Letër Albin Kurtit

0
440
Albin Kurti - The Guardian

Lis Bukuroca

Në sport kur mbaron loja, dihet rezultati. Në politikë dihet fituesi i përkohshëm, por jo ai përfundimtar. Në atletikë i pari është fitues, por në politikë i pari dëshmon nismën e garës së vërtetë, e cila duhet të zgjasë katër vite, nga njeriu mund të dalë fitues i madh, apo humbës i madh.

Mos besoni se Ju ishit tepër të mirë,- të mirë ishit, natyrisht, nuk ka asnjë dyshim,- por ju ndihmuan shumë edhe rrethanat: kryesisht Mustafa me poshtërimin e zonjës Osmani, që ua dërgoi atë tok me vota, por edhe mungesa e liderëve të PDK-së. Në fitore ka ndikuar edhe Grenelli, sepse shqiptari ofron edhe shtëpinë për të fjetur një udhëtar, shqiptari rrezikon edhe jetën për të shpëtuar mikun, si dje hebrenjtë, por shqiptari vështirë fal kur futen hundët aq thellë në shtëpinë e tij.

Këtë e bëri Grenelli, ndoshta me rekomandimin e politikanëve tanë. Shqiptari e pranoi me respekt dhe heshtje, por nuk u pajtua kurrë, sepse ndihej i poshtëruar dhe i prekur në sedër! Ky rezultat është përgjigje edhe Grenellit, Thaçit dhe Mustafës. Jo Dullës, sepse ai po luante një rol, Dulla po kërcente flamenkon e një të përdale fustangrisur, apo të pafustan në Andaluzi.

(Nëse kryesia e LDK-së e do më shumë partinë e Rugovës sesa Isa Mustafën, atëherë i kërkon ndjesë zonjës Vjosa Osmanit, i ofron postin e kryetares përkohësisht, e voton atë si kryetare të Kosovës dhe krijohet koalicioni me VV-në. Largimi i saj është si largimi i Cristina Ronaldos nga skuadra pse nuk nënshtrohet. Një trajner normal nuk e bën kurrë, sepse humb si Hoti!)

Fitores tuaj u kanë dhënë shtysë para, përveç zonjës Vjosa Osmani, edhe Vasfije Krasniqi, Jahja Kokaj, Donika Gërvalla, Liri Loshi e shumë të tjerë.

Çfarë duhet thënë sot? Fitorja ka qenë e vështirë, plot paragjykime, plot pengesa, por e madhe, historike, megjithatë menaxhimi i fitores kërkon shumë më shumë aftësi, sesa organizimi i fushatës, sepse premtimet janë elokuencë, kurse realizimi është punë, përkushtim dhe kërkon aftësi tjera. Shpesh është më lehtë të shihen gabimet e tjerëve, sesa t’i pamundësojmë te ne. (Komandantët ditën si çlirohet vendi, por nuk ditën si ndërtohet shteti.) Ju duhet të dini vetëm këtë: si ndërtohet shteti juridik!

Tani e tuje duhet bërë politikë, politikë konstruktive për Kosovën, jo për partinë.

Fitorja juaj po trishtonte, po tmerronte dhe shumë veta kishin humbur aftësinë dhe mundësinë racionale të gjykimit. Edhe kjo normale, edhe kjo njerëzore. Faljani! Dihet se hakmarrja dëmton kryesisht atë që kultivon atë ndjenjë.

Imperativi kategorik shqiptar, jo i Kantit: për çdo shqiptar është me rëndësi ruajtja dhe kultivimi i miqësive, që i krijoi Rugova dhe të cilat nuk i kishte pasur kurrë Kosova: me SHBA-të dhe Perëndimin në përgjithësi. Kjo aleancë nëse cenohet, ndihmohet Serbia dhe asnjë shqiptar nuk mund të ju falë.

Rugova ishte fati jonë, UÇK ishte fati jonë, veproni në atë mënyrë që edhe Ju të konsideroheni i tillë!

E dyta: raportet me Izraelin duhet të përforcohen, si dhe me BE-në. Kjo domethënë Kosova ndryshon qëndrimin për ambasadën, vetëm nëse e ndryshon SHBA. Pikë! Mos harroni kurrë se nuk jeni zgjedhur për të prishur aleanca, por vetëm të shtuar numrin e miqve, nëse jo për të shtuar, atëherë për të ruajtur të tanishmet.

Kosova është nën protektorat dhe këtë, mos e harroni kurrë!

Hapi i parë: Ministri i Arsimit u dërgon një letër drejtorëve të Kopshteve të Fëmijëve, të shkollave, dekanëve të Fakulteteve ku kërkohet përkushtim, angazhim dhe përmirësim të ndjeshëm gjendjes arsimore brenda gjashtë muajve. Aty ku nuk përmirësohen rezultatet, ndryshohen drejtori, dekani, por edhe arsimtarët e pakualifikuar!

Hapi i dytë: Ministri i Punëve të Brendshme i dërgon një letër shefave të policisë dhe u kërkon zbatimin e pakompromis të ligjit. Domethënë luftimin e krimit korrupsionit dhe veprave tjera penale në përgjithësi. Aty ku vërehen dobësi, përjashtohen.

Hapi i tretë: Letër gjykatësve dhe prokurorëve me kërkesa të qarta dhe rikujtim pse janë janë punësuar dhe pse i paguan populli muaj për muaj, vetingu etj.

Hapi i katërt: Ministri i Drejtësisë u drejton një Letër Publike veteranëve të rrejshëm dhe kërkon prej tyre denoncimin e vetvetes dhe heqjen dorë vullnetarisht nga vjedhja e shtetit muaj për muaj. Ata që e bëjnë, amnistohen, apo paguajnë një dëmshpërblim në bazë të mundësisë ekonomike që kanë. Ata që nuk e bëjnë dhe presin vendim gjykate, duhet të kthejnë lekët e marra padrejtësisht dhe dënohen me burg.

E pesta: në administratë ku shteti është punëdhënës, të mos pranohet askush në punë pa marrë vendimin një komisioni i përbërë prej pesë vetave, (kështu veprohet në Gjermani), që interviston kandidatin dhe e zgjedh më të mirin, jo më të njofshmin.

E gjashta: T’u rriten rrogat mjekëve dhe nëpunësve në administratë, arsim dhe fakultete. Lekët mund të merren nga veteranët e rrejshëm dhe gjithashtu u rriten 100% pensionet invalidëve të luftës, apo veteranëve të vërtetë në gjendje të vështirë ekonomike, ose u jepet bursë fëmijëve të tyre për studime.

E shata: aprovimi i një ligji i cili ndalon ushtrimin e detyrës për pesë vjet të atij që shpërdoron detyrën dhe korruptohet, si: mjeku, nëpunësi, arsimtari, profesori, polici, gjykatësi, prokurori, diplomati etj. etj.

Për ta ruajtur modestinë, njerëzinë dhe përkushtimin, atëherë lexojeni Ju lutem këtë rrëfenjë zen-budiuste dhe mos harroni pesë parimet gjatë gjithë kohës sa drejtoni qeverinë e Kosovës. Kjo do të ju ndihmojë të ruani integritetin, mirënjohjen, përulësinë dhe dinjitetin njerëzor:

Një zejtar në Kinën e lashtë u zgjodh nga perandori me ndërtimin e një dollapi për dhomën e fjetjes në pallatin perandorak (si Ju tani me ndërtimin e shtetit). Zejtari, një murg i zen-budizmit, i tregoi perandorit se megjithatë, ai nuk do të ishte në gjendje të punojë pesë ditët e ardhshme. Spiunët e perandorit e panë murgun të ulur gjatë gjithë kohës dhe me sa shihej, ai nuk bënte asgjë. Pastaj, kur pesë ditët kaluan, murgu u ngrit. Brenda tri ditëve, ai ndërtoi dollapin më të jashtëzakonshme që dikush kishte parë ndonjëherë. Kur e pa perandori, mbeti i mahnitur, por edhe shumë kureshtar, prandaj ai urdhëroi sjelljen e murgut në pallat.

“Çfarë bëre gjatë pesë ditëve, para se t’ia nisje punës?“, pyeti ai.
“Krejt ditë e parë e kam kaluar në largimin nga vetja të çdo ideje për dështim, frikë dhe për dënimin e mundshëm, që mund të më priste, nëse puna ime s’do t’ i pëlqente perandorit.

Krejt ditën e dytë e kalova në largimin e çdo ideje nga vetja për papërshtatshmërinë time dhe çfarëdo bindje tjetër, se mua mund të më mungonte aftësia për të krijuar një dollap të denjë për Perandorin.

Krejt ditën e tretë e kalova duke bindur veten për të hequr dorë nga çdo shpresë dhe dëshirë për famë, për lavdi dhe për shpërblim, nëse unë arrija të bëjë një dollap, që do t’i pëlqente perandorit.

Krejt ditën e katërt e kalova duke e anuluar, duke hequr dorë nga krenaria, që mund të rritej në mua, nëse unë, ia dilja në punën time dhe merrja lavde nga perandori.

Dhe krejt ditën e pestë e kalova duke e vështruar në brendi, në shpirt projektin e qartë të këtij dollapi, duke qenë i sigurt, se madje, edhe një perandor, do ta dëshironte, mu ashtu siç qëndron sot përpara jush.”

Mos i harroni ato pesë parime! Në atë rrëfenjë shohim vetëpërmbajtjen, përgatitjen e ngeshme të projektit, kontrollimin e emocioneve dhe dominimin e vetes, anulimin e frikës, zhdukjen e dyshimeve, largimin e ideve negative për zotësinë vetjake, zhdukjen e shpresave për shpërblim, pengimin e lindjes së krenarisë, mburrjes dhe të çdo pritshmërie, që do ta zhgënjente më vonë.

Ai nuk do të krekoset pse do të ndërtojë një dollap për mbretin, por dëshiron të mbetet modest deri në fund, edhe nëse ai mahnitet nga puna e tij. Ky është integritet, dinjiteti i njerëzve të urtë. Murgu për pesë ditë arsimoi shpirtin e tij, vështroi projektin e pandërtuar dhe në fund, bindi veten, se do të magjepste edhe perandorin. I parapërgatituri gati nuk dështon kurrë, i papërgatituri gati gjithmonë!

Pra, veproni në atë mënyrë që populli të ju zgjedhë së paku tri herë, sepse më lehtë është të ngrihet një shtet nga fillimi, sesa të rindërtohet i keqngrituri. Ju, tani e tuje, duhet të magjepsni popullin me pallatin, që duhet ta rindërtoni! Perandori ua ofroi mundësinë. Shfrytëzojeni! Bëjeni!

Dhe, suksesi varet nga zgjedhja e njerëzve në skuadër. Mos u bazoni vetëm në parti, por në zotësi dhe profesionalizëm.

PS. Se a janë këto ide të zbatueshme, duhet t’i analizojnë disa veta, sepse autori i këtij shkrimi nuk i ka kaluar pesë ditë në meditim për të shqyrtuar dobitë reale, apo mangësitë e mundshme! Punë të mbarë dhe suksese!