Nga: Isak . A H M E T I
Poeti Fadil Abazi, tani shkrimtar edhe në prozë, kohë më parë ka publikuar librin e tij, të tretin me radhë, me titull:
ËNDRRA IME E BARDHË, Prishtinë, 2020, nën redaktimin e Merxhan Avdylit, ndërsa recensentë: Bajram Kosumi, Rrahim Sadiku dhe Myrvete Dreshaj-Baliu, të gjithë emra të njohur në letrat shqipe.
Ky poet, që tashmë ka krijuar emër, ka botuar tri vepra letrare:
1. “ERA E MOLLËS” (2007, poezi, ribotuar me 2020),
2. KUR BIE MUZGU,
roman, Prishtimë 2009, që shquhet, sipas vlerësimit të Merxhan Avdylit, për kapjen e nje segmenti të veçantë, të rëndësishëm dhe të domosdoshëm nga përditshmëria jetësore – puna, në rastin konkret puna në administratë, ku autori, Fadil Abazi, me një teknikë të lehtë shkrimore, me një rrëfim të rrjedhshëm dhe me dialogë efektivë, që së bashku sublimojnë esencën, por edhe porosinë që sjell romani, ka arritur të zbardhëllojë muzgun e veprimeve shpërdoruese dhe të papërgjegjshme të autokratëve të vegjël; dhe
3. “ËNDRRA IME E BARDHË“,
libër me poezi të cilin kësaj radhe po e marrim në shqyrtim edhe për faktin se shquhet si i veçantë, origjinal, shumë kuptimor dhe shumë shtresorë për nga vlerat. Në këtë libër, siç e ka vënë re Rrahim Ganiu-Shkupi, kemi një shpërthim poetik të poetit në fjalë ku duket zjarri i brendshëm i autorit për ta sfiduar të keqen dhe për ta vënë në dukje, në një formë mjaft të theksuar, poetikisht, të mirën, të bukurën, dashurinë, si vlerë universale, etikën, etjen për liri, dashutinë për vendin dhe për Atdheun, për Kosovën, i cili, te poezia:
KOSOVA IME, (fq.46-47)
———————-
kushtuar Agim Ramadanit-Katana, ndër të tjera, këndon:
“Kullat të janë kallur Kosova ime
Gurrat nga lotët nuk shterojnë
E burrat mbi supe bartin mitet, legjendat
Ëndrrat e përgjakura për lirinë
Udhët e lirisë janë të gjata
Si një lëndinë pikturash të pafund
Vetëm unë t’i njoh ëndrrat, Kosova ime
Me shekuj bredh në ty uni im
Lotin dua ta mbjell Kosova ime
Muzat të rilindin në ty”.
Struktura e librit
Poeti Fadil Abazi librin e tij më të ri:”
ËNDRRA IME E BARDHË”,
e ka strukturuar në katër pjesë, në katër cikle dhe atë:
I. TA VËMË NË ZJARR DASHURINË,
II. TOKA IME DERI TE MOLLA E KUQE,
III. NDAJE NË DYSH URREJTJEN NGA DASHURIA dhe
IV. KUJTIMI ME ERËN E MOLLËS.
Libri në fjalë hapet me poezinë e bukur: PA TY, kushtuar Nënës (fq.7), dhe vazhdon me shkrimin mjaft shkoqitës:
KËRKIMI POETIK NËPËR ZJARRIN, E DASHURISË (fq. 9-14)
të Rrahim Sadikut, shkrimtar i njohur në letrat shqipe.
Duke shkruar për librin në fjalë të Fadil Abazit më duhet të theksoj se poezia që është përfshirë aty është e pasur me vlera; është lirikë e sublimuar nëpërmjet shprehjes së saktë poetike. Poezia e tij, edhe sipas vlerësimit të poetit dhe studiuesit, Prof. dr. Merxhan Avdylit, renditet në poezinë me vlera të qëndrueshme letrare-artistike që shkruhet sot në Kosovë dhe për më tepër është një sfiduese e pakompromis e antivlerave që kanë vërshuar sot artin tonë letrar.
Krejt në fund le të ritheksojmë se libri:
ËNDRRA IME E BARDHË, i Fadil Abazit, edhe sipas Rrahim Sadikut, mbetet një një përjetim me vlerë artistike për të gjithë ata që kanë kënaqësi leximin, për të gjithë ata që kërkojnë e përjetojnë të bukurën e janë të lidhur shpirtërisht me krijimtarinë poetike, me poezinë që është mbretëresha e arteve.