Çamëria, plaga që kullon gjak e duhet mjekuar!

0
1336
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Çamëria rënkon, rënkon dhe dergjet në shtratin e saj, tani e mbi një shekull. Mbi një shekull kur Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës vendosën t’ja aneksojnë Greqisë! Këtu legalizohet, fatkeqësisht, çështja çame nga fuqitë evropiane! Historia nuk fillon këtu, ajo është problem i thellë në histori. Fati i sajë merr udhë me projektin famëkeq të “Megaliidesë”. Ky projekt grek qe antishqiptar. Fatkeqësisht vazhdon dhe sot e kësaj dite të zbatohet me forma të reja në dëm të shqiptarëve dhe trojeve etnike të tyre.

Ç’fatkeqësi kombëtare! Heshtje, vetëm heshtje nga elitat politike shqiptare në vite! Heshtje gjatë regjimit komunist, heshtje gjatë 30 vjetëve të demokracisë, heshtje e frikshme dhe sot, heshtje që të çon në vetë shkatërrim, vetë asgjësim, të çon në “helenizim të ri” në “greqizim” të ngadaltë të jugut shqiptar, apo të “Vorioepirit” të shumë kërkuar e dëshiruar prej tyre. Kjo është ëndrra e tyre. Kjo është tjetër gjë, dëshirat mbeten dëshira! Mua më ka shqetësuar, thuaj në dekada po deshe, faktori politik shqiptar.

Shurdhëri e frikshme, servilizëm, dritshkurtësi, miopi e qëllimshme, inferioritet dhe përulje vrastare deri në ditët e sotme. Përse kështu vallë? Përse nuk zihet me gojë nga politika shqiptare problemi i Çamërisë? Çamëria është një e vërtetë historike, ajo është tokë shqiptare, madje pellzgo-iliro-shqiptare. E përse duhet të kemi frikë nga kjo e vërtetë? Leon Tolstoi ka thënë : “Nuk ka më keq se kur njeriu fillon të ketë frikë nga e vërteta”. Kjo në rastin e tokave shqiptare të coptuara midis fqinjëve grabitqar dhe gjenocidit grek mbi Çamërisë në veçanti është mëse evidente. Kjo ka filluar që me shembjen e Perandorisë Osmane dhe në forma të ndryshme vazhdon ethshëm edhe në ditët e sotme…Sa do vazhdoi kështu?

Disa nga motivet për të thënë disa mendime, në këtë shkrim janë:
● Historia, dhe pozicionimi drejt i popullit shqiptar në kthesat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
● Padrejtësitë që Fuqitë e Mëdha ndaj kombit shqiptar, në lidhje me ndarjen territorit të tij në gjashtë shtete.
● Lukunia deri në “pangopësi” e fqinjëve edhe në ditët e sotme për ricoptimin, helenizimin apo sllavizimin e ngadalshëm të disa territoreve shqiptare e popullsive të tyre.
● Qëndresa e popullit shqiptar, e rretheve patriotike, dhe e patriotëve shqiptar në mbrojtje të Atdheut dhe çështjes kombëtare.
● Zhgënjimi prej politikës shqiptar në lidhje me çështjen çame, nga aneksimi prej Greqisë më 1913 deri në ditët e sotme.
● Studimet dinjitoze të studiuesve shqiptar si: Pëllumb Xhufi, Selman Sheme, Eleni Kocaqi, Sulejman Abazi, Arsim Spahiu, Hajredin Isufi, Nuri Dragoj etj. për Çamërinë dhe rrugët për zgjidhjen e problemit të saj.
● Sensibilizimi i shqiptarëve dhe politikës për rrezikun që paraqet “Mos ekzistenca e problemit Çam” që reklamon Greqia, në dëm të shqiptarëve.
● Ligji i Gjendjes së Luftës që mban në fuqi Greqia nga viti 1940.
● Lëshimet e njëpasnjëshme dhe plotësimi i “orekseve” greke dhe “serbe” nga politika shqiptare gjatë 30 vjetëve të fundit.
● Zgjerimi me 12 milje i Greqisë sot mbi Detin Jon. Le të vendosë Gjykata Kushtetuese nëse duhet dërguar në Hagë, ose jo, çështja e detit me Greqinë…
● Marrja dhe studimi mbi 40 vjet i historisë ma forcoi ndjenjën e atdhedashurisë. Dhënja mësim për një kohë të gjatë, bëri që të krijoj një përvoje modeste, për rrjedhojë më motivojë të shpreh dhe unë disa mendime në lidhje me çështjen kombëtare dhe qëndrimin tim ndaj saj. E çfar rëndësie ka kjo kur sot nuk shikon dhe dëgjon njeri! I Meqë kam bërë disa shkrime për çështjen kombëtare, më shumë për Kosovën, nuk mund të bëja indiferentin për problemin e Çamërisë.
● Luftërat e shqiptarëve gjatë historisë kundër pushtuesve të huaj në mbrojte të trojeve shqiptare. E historia jonë kombëtare në këtë aspekt është e lavdishme…pa përjashtuar dhe Hamzatë, Esatët, Morinët…e fëlliqësira të këtij “kallëpi” edhe në ditët e sotme.
● Studiuesit, shkencëtarët, historianët, artistët, poetët, shkrimtarët e kanë thënë në forma të ndryshme mendimin e tyre. Ato kanë fiksuar në krijimet e tyre historinë dhe herojtë e saj, kanë dënuar tradhëtinë… Tek unë kjo krijimtari në vite, ka lënë dhe po lenë edhe shumë gjurmë.

Më shumë në këto shkrime jam mbështetur te historia. Duke qenë artdashës më ka tërhequr në vite folklori shqiptar. Këngët folklotike të lidhura me historinë, zëri i mrekullueshëm e brilant i artistëve, fiksimi e përjetësimi prej tyre i historisë figurave legjendare të saj, kan qenë për mua një motiv për të bërë diçka, gjithnjë e më shumë… Le të “shkëputemi” për një moment dhe të dëgjojmë dhe analizojmë për këngën: “Vaj dhe mall për Çamërinë” e Enkelejda dhe Hysni Alushit…

Duket sikur e “shëron” këtë plagë, të rëndë e të gjatë… Të tjerë thonë: “Ky është folklor” merru me të… Po folklor është, por popullor… Ndaj dhe unë disa shkrime ua kam kushtuar disa këngëtarëve më në zë të trevave shqiptare që kanë lënë gjurmë në forcimin e Atdhedashurisë, ndër breza! Nuk gabojnë artistët, nuk gabon populli… “Ndoshta” pika e fundit ka qenë e pa nevojshme për këtë shkrim, por në kompleksitetin e tyre, do thonë diçka më shumë, nesër… Ndjesë për këtë paragraf.

Politika e fqinjëve ndaj shqiptarëve gjatë historisë fatkeqësisht ka qenë dhe vazhdon të jetë grabitqare. Ngjarjet, faktet, shifrat që do sjellim në këtë shkrim e vërtetojnë këtë.

E kjo është rrjedhojë e politikës greke për disa territore shqiptare në jug dhe asaj serbe në veri. Megaliideja këtu dhe Naçertania atje, duhen marrë në konsideratë…Ky është qëllimi i këtij shkrimi.Jo nxitja e urrejtjes dhe armiqësisë por forcimi i urave të miqësisë dhe bashkëpunimit. Kjo bëhet jo me heshtje, por duke i parë faktet në sy dhe duke treguar reciprocitet me palën greke. Nga historia mund të përmendim:

■ Më 29 korrik 2013 Fuqit e Mëdha themeluan “Principatën e Shqipërisë”. Sipas Nuri Dragoit ata, “i dhuruan”: Greqisë 51.300 km2, Serbisë 39.000 km2 dhe Malit të Zi 7000 km2. Noli i madh e ngriti zërin në Lidhjen e Kombeve, por nuk mund të bënte më shumë ndaj u detyrua ta njihte vendimin e tyre. E natyrisht zëri i shqiptarëve në organizmat ndërkombëtar nuk ka munguar por jo me fuqinë dhe mundësitë e duhura.

Duke marrë shkas nga historia, mendoj se në kushtet e sotme nuk duhet lejuar:
▪︎ Zgjerimi i Greqisë me 12 milje në Jon.
▪︎ Dhënja e 8.200 ha tokë Malit të Zi, nga politikanët e Kosovës.
▪︎ Shkëmbimi i territoreve, ndryshimi i kufijve, apo “dhënja” e Veriut të Kosovës, Serbisë prej politikanëve që sot kërkojnë përsëri vota, dhe duan të marrin dhe postin e Presidentit…apo…
■ Dikur Çamëria ka pasur 80 mijë banorë autokton shqiptar, dhe 12.000 km2. Shtrohet pyetja sa ka sot? Na ishte një herë thuhet… Sot, shifrat flasin për vrasje masive, dhunë, gjenocid, spastrime etnike, shkëmbime popullsie me Turqinë nën pretekstin e besimit fetar, largime masive për në shtetin amë etj. nga ana e Greqisë…Në vitin 1912-13 forcat ekstremiste greke pasi pushtuan Shqipërinë e Jugut, bënë masakra në Çamëri vranë mbi 20.000 vetë, rreth 280.000 të tjerë vdiqën nga uria, masakrat, sëmundjet etj. Shumë familje u larguan nga tokat e tyre me dhunë. Në vitin 1923 me mijra shqiptar mysliman çam u shpërngulën me dhunë në Turqi, dhe u shkëmbyen me rreth 18.000 grek të besimit ortodoks që jetonin në Anadoll.

Po kështu në perudhën qershor 1944 deri mars 1945 rreth mbi 22.000 vetë, për ti shpëtuar gjenocidit e dhunës së bandave të Zervës, erdhën të detyruar me forcë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe bandat zerviste nuk kursyen gra, pleq, fëmijë si në: Filat, Pargë, Gumenicë, Paramthi e gjithë krahinat e Çamërisë. Këto janë disa shifra, në morinë edhe të shifrave të tjera që nuk citohen këtu. Këto masakra janë tronditëse për popullsinë e Çamërisë por dhe jo vetëm. Nuk përmenden këto shifra dhe fakte për të kërkuar Çamërinë, fatin e sajë të keq e përcaktuan F.M. Kjo qe padrejtësi e madhe historike, e kjo na obligon të ngremë zërin dhe kërkojmë:

▪︎ Të miratohet në Kuvendin e ri që do dali pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021: Projekt Rezolutë mbi gjenocidin grek mbi Çamërinë dhe një tjetër mbi: Mbi dënimin e krimeve serbe mbi shqiptarët e Kosovës. Kjo do ishte shumë dinjitoze për politikën shqiptare! Vështirë, të ndodhë! Autopi, gati e pamundur! JO, kjo është plotësisht e mundur. Këtë e kërkon interesi kombëtar. Këtë duhet ta bëjë klasa politike shqiptare, pavarësisht ngjyrimeve partiake që do ketë parlamenti i ri. SHPRESOJME. Unë besoj për këtë.
▪︎ Të detyrohet Greqia të heqë “Ligjin e gjendjes së luftës me Shqipërinë”. Ky është një ligj absurd në ditët tona… Këtu “fle” lepuri, për Çamërinë… Pa këtë nuk mund të flitet për demokratizimin e Greqisë, në shtet që trashëgon demokracinë e lashtë, athinase!
▪︎ Të punohet që çamët të marrin dy shtetësinë dhe të përfitojnë pronat e tyre, të shpronësuara padrejtësisht nga shteti grek.
▪︎ Shteti shqiptar dhe institucione e tij të kërkojnë reciprocitet për të drejtat e popullsisë së Çamërisë, ashtu si minoroteti grek në Shqipëri. Mund të kërkohet:
1- Të njihet minoriteti shqiptar çam në Greqi.
2- Përdorimi i gjuhës shqipe, hapja e shkollave shqipe atje, përdorimi i flamurit shqiptar dhe i simboleve të kombit shqiptar. Shkurt të kërkohet njohja e çështjes çame , ku, për Greqinë nuk ekziston. Për këto dhe të tjera si to, duhet kujtuar herë pas here Greqia, dhe ajo “vështirë” se merret “më” me detin…Deti dikur fillonte në Artë…
3- Të lejohen çamët të marrin pronat e veta në Greqi sipas ligjeve ndërkombëtare.
4- Greqia duhet të kërkoj falje për gjenocidin e ushtruar ndaj çamëve dhe Çamërisë.
5- Të ndalet “mbjellja”e mëtejshme e territorit shqiptar me varreza të “stisura” të gjoja ushtarëve grekë. Edhe në rast se ato janë të ushtarëve të rënë, ato erdhën si pushtues…
6- Ti thuhet Jo, helenizimit dhe sllavizimit, të territoreve të caktuara, të kombit shqiptar e popullsive të tyre.
7- Të rrisim ndihmën dhe bashkëpunimin reciprok duke u bazuar në reciprocitet midis vendeve e shteteve tona.
8- Mos të udhëhiqemi nga inferioriteti por interesi kombëtar dhe gjeopolitika. Miqësia me SHBA-në, disa vende të fuqishme të BE-së, dhe antarsimi në NATO, është garanci apsolute për të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, pse jo, dhe të Kosovës. Le të flasim shqip, me një gjuhë, me një qëndrin në lidhje me çështjen kombëtare. Sa bukur “cicëron” atje shqip, i vetmuar në parlamentin serb, deputeti shqiptar i Luginës, Shuaip Kamberi! Merreni si shembull zotërij politikanë, bashkohuni për kauza të mëdha, vetëm kështu e ardhmja është e shqiptarëve…

IBRAHIM KABILI
Tiranë më 10.02.2021