EH Ç’MË KUJTOVE KALLAPODHIN OR VOC, OJ CUCË…OR… !

0
241
A. Ashiku

Fejton

Po kënaqem, si në atë lojën “Oh lumi – lumi unë me… në krah”. E luanim kur ishim të rinj dhe kënaqeshim me humorin që shpërthente shatërvan.
Po kënaqem si në lojën që ka shpërthyer majtas e djathtas me lumenj që sjellin verë, e ne, xhaba të dehur, këndojmë e kërcejmë “O lumë e lumë si na…”

Po kënaqem, veçanërisht me Lulin që i fillon dhe i mbaron fjalët në fjali… ”Unë kryeministri juaj…” dhe më mbush me zotime (jo premtime), me ëndrra si ajo e të shoqes së një kryetari kooperative që e dëshironte burrin e saj me dy xhepa në gjoks ku në njërin të kishte diellin e në tjetrin shiun…

Lum e lum si… unë me… pension në krah…
Eh ç’më kujtove Kallapodhin or Voc… oj Cucë… or i Gjatë… or i Shkurtër…
Po jua përcjell historinë me profesorin tim Kallapodhin, shkruar një vit më parë, mesazh edhe sot.

Unë që më 26 maj 1996 nuk votoj, jam i lemerisur…
Nuk do të votoj edhe këtë herë, jam emigrant…
E dini pse-në…

* * *

Po, po, Kallapodhin më kujtove sot, or Voc… oj Cucë… or…
Kallapodhin e mirë, shpirt njeriu, pedagogun tim të “Organizimit” këtu e pesë dekada me ndonjë vit më shumë mbi shpinë.

Nuk ngjani në fizik. Në gjatësi dhe në peshë ia kalonte edhe Ramës. Ty nuk të fus në defterë, ngjan si Çuku me Gekun, apo, thjesht (me një masë dite) si Rama me Braçen.

Në një gjë ngjani, si dy pika uji që pikojnë nga hejët e akullit tek shkrihet këto ditë shkurti.
Merrni hov…
Merrni hov e s’mbaheni…
Pa frena…

Kallapodhi (le të më gjykojnë bashkë studentët e kursit tim) jepte lëndën e “Organizimit”. Ishte specialist për organizimin e ndërmarrjeve dhe kooperativave bujqësore (veçanërisht të këtyre). Kishte bërë edhe disa libra për këtë punë, libra që i gjeje në çdo zyrë të shkallëve nga Ministria e Bujqësisë në kooperativa e ndërmarrje bujqësore e që ishin vadememcum për të gjithë…
Nejse, kohë e zakone…

Kallapodhi ishte unik në leksionet që jepte…
Unik në zërin bubullimë…
Unik në lëvizje…
Unik kur merrte hov e s’mbahej frenash…
I njëjtë në fillimin e leksionit…

“Kooperativat bujqësore, e niste leksionin duke tundur krahët e gjatë si krahë helikopteri, prodhojnë misër, grurë, patate, kombajna, traktorë, makina shirëse…”
Ne e kishim mësuar përmendësh dhe pa filluar mirë rrotullimin e helikës na merrte gazi…
Ishte i lezetshëm profesor Kallapodhi…

Edhe sot qesh kur e kujtoj. Bile edhe tani që shkruaj…
E kujtoj me mall e dashuri për humorin që përcillte në tërë pamjen e tij tek lëvizte “krahët e helikopterit” e thërriste me zë bubullimë.

Nuk i di rrënjët e mbiemrit të tij me togfjalëshin e greqishtes “Kalla” dhe “Podhi” kur emri i tij ishte tërësisht në rrënjë e degë të shqipes…
Këmbëmiri?!
Këmbëmadhi?!

Nejse. Ta lëmë profesorin tim në qetësinë e tij, po qe se është gjallë apo në parajsën e përtej jetës.
Të vijmë tek ti or Voc…
The me zë e duke tundur sa lart e poshtë krahun me dy gishtat hapur…
“Të ulim çmimin e energjisë elektrike me 300 lekë për litër”.
E the për inerci, si Kallapodhi im me “traktorët, kombajnat…”, pa presje e pa pikë.
More hov…
Nuk u ndale…

Siç nuk u ndale kur the “shtatë herë shtatë bëjnë 42…”
Edhe në një mbledhje të thjeshtë aritmetikore…
Kallapodhi merrte hov përpara njëqind studentëve në sallë…
Kaq ishim, kaq qeshnim…

Ti i the (e i thua) para milionave, në dhjetëra dritare satelitore e tokësore, kombëtare e vendore…
Qeshje milionere…
Qeshje deri në lot…
Faleminderit!
E qeshura është shëndet…

Për mbyllje një “të vockël” nga profesori im i zoologjisë…
Profesori e fillonte gjithnjë leksionin me shprehjen “Bota e kafshëve është e madhe”,
E thoshte nëpër dhëmbë, si të kishte një bërthamë ulliri në gojë.
Shqiptimi na vinte paksa i tjetërsuar.
Mendjen na e çonte tjetërkund…
Të rinj ishim…

Abdurahim Ashiku
Athinë, shkurt 2020 – shkurt 2021