Poezi nga PAVLINA DEMIRAJ PASHAJ

1
299
Pavlina Pashaj

Foto: PAVLINA DEMIRAJ PASHAJ

Jetë e vështire plot me halle…

Nëpër fusha e nëpër male
Ku kënduam e hoqëm valle
Ku punuam vite me radhë
Ku qëndruam me prindërit tanë.

Ku kaluam fëmijërinë
Nëpër kodra e luginë
Ku kullosnim bagëtië
Mblidhnim çaj e trëndelinë.

Ku mësuam në shkollë fillore
Kur luanim me topa bore
Pastaj kapeshim dorë për dore
Bënim lodra popullore.

Jetë e vështirë plot me halle
Dikush ecte zbathur fare
Po kishim një gjë të mirë
Kishim dashuri të madhe…

Nuk e prishëm shpirtin, zemrën
Nuk e ndamë nga buzët këngën…
Brez i mençur, qëndrestar
Çiltërsinë kishim të parë…

Kur do kthehemi prap në vatër

O ju ditë me freski deti
O ju netë me fllade mali
Derte, halle ka dhe mbreti
Jo më emigrant qyqari.

S’na zënë këmbët dhe askund
Ditë e natë ndër rrugëtime
Ditë nata drejtim humb
Na shkoi jeta hall e dhimbje…

Na shkoi jeta në kërkim
Nga Evropa në Australi
Punë shumë e pak shpërblim
Na shkoi jeta lesh e li…

Kur do kthehemi prap në vatër
Të ndezim një zjarr të ri?!
Ta punojmë tokën çdo ngastër
Të mbjellim veç dashuri…

Në rrugë malli lamë gjurmë

O shoqe, mike fëmijërie
Rritur bashkë me halle shumë
Na u ndanë rrugët për së gjalli
Gjurmëve të lotit po bredh unë.

O ju stoli e shpirtit tim
Ku strehën ka mall i pashuar…
Ju ndjek me mendje pa përtim
Sa kohë që ka s’iu kam takuar…

Nëpër atdhe shpërndarë jeni
Në rrugë bote dhe mërgimi
Unë shkund nga sytë një lot poleni
Dhe ju thërras që pranë t’më vini…

Të rrimë bashkë si dikur
Të kujtojmë kohën e rinisë
Kur fantazive ju dhamë udhë
Në atë stinë të dashurisë…

Më vijnë në ëndërr

Larg ku jam, në atë dhe të huaj
Më vijnë në ëndërr çaste mrekullimi
Kur bridhja fëmijë pas xixëllojnave
Në netë vere, në atë kohë përmallimi…

Tani xixëllonjat ndjek në ëndërr
Dhe bëhem prap fëmijë e lumtur
Më mungon fshati im i dashur
Më mungon në jetë stina më e bukur…

Më vijnë në ëndërr çaste magjijimi
Dhe bëhem prap e vogël, lozonjare
Kur zgjohem…në zemër veç kujtimi
Dhe malli pjesë zemre, pjesë aorte…

Më prit, të premtoj…

Në këto gurë jam rrëzuar, vrarë
E dhimbja më ishte e ëmbël mjaltë…
Këtu kam ëndërruar, qeshur e qarë
Jam ngjitur në pemë e zhytur në baltë…

Këtu kam shijuar agimin e kristaltë
Që ndrin mbi kodra dhe pemishte…
Shkuar Parisit më dukej ky fshat
Me gjërat e mira dhe cenet që kishte…

Tani nuk të kam. Jam larg, shumë larg
Me teleks ere një puthje ta çoj
Ah, të vij dhe një herë, te ky prag!
Do të vij, më prit, të premtoj…

Kjo hënë që ndrit mbi kodrinë

Kjo hënë që ndrit mbi kodrinë
Më kujton netët e ikura pa kthim
Virtyteve femërore ua fala unë rininë
Nuk kam brerje ndërgjegjeje, as pendim.

Kjo hënë ka mijëra vjet që ndrit
Atje mbi valët e detit kaltërosh
Një kohë të bukur ajo më fanit
Me trillin e të panjohurës ende më josh…

Këtu ku jam, në vorbulla maramendje
Ku çasti dhe shekulli janë bashkë të dy
Atë hënë vetmitare e kujtoj me ëndje
Në mote të shkuar, larg në fëmijëri…

Një ditë do të vij, tek ky det pasioni
Nën këtë hënë që vezullon me prarim
Nuk më ndalon dot asnjë lloj cikloni
Më thërret zëri i lashtë i gjakut tim…

Dhimbja e emigrmit

Ku po ikim, ku po vemi,
Hapat para, kokën pas,
Nga malli na zu veremi,
Askund s’duket një oaz.

Askund qetësi nuk gjejmë
Endemi në shtigje dhëmbje
Në mëngjes porsi zgalemë
Pendërënë në mbrëmje.

Duam jetën ta drejtojmë
Në rrugë nga mbarësia
Nga sytë këmbët emigrojmë
Na ndihmoftë Perëndia!…

Pas mbetur në errësirë
Shtëpitë bashkë me kujtimin
Zgjohemi ende pa gdhirë
Vetvetes t’ia mbajmë premtimin.

Ta ndryshojmë rrjedhën e jetës
Të jetojmë me dinjitet
Se atje ku na ra koka
Ende jo nuk kemi shtet.

Ku po ikim, ku po vemi,
Hapat para, kokën pas,
Një gjuhë e një gjak kemi
Dhe një hall e një maras…

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

1 KOMENT

  1. Të MENDOJNE të gjithë si kjo PENE!

    Emira, CUPE po te quaj Pavlina Demiraj Pashaj,
    Qendisur keto vargej me ankth ATDHETAR,
    Dite Njemije une gjysh 85 vjecar, Si poezon
    Ti po vuaj tej oqeanit, vetem sjam.
    Vetem s’jam me niper e me mbese,
    Me cke POEZUAR tu cupe jetoj…
    Po lutem COVID murtaje ik…
    Ne Dangelline Naimjane,te jap SHPIRT.
    Edi, braktisur, dikur fshatret-QYTET,
    Pseudodemokracia e pas 90tes,
    Na katandisi qe s’njeh qeni te zone,
    Pseudo Atdhetaret, qe vwtem atdhe skane..
    Na lane pa shtet, oligarket financiare,
    Tere pasurine, djerse e POPULLiY- ata marre,
    Historia VONON po nuk GABON…
    Populli, Zot i atij vendi, fjalen do e tote.
    Dhimbia e madhe POPULL !
    Me JU Pavlina Demiraj Pashaj!
    Mbedhcim mendien kete MAJ NAIMJAN
    Tua japim *VETES VOTEN* kete 25 Maj.

    Dhimbia e madhe POPULL!
    Guri Naimit D. Me Ju!

Komentet janë mbyllur.