KËNGËT E MIA

0
259
Mustafa Spahiu
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

KËNGËT E MIA

(variant)

Ogurin e presin rriskut në ëndërrime,
Si hoje bletësh kurrë s’zënë ndryshk
Fjala zjarrt’e zhvesh nga çdo ndryshk;
Dhe plajmi diellor s’ndërron drejtime.

Këngët e mia në eshtra të bëhen mik,
Bebëzash e peshojnë ajkën e vërtetë,
Luzmën e lidhin për shkëmbin e vet, e
Zjarrin me hirin e mbajnë mbi qerpik!

Shtjerrë s’e di tokën s’ndalet kjason,
N’harqe urash vë themel për godina.
Barojat herr fati t’shpie në strehina;
Besëpeshëguri me këngët galopon.

Zemra t’bëhet guaskë n’pritje lindur,
Dhimbjet boshe – s’dhembin kurrë,
Këngët sot e mot s’digjen as n’furrë;
T’jesh mjeshtër gjarprin duk’e bindur.

Këngët me agun kur e marrin pragun,
N’gjak të zemrës t’ngjizet rè pendimi,
Rreptas n’fjalë të tradhëton gjykimi, i
Kapitur n’dështim, guvash prite agun.

Epshevalë këngët gof të përvëlojnë,
Udhëve gjarprore ik pa u kunguar!
Fjala do harxhe mos dil i mëkatnuar;
Vorbës n’suvale – fjalët grafullojnë.

E hënë, 1 shkurt 2021, në
Dardaninë Ilire

MOS KENI DHËMBSHURI

Si tutkallin e hënës e shijë në lëmë,
Këngët derdhen’ujëvarë gjithsesi, as
Dashuria rioshe s’shpërfill dot kufi, e
Hovet me diellin mbi t’verdhën hënë!

Mos keni dhembshuri – bredh fillikat,
Me askend rrugën s’dua ta ndajë, aq
Më mbështet vrançi im epshet valë-
Shkumëbardhë e shkelën çdo lugat!

Çdo kush n’jetë niset me hapin e vet!
Ç’do të thotë vjershë që stisi në letër?
T’gatshme s’mora ndokund as tjetër;
Intimë me siguri s’bëhet po aq leht’!

Qëmtoj vargun perlë më të mirë, drejt
Udhës s’Qumështit katrisem në diell,
Yjet emetojnë pulse t’përhapur n’qiell,
PriteZot, këmbë as duar s’kam llëpirë.

Shpirttallazitur lumin sutë e kërcej –
Agimesh vjen e vakta puhi jugore, e
Zemrën e çliroj me vesën miqësore;
Jargavanë bardh’e blu vrik rrëmbej!

Pasionet e poetit fat në ëndërrime,
Këndshëm shijavinë rrjedh kjo jetë!
Si droj pleqërisë aspak si pipkrekë,
Dhembshurisht i falem zemrës’ime!

E shtunë/e diel, 06/07 shkurt 2021, në
Dardaninë Ilire

PLANGJET E DJERROSURA

Sapo futesh plangjesh në hapin e parë,
Gurët e megjeve syve të bëhen shqotë
Pesë hulli janë gërryer – çudi në botë,e
Plori i gjitonit tim eti i ka hyrë në arë,aq

Thellë ia ka rrëmbyer – djersët e ballit,
Plaku e mat mirë prej gurit të ngulur, me
Shokën lahore deri n’vendin e shkulur, e
Thotë: “këtu ka luajtur nafaka e djallit!”

Tim eti fytyrës i ndërrohen pesë ngjyra,
I hakërruar hostenin me dhimbje tundë
Atëbotë, ndezën ‘i cigar kokën lëkundë;
Kararin s’e gjenë, as rriskun në mënyra.

Patjetër agu të nesërmen do të zbardhë,
Orëligën – tha – nuk jam duke e kërkuar,
Guri n’vend t’vjetër peng duhet venduar;
Gjiton, me short t’dalim dytë faqebardhë.

E hënë, 1 shkurt 2021, në
Dardaninë Ilire

SHPRESA DIELLORE

Futem në qarkullimin e gjakut tim
Bluja më bëhet shprehje e bukur
Rruazat e bardha s’duan kërcnim
Përherë m’shpëtojnë pa zhdukur

Thellë ndiej lëvizjen e jugut të ri
N’aortë të zemrës titëron qëndresë,
Kënga albatros flatron lartë n’ajri
Kurrë s’këputet e vetmja shpresë.

Sistemi diellor vrull në gjakun tim
Me shpirtin tim duke u ringjallë,o
Atje ku e gjejë lulen plot amësim,
Në jetë i paepur regjur n’udh’tim.

Lëvizja e sigurtë s’do përfundojë;
Çdo gjë e tharë vetvetiu po rritet…
Stralli i gjakut iskra do të ndriçojë,
Nga Ylli Polar n’fantazi po ngjitet.

Vargun s’e honepsi të pamerituar,
Padukshëm s’kridhem në kallapi-
Dhe jashtë kokës’ime rri i zgjuar,
N’hapësirë dredh boshtin n’furi-

Shmërisht toka nga dielli ngrohet,
Prejardhja e gjakut është diellore,
Shpresa me këngë s’çkurorëzohet;
Guri këndon-krimbi brenda prore…

E martë, 2 shkurt 2021, në
Dardaninë Ilire