NJË KAPITULL I RI PËR ALEANCËN TRANSATLANTIKE NATO

0
354
Biden - Stotenberg

(NATO Archive photo)

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Ditën e betimit të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden dhe Zëvëndës presidentes Kamala Harris, më 20 Janar, 2021, Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës Transatlantike, NATO, Z. Jens Stoltenberg, në emër të Aleancës që ai drejton, uroi udhëheqsit e ri të Amerikës, duke u shprehur se, “Kjo ditë shënon një kapitull të ri për Aleancën transatlantike.

“Lidhja midis Amerikës së Veriut dhe Evropës është gurthemeli i sigurisë sonë dhe një NATO e fortë është mirë si për Amerikën e Veriut ashtu edhe për Evropën. Për më shumë se 70-vjet, Aleanca jonë transatlantike ka garantuar lirinë, paqën dhe sigurinë për popujt tanë.

Udhëheqja e SHBA” në NATO i ka shkruar Sekretari i Përgjithëshëm, Z. Jens Stoltenberg, Presidentit Joe Biden, “Mbetet thelbësore, ndërsa punojmë së bashku për të mbrojtur demokracitë tona, vlerat tona të përbashkëta dhe rendin ndërkombëtar, të bazuar në rregulla dhe ligje.” Në letrën e tij, drejtuar Shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, me rastin e inaugurimit të tij president i Amerikës, udhëheqsi i NATO-s përmendi disa prej sfidave me të cilat përballen, së bashku, aleatët e kësaj organizate ushtarake, sfida siç janë kërcënimi që paraqet Kina ndaj sigurisë botërore, terrorizmi, gjendja në Rusi, në Afganistan dhe në Irak.

“Askush prej nesh nuk mund të përballet me këto sfida vetëm, por së bashku në NATO, ne përfaqësojmë një miliard njerëz dhe gjysmën e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të botës. Kështuqë, unë pres që të bashkpunoj ngusht me Presidentin Biden dhe ta mirëpres atë në Samitin e NATO-s në Bruksel më vonë këtë vit”, përqëndrimi i të cilit do të jetë nisma “NATO-2030”, me qëllim për ta bërë Aleancën tonë edhe më të fortë dhe më të aftë për tu përballur me problemet në të ardhmen, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg në urimin e tij drejtuar Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Z. Joe Biden.

Siç duket, në një përpjekje për të siguruar pa vonesë aleatët e NATO-s për mbështetjen serioze të administratës së re amerikane ndaj Aleancës ushtarake transatlantike, edhe Sekretari i ri i Mbrojtjes në kabinetin e Presidentit Biden, Z. Lloyd J. Austin III, nuk humbi asnjë minutë, por me të arrijtur në Pentagon, ditën që emërimi i tij u miratua nga Senati, telefonata e tij e parë drejtuar një udhheqësi botëror ishte biseda me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg, për të rithekësuar rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë Aleancës NATO.

Sipas një njoftimi nga Zyra e shtypit e Pentagonit, të dy udhëheqësit e lartë ushtarakë biseduan për rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, mbi gjëndjen aktuale të sigurisë në botë, mbi përpjekjet për të pasur një NATO të fortë në të ardhmen dhe mbi misionet e vazhdueshme të Aleancës në Irak dhe në Afganistan.

Më vonë, udhdheqësi i Pentagonit, Z. Lloyd J. Austin III zhvilloi gjithashtu një bisedë telefonike edhe me Ministrin britanik të Mbrojtjes, Z. Ben Waallace. Sipas Pentagonit, dy zyrtarët e lartë të mbrojtjes amerikane dhe britanike, “rithekësuan rëndësinë e marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve tona” dhe shkëmbyen mendime mbi përballimin me çeshtjet strategjike të interesit të përbashkët, përfshir kërcënimet nga Kina dhe Rusia.

Dy ditë para inaugurimit të Presidentit Joe Biden në Washington, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Jen Stoltenberg — në një takim virtual në Paris ka folur për të ardhmen e NATO-s dhe për marrëdhëniet midis NATO-s dhe Amerikës – ndërsa është shprehur se, “NATO është e vetmja organizatë ku Evropa dhe Amerika Veriore bashkohen çdo ditë”, duke shtuar se kjo aleancë, “përbën një platformë unike”, e cila përdoret për të biseduar mbi çështje që i përkasin sigurisë së përbashkët në përgjithësi, çeshtje me të cilat — sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Stoltenberg — “As Amerika, as Evropa nuk mund të përballen, vetëm”, me këto sfida pasi janë çeshtje që as njëra palë vetëm nuk mund t’i zgjidhin në mënyrë të kënaqëshme, pa bashkpunim dhe bashkrendim me njëra tjetrën. Sikur të dy palët donin të theksonin për botën rëndësinë e këtij bashkpunimi dhe hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis Washingtonit dhe NATO-s, njoftohet se sot Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s zhvilluan një bisedë telefonike. NATO – News: NATO Secretary General speaks with US President Biden, 26-Jan.-2021

A US F-15E Strike Eagle takes off – Ngritja e një avioni luftarak amerikan F-15E Strike Eagle.

Jam i bindur se Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg e di se Presidenti Joe Biden është një mbështetës i vjetër i Aleancës ushtarake NATO, si due i lidhjeve të ngushta të kësaj aleance me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve transatlantike në përgjithësi midis Shteteve të Bashkuara due Evropës.

Ekspertët besojnë se pas katër vjetë marrëdhëniesh të ftohta midis ish-administratës Trump dhe NATO-s, administrata e re në Washington e kryesuar nga Presidenti Biden pritet që të bashkpunojë ngusht me Sekretarin Stoltenberg dhe me NATO-n, në përgjithësi, për të forcuar mëtej lidhjet midis Amerikës veriore dhe Evropës. Gatishmëria nga të dy palët, për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, vihet re nga komunikimet tepër të ngrohta dhe të sinqerta të ditëve të para midis udhëheqësve më të lartë të administratës së re në Washington dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg.

Ndoshta është e tepërt të thuhet se marrdhëniet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s janë edhe në interesin e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s, por edhe në interesin e Kosovës që aspiron antarësimin eventual në NATO. Lidhjet e forta midis Washingtonit dhe NATO-s janë jetike edhe për interesat shqiptare në përgjithësi përfshir sigurinë due lirinë e tyre – kur të merret parasysh ndërhyrja e kësaj organizate ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara – për herë të parë në historinë e saj – në luftën kundër Serbisë për të çliruar Kosovën*.

*Ishte pikërisht 12 Prilli i vitit 1999, kur Këshilli i Aleancës së Atlantikut Verior, vendosi në një mbledhje të jashtëzakonshme në Bruksel mbi gjëndjen në Kosovë, objektivat e saja për çlirimin e Kosovës – objektiva të cilat disa ditë më vonë u miratuan nga udhëheqsit e shteteve dhe të qeverive në një mbledhje për këtë qëllim mbajtur në Washington – më 23 Prill, 1999.