POEZIA E PËRSHPIRTSHME SHQIPE NË OPTIKËN E ANTON NIKË BERISHËS

0
654
Anton Nikë Berisha - Antologjia e poezisë së përshpirtshme

Nga: Isak A H M E T I

1. Në fillim

Kohë më parë, shkrimtari, poeti, studiuesi dhe profesori i mirënjohur universitar në Itali, Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, nxori në dritë librin:

ANTOLOGJI E POEZISË SË PËRSHPIRTSHME SHQIPE
1555-2019,
(SHB “FAIK KONICA”, Prishtinë 2020, fq. 554), ku janë përfshirë poezitë e 104 autorëve, të botuara brenda një kohe mbi 450 vjet.

Në këtë libër, siç e thotë edhe vetë autori, janë përfshirë poezitë artistikisht më të ngritura të poetëve shqiptarë, që i kushtohen Zotit-Hyjit dhe Mbretërisë hyjnore, që brenda krijimtarisë së tyre, me këtë tematikë, paraqesin krijesat më cilësore, qoftë si pasuri shprehëse poetike, qoftë si shtjellime tekstore. Ka përfshirë këtu kryesisht autorët që kanë bërë emër, si poetë, në letrat shqipe, një pjesë e madhe e të cilëve, sipas autorit Anton Nikë Berisha (fq.31), paraqesin kulmet e artit poetik shqiptar si De Rada, Santori, Skiroi, Mjedja, Fishta, Poradeci, Noli, Asdreni, Ujko, Perrone, Camaj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Ramadan Musliu, Visar Zhiti, Preç Zogaj, Agim Mato, Sabit Rrustemi, Flutura Açka, Mimoza Erebara, Agron Tufa etj.

Vëllimi në fjalë ,të cilin po e marrim në shqyrtim, zë fill me poezitë e Gjon Bdek Buzukut-katër Psalmet e hartuara nga ai, që e lidhin letërsinë tonë me një traditë të lashtë të poezisë së Biblës së Vjetër, pastaj me poezitë e Pjetër Budit, të botuara më 1618, i cili me të drejtë çmohet poeti ynë i parë i mirëfilltë i njohur deri më sot (pa hequr nga mendja të dhënën e përmendur nga vetë Budi, se ai i kishte shfrytëzuar edhe poezitë në dsh të Pal Hasit, një poet shqiptar për të cilin nuk dimë dhe aq shumë), dhe mbaron me poezitë e botuara në vitin 2019-me poezitë e Elisa Velaj, një kohëzgjatje prej mbi katër shekuj e gjysmë.

Vlen të theksohet se renditjen e poetëve, autori i librit, Anton Nikë Berisha, e ka bërë sipas datëlindjes e jo sipas datës së shkrimit dhe botimit të poezive që do ishte më e rëndësishme, po më e vështirë për t’u përmbushur për arsye se shpesh mungojnë të dhënat e sakta. Ndërsa rënditjen e poezive të një autori (poeti), e ka bërë, siç vërehet, herë në bazë të rëndësisë e të veçantive poetike, herë sipas afrisë dhe ngjasimit shprehës kuptimor. Në këtë libër janë përfshirë edhe pak poezi në të cilat, sipas autorit (fq.33), mbipeshon atdhedashuria si, fjala vjen, ato kushtuar 28 Nëntorit – Ditës së Republikës, Shqiptarit, Gjuhës, Flamurit e të ngjashme.

2. Poetët që janë përfshirë në Antologji

Në Antologjinë e Anton Nikë Berishës janë përfshirë gjithsejt 104 poetë dhe ata janë:
1. Gjon Bdek Buzuku, 2. Pjetër Budi, 3. Pjetër Bogdani, 4. Nikollë Brankati, 5. Nikollë Filja, 6. Jul Variboba, 7. Nikollë Keta, 8. Muhamet Çami (Kyçyku), 9. Pjetër Zarishi, 10. Jeronim De Rada, 11. Françesk Anton Santori, 12. Pashko Vasa, 13. Gabriel Dara i Riu, 14. Leonardo De Martino, 15. Zef Serembe, 16. Naim Frashëri, 17. Ndue Bytyqi, 18. Anton Santori, 19. Zef Skiro, 20. Shejh Mala, 21. Ndre Mjedja, 22. Baba Meleqi Shemberdhenji, 23. Anton Zakua Çajupi, 24. Agostino Ribeko, 25. Gjergj Fishta, 26. Mihail Grameno, 27. Aleksandër Sotir Drenova Asdreni, 28. Shtjefën Gjeçovi, 29. Kristo Floqi,

30. Fan Noli, 31. Vinçenc Prenushi, 32. Hil Mosi, 33. Kolë Thaçi, 34. Lasgush Poradeci, 35. Ndre Zadeja, 36. Lazër Shantoja,37. Aleksander Sirdani, 38. Bernardin Palaj, 39. Aristide Manes, 40. Dushko Vetmo, 41. Vorea Ujko, 42. Lluka Perrone, 43. Zef Zorba, 44. Arshi Pipa, 45. Zef Del Gaudio, 46. Martin Camaj, 47. Enca Skutari, 48. Vinçenc Borreshi, 49. Din Mehmeti, 50. Fatos Arapi, 51. Vinçenc Selvaxhi, 52. Dritëro Agolli, 53. Agim Gjakova, 54. Ismail Kadare, 55. Azem Shkreli, 56. Rexhep Elmazi, 57. Mirko Gashi, 58. Rrahman Dedaj, 59. Frederik Rreshpja, 60. Ali Podrimja, 61. Zef Skiro Di Maxho, 62. Frrok M. Kristaj, 63. Resul Shabani, 64. Anton Papleka, 65. Beqir Musliu, 66. Ibrahim Kadriu, 67. Anton Nikë Berisha, 68. Isak Ahmeti, 69. Hasan Hasani,

70. Agim Mato, 71. Bardhyl Londo, 72. Moikom Zeqo, 73. Sabri Hamiti, 74. Prend Buzhala, 75. Skënder Rusi, 76. Rudolf Marku, 77. Miradije Ramiqi, 78. Shaip Beqiri, 79. Ramadan Musliu, 80. Timo Mërkuri, 81. Pashko Gojçaj, 82. Nexhat Rexha, 83. Preç Zogaj, 84. Zef Kakoca, 85. Elsa Ballauri, 86. Visar Zhiti, 87. Sabit Rrustemi, 88. Ragip Sylaj, 89. Sali Bashota, 90. Basri Çapriçi, 91. Xhevdet Bajraj, 92. Tonin Nikolli, 93. Mimoza Ahmeti, 94. Mimoza Erebara, 95. Rakela Yzeini (Zoga), 96. Flutura Açka, 97. Pren Kola, 98. Agron Tuda, 99. Naime Beqiraj, 100. Luljeta Lleshanaku; 101. Kujtim M. Shala, 102. Irena Gjoni, 103. Ledia Dushi dhe 104. Alisa Velaj.

Përveç këtyre emrave të poetëve, aty janë dhënë edhe:
1. Burimet nga janë marrë tekstet (fq. 459-472),
2. Shënimet për poetët (473-533)
3. Shënimet për autorin e Antologjisë dhe
4. Tekstet poetike (fq.37-456).

3. Qenësia e Hyjit dhe Mbretëria hyjnore në poezinë shqipe

Librit: ANTOLOGJI E POEZISË SË PËRSHPIRTSHME SHQIPE (1555-2019), i paraprin shkrimi studimor: QENËSIA E HYJIT DHE E MBRETËRISË HYJNORE NË POEZINË TONË (fq. 7-37).

Në krijimet e përshpirtshme poetike, që janë përfshirë në këtë Antologji, shprehet QENËSIA E HYJIT DHE E MBRETËRISË HYJNORE; aty shqiptohet qenësia e së Vërtetës, e Drejtësisë dhe e Dashurisë; ndriçohet rëndësia e mbajtjes gjallë të parimit se kush i shërben Mirësisë dhe të Vërtetës, në qenësi i shërben dhe e don Perëndinë. Pra, ai që e dashuron Hyjin, në të vërtetë e dashuron dhe çmon së pari veten, njeriun e vet, atdheun dhe kombin, që i përket e pastaj edhe të tjerët, njeriun kudo dhe kushdo qoftë ai. Pikërisht besimi në Hyjin dhe dashuria për Të dhe nevoja që kjo dashuri të zbatohet e të mbretërojë midis njerëzve, shpreh një nga qenësitë kryesore të mesazheve të këtyre poezive-konstaton autori (fq. 9).

Në qenësinë e këtyre krijesave e të mesazheve poetike të tyre shprehet në mënyrë të thellë njësimi shpirtëror dhe mendor me Hyjin, me dashurinë, me mirësinë e me përvujtërinë – dëshmohet se “…kurrgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti” (Anton Harapi). Në to përligjet pandërmjetësisht. ajo që ndjejmë dhe mendojnë poetët tanë e që është pjesë e shpirtit, e mendimit dhe e veprimit të tyre konkret jetësor, ata nuk dalin ligjerues dhe mësues, por dëshmitarë të hirit të Zotit dhe të bashkimit me Zotin (fq.10).

Qenësia e mesazheve poetike të krijesave të përshpirtshme të poetëve tanë, që janë përfshirë në këtë Antologji, siç e ka vënë re edhe autori (fq.12), niset kryesisht nga gjallimi konkret, nga vetja (individi), për të marrë pastaj përmasa kombëtare dhe gjithënjerëzore. Pra, afrimi dhe njësimi me Zotin, me dritën dhe ngrohtësinë e tij, me të vërtetën dhe me shëlbimin hyjnor, fillon nga vetvetja dhe nga mjedisi përkatës shoqëror e kulturor ku jetohet e veprohet. Kjo gjë mundëson para se gjithash krijimin në të njëjtën kohë të ndërgjegjes individuale dhe të ndërgjegjes kolektive, si bosht i vetëqenies shoqërore dhe shpirtërore.

Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se pjesa dërmuese e poezive të përfshira në këtë libër i kushtohen Hyjit-krijues i çdo gjëje. Gjithçka që ka krijuar Ai janë vepra mjeshtërire dhe të vlefshme. Hyji u dha dhe u jep atyre jetë dhe dritë. Ai ka krijuar edhe njeriun, i cili falë vetëdijes që ka, është në gjendje ta njohë dhe ta kuptojë më se miri qenësinë dhe madhështinë e veprës së Zotit dhe rëndësinë e besimit në Të. Poetët tanë jo vetëm që e shqiptojnë me ndjesinë e thellë dashurinë që ndjejnë ndaj Hyjit, po dhe gjakimin dhe njësimin me këtë dashuri; me simbolikën e kryqit, përkatësisht me flijimin e Krishtit në kryq për arsye se, sipas poetit Moikom Zeqo, çdo zgjim është ringjallje në kryq:
Çdo zgjim është të ringjallesh në kryq“.

Ky libër, me Parathënien përmbajtësore që ka, me tekstet poetike që janë përfshirë aty, është një kontribut i çmueshëm për njohjen më të thellë të poezisë së përshpirtshme shqipe 1555-2019. Aty është shqiptuar shumë bukur qenësia e Hyjit dhe e Mbretërisë hyjnore. Në qenësinë e krijesave dhe mesazheve poetike që janë përfshirë në këtë libër, është shprehur jo vetëm bukuria e fjalës por edhe njësimi i thellë shpirtëror dhe mendor me Hyjin, me dashurinë, me mirësinë e me përvujtërinë. Prandaj si i tillë që është, ky libër lexohet me shumë ëndje dhe të krijon edhe kënaqësi estetike edhe kënaqësi shpirtërore. Të pasuron shpirtërisht dhe estetikisht.