Braktisja e narrativit nacional shqiptar në Kosovë dhe pasojat

0
317
Fushatat e partive në Kosovë

Lis Bukuroca

Në Jugosllavi, Prishtina ishte qendra e gravitacionit shqiptar: qendra universitare, qendra kulturore, qendra e nacionalizmit shqiptar dhe burimi nga rridhte kultura shqiptare dhe ku formësohej dhe kristalizohej identiteti. Frymëzimi vinte nga Tirana si kryeqendër e shqiptarëve në botë. Në Prishtinë qe mbledhur elita shqiptare e Jugosllavisë së atëhershme. Me mos-mbrojtjen zyrtare të identitetit shqiptar, u krijua një hapësirë e zbrazët, të cilën e zëvendësuan dhe e plotësuan dy narrativë të rinj. Në shikim të parë dukeshin si kundërshtarë në mes vete, por në fakt, qëllimi i bashkonte dhe ndihmoheshin në mes vete, me apo pa dashje.

Sulmi i parë u organizua nga politika me nocionin integrativ „kosovar“. Serbet hapur e refuzojnë jo vetëm „kombin“ e ri, por edhe shtetin, por nga shqiptarët kërkohet një mutacion nacional dhe të bëhen çfarë nuk janë, apo çfarë i konvenon Serbisë, apo çfarë refuzojnë serbet në Bosnje! Ky kombi ideal (që bazohet vetëm në ide) do të jetë kundër kombit real, që ekziston sot edhe pse deri diku i shpërfytyruar, por ende i pranishëm.

Narrativi i dytë ishte sulmi kulturor neo-osman, që ofrohej në një paketë me islamin. Ky ishte projekt i Davutoglus ose i kryetarit turk Erdogan, që duhej të realizohej nëpërmjet liderëve politikë, imamëve, intelektualëve të arsimuar në Turqi, neo-osmanëve të sotshëm (shpesh komunistë të djeshëm), ndonjë akademik, apo qytetarëve që ndihen turq në Kosovë.

Ideologët neo-osman, sulmonin e poshtëronin çdo personalitet shqiptar, që nuk ishte patriot osman, kurse elita politike, e pranonte në heshtje si ligjërim logjik, si ndihmesë shtesë në ndërtimin e kombit të ri. Sot, shumica e liderëve politikë shqiptarë, janë ne-osmanë dhe pasoja e servilizmit ndaj Erdoganit, po i ndiejnë dhe do t’i ndiejnë shqiptarët në Ballkan.

Me distancimin nga identiteti shqiptar në Kosovë, shqiptarët jashtë Kosovës mbetën pa rrjet! Pa busull orientimi. Sot në Kosovë janë disa mijëra shqiptarë nga Lugina, diku 10.000, të cilëve nuk u jepet nënshtetësia, edhe atë, edhe pas 20 vjetëve me leje-qëndrimi. Ata ndihen dhe trajtohen aty si refugjatë! PDK-së dhe LDK-së u kujtohet ekzistenca tyre pak ditë para zgjedhjeve. Mu si edhe Haradinjat që i kujtohet bashkimi disa javë para votimeve, por jo kur ishte Kryeministër. Sidoqoftë, në Gjermani nënshtetësia mund të merret pas gjashtë viteve qëndrimi, por jo në Kosovë shqiptari i Luginës. Deri tani seriozisht është marrë me Luginën vetëm Albin Kurti.

Largimi nga konceptit nacional shqiptar në Kosovë dhe përpjekja për sajim të një identiteti të ri, duke zhdukur krenarinë dhe kohezion real ekzistues, për të krijuar atë artificial, ndikoi në një distancim dhe fragmentim kulturor në mes shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Jo vetëm në mes tyre, por u krijua një diferencim social edhe me njerëzve të vet që gjenden në mërgim. Sot diaspora shqiptare përjetohet si popull i huaj. Ajo paguan haraç edhe për të hyrë në Kosovë, gjersa vetë çaraveshen për të mos paguar pesë euro për hyrjen në Shqipëri, siç vëren Fadil Miftari, doktor nga Kosova në Gjermani.

Trajtësimi i atij kombi të ri, jashtë Kosove u përjetua si zhdukej e qendrës nga buronte patriotizmi shqiptar dhe kjo krijoi mundësi për depërtimin më të lehtë të organizatave të ndryshme turke dhe arabe.

Në anën tjetër, definimi i shtetit si shtet multietnik, imponoi në mënyrë normative edhe nismën për krijimin e kombit të ri dhe, pas pavarësisë, u artikulua hapur kërkesa dhe u shfaqën ideologët e parë të saj. Brenda atij „kombi kosovar“ do të përfshiheshin shqiptarët e Kosovës, serbet, boshnjakët, turqit, romët, ashkalitë, etj.

Asnjë politikan, pos Albin Kurtit, nuk guxoi të kundërshtojë flamurin nga frika se dëmton karrierën e vet. Isa Mustafa dje përkulej para flamurit jugosllav, tani para atij multientik. Me rëndësi karriera. Sot flamuri shqiptar shihet kryesisht në tubimet e VV-së, por jo edhe te partitë tjera, apo tepër rrallë.

Në fakt ky komb ka nisur ndërtimin dhe duket se si tipar kryesor dallues nga ai shqiptar, do të ketë religjionin, sepse patriotizmi shqiptar zyrtar, u zëvendësua me atë fetar për të cilin lobonte elita politike duke shtruar iftare, apo duke u falur me Erdoganin. Kjo është edhe arsyeja pse kryetari i LDK-së, si një imam radikal, u kërkon njerëzve të mburren jo me shqiptarizmin, jo me libra, jo me humanistë shqiptarë, jo me biblioteka, jo me pastërti morale, por me religjionin, me monumentet fetare!

Ky theksimi i madh i religjionit, ndikoi në ftohjen e raporteve me ata që ndihmuan çlirimin tonë. Jo se nuk i heqin vizat, por disponimi është i tillë, sa as të mos na pranojnë në BE. Sot, pasojat e braktisjes së identitetit shqiptar, po i përjetojmë si komb në Ballkan. Për këtë kontribut të madh kanë dhënë gati të gjithë politikanët shqiptarë, por kryesisht neo-otomanët që luftonin për komb të ri: Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.

Ligjërimit albanofob u mbështet për klikime nga media e Kosovës dhe iu dha shumë hapësirë nëpër gazeta, portale dhe debate televizive. Aq sa më antishqiptar, aq më e sigurt ishte dhe është ftesa! Aq sa më ashpër shante e kërcënonte, aq më e sigurt ishte ngritja e tij në një personalitet publik!

Tani kemi një brez pa identitet të qartë, por më shumë fetar sesa shqiptarë, më shumë të koklavitur, se sa të përkufizueshëm dhe me një qëllim të qartë: distancimin nga identiteti shqiptar! Kjo ecuri konsekuente, fragmenton jo vetëm kombin, por edhe historinë, jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen. Copëtimi defaktorizon dhe dobëson si një familje, ashtu edhe një komb!

Etnonimi i ri „komb kosovar“ është udhëzim që shqiptarët e Serbisë, të quhen serb, ata të Maqedonisë së Veriut, maqedonas, të Greqisë grekë, kurse ata të Malit të Zi, malazias. Kështu as diasporë nuk do të kemi, por gjermanë, italianë, zviceranë etj. etj.

Kombi shqiptar nuk ka bërë rezistencë më shumë se një shekull për t’u bërë si i pëlqen i Serbisë; nuk ka ushtruar gjenocid ndaj fqinjëve, por ka shpëtuar hebrenj, kur Serbia mburrej me deklarimin e shtetit zyrtarisht si „judefrei“; nuk ka lënë nëpër beteja të ndryshme mijëra të vrarë për ta llastuar Serbinë; dhjetëra mijëra veta, djemtë dhe bijat më të mira që pati, nuk janë dergjur nëpër burgje e Serbisë për ta mohuar vetveten; nuk e ka përjetuar eksodin biblik gjysma e popullit për të krijuar një komb multietnik! E as nuk kanë vjedhur mijëra kufoma serbe për t’u turpëruar nga emir i tyre shqiptar!

Distancimi nga Lugina nuk shquhej vetëm te shpërfillja absolute, që i bëhej gjatë negociatave me Serbinë me Thaçin dhe Mustafën, por nuk u interesuan kurrë as për gjendjen e tyre të mjerë: mungesën e një spitali ku mund të mjekoheshin shqiptarët. As për reduktimin e kompetencave të komunave shqiptare atje në Bashkësi Lokale, gjersa Thaçi e Mustafa, firmosnin autonomi me kompetenca të një republike për serbet.

Presheva sot është i vetmi qytet në Europë, sigurisht edhe në botë, me diku 40.000 banorë, pa spital. Serbia nuk investon aty tash e një shekull, sepse qëllimi i saj është i qartë: shpopullzimi i Luginës. Ajo investonte aty, vetëm kur sillte serb nga vendet tjera të Serbisë.

Dy shtetet shqiptare nuk kanë dëshirë të ndërtojnë aty një spital për të parandaluar zhvatjen e shqiptarëve nëpër spitalet e Vranjës dhe Nishit deri në eksodin total.

Disa fakte nga historia:

Sami Frashëri në enciklopedinë e tij „Kâmûs Al-a’Lâm“ në vitin 1896 shkruan se Presheva me rrethinë kishte diku 40.000 banorë, si edhe Kumanova. Në vitin 1948 Vranja kishte 11.000 banorë. Në vitin 1896 ndoshta 2.000, apo më pak. Sot Presheva i ka diku 40.000 banorë, Kumanova 110.000m, kurse Vranja rreth 60.000. Vranja është rritu diku 30 herë, KUmanova diku tri herë, Presheva ka mbetur si ishte në shekullin XIX!

Ja çfarë thotë Sami Frashëri ndiku para 130 viteve: “Presheva është një qytet i vogël, qendër kazaje në sanxhakun e Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës, i cili gjendet 50 kilometra në juglindje të saj dhe të Shkupit… Kazaja e Preshevës përbëhej prej 134 fshatrave, me 39.545 banorë, shumica e të cilëve janë mysliman (shqiptarë) dhe të tjerët sllavë. Në këtë kaza gjendën rreth 13 xhami, 2 të tjera më të vogla që quhen mesxhide, 500 dyqane, 33 hane, 13 posta xhandarmërie dhe një spital ushtarak.” Sot ka vetëm një postë, asnjë han dhe pa spital. Atëherë e paska pasur një për askerinë osmane.

Deshqiptarizimi zyrtar i Kosovës, hodhi në rezignacion shqiptarët tjerë që jetojnë nëpër ish-Jugosllavi. Atyre u mungonte kryeqendra e dikurshme që konsiderohej tempull i inteligjencies dhe patriotizmi shqiptar. Nacionalizëm që synonte bashkimin, por jo pushtimin e trojeve të huaja. Sot jemi aty ku jemi dhe në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Maqedoninë Veriore, mund të rritet numri i turqve dhe të zvogëlohet ai i shqiptarëve.

Identitetin kosovar të përzier me osmanizëm dhe religjion, e ndihmoi politika në shumë mënyra: ata me iftare i dërgonin popullit mesazhe se feja është kryesore, se duhet të mburren me religjion (Isa Mustafa) dhe ndikuan në shpifjen e një identiteti, që nuk mund më të përkufizohet. Është gjithçka ballkanike nga pak, por asgjë e veçantë që sajon diçka të re.

Ja disa shembuj, që flasin për projektin e ri, por mungesa e flamurit shqiptar, shihet edhe edhe nëpër takime elektorale: te „Rrethi“ në Prishtinë qe hequr flamuri kombëtar dhe vendosur vetëm ai kosovar: :

“Sot po ashtu kam dhanë detyrë që me u vendos flamuri i Kosovës te rrethi, porosia e 17 shkurtit është Kosova dhe pavarësia.” Ramush Haradinaj 13 shkurt 2018. Thua se Kosova nuk kishte popull shqiptar dhe se pavarësinë e simbolizonte vetëm flamuri multietnik dhe ai shqiptar ishte hequr, siç i hiqte Serbia në Luginë.

Shembulli tjetër: Tagesspiegel: „Zoti Haradinaj: A janë përmbushur pritjet tuaja të pavarësisë në dhjetë vite?“ Ramush Haradinaj: „Lindja e një kombi nuk është proces i lehtë.“ Dhe, ky njeri, gjoja tani dëshiron bashkimin!

Me 22 korrik 2020 Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, dikur me orientim perëndimor, sot e vetëquajtur me orientim të tillë, por praktikisht me jetë dhe vepër despotike sllave ose lindore, i kërkon popullit të ndihet krenar me islamin, jo vetëm këtë, por për ta bindur e gënjen dhe i thotë se krejt bota ndihet krenarë me besimin në zot dhe me objekte fetare.

Akademiku, në vend të hoxhës, në mënyrë komuniste merret me agjitacion dhe propagandë fetare! Mjafton të kujtohet Kina, Japonia dhe disa vende tjera budiste, që nuk besojnë në ekzistencën e zotit, por edhe mbi 1, 5 miliard gnostikë e ateistë në botë. Grupin e qytetarëve që kishte protestuar kundër ndërtimit të xhamisë, e kishte diagnostikuar ekonomisti me „komplekse inferioriteti.“ Lexojeni:

“Protesta tregon edhe kompleksin e inferioritetit tonë që të pajtohemi se jemi këta që jemi, rreth 95 perqind muslimanë. Por, në vend që të turpërohemi, do duhej të krenohemi, ashtu siç krenohen të gjithë njerëzit e botës për besimin e tyre në zot, për objektet e tyre monumentale fetare, pa marrë parasysh sesi e demonstrojnë besimin e tyre, si muslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë….“

Të ndihesh krenar me religjion dhe monumente fetare, është normë në Arabinë Saudite, Iran, Turqi etj., por nëse e bën Kosova, e përjashton veten nga Europa, sepse krenaria fetare, radikalizon një popull! Me krenari religjioze, mund të aderohet në Kalifat Osman, por jo në BE.

Në Perëndim pos ndonjë të krishteri radikal, askush nuk mburret me besimin në zot, apo me monumentet fetare! Partitë me orientim perëndimorë nuk u rekomandojnë njerëzve të ndihen krenarë me religjionin, por me punën e tyre: me guximin qytetar, me luftimin e korrupsionit, me denoncimin e vjedhjes, me denoncimin e krimit, me respektimin e ligjit, me ruajtjen e shtetit duke paguar tatime dhe me mospasurimin e padrejtë të fëmijëve të vet. Dhe, ata nuk shtrojnë darka për klerikë nga arka e shtetit. Nëse e bëjnë, i paguajnë vetë, jo si te Mustafa e Thaçi ku shteti shtet qeras!

Shteti shekullar nuk ndërtohet për ta faktorizuar klerin, por për ta dobësuar pushtetin e e tij. Kjo është kultura perëndimore iluministe, që e lufton obskurantizmin fetar, edhe atë qysh nga Koperniku se toka nuk është qendra e Universit, deri te Darwini se njeriu nuk ka vend të veçantë në botën shtazore. LDK me Rugovën ishte parti pro-perëndimore dhe ai nuk shtronte iftare, por Mustafa 477 vjet pas publikimit të „De revolutionibus orbium coelestium“ nga Koperniku, kërkon njerëzit të mburren me religjion, për të krijuar kombin e ri.

Gjersa në perëndim ligjërohet nevoja e shkëputjes nga të menduarit fetar, nga radikalizmi i shoqërisë, kryetari i partisë që e quan veten pro-perëndimore, urdhëron të kundërtën, kthimin në Shpellën e Platonit për të takuar Sokratin dhe Glaukonin!

Në vendet me kulturë fisnore, ose ku besimi fetar është i madh, ose ku te dyja së bashku ndërtojnë një kulturë, një identitet, toleranca ndaj krimit në politikë është shumë e madhe: aty ku dominon kultura tribale, nuk u intereson çfarë bëhet me shtetin, në ato fetare shpresojnë se zoti dënon kriminelët dhe vet nuk revoltohen, apo e bëjnë tepër vonë, pak para se t’u dalë shpirti!

Si do të duket ardhmëria? Identiteti ka përjetuar një metamorfozë: janë krijuar disa enklava të reja, disa etni të reja, por Turqia nuk mund të rrisë më shumë numrin e ithtarëve, sesa e ka bërë deri më tani. Edhe vezirët shqiptarë në Kalifatin Osman, patën ndryshuar përkatësinë e tyre etnike, por populli nuk u asimilua si ata. Populli e ruajti gjuhën dhe zakonet e veta. Ata as gjuhën, as zakonet. Edhe këta të sotshmit do të mbeten vetë me komb kosovar, duke e fshehur flamurin shqiptar për të shpëtuar karrierën.

Pse nuk mund të ketë sukses kombi i ri? Perëndimi do të ushtrojë më shumë ndikim në shekullarizimin dhe europianizmin e Turqisë, sesa Turqia në Ballkan, apo Europë. Religjioni nuk mund të ketë më shanse në Europë! Iluminizmi dhe pedagogjia individuale predikon vetëdijesimin dhe arsimimin dhe lufton indoktrinimin si shpëlarje truri. Religjioni është demaskuar aq shumë, sa pak veta besojnë mitet e dikurshme.

Një ditë do të bashkohet Shqipëria dhe këto përpjekje do të dështojnë si edhe shumë të tjera gjatë historisë, që kishin në plan asimilimin ose zhdukjen e kombit shqiptar. Në vitet e 90 amerikanët e shihnin Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë. Pak më vonë e panë si shtet më vete dhe nuk do të vonohet shumë dhe do të kuptojnë se nuk mund të dënohet një komb me copëtim, për të kënaqur dy popuj sllavë, dy marioneta ruse dhe Greqinë.

Pra me gjithë servilizmin brutal, lepe peqe, të politikanëve shqiptarë, kombi i ri do të pamundësohet nga dy faktorë: nga bashkimi, i cili do të vijë sot apo nesër, ose nga aderimi në BE ku kombi do të jetojë pa pengesa kufitare në shtrirjen e vet gjeografike si kur e kishte vendosur zoti aty!