Të ndërtojmë në Shqipëri shtetin e ri

0
355
Nikolin Lëmezhi - pagëzimi te kisha e Shën Eufemisë

Në shoqërinë shqiptare, ashtu si në shoqëri të tjera, ndikimi i familjes, që përbënte burimin kryesor të “traditës“, është ridimensionuar me humbjen e përparësisë së saj, për shkak edhe të shfaqjes së globalizimit. Tashmë roli i edukimit iu është besuar në pjesën më të madhe institucioneve shkollore. Duket se, nëpërmjet këtyre institucioneve, mund të realizohet një transmetim i ri i modeleve edukative për brezat e rinj, që të fitohet një vetëdije e ripërtërirë politike e Kombit.

Pa këtë vetëdije, që modelon një popull me qëllim që të ndërtohet një sistem social dhe politik që të jetë funksional për të mirën e përbashkët, nuk mund t’i bëjmë të jenë në rregull shtetin dhe institucionet. Dhe, pa shtetin dhe institucionet e tij, shoqëria shpërbëhet, siç e konstatojmë çdo ditë; dhe akoma më shumë sot që nuk kemi as ligjet tradicionale që na mbështesin dhe na mbrojnë.

Nëse strukturat e një shteti˗komb do të bëhen funksionale dhe të besueshme, shqiptarët do të mund të bëhen qytetarë të botës dhe persona të lirë, sepse atëherë do të transmetojnë një kulturë të re demokratike dhe do të krijojnë një shtet funksional që mbron qytetarët.
Përse historia përsëritet tek shqiptarët?

Mungesa e strukturave vepruese në shtetin shqiptar vjen nga fakti se përvojat e të kaluarës nuk janë interpretuar dhe integruar në institucionet edukative, dhe është arsyeja kryesore për të cilën disa popuj përsërisin clichè˗të e zakonshme në historitë e tyre. Personat lindin “tabula rasa” si një fletë e bardhë mbi të cilën secili do të shkruajë me mendimet e veta, bindje dhe veprime. Ata që sapo kanë lindur, nëse nuk përdorin rezultatet e njerëzve që kanë jetuar përpara tyre, do të rriten në rrethin e mbyllur të një zhvillimi individual dhe do të shuhen me vdekjen e breznisë së tyre, gjë që do të thotë se njerëzimi i atij populli është i paralizuar në ecjen e tij të rritjes.

Si shumë popuj mësojnë në mënyrë të përbashkët nga përvojat e historisë së kaluar njerëzore, shqiptarët me individualizmin e tyre të theksuar, me të cilin kanë ditur të organizohen në nivel familjeje, fillojnë gjithnjë nga zero, sepse ju mungon një sistem institucionesh që zhvillohen, mbi të cilin të ndërtojnë të pranishmen dhe të organizojnë të ardhmen. Mbeten akoma në Shqipëri disa norma tradicionale, lidhur me Kanunin, që nuk mund të përshtaten në kohën tonë, por nuk janë marrë parasysh aspak për shkak të mungesës së një ndërgjegjeje kombëtare dhe për shkak të përparimit të globalizimit.

Në Shqipëri, insitucioni familjar zë akoma një vend të madh për nga rëndësia, vlerësimi dhe funksionaliteti, në krahasim me institucionet shtetërore. Ndërkaq, për ta bërë Shtetin e tyre funksional, të respektueshëm dhe të rëndësishëm, shqiptarët duhet të organizohen në përngjasim të familjeve të tyre.

Familja shqiptare ndërtohet mbi respektin e hierarkisë, mbi vetëdijen e rolit individual të çdo anëtari, por mbi të gjitha fortifikohet mbi parimet morale dhe mbi besimin në rregullat fisnore të trashëguara me gojëdhëna në kulturë. E njëjta gjë kërkohet për institucionet shtetërore, domethënë, për respektin ndaj hierarkisë, parimeve morale dhe besimit në ligjet e shtetit, që mund të aktualizohen vetëm nëpërmjet ndërgjegjes kombëtare, e cila duhet formuar nëpërmjet institucioneve tona edukative.

Individualizmi e pengon ndërgjegjen kombëtare

Nuk është se shqiptarëve nuk iu pëlqejnë institucionet, por individualizmi i tepruar iu pengon atyre të bashkëpunojnë për rritjen e tyre dhe për zhvillimin e tyre. Nëse deri tani kemi qenë penguar në zhvillim nga pushtimet e diktaturave të radhës, tani e tutje është pikërisht prirja ndaj individualizmit mes shqiptarëve, që pengon zhvillimin e institucioneve sociale që janë në fuqi sot në shtetet me një rrugëtim të gjatë demokratik.

Nëse institucionet edukativo-sociale të çdo Vendi nuk do të funksiononin, njerëzimi në çdo brez do të gjendej përballë diktatorësh çnjerëzorë si Enver Hoxha. Tani në çdo brez shqiptarët, pikërisht në mungesë institucionesh të vlefshme, e përballojnë historinë si të ishte fillimi, dhe është ky rezultati i individualizmit të tyre të tepruar dhe i mungesës së solidaritetit social.

Megjithatë, edukimi si faktor çelës, është një proçes që kërkon kohë, edhe për disa breza. Dhe koha është saktësisht ajo që ka luajtur në dëm të shqiptarëve, për shkak të ndodhive historike, të përcaktuara përpara nga pushtimi otoman e pastaj nga diktatura komuniste. Bëhet fjalë për një vonesë tmerrësisht të madhe në formimin e ndjenjës politike të kombit˗shtet tonin, sepse ky proçes, i filluar në gjysmën e shekullit XIX me “rilindjen kombëtare” dhe i mbyllur me deklaratën e Pavarësisë në vitin 1912, ka mbetur pa një rezultat final pozitiv deri më sot.

Dalin në pah tre faktorë kryesorë, rrethi veskeq, globalizimi dhe mosvlerësimi i burimeve njerëzore në Shqipëri, që i pengojnë shqiptarët sot të bëhen një shtet˗komb, i aftë për të ruajtur dhe trashëguar vlerat që e identifikojnë.

1. Rrethi veskeq në proçesin edukativ ndodh kur institucionet edukative, të paafta për të zhvilluar detyrat e tyre prodhojnë individë pa vetëdije në nivel kombëtar. Tani, nëse institucionet edukativo˗shtetërore prodhojnë individë pa vetëdije në nivel kombëtar, e nëse këta, pasi bëhen bësues, riprodhojnë edhe ata vetë individë si vetë ata pa vetëdije, vedni me institucionet e tij edukative me boshllëqe do të mbetet i paralizuar.

2. Globalizimi, që pushton çdo sektor social dhe uniformon personat me modelin kulturor dominues, por nuk jep kohën për t’u edukuar me një ecje vetëdijeje kombëtare. Në fushën e globalizimit, mjafton të vlerësojmë faktin se shqiptarët nuk kanë akoma një identitet të përcaktuar fetar, kjo falë trashëgimit ndër breza të konceptit se “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Nuk është normale të ecet përpara duke konsideruar çdo fe si të barabartë, e duke u shprehur me një mënyrë popullore se “të gjithë besojmë në një Zot të vetëm” apo “të gjitha fetë janë të barabarta”. Ndërsa është për t’u vlerësuar toleranca ndërfetare në Shqipëri, nuk mund të neglizhohet mosnjohja ndoshta në masë e popullit në lidhje me besimet përkatëse.

3. Mosvlerësimi i burimeve njerëzore në vend, shihet qartë në emigrimin e inteligjencës kombëtare, gjë që ndikon në varfërimin e një mendësie të konsoliduar për formimin e një identiteti të qëndrueshëm kombëtar ndër breza.

Mund të kërkohet një zgjidhje duke përshkuar dy rrugë:

1. Shqiptarët, që janë bërë të vetëdijshëm për shtetin˗komb, duhet të përpiqen të ndikojnë masat nëpërmjet mjeteve të komunikimit alternative, që të bëjnë të rritet në të vetëdija kombëtare. Nuk mjafton përhapja e mesazheve nëpërmjet mediave, por nevojitet që kokëfortësia jonë proverbiale të zbutet, duke përdorur dijen e fituar me formimin ndërgjegjes kombëtare. Duhet që akoma të bëhen veprime konkrete për të ndikuar politikën dhe institucionet edukative, duke iu mësuar brezave të rinj shkaqet dhe rrjedhojat e e gjendjes së pranishme, që të mund të mësohet prej gabimeve të etërve tanë, se si të sillemi në të ardhmen.

2. Përveç kësaj, është urgjente ndihma nga jashtë me kusht që kjo ndihmë të jetë autentike, dhe të moa dorëzohet tek shqiptarët e korruptuar dhe të papërgjegjshëm në nivel kombëtar, e të mos favorizojë përdorimin e pandershëm me partnerët ndërkombëtarë të kontributeve që jepen falas. Ndihmat, pra, duhet të kontrollohen dhe të finalizohen, dhe të mos kufizohen në atë ekonomike, por edhe ndaj kontrollit të institucioneve dhe ndaj formimit të pasurive njerëzore.

Për të dalë nga ky rreth i mbyllur nevojitet në vend të parë një ndihmë nga jashtë, e ngjashme me planin “Marshall”, që ishte një plan mbështetjeje për rindërtimin evropian që u miratua nga qeveria e Shteteve të Bashkuara në vitin 1948, duke vlerësuar kontributin e atyre shqiptarëve që me nismën e tyre në historinë e tyre e kanë copëtuar “rrethin veskeq”, duke fituar një ndërgjegje të lartë kombëtare.

Norma morale në një shoqëri të globalizuar

Shenja që tregon progresin e një qytetërimi qëndron në kuptimin e mësimeve të jetës që fitohen nga gabimet e brezave të mëpërparshëm, duke iu shmangur përsëritjes së të njëjtave gabime. Për të mos u plandosur në një luftë tjetër botërore nevojitet të zgjidhen më përpara konfliktet dhe tensionet që e kanë provokuar luftën. Për të ecur përpara me një jetë cilësore, përvojat e të tjerëve përpara nesh duhet të merren në konsideratë, në mënyrë që ne, si brez i fundit, të mos kryejmë të njëjtat gabime dhe të përparojmë në rrugën e zhvillimit njerëzor.

Transmetimi i mesazheve nga ana e mediave, që do të duhej të mbështeste zhvillimin e kulturës perëndimore, nuk favorizon gjithmonë të mirën e shoqërisë dhe rritjen e qytetërimit njerëzor. Madje, mediat duket sikur janë një nxitje për publikun për të përsëritur të njëjtat gabime që zakonisht verifikohen nëpër familje, ku agresiviteti, egoizmi dhe kërkimi i kënaqësisë marrin epërsi. Jo rastësisht, nga ndikimi, kryesisht i mediave, sot gjendemi përballë shkatërrimit të institucionit familjar për shkak të “mendimit të dobët” bashkëkohor, si interpretim i gabuar i konceptit të lirisë, pavarësisë dhe normave morale të personit.

Kuptimi i moralitetit është një mekanizëm natyror i instaluar në ndërgjegjen e secilit prej nesh dhe ndërhyn në kontrollin e veprimeve tona të përditshme. Duke indentifikuar një sjellje si të gabuar, mësojmë nga përvoja e jetës dhe nga rrjedhojat e përvojave të ngjashme të personave të tjerë, që të mos lejojmë të përmbytemi nga e keqja.

Që të ngrihemi moralisht, nuk kemi nevojë të bëjmë përvojë të çdo situate, sepse nuk do të mjaftonte një jetë që të bëhet përvoja e gjithçkaje. Për këtë duhet që përpara të pranojmë ato parime që janë fryt i përvojës së brezave të mëpërparshëm dhe t’i asimilojmë në ngjarjet e përditshme, në zgjedhjet e jetës. Dhe parime të tilla, të asimiluara nëpërmjet një ecjeje sakrificash, do të bëhen normë, që do ta shtyjnë instinktin tonë negativ që të shkojë drejt prirjeve pozitive të sjelljes morale.

Pra, jemi përgjegjës për formimin e instinktit tonë pozitiv, që na çon të shprehim mendime, bindje dhe veprime, që me kujdes të vlerësohen nga mekanizmi i ndërgjegjes, me qëllim që të mposhtet instinkti negativ.

Por nëse veprimet tona të kaluara kanë qenë të gabuara dhe si rrjedhojë sot kemi trashëguar një instinkt negativ, nuk do të thotë se nuk kemi shpëtim apo mundësi riparimi. Është pikërisht vetëdija e gabimeve, besimi në parimet e mira dhe praktikimi i tyre në çdo ngjarje të jetës, që na përmirëson vazhdimisht e na ndërron në drejtim të së mirës, të së vërtetës dhe edhe të së mbinatyrshmes.

Në fund, besoj kështu se mund të hidhen themele të forta për të ndërtuar një “forma mentis” të re të këtij populli që kaq shumë ka vuajtur gjatë shekujve. Natyra mikpritëse e shqiptarëve, ndjenja e lindur për të jetuar së bashku gëzime e dhimbje, një aftësi e re organizative dhe edukative, mund ta bëjnë të rilindë prej rrënojave të së kaluarës Kombin tonë, që më shumë se asnjëherë ka nevojë të mësojë të ecë me këmbët e veta pa komplekset e inferioritetit dhe të superioritetit që në disa periudha të historisë e kanë karakterizuar.

Ia vlen të sjell në vëmendje të lexuesit fjalët e shenjta të Atë Anton Harapit, që ia drejton rinisë shqiptare:

Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandej, në hijshim, duhet të jemi gurt e themelit të njaj binaje të cilën sot e quejmë Shqipni.

E në fund, ndiej kënaqësinë ta mbyll këtë reflketim, me një vlerësim të shkrimtarit bashkëkohor Ismail Kadare:
Breznisë së re të shqiptarëve i takon detyra historike që të bëjnë të jenë reale dhe të vërteta këto vlera. Me pak fjalë: të bëjë të rilindë Shqipëria. Një fat historik që nuk i ndodh çdo breznie.

Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi