Për ju të nderuar miq dhe dashamirës të krijimtarinë time. Po hedh për ju një tregim nga libri i ri me tregime: LITARI I MALLIT. Ju uroj çlodhje dhe lexim të këndshëm përgjatë stresit të virusit, karantinës dhe ditëve me borë të dimrit të fund janarit.
KRISTAQ TURTULLI
tregim
Gërvishtjet në shpirt nuk bëhen me thonj por me fjalë.
Mes rrëmetit dhe zhaurimës së njerëzve dikush e thërriste në gjuhën shqipe me zë basi, si buri të vjetër makine:
– Ku je o Artan Buzeli, ku je!
S’mundi të kthente kryet shihte kush qe, turma e shtynte me bërryla e supe. Gjendej në hyrjen e metrosë së madhe të Torontos, ku kryqëzohen trenat veri- jug dhe lindje- perëndim.
Iu shmang morisë së nxituar të njerëzve. U ngrit në majat e këmbëve. Xhamat e trasha të syzeve iu mjegulluan nga avulli dhe djersa. I fshiu me ngut, por u zhgënjye kur dalloi të njohurin e dikurshëm, që s’ donte ta takonte kurrë.
Mendoi një hop të ikte, të zhdukej mes turmës, por Sherif Vreno si patok në fluturim, iu derdh krahëhapur. Koka katrore i qe zbardhur, bërë dele, mbuluar me kapele të bardhë republikë. Rrumbullak, si kadushkë me turshi.
– Ah o Artan Buzeli, ku je!
– Dale prit..,- ia bëri Artani dhe tërhoqi kokën pas: – Mos je ti ai.., mos, je?!
Donte të thoshte: Mos, je ti ai që s’dua të shoh sytë’.
– Hë mo, Shefiri jam… S’më mban mend, – dhe e puthi pllaq- plluq në faqe.
– Aha… Sherifi!- foli me përtesë Artani dhe fshiu faqet me neveri.
– Sa mirë, gjeta një moshatar, të këmbej dy llafe. U myka me gruan mbyllur në shtëpi. Kujt tu flas, mureve. Kur bëj pazar, ose blej ndonjë paketë me cigare, u them:
‘No anglisht, no’ dhe tregoj me gisht atë që dua. Eh o byrazer, këtu qenka ç’qenka. Tjetër botë. Erdha vizitë në djali, por s’ ta kanë ngenë. U hipin makinave, ikin në mëngjes dhe kthehen në mbrëmje.
– Hëm..,- ia bëri Artani vështrim shpërndarë. Ndjeu kriposjen e djersës së tjetrit. Sherifi fliste sikur qenë ndarë orë më parë dhe jo vite të shkuara.
– Djali shkoi në godinën përballë. Prit këtu, më tha, pi një kafe: – Sherifi vështroi me kureshtje rreth e rrotull:- Ua, kallaballëk i madh. Eh, të gjorëve ne, na shkoi rinia xhaba, as e pamë, as e zumë…
– Ëhë… kallaballëk,- tha Artani dhe, ndjeu ngurtësimin e qafës.
Sherif Vreno u kthye ballas. Shikimi që derdhej prej syve të tij të vegjël i ngjanë Artanit si dy tehe shtize të mprehta.
– Shyqyr të gjeta ty, këmbej dy fjalë, – Sherifi zbardhi dhembët e vëna. Futi gishtat nëpërmjet dy kopsave të hapura të këmishës dhe fshiu djersën e gjoksit.
– Hëm.., mirë o Sherif Vreno,- foli me përtesë Artani:- Më gjete mua, këmbesh dy fjalë. Por kur takohet shqiptari me shqiptarin, në vend të huaj, s’është thjesht të këmbejnë dy fjalë por të kujtojnë dhe plot gjëra.
– Ashtu thua!- ia bëri Sherifi dhe ngriti vetullat përpjetë.
– Po, kështu,- i tha thatë dhe shtoj:- Më fal. Kam punë. Nxitoj.
Artani u grind me vete: ‘Nga dole përpara o Sherif Vreno, duke mbartur rëndesën e pluhurit të tridhjetë e pesë vjetëve.
Sytë e vegjël të Sherifit mbetën dy pellgje të ngrirë.
– Po…pse,- u ankua Sherifi. Hoqi kapelën dhe fshiu çaçkën e kokës dhe murmuriti me inat: -‘Buzel ke filluar të hedhësh shurrën me kallmë!’
Artani s’ i ktheu përgjigje.
Në metronë e madhe të qytetit të Torontos dyndej mizëri udhëtarësh, të mbahej fryma.
Liroj komçën e dytë të këmishës. Në shpinën ndjeu nxitimin e currilit bezdisës të djersës. Ti thotë Nexhit se Sherifi i mbiu përpara syve si plaku maç! Ajo do pulitë sytë dhe nishani në buzë do dridhet, E perse ti tregojë Nexhit, kur shtegu i verbër është rënduar prej gjetheve të ronitura nga lagështia e kohës.
Sytë e të vegjël të errët dhe nënqeshja e keqe gjithnjë u qenë ngjitur hap pas hapi si dy njolla të murme të ndotura në skaj. Aq sa kur linin xhiron e mbrëmjes shpina u qëndronte gjithnjë e ftohtë akull. Ecnin pa folur në rrugicat e kalldrëmta. Vetëm kur mbyllnin derën e shtëpisë ndjeheshin të çliruar.
-Nuk e di sa i ngjashëm është morri me njeriun! Morrat janë mësuar te thëthinin dhe nuk mund te bëjnë dot pa krijesat e gjalla,- murmuriti Artani dhe përshkoi rrugën e “Mbretëreshës” me hap të shpejtë: – Eh more Sherif, Sherif! Gërvishtjet në shpirt nuk bëhen me thonj por me fjalë..!
* * *
Dy shokët ulur në shkallët e kinoteatrit ‘Çajupi’ tymosnin cigare ‘DS’. Vera po ikte dhe, afrohej me të shpejtë shtatori, vjeshta. Djemtë ndjeheshin të trishtuar, për dreq u shkoi squfur mundimi në gjetjen e ndonjë zogëze dhe, afrimi çakërrqejf të Artanit e pritën me bezdi e përdredhje buzësh. Por Artani bëri sikur s’e vuri re. Bujarisht u afroi nga cigare dhe u tha:
– Gjejeni kë gjeta mbrëmë kur shkova në shtëpi?
– Gjete tët ëmë në benevrekë,- u gërmuq Sherifi.
– Nuk bëj shaka,- tha Artani: -Hë e gjeni?
– Ç’ja fut kot, pse fallxhorë jemi ne.- ia ktheu Dashi me indiferentizëm dhe shkundi hirin e cigares.
– Hape o grykën, fol. Mos na lodh,- i tha Sherifi.
– Nexhin gjeta në shtëpi, Nexhin,- tha Artani i ngazëllyer. Merrte frymë me zor nga emocioni dhe fytyra i shkëlqente nga kënaqësia.
– Kë Nexhi mo?- Sherifi flaku pështymën tutje.
– Nexhin ore, me nishankë në buzë.
– Hajt, mos na shit pordhë?!- folën në të njëjtën kohë Sherif dhe Dashi: -Nga u gjend kjo Nexhi te ty?!
– Ja, u gjend,- u tha Artani me sinqeritet:- S’u besova syve.
– U verbove, hë!- u tall Sherifi.
– U befasova.
Të dy shokët dyshues vështruan njeri tjetrin.
Tre djemtë ishin njohur në punë, në ndërmarrjen e Lëkurë -Këpucës. I ati i Sherifit, Manxini, si kryetar lagje e futi të birin të punonte në modelimin dhe prestarinë e lëkurëve. Dashin e rregulloi i xhaxhai në montim e këpucëve. Dashi lakmonte fërnetin e zi me belladonin e mrekullueshëm.
Artani pa krahë mbështetëse punonte në ‘siberi’, skarnimin e lëkurëve. Mbështillej fund e krye me rroba llastiku, mbarte lëkurët e regjura, të kriposura. I neveritej era e ndyrë, por e humbiste mendjen kur shkruante poezi dhe tekste këngësh. I ati vdiq kur ishte tetë vjet nga një sëmundje të gjatë. Shkaktuar prej viteve të tmerrshme në birucat e nëndheshme të hetuesisë së Hanit me Dy Porta. Me akuzën: ‘fshehje floriri’.
– Sikur the Nexhin me nishankë në buzë?- e pyeti me ironi dhe xhelozi Sherifi.
– Jua a thashë, po Nexhi,- u përgjigj Artani.
– Nexhi me nishankë në buzë u gremis në furrikun tënd?- i thanë me sarkazëm dy shokët.
– Ëhë.
Shprehja e tyre kaloi në qeshje:
– O derdimen e gjorë, sheh ëndrra me sy hapur!
– Ç’ne o ëndrra, e kam me gjithë mend.
– Të ëmën e së ëmës kuçka! S’gjeti shtëpi tjetër, por theu këmbët në ty?! – u gërmuq Sherifi dhe u zgërdhi: -Hë?!
– Nuk e di.
– Hej, na ranë këmbët për një çikë femër dhe, dolën si rrojtur qethur. Për çudi, alamet ferme shkon dhe hyn si pulkë në qenefin tënd, Kështu?!
– Erdhi mbrëmë .., – ngulmoi Artani . S’ u kushtoi rëndësi zgërdhirjes së shokëve.
– Hëm, e çuditshme! Si në filma! Pa na thuaj si ndodhi me Nexhin. Ama mos na çaj bythën, mos gënje,- i thanë me seriozitet të shtirur dhe tinës qëlluan njëri tjetrin me bërryla.
– Po të jetë kështu, s’flas fare,- u tha Artani i fyer.
– E mirë de mirë. Shaka bëmë. Hajt trego, mezi durojmë.’
Artini u mbush me frymë. Mori një pamje ëndërrimtare dhe, nisi të tregonte:
– Mbrëmë, kur u ktheva në shtëpi nëna më priste te dera. Më ndali dhe m’u ankua:
‘Hiç nuk i hapesh nënës, hiç.’
‘Ç’thua moj nënë!’ ia bëra i habitur: ‘Në kursin e makinës isha’.
‘Në kuzhinë pret një vajzë e bukur e panjohur.’
‘Më pret një vajzë!’ ia bëra i çuditur.
‘Po o bir dhe për mua si nënë, çupa është e panjohur!’
Pa i kthyer nënës përgjigje hyj në kuzhinë. Hej dreq, s’kisha ftuar ndonjë vajzë në shtëpi. Le ku gjendej vajzën ta ftoja. S’më besohej. U shtanga. S’u besoja syve. Ulur në stol ishte Nexhi, bukuroshja, me nishankën e mrekullueshme në buzë. Nexhi, e lakmuara e meshkujve. Nuk e di në ju kam thënë, Nexhin e njoha në takimin e krijuesve të rinj të qytetit. Vallëzuam së bashku, gjoja si rastësisht më ngjiti shalkën. M’u tha gjuha dhe, mezi lidha dy fjalë. Prej asaj dite Nexhi më dilte në ëndërr. Por ëndrra të bëhej realitet dhe, aq më tepër të vinte vetë në shtëpi më shkaktoi përskuqje në fytyrë. U kapërdiva, shmanga topitjen dhe lirova gjuhën të fliste:
‘Nexhi po ti këtu!’ i thashë dhe iu afrova pranë.
Ajo mblodhi supet pa ditur ç’të bënte dhe mërmëriti:
‘Erdha. Bëra gabim?!’
Heshta, s’dija ç’të thosha. Një moment nuk besova isha në shtëpinë time. Kisha një lëmsh me pyetje në tru dhe s’ dija nga ta nisja.
‘Ke ngrënë gjësend?’ e pyeta të gjendesha në llaf. Njëherësh u grinda me veten, si nuk gjeta fjalë tjetër për të qenë.
Mblodhi supet. Nishanka në buzë iu drodh. Mbante veshur fustan me lule pak të hapur në gjoks dhe xhaketë të hollë, të bardhë pambuku.
Nëna solli dy pjata me supë mbetur nga dreka, pa më ndarë shikimin pyetës. Dreq o punë, qenka bela e madhe kur vjen në shtëpi pa pritur dhe papandehur një vajzë e bukur, me nishankë ne buzë. Them të drejtën u përkëdhela në sedër. Nexhi mblodhi gjunjët, shtriu fustanin dhe u ul pa shumë ceremoni në tavolinë. Filloi të hante. Vështroja profilin e hijshëm të Nexhit, hundën e vogël, pak majuce dhe dëgjoja trokëllimën e lugëve në pjata. Nuk dija nga ta nisja.
Më në fund vendosa. S’kisha përse të vrisja mendjen. Femra hyri në shtëpi, do ta merrja punën shtruar, si mashkull i regjur pa shumë hollësira të panevojshme dhe sentimentalizma. Nëna lodhet gjithë ditën, do shkojë të flejë në dhomën e saj dhe, unë me durim e maturi do sqaroja të gjitha enigmat e bukurisë femërore ardhur papritmas në mbrëmje.
Mblodha pjatat, i vura në lavapjatë. Nëna erdhi pranë, më pëshpëriti:
‘Përse erdhi kjo vajzë, hë? U ul të hajë në tavolinë si shtëpinë e vet? Biro mos më ke bërë ndonjë proçkë dhe s’ ia thua nënës?
‘Jo moj nënë jo,’ e qetësova.
Ajo tundi kokën e pabindur.
‘Mos ke e lënë me barrë biro!’
Oh, ç’më gjeti. Duhej të mbushja mendjen nënës s’e kam prekur me dorë dhe, jo pastaj me barrë. Eh, ku u shkon mendja nënave! I mbusha Nexhit një gotë me qumësht. Më falënderoi pa më parë në sy. Dreq o punë me këto femrat, e ndjek, mat rrugët, dërmon këmbët, kthehesh duar bosh, Dhe, papritur e pa kujtuar, e kur u ka qejfi, pa e bërë të gjatë hyjnë zduq e zdruq në shtëpi. Hej dreq, kur ia kishte qejfi, përse s’më ra në sy qysh më parë
Nëna iku në dhomën tjetër. Pa e zgjatur i futa duart Nexhit në gji. I shtrëngova fort cicat dhe thithat e vogla. Ajo u ndeh dhe u përdrodh. S’e priste veprimin tim. E putha me afsh në buzë e tulta. Ia thëthiva me neps nishanin e zi. Buzët i kish të thata edhe nishani qe i thatë Nexhi me fytyrë të përvuajtur mundohej të mbrohej, të shkëputej. Trupi i saj i brishtë dridhej në krahët e mi. Por unë ëhë, e mbërtheva si në mengene. Më në fund pas shumë lutjesh u shkëput prej meje. Largoi kryet shikim trishtuar.
E pashë me inat.
‘Nuk do,’ hungërita,‘ Atëherë përse erdhe te unë?’
‘Erdha,’ murmuriti kokulur: ‘Bëra vallë gabim?’
‘Nuk di, dhe gabim. Po… po përse kur nuk do?’
‘Nesër shkoj në Tiranë…’
‘E pastaj!
‘Kam konkursin e pikturës.’
‘Erdhe tek unë, si punë trampoline, hë, me gjysmë ore njohje?’
Ajo mblodhi supet dhe vari kokën poshtë.
‘Mu duke djalë i mirë, prandaj. Autobusi niset në tre të mëngjesit. Shtëpia jote është pranë stacionit të autobusëve.’
Hëm, djalë i mirë! Pa e zgjatur dhe, pa ja vënë veshin arsyes së saj e mbërtheva nga shpatullat e putha përsëri. Dëgjova hapat e nënës. U shkëputa nga Nexhi.
‘Mund të flini në divan,’ iu drejtua nëna Nexhit: ‘Të shtrova rrobat.’
Nëna iku. Por nuk ndenji pa ma bërë me shenjë, të shkoja të flija e, mos bëja ndonjë marrëzi. Po ku më rihej mua. Isha tallaz e shkuar tallazit. Të kesh femër në shtëpi, që ngre në havadan një qytet dhe, të bësh gjumë të qetë.
Dëgjoja i ngrehur frymëmarrjen e rëndë të nënës, shoqëruar me fërshëllimën si lokomotivë. Frymëmarrjen e butë të Nexhit dhe trokëllimën e fortë të orës së madhe varur në mur. Isha në ethe. Zemra më rrihte me vrull. Goja më ishte mbushur me lëng. Më besoni, s’mund të rezistoja më. Si u bëka mashkulli kur ka një femër të bukur, seks në shtëpi…
– Të besojmë o posi,- ia pat Sherifi me ironi.
Artani s’ia vuri veshin, vazhdoi:
‘Pa e zgjatur u ngrita, eca në majat e gishtave dhe, pa e bërë të gjatë, ngrita kuvertën që mbulonte Nexhin. Më mbahej fryma nga emocioni dhe duke u dredhur, u ngjesha pas trupit të saj të ngrohtë.
‘Çfarë bën?! Të lutem mos,’ klithi ajo.
S’i ktheva përgjigje dhe, pa i vënë veshin lutjes së saj e putha, e shtrëngova. Mezi mbushesha me frymë nga dëshira e shfrenuar të bëja seks me të. U kërleshëm. Ia thitha me afsh nishanin e zi. Ia copëtova cicat me majat e dhëmbëve. Duart më lëvizën me shpejtësi drejt mbathjeve të vogla të mëndafshta të Nexhit. Filloi të qante. Kryqëzoi këmbët dhe u zbyth në cep të divanit. Në errësirë dallova ndriçimin drithërues të lotëve dhe frikën e hapur në sytë e saj. Pëshpëriti zë dredhur:
‘Të lutem Tani, të përgjërohem. Mos më bëj gjë. Jam për konkurs. S’kisha ku shkoja. Besova dhe trokita në derën tuaj. Kur të kthehem jam e jotja, më bëj ç’të duash.’
Dëgjova zhurmën e derës së dhomës ku flinte nëna. Pa e zgjatur shkava prej shtratit të Nexhit dhe shkova në shtratin tim… ja kaq. Kjo është e gjitha.
– Dale, dale, s’të marr vesh? Ku është çudia, le Nexhin te ikte dhe, s’ia bëre atë punë?- i tha Sherifi me nënqeshje cinike në buzë.
– Jua a thashë,- u përgjigj Artani:-Mu lut, ishte për konkurs.
– Çfarë, konkurs! Hej, ka konkurs më të madh se të bësh një femër si Nexhi!- qeshi me të keq Sherifi dhe vështroi nga Dashi, i cili s’fliste, veshtonte sy shqyer.
Artani s’foli.
– Pa na thuaj, ku është çudia,- ngulmoi Sherifi me ligësi: -S’ të durohej ta tregoje budallallëkun me brirë, hë? Hej kokë, le nishankën të ikë si pëllumbeshë dhe, s’ja ngrite këmbët bigë?’
– E lashë të ikte, s’ ja ngrita këmbët bigë,’ ua ktheu Artani i nervozuar.
– Kjo është çmenduria më e madhe e shekullit të njëzetë,- u gërmuq Sherifi dhe qeshi me të keq:- Hej, kokë, kokë. Na ra bretku për të vjedhur një puthje dhe, ti na tregon…
Artani s’i ktheu përgjigje. Flaku cigaren e shkeli me majën e këpucës dhe u largua pa kthyer kokën. Shokët s’e lanë të përfundonte historinë:
Në mëngjes përcolli Nexhin në stacionin e autobusëve të linjës. Ishte ftohtë dhe Nexhi dridhej si zog. Iu var në qafë dhe e puthi me buzët e plota, të tulta, të lëngështa prej vesës mëngjesore. Sytë e saj shkëlqenin:
‘S’e merr me mend sa mirënjohëse jam, për ty dhe nënën tënde të mrekullueshme,’ i tha.
Kur u kthye në shtëpi gjeti të ëmën ngritur, sy merakosur dhe me xhaketë të trashë leshi në dorë.
‘Si e lamë vajzën të udhëtojë në këtë të ftohtë me xhaketë të hollë,’ tha nëna.
Vonë iu kujtua, gjatë vallëzimit Nexhi e pyeti:
’Ku banon?’
‘Në shtatë katëshi,’ i tha.
‘Një rrugë larg nga stacioni i autobusëve?’ E pyeti ajo.
‘Po.’
* * *
Sherif dhe Dashi filluan të prashitnin mes tyre dhe, pirë cigare paf- puf. Artanit i paska shkruar në shtëpi Nexhi me nishankë në buzë, bomba e fshatit Paçovë. Për Nexhin plasi grushti javë më parë në shkallët e Pallatit të Kulturës. Të mjerit Tani, i lëshon goja lëng për Nexhin, ndaj fantazon, krijon ëndrra me sy hapur dhe, kërkon të mburret në sy të tyre. Kaqoli s’është dalluar si joshës i femrave.
Dhe, kur e futën me zor të bënte seks me Xhulinë këmbështrembër, kurvën me nam, u drodh si epileptik. Hëm, e kur mbaroi atë punë, Xhuli qeshi me të madhe, ndërsa ai qe bërë i verdhë dyllë. Vazhdonte të qëndronte mbi Xhulinë pa lëvizur. Vështronte si hutaq rreth e qark. Kurva Xhuli u mërzit dhe e shtyu me gju.
– Nga ma sollët këtë qullac,’ u grind ajo: -Pa e futur u prish më keq se lepuri’
Një javë pas bisedës Dashi dhe Sherifi qëndronin ulur si zakonisht në shkallët e kinoteatrit ‘Çajupi’. Sherifi luante me tre topa të bardhë, të vegjël ping-pongu. Do merrte pjesë me grupin e estradës së ndërmarrjes. Dashi pinte me kënaqësi, gllënjka të vogla fërnetin me belladonin e mrekullueshëm. Faqoren petashuqe me fërnet e mbante fshehur në xhepin e brendshëm të xhaketës. Duhej të luteshe, puthje bythën të jepte një gllënjkë.
Artani sy picërruar prej tymit, pinte cigare ‘DS’. Kish kaluar një javë e vështirë qysh nga ajo natë e mahnitshme. Ndjente mall për Nexhin. I iku gjumi. E ri sillte në mendje refrenin e këngës:
‘Do ta puth nishankën’ë
që ma ke në buzë.
Po të duash Nexhi, le të bëhem urë.’
Askujt s’ i tregoi tekstin e këngës kushtuar Nexhit. Do ta luante në kitarë.
Cigaret u mbaruan. Vetëm në kinkalerinë e Çomë Gajtanit kishte ‘DS’, i mbante nën banak skuthi. Çomë Gajtani si kushëri i parë i nënës së Artanit dhe xheku i ruante ndonjë paketë ‘DS’.
– Shko merrna një paketë në Çome Gajtani,- i tha Dashi.
– Do vijë ndonjë me mua,- u tha Artani shokëve.
– Shko vetë. Çome Gajtani i ka zët dëshmitarët,-i tha Sherif dhe shau nëpër dhembë. Një prej topave të vegjël i shpëtoi nga duart, u rrokullis në asfalt dhe u shkel prej kalimtarëve. Artani iku.
– Sa pordhë ka,- u grind Sherifi si të nxirrte inatin për shkeljen e topit.
Dashi indiferent rrëkëllente fërnet.
Përtej bulevardit të postës së vjetër u shfaq Nexhi, veshur me xhaketën e hollë, të bardhë dhe fustanin me lule. Sa qe kthyer nga Tirana dhe fitoi konkursin e pikturës. Mezi priste të takonte Artanin.
– Hej Dashi, shiko Nexhin. Në trotuarin e postës së vjetër,- klithi Sherifi: -Ta thërres?
– Lëre dreqin, ç’e ngacmon kur s’e njeh,- i foli Dashi me bezdi.
– Punë e madhe! Nexhi!- thirri Sherifi dhe u turr drejt saj.
Vajza ndaloi. Vështroi e hutuar nga i erdhi zëri. Një djalë të huaj i afrohej. Bëri të largohej.
– Nexhi të lutem, mos ik. Vetëm një pyetje kam,- iu tha Sherifi.
Vajza me një lëvizje nazike ngriti flokët e zinj, kaçurrela dhe, qëndroi e ngrehur para djalit të huaj.
– Dua të pyes për Artanin,- i tha Sherifi.
– Po…përse!- ia bëri vajza dhe zemra i rrahu me vrull. U bë gati ta pyeste ku është? Ai djalë u tregua fisnik me të.
– Vura bast, një dorë leka. Thuaj të drejtën, fjete vërtet në shtëpinë e Tanit?
Nexhi u skuq, u zverdh, më pas u nxi nga inati. Sa bastardë janë njerëzit. Vënë baste!
– Nuk di kush është ky Artani. Më lërë të qetë,- i tha dhe u tërhoq prapa me hapa të plogështa, duke vështruar përdhe me frikën e rrëzimit.
Sherifi pa i kushtuar rëndësi turbullimit të vajzës vazhdoi:
– Nexhi, vajte në shtëpinë e atij bufi, ashikut të pazier, apo na shiti pordhë, gënjeu?
Turpi i hijshëm i Nexhit u drodh.
– Nexhi, nëse ke qenë në shtëpinë e kërriçit dhe s’ ja le bereçkën, ja paske bërë me gjizë,- i thirri Sherifi nga pas dhe qeshi me sarkazëm: – Artan Buzeli është kërriç i gjorë, s’merr erë nga femrat, nga jeta dhe, biografinë e ka të prishur. E bukura Nexhi, me nishankën magjepsës në buzë, vije në shtëpinë time, do të mbaja gjithë natën në krahë si princeshë.”
Nexhi s’i ktheu përgjigje. Rrëzoi kokën në gjoks e mbytur prej ngashërimit. Artani mund të ishte një naiv i mjerë, ndërsa ky një i poshtër.
Sherifi me duar rrasur në xhepa, qeshte me të keq. Dashi indiferent me gllënjka të vogla pinte fërnetin e zi me belladonin e mrekullueshëm…
Korrik 2010- 2020
Kristaq Turtulli, Tregim shkëputur nga libri me tregime LITARI I MALLIT
Librin e gjeni ne Tirane tek Liabrarite Adrion dhe Albania dhe ne te gjitha librarite e qytetit te Korces; me porosi mund ta cojme me poste ne cdo cep te Shqiperise dhe te boteëgjon Nexhi! Gjëja më e mençur e femrave si ti, është mos ua lënë foleçkën debilave si Artan Buzeli!