracionet e UNMIK-u me Serbinë!

Edhe bashkimi apo unioni Kosovë-Shqipëri, në ndërkohë që Kosova ende nuk është konsoliduar si shtet, mirëpritet nga Serbia. Kësaj të fundit i jipet argumenti dhe rasti, për të ngulmuar në kërkesat e saj, për ndarjen e Kosovës. E dhimbshme, me broçkullat e bashkimit, ftohen Serbia dhe ndërkombëtarët, për të bërë pazare të pista, ndarjen e Kosovës, ashtu siç bënë me demarkimin e kufirit ma Malin e Zi, duke dhuruar territore shqiptare fqinjit malazez. Nëse Hashimi paguante lobimin, për ndarjen e Kosovës, Ramushi e bëri pa pagesë, në tubimet përgjatë fushatës.

Kërcënimet me kushtëzimet për anëtarësim në NATO dhe liberalizimin e vizave, janë bllofe injorante, janë “një fenë në ujë”, njësoj sikur të provosh “ta frikësosh arushën me shoshë!” Thonë se “sharti i parë i myslimanizmit është me ia dijtë hallin vetës”. Dhe, kaçiku shqiptar, tashmë, është provuar në luftën e fundit: 13 mijë viktima, 430 masakra, 1.600 të zhdukur, 1 milion të dëbuar dhe ikanakë shqiptarë të Kosovës.

Edhe Edvin Rama e Hashim Thaçi, me shprehje rrugaçërore, shanin Evropën për izolimin e shqiptarëve! Por, harronin horrat, se i pari, pas tri dekadash pluralizëm, ktheu sundimin monist në Shqipëri. Ndërsa i dyti, i heshti, për dy dekada, krimet monstrume, ndaj kundërshtarëve politikë; shkatërroi sistemin e drejtësisë; ligjësoi hajninë zyrtare, duke rrënuar ekonominë e Kosovës, deri në ikjen masive të shqiptarëve, nga varfëria kundërmuese.

– Hajnat në burg -, siç kërkon populli i Kosovës, dhe, sekuestrimi, shtetëzimi i pasurive të grabitura, të vjedhura, pronë e dikurshme e brezave shqiptarë, liberalizimi i vizave, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës, realizohet natyrshëm. Dhe, kjo duhet të hetohet, të faktohet dhe, vërtet, hajnat të ndëshkohen me burg, pavarësisht pozitave të djeshme apo të sotme. Një mik të Titos, Hero Kombëtar, Perandor i Etiopisë, Haile Selasie, drejtësia e vari në shtatoren e tij, në sheshin qendror të vendit, për korrupsion, thënë shqip, hajni zyrzare, të pasurisë së popullit të tij.

Fushatë e sikletshme e Limajt

Nisma Socialsemokrate, e tradhtuar nga partia mëmë – PDK-e, për ta futur në gjirin e saj, me dëshirën për t`u mos u merakosur, për kalimin e pragut zgjedhor, ishte e tronditur dhe fort e çakorduar. Limaj bëri një fushatë të tensionuar, pothuajse, bizare, me ngritje zëri artificiale, vend e pa vend, deri në çjerrje, me slloganin, tashmë, të bajatosur, “me çlirimtarët” e tij! Limaj me shokë “harroi”, se në mesin e çlirimtarëve u infiltruan edhe vrastarët dhe i bënë gjëmën Kosovës, duke i shtuar mijëra jetimër vendit, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë!

Ekziston dyshimi i bazuar se nën maskën e “çlirimtarëve, u bënë krime të rënda, deri në vrasje serike. Mbi disa syrësh, rëndojnë akuza, se gjatë dhe pasluftës vranë, në ditën me diell dhe natën, me hënë e pa hënë, kundërshtarët politikë, të cilët e kishin bërë paqen dhe luftën faktike. NISMA nuk zgjoi ndjesinë e pritur, sepse Kosova e përgjakur nga pushtuesi dhe “komandantët çlirimtarë”, nuk janë amnistuar nga populli dhe pafajësitë e kriminelëve, i konsiderojnë të blera, nga drejtësia korruptive vendore e ndërkombëtare.

Fushatë e dinjitetshme, por, e molisur e Hotit

Një fushatë ndryshe bënë LDK dhe LVV. Këto dy subjekte, pa ngarkesë kriminale, në raport me PAN-in, bënë fushatë pa sforcime, të qetë dhe dinjitoze. Premtimet ishin brenda normales realizuese. LDK-ja e tepëroi me përsëritjen se “ktheu në binare politikën e jashtme!” Ndërkohë që, pikërisht, disa eksponentë arrivistë e karrieristë të LDK-së, kishin punuar shumë, për t`i bërryluar zyrtarët në pozitë, duke realizuar anashkalimin e tyre brutal, më ndërhyrje hiç diplomatike.

Megjithatë, LDK-ja ka për traditë urtësinë rugoviane. Ajo arriti të riparojë disa nga batakçillëqet e “bajraktarëve” të saj. Por, zhgënjen, kur nuk heq dorë nga të qenit patericë e PAN-it, aleat i tij, edhe pse ai është përgjakës i LDK-së, i Kosovës, i shqiptarëve të pafajshëm. Pikërisht për këtë, votuesit, elektorati i LDK-së ndjehen të tradhtuar nga lidershipi i tyre dhe përdorin atë shprehjen pezhorative të popullit: “Mos u bëj argat i m…”, po e zbusim pakëz, “i djallit!”

Fushatë e veçantë dhe energjike Albini-Vjosa

LVV solli risi në fushatën e saj. Zgjodhi këtë mënyrë, për të shmangur, në një masë, infektimin pandemik. Shetitjet simpatike, të prira nga Albin Kurti, Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla, Glauk Konjufca me aktivistë dhe të tjerë, në rrugët qendrore të qyteteve, ishin mbresëlënëse. Ato dëshmuan përkrahjen masive të popullatës, në kërkim të shpëtimit nga krimi, hajnia zyrtare, kapja e shtetit. Thirrja – duam ndryshimin -, u bë refren i dashur, deri në admirim, adhurim, jo vetëm për marshuesit rrugorë, por, edhe për shumicën absolute të shqiptarëve, madje, të kudondodhur.

LVV, edhe pse e akuzuar për mangësi të programit planor, për qeverisjen e saj të pritshme, megjithatë, shpalosi konturët e prioriteteve, funksionimin e sistemit të drejtësisë; punësimin, të lëndëzuar me përkrahjen e bizneseve vendore. “Ne e sigurojmë veturën, por, jo njeriun”,- shprehë paradoksin, në sintezë, Kurti, për sistemin tonë qeverisës.

Premtimet sociale, për zbutjen e varfërisë skajore, janë parësi akute. Për ta favorizuar natalitetin, lindjet, demografinë, shtimin e popullatës, duhet zbatuar dhënien e shtesave të fëmijëve, me një kuotë të përballueshme nga buxheti i Kosovës.

Mercenarizmi bizar i medieve elektronike pamore

Fushatës bizare i shërbeu, madje, besnikërisht, edhe bizariteti i disa mediave elektronike pamore të Kosovës. Gazetarë, opionistë, analistë, më saktë, banalistë, bënë një fushatë të orkestruar, të paguar majmë, me një anëshmëri proverbiale. Ata thyen të gjitha rregullat morale dhe etike, në saje të pazareve të pista me padronët e tyre. Në vend që t`i prijnë ndryshimit, të resë, ata, ditën dhe natën, non-stop, 24 orë, ngulmuan për mbrojtjen, ruajtjen e statusquosë, të vjetrës, të krimit dhe korrupsionit! Përgjithësisht, ishin kundër ndryshimit, në mbrojtje të statusquosë!

LVV dhe Lista – GUXO – e Vjosë Osmanit, ishte caku i shënjestrimit të analistëve dhe opionistëve, me përjashtime të pakëta, siç bëri Luljeta Aliu, e cila denoncoi, guximshëm, maskaradën mediatike, propagandistike, në favor të zyrtarëve mujëshorë, kriminelë e makro-hajna. Kosova ka pasur një traditë të shkëlqyer, në fushën e gazetarisë dhe të krijimtarisë. Ata, të vetëdijshëm për rrezikun e goditjes, edhe në kushte pushtimi, kanë ngritur zërin e mospajtimit, të protestës.

Kujtoni krijuesin gjilanas, Sabit Rrustemi, guximin e tij për të botuar poezi e prozë të anatemuar, i vetëdijshëm për rrjedhojat, goditjet, burgun. Përmenda vetëm njërin syrësh, për të mos e ngarkuar mëtej shkrimin, por, ata janë të shumtë. Dhe, forca e tyre ishte guximi intelektual, ideali i lirisë.

Dhe, sot, shitja e përshitja e kalemxhinjëve dhe fjalamanëve në debate, është bërë modë. Jo me kot thotë populli:
Marrja nuk ka mbytur askënd!