Zgjedhjet parlamentare në Kosovë si referendum për ndryshimin e qeverisjes

0
357
Albin Kurti - Vjosa Osmani - Mitrovicë

Në sajë të parashikimëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahën me 14 shkurt të këtij viti, pa dilema subjekti i parë do të jetë LVV, por çështja qendron të formimi i koalicionëve paszgjedhore për të pasur një qeverisje të qendrueshme në favor të qytetarëve e jo të partive apo të klanëve të ndryshme siç ka qenë tash dy dekada, ku vetëm ndryshimi i qeverisjës është shpëtim!

Dr. Nail Draga

Sipas të dhënave nga KQZ, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do marrin pjesë gjithsej 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është 1079 kandidatë.

Tri subjektet më të mëdha politike, Lëvizja Vetëvendosja (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), synojnë postin e kryeministrit të Kosovës, ndërsa Vjosa Osmani, presidentja në detyrë dhe Ramush Haradinaj synojnë postin e presidentit të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen me 14 shkurt, janë si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës (21 dhjetor 2020) që ka shpallur të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës me 3 qershor 2020.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për „mashtrim me subvencione“.

Vota e tij ishte vendimtare, më 3 qershor, për votimin e Qeverisë së kryeministrit A.Hoti, e cila u votua nga 61 deputetë nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës. Sipas Gjykatës kushtetuese individët që kanë qenë të dënuar në tre vitet e fundit nuk mund të kandidohën për deputet, nga del së në këtë listë është edhe Albin Kurti, që nuk i lejohet të kandidohet në listën e LVV.

Qeveria e akrobacioneve politike

Vendimi i tillë hapi debate të mëdha politike në Kosovë duke e trajtuar qeverinë aktuale të paligjshme e cila ishte si rezultat i akrobacionëve politike të LDK dhe partive të tjera parlamentare, të cilat më herët rrëzuan qeverinë Kurti. Ishte ky një veprim kundër qytetarëve të Kosovës, të cilët për afër dy muaj sa veproi qeveria Kurti, Kosovës filloi të vijë era shtet, duke filluar të eliminoj disa anomali në qeverisje, për të ndaluar korrupcionin, zbuluar aferat korruptive si dhe keqpërdorimin e buxhetit të parave publike të qytetarëve të Kosovës.

Pikërisht, ky veprim parimor paraqiste frikë të partitë tjera politike se çdo veprim në këtë drejtim do rrezikonte aktorët e veprimtarive të tilla, andaj, u bashkuan të gjithë kundër LVV, të prirë nga LDK, për të ruajtur pozitat dhe privilegjet e mëparshme.

Ndryshimi i nevojshëm

Por, në rrethanat aktuale shoqërore dhe politike në Kosovë, i tërë opinioni është i mendimit se kemi të bëjmë me ndryshimin e nevojshëm, sepse janë bërë dy dekada me një status quo që nuk është në favor të qytetarëve të Kosovës. Në këtë periudhë kohore janë partitë, LDK-PDK-AAK të cilat në forma të ndryshme kanë qeverisur duke mos dëshmuar qeverisje të qendrueshme, sepse në rënd të parë kanë vendosur interesat personale, partiake e klaneve të ndryshme e jo interesat e qytetarëve të Kosovës.

Kemi të bëjmë me struktura të njohura individësh të cilët janë ndërruar në pozita të ndryshme, pa ndonjë risi dhe vlerë të veçantë si personale e profesionale, nga del se kemi të bëjmë me shtetin e kapur nga oligarkët e ndryshëm me pasoja shumëdimensionale. E dhëna se asnjë qeveri nga viti 2008, nuk ka përfunduar mandatin e saj të plotë, del qartë se kemi pasur paqendrueshmëri politike dhe qeverisëse, duke dëshmuar joseriozitet dhe mungesë të emancipimit politik.
Pushteti e jo shteti(!)

Përvoja e deritashme nga partitë politike që kanë qeverisur deri më tash për dy dekada në Kosovë, del qartë se ata kanë qenë të preokupuar për pushtet e jo për shtet. Aferat e ndryshme korruptive, nepotizmi në të punësuar, mos funksionimi i pushtetit ligjor, keqpërdorimi i mjetëve financiare të taksapaguesve, keqpërdorimi i pozitës zyrtare etj., janë dëshmi për qytetarët, të cilët janë ngopur me dukuritë e tilla, andaj shpëtimi mund të gjindet përmes zgjedhjeve, duke e dënuar pushtetin aktual, duke mos e votuar, por duke mbeshtetur parti të tjera politike, që nuk kanë qenë pjesë e qeverisjeve në Kosovë. Andaj kësaj here qytetarët do dijnë për të zgjedhur se kush mund ti përfaqësojë më mirë në Kuvend e më pas në Qeveri, dhe rasti është në zgjedhjet e parakohshme paralamentare të cilat do të mbahën me 14 shkurt të këtij viti.

Nëse me parë ekzistonte ndjenja e idealizmit dhe përgjegjësisë për të sakrifikuar për Kosovën, me keqardhje them se janë zbehur për të mos thënë janë eliminuar këto vlera të një pjesë e konsiderueshme e pushtetarëve, sepse për interesa personale e sakrifikojnë Kosovën(!). Dhe me një qasje të tillë del qartë se kastës politike, e oligarkëve të ndryshëm në Kosovë iu intereson vetëm pushteti e jo shteti. Përjashtim në këtë aspekt si opozitë konstruktive është dëshmuar vetëm LVV, e cila iu ka ndenjur besnik parimeve, në mbrojtje të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kujtojmë me këtë rast mbrojtjën në parlament të çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, pastaj të refuzimit të formimit të Bashkësisë se komunave serbe etj.

E para dihet, cila do të jetë e dyta

Si asnjë herë më parë në zgjedhjet parlamentare, kësaj here në sajë të gjendjes aktuale në skenën politike sipas sondazheve të publikuara deri më tash vlerësohet për një fitore të LVV-së, së bashku me grupin e bashkangjitur nga Vjosa Osmani. Por, dilema mbetet se deri sa do të jetë numri i mandatëve të deputetëve, dhe a do të jenë të mjaftueshëm për shumicën parlamentare, apo iu duhet një subjekt tjetër politik që të formojnë qeverinë.

Nëse para zgjedhjeve në vitin e kaluar të mbajtura me 6 tetor 2019, të disa subjekte ishin definuar vijat e kuqe, çështja qendron se a do të kemi një qendrim të tillë pas zgjedhjeve. Në këtë aspekt besoj se nga LVV kanë mësuar leksion nga e kaluara dhe do të dijnë për ta menaxhuar situatën në rrethana të reja të imponuara nga faktor të brendshëm dhe të jashtëm, në favor të një Qeverie të qendrueshme dhe funksionale.

Ndërsa enigmë në skenën politike kosovare është vendi i dytë, garë e cila do të jetë në mes LDK-së dhe PDK-së. Nuk ka dilemë se LDK do të ketë rënie të numrit të votuesve si rezultat i qeverisjës në kohë të krizës, por edhe të aferave të ndryshme, duke abuzuar me vullnetin e qytetarëve dhe mos mbajtës së parimeve partiake, ku rast tipik është përjashtimi i V.Osmanit, nga partia si deputeti me i votuar në listën e LDK.

Nga ana tjetër për PDK nuk ka dilemë se shkuarja e dy personalitetëve kyçe në Gjykatën speciale në Hagë (Thaçi e Veseli), do të ndikojë në elektoratin e tyre votues. Edhe pse PDK kishte qendrim opozitar, i dha një ndihmë të konsiderueshme LDK për të rrëzuar Qeverinë Kurti, duke i siguruar votën vendimtare nga një ish deputet i AAK-së, ku si shpërblim i premtoj postin e konsullit në Çeki për djalin e tij, duke dëshmuar së pazaret politike në Kosovë janë bërë dukuri normale(!).

Ishte ky një pazar tipik politik, dukuri kjo e njohur tash sa vite në skenën politike në Kosovë, ku nuk zgjidhen mjete për të realizuar qellimet e veta, qe paraqet korrupcion tipik politik me pasoja për qytetarët e Kosovës. Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një shoqëri parapolitike pa parime por me sindromin e klanëve të interesit, këto veprime nuk janë sekrete shtetëtore por janë të njohura për opinionin e gjerë.

Në skenën politike kosovare numri i katërt ka kohë që është i rezervuar për AAK-në e cila është transparente ne kërkesat e saja. Për ata nuk ka vija të kuqe sepse janë deklaruar publikisht se do të jemi pjesë e qeverisjës së ardhshme pa marrë parasysh se kush i fiton zgjedhjet. Një qendrim të tillë e mbeshtesin në faktin se ato duhet të jenë subjekti plotësues, për formimin e shumicës parlamentare, sikurse më parë LSI-ja në Shqipëri. Ndërsa nga një supozim i tillë ata vlerësojnë se do të shpërblehen e ate pikërisht me postin e presidentit të Kosovës, për të cilin e dëshiron lideri i saj R.Haradinaj.

Presidenti dhe pazarët politike

Në mungesë të mundësisë së zgjedhjes së presidentit nga ana e qytetarëve, edhe kësaj here si duket do të bëhën pazare politike, si më herët, çështje kjo e cila duhet të trajtohet me seriozitet nga shumica e re parlamentare. Pikërisht, duhet bërë përpjekje ligjore për ndryshuar zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejtë nga qytetarët e jo nga parlamenti, duke eliminuar spekulimet, që do të jetë në favor të demokracisë parlamentare.

Vendosin votat e mërgimtarëve

Në sajë të informacioneve del qartë se disponimi i mërgimtarëve për pjesëmarrje në këto zgjedhje është e jashtëzakonshme. Sipas të dhënave për të votuar kanë aplikuar rreth 140.000 votues, ku nga ky numër rreth 30.000 iu janë refuzuar aplikimet(!?). Një veprim i tillë është krim duke iu mohuar të drejtën elementare për të votuar që nuk mund të arsyetohet më asgjë. Pikërisht, duke parë parregullësi dhe dyshuar në këtë proces, sepse aplikimet do të dërgohen me postë(2-12 shkurt) një numër i konsideruar i tyre do të udhëtojë drejt Kosovës, për të marrë pjesë në votim drejtpërdrejtë.

Pasi, Kosova në botën e jashtme ka 60 përfaqësi diplomatike, ka qenë më e arsyeshme që qytetarët e Kosovës të votojnë në ato përfaqësi, e jo të votojnë me postë, apo të udhëtojnë në vendlindje, duke eliminuar dyshimet dhe shpenzimet materiale.

Nuk ka dilemë se nëse në këto votime do të marrin pjesë ky numër i paralajmëruar i tyre, duke tejkaluar parashikimet, mërgimtarët me votën e tyre mund të zgjedhin rreth 10 deputet, që do të jenë numër përcaktues për fitorën e zgjedhjeve.

Mërgimtarët, ndërgjegja jonë kombëtare

Në këto zgjedhje kemi risi sepse nga mërgata shqiptare disa individë janë nominuar për të qenë pjesë e listës zgjedhore me mundësi reale për të qenë pjesë e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës. Një veprim i tillë nga subjektët politike është për t’u përshëndetur, andaj i mbetët elektoratit votues me votë për të dëshmuar respektin ndaj tyre, të cilët edhe pse fizikisht janë larg Kosovës, me tërë qenien e tyre kanë qenë dhe janë në Kosovë. Kontributi i tyre para, gjatë e pas luftës mbetet emblematik, andaj ata janë ndërgjegja e jonë kombëtare!

Zgjedhjet, referendum për qytetarët

Në rrethana të tilla siç ndodhet Kosova, ndryshimet janë të mundshme dhe diçka të tillë janë duke pritur qytetarët jo nga partitë politike të cilat deri më tash kanë disa vite në pushtet me qeverisjen e tyre. Andaj kësaj here qytetarët do dijnë për të zgjedhur se kush mund ti përfaqësojë më mirë në Kuvend dhe më pas në Qeveri, dhe rasti është në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, të cilat me tepër i ngjajnë një referendumi se sa zgjedhjeve parlamentare.

Në rastin konkret që të shpetohet Kosova, për të kthyer besimin e humbur në qeverisje, qytetarët duhet të mbeshtesin atë forcë politike e cila është e pakorruptuar, e cila do të sjell model të qeverisjes, me individë me integritet personal e profesional, që veçohen me autoritet shoqëror e intelektual, që në rend të parë kanë shtetin e jo pushtetin si kanë vepruar deri më tash pjesa ma e madhe e partive politike duke humbur besimin të qytetarët dhe vlerat e demokracisë pluraliste.

Kosova ka nevojë për ndryshime politike, dhe do të jenë qytetarët e saj të cilët do të vendosin me votën e tyre, sepse të gjithë e kanë të qartë se kemi të bëjmë me rastin që nuk duhet të humbet, sepse vetëm ndryshimi është shpëtim!

( 10 shkurt 2021 )