ISH-AGJENTI I KGB-së DEPAKETON: KJO ËSHTË MËNYRA SE SI E PËRDORI KREMLINI TRUMPIN

0
501
Donald Trump

Donald Trump (74) në kopertinën e librit „Trump: Arti i marrëveshjes“ nga 1987
Foto: Picture Alliance / AP Photo

Kontakti i parë më 1977 +++ Ambiciet politike të mbështetura nga Moska

Bild.de, 30.01.2021 – Përktheu Arben Çokaj

Sa ndikim kishte Rusia te ish-Presidenti i SHBA-së Donald Trump?

Një libër i ri do të tregojë: Shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse KGB e kishte Donald Trump në regjistër, që nga viti 1977. Si një i ashtuquajtur aset, dmth. si një person me rëndësi dhe informator i mundshëm.

Nuk ishte saktësisht plani i KGB-së, që Republikani të bëhej President në 2016 dhe kështu të përfaqësonte interesat ruse në zyrën më të lartë amerikane – por kjo ishte e mirëpritur.

Të paktën kështu thotë Yuri Shvets*, një ish-agjent i KGB-së, i cili ishte vendosur në Uashington në vitet 1980. Shvets është një nga burimet kryesore për librin e ri “Kompromati Amerikan” të gazetarit Craig Unger.

Shvets përshkruan rekrutimin e Trump në Guardian (britanike) si një shembull i “njerëzve që rekrutohen kur ishin akoma studentë, të cilët më pas u ngritën në pozicione të rëndësishme”.

Koha e rekrutimit

► Në vitin 1977, Donald Trump u martua me çeken Ivana Zelnikova. Si rezultat, biznesmeni i atëhershëm aspirues përfundon në radarin e shërbimit sekret rus dhe bëhet objektiv i një mbikëqyrje të shërbimit sekret çek në bashkëpunim me KGB-në.
Donald Trump në vend-ndërtimin e Trump Tower në New York (1980)
Foto: The Image Bank Unreleased/Getty Images

► Në vitin 1980, Donald Trump hapi projektin e tij të parë të pasurive të patundshme në New York: hotelin “Grand Hyatt” pranë Stacionit Qendror. Ai blen 200 televizione nga një kontakt i KGB-së.

Sipas Shvets, kontakti, Semyon Kislin, ishte një i ashtuquajtur “agjent pikatës”, dikush që identifikon informatorë të mundshëm për KGB. Vetë Kislin mohon çdo lidhje me KGB-në.

► Në vitin 1987, Donald Trump dhe gruaja e tij Ivana vizituan Rusinë për herë të parë. Gjatë këtij udhëtimi në Moskë dhe Shën Petersburg – me ftesë të ish Bashkimit Sovjetik – sipas Shvets, zyrtarët e KGB-së i dhanë Trumpit idenë për t’u bërë politikisht aktiv.

Ivana dhe Donald Trump (1987)
Foto: Sonia Moskowitz/Getty Images

“Për KGB-në ishte një ofensivë joshëse. Ata kishin mbledhur shumë informacione për personalitetin e tij, në mënyrë që ata të dinin kush ishte ai në nivelin personal. Perceprimi ishte se ai ishte intelektualisht dhe psikologjikisht jashtëzakonisht i prekshëm, ai ishte gjithashtu shumë i ndjeshëm ndaj lajkave”, tha ish-agjenti i KGB-së Shvets për Guardian.

Kjo është pikërisht ajo që ata shfrytëzuan. Ata pretenduan se ishin jashtëzakonisht të impresionuar me personalitetin e tij dhe menduan se ai një ditë duhet të ishte President i Shteteve të Bashkuara.

“Bota qesh me politikanët e Amerikës”

► Më 2 shtator 1987, menjëherë pas udhëtimit të tij në Rusi, Trump vendosi reklama politike me faqe të plota në New York Times, Washington Post dhe Boston Globe.

Përmbajtja:
Nuk ka asgjë të keqe me strategjinë amerikane të mbrojtjes, që nuk mund të zgjidhet me një shtyllë kurrizore.” Një letër e hapur nga Donald J. Trump se pse Amerika duhet të ndalojë pagimin për të mbrojtur vendet e tjera, që mund të paguajnë vetë.

Më tej lexohet: Pretendime të përsëritura të shfrytëzimit financiar të SHBA-ve nga Japonia aleate dhe kritika të mprehta të anëtarësimit të SHBA-së në NATO – në atë kohë vlerësime joortodokse në Amerikë gjatë Luftës së Ftohtë.

Të gjitha gjërat që ishin në fokus përsëri dhe përsëri në fushatën zgjedhore të Trump 2016 dhe gjatë presidencës së tij. “Bota qesh me politikanët e Amerikës“, tha Trump në reklamën e vitit 1987.

Reklama bëri që KGB të gëzohej.

Kjo ishte unike. Unë di për aktivitetet e KGB-së, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë – derisa Donald Trump u bë President i Shteteve të Bashkuara – ishte thjeshtë çmenduri. Ishte e vështirë të besohej se dikush do ta botonte tekstin nën emrin e tyre, por ata e bënë. Askush nuk mendoi se do të bënte përshtypje për njerëzit seriozë në Perëndim – por ndodhi – dhe pastaj ai u bë president,” – tha Shvets.

Për kënaqësi të Moskës: Trump u bë President

Më 20 janar 2017, Donald Trump u betua si President i SHBA-ve
Foto: AFP

Zgjedhja e Donald Trump si President në 2016 ishte një fitore e madhe për Moskën.

Sidoqoftë, hetuesi special Robert Mueller nuk gjeti lidhje konspirative midis Trump dhe shërbimit sekret rus. “Projekti i Moskës“, një iniciativë e Qendrës për Zhvillimin Amerikan, nga ana e saj ka përcaktuar:

Fushata e Trump dhe ekipi i tij i tranzicionit kishin të paktën 272 ndërveprime me zyrtarë të qeverisë ruse dhe të paktën 38 takime me ta.

Ish-agjenti i KGB-së Shvets e bëri vetë hulumtimin: “Për mua raporti i Mueller ishte një zhgënjim i madh. U tha që të gjitha lidhjet midis Trump dhe Moskës do të hetoheshin; në fund, ishin vetëm lidhjet që kishin natyrë kriminale. Nuk kishte asnjë hetim të kundërzbulimit midis Trump dhe Moskës“.

“Kompromati Amerikan”1

Ne duam ta korrigjojmë atë në libër. Ne do të fillojmë aty, ku u ndal Mueller,” tha Shvets për Guardian.

Autori i librit Unger e përshkruan Trumpin si një “pasuri” (aset), dmth. si një person me rëndësi dhe informator i mundshëm. Nuk ishte plani i madh për ta rekrutuar Trump dhe më pas të bëhej President, 40 vjet më vonë.

Kur filloi gjithçka, në vitet 1980, rusët po rekrutonin si të çmendur, duke ndjekur dhjetëra e dhjetëra njerëz.”

Trump ishte shënjestra perfekte: kotësia dhe narcizmi i tij e bënë atë një shënjestër natyrale të rekrutimit. Ajo u ndërtua në mbi 40 vjet, deri në zgjedhjen e tij,” tha ish-agjenti i KGB-së Shvets.

* Yuri Shvets ishte reporter për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Tass në Uashington në vitet 1980. Ai u zhvendos përgjithmonë në Shtetet e Bashkuara në 1993 dhe u bë një qytetar Amerikan. Ai punon si një hetues i sigurisë së biznesit dhe ishte një partner i Alexander Litvinenko (një agjent rus dhe më vonë agjent i inteligjencës britanike), i cili u vra në Londër në 2006.


Referenca:

1. Në kulturën ruse, kompromati, shkurtimisht për “material kompromentues”, është informatori i dëmshëm në lidhje me një politikan, një biznesmen ose një figurë tjetër publike, e cila mund të përdoret për të krijuar reklamim negativ, si dhe për shantazh, shpesh për të ushtruar ndikim më shumë sesa fitim, dhe zhvatje monetare.