Gjokë Spaqi – Nacionalisti Demokrat i Shqipërisë së bashkuar dhe Demokratike

0
388
Gjok Spaqi

Mr. sc. Nue Oroshi

Shqipëria është e Shqiptarëve e jo e klyshëve të Miskovit. – Gjokë Spaqi

Pikërisht për këtë dashuri të çdo cepi të Shqipërisë që na thotë Midhat Frashëri u sakrifikuan shumë idealista Nacionalist, ideal i të cilëve ishte dhe mbeti deri në vdekje “Dekalogu i Ballit Kombëtar për Shqipëri të bashkuar dhe demokratike. Për këtë ideal kombëtar shqiptarët punuan brez pas brezi e sidomos në kohën kur djemtë e zgjedhur idealist të flakët të çështjes kombëtare, nacionaliste të përbetuar në flamur kombëtar nuk ndejtën duarkryq por filluan që në vepër të punojnë për këtë ideal të shenjët kombëtar. Në mesin e shumë atdhetarëve nacionalist që ideal të vetëm e patën Shqipërinë e Bashkuar dhe etnike, Shqipërinë e bashkuar dhe Demokratike hynë edhe Nacionalisti Demokrat Gjokë Zef Spaqi i lindur në fshatin Velezhë të Prizrenit, anëtar i Grupit të Lidhjes së Prizrenit (G.L.P) që vepronte në kuadër të Partisë Nacionale Demokrate Shqiptare për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të përbashkët.

Gjokë Spaqi si dhe shumë bashkëombas te ti u rrit dhe u edukua në frymën e zjarrtë nacionaliste, edhe pse në këtë kohë dija e popullit shqiptar nuk ishte në nivelin e duhur kulturore por falë traditave të forta kombëtare dhe mësimeve familjare por edhe atyre që i mësonte tek famullitarët shqiptar në Velezhë e sidomos nga dom Simon Markaj, i cili në kishë në kohën e mbretërisë Jugosllave i mësonte nxënësit shqiptar gjuhën dhe shkronjat shqipe mu në kohën kur në altarin e lirisë bie edhe At Shtjefën Gjeçovi, në mesin e këtyre nxënësve që e mësoi gjuhën dhe shkronjat shqipe ishte edhe Nacionalisti demokrat Gjokë Spaqi, ideali i të cilit ishte Shqipëria e Bashkuar dhe Demokratike.

Gjokë Spaqi që herët kishte parë tradhëtinë që ia bënë komunistët kombit shqiptar dhe që herët ishte anëtarësuar në Grupin e Lidhjes së Prizrenit që vepronte si degë e Partisë Nacional Demokrate Shqiptare në Prizren e rrethinë. Ai do të shquhet me organizime të ndryshme në shërbim të kombit dhe u betue në flamur që deri në vdekje do të ndjek rrugën e Nacionalizmit Shqiptar, rrugë të cilën e ndjeki deri në vdekje. Gjokë Spaqi në procesin gjyqësor që do të mbahet në Prishtinë në fillim të viteve të pesëdhjeta së bashku me shumë shokë edhe Gjoka do të denohet me gjashtë vjet burgim të rënd, burg në të cilin do ta mbaj deri në fund në burgjet e Prizrenit, Prishtinës dhe Nishit.

Ai edhe pas lirimit në vitin 1956, vit që paraqet rrezikshmëri të madhe për zhdukjen e identitetit kombëtar në Kosovë do ta vazhdoj rrugën e nisur. Gjokë Spaqi ishte i vetmi nacionalist i cili gjatë burgut në Nish me propozimin e shokëve të tij ka mbajtur kujtime të burgut dhe këto kujtime si dhe organizimet që do të bëhen më tutje do t’i shenojë nacionalisti Gjokë Spaqi, shenime të cilat janë shumë të rralla të mbajtura direkt nga një i burgosur politik i kësaj kohe. Në këto shenime Gjokë Spaqi paraqet shumë inserte interesante të organizimit të Grupi i Lidhjes së Prizrenit, por edhe veprimet shumë të dëmshme të komunistëve shqiptarë, që në këto shënime Gjokë Spaqi do ti quaj me epitetin e merituar shqiptaroviq. Këto shkrime të Gjokë Spaqit që për herë të parë jipen në opinionin shqiptar kanë përjetuar edhe fatin e autorit të këtyre shkrimeve sepse këto shkrime edhe pse të ndjekura sikurse autori i tyre patën fatin të shpëtojnë.

Gjokë Spaqi gjatë shkruarjes së këtyre shkrimeve nuk shkruan emrat e shokëve të vet dhe kjo është plotësisht e arsyeshme kur mendojmë se këto shenime janë shkruar në mars të vitit 1956. Ja se si e përshkruan Gjokë Spaqi formimin e Lidhjes së parë dhe të dytë të Prizrenit, ku në të dytën formues i së cilës ishte ai vet. “Afër prrojeve po në muajin kallnuer e fruer frynë veri i rrebët dhe e ngrin ujin skajeve të prrojit me fjalë të shkurta kur njeriu e ka harruar fare verën e asht e dekun bima po munde të thuash dhe toka, janë një lloj lule te lulsa ato lule ka dy tri bregut prrojit së bashku lulojnë, dhe e kanë një pamje të bukur dhe çdo njeri që e sheh ka një gëzim në zemër sikur të flitshin ato lule tuj u thanë mos ju frigo dimnit sepse apo e shef se sa të vogla jemi gjithnjë jemi të rrethuar nga akulli e kemi lulu dhe mbas nesh shpejt ka për tu mbush edhe livadhi yt me lule të bukura e kanë për të kullotë kingjat e tu. Çdo njeri që i pari shef këto lule posa të takohet me ndonjë shok apo me anëtarët e familjes, vet ka për të thanë se sot i pash do lule para prrojit, dhe megjithse ishin tu u dridh ftohtit me dhanë një kënaqësi në zemër dhe kështu fillon një bisedë e shkurtë rreth atyre luleve dhe pranverës e verës.

Prandaj në fundin e vitit 1944 kur ai dimni i mallkuem me stuhijat e veta akull helmuese kaploi Kosovën, i çfarosi lulet e tokës, gjethet e malit tanë, lisat më të bukur e nxurre zambakun e shenjët me gjithë rraji prej qytetit të Prizrenit. Zambakun të cilin e patën mbledh së bashku me shokët e vet shejti i madh i paharrushmi Avdyl Frashëri me engjëjt e vet të tokës Shqiptare bani mbledhjen historike në qytetin historik të Shqipërisë Prizren ku e mbuell zambakun e bardhë shqiptar dhe lajmëroi botën e mbarë se Shqipëria është e Shqiptarëve e jo e klyshëve të Miskovit.

Atë mbledhje e pagëzoi me emrin Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në zemrat e popullit Shqiptar ky emër i shenjët ra porsi vetima prej qiellit në natën e tmerrshme, ku Shqipëria në atë kohë ishte në errësirën më të tmershme të gjitha viset e saj ishin të qitura në tregun e mallkuar në duar të tragtisë djallëzore Evropiane dhe blesit e poshtër klysht ballkanik të ardhur prej karpateve kishin shtri thojt e vet për të grabit tokën tonë. Lidhja e Prizrenit në atë kohë i theri zemrat e tregtarëve të mallkuar dhe tregu humbi vleftën e vet plot 65 vjet kjo lidhje qarkullonte nëpër gjakun e shqiptarëve nëpër të gjitha viset e Shqipërisë por sidomos në Kosovë në mbledhjet e burrave në odat Kosovare u flitke me ofshamë të madhe rreth Lidhjes së Prizrenit.

Në vitin 1943 kur edhe njëherë u pa se po hapet tregu për shitjen e Kosovës dhe ata bijtë e blesave të para 65 vjetve sulmuen me thojt e vet Kosovën në këtë rast këtë pazar e hapën tradhtart e vendit, të cilët u bashkuan me klysht sllavë. Si përgjegje kësaj u formua Lidhja e dytë e Prizrenit. Rreth këtyre dy lidhjeve shkruajnë historianët me eksperiencë diturie dhe patriotizmi por me lot për faqe po them vetëm pak fjalë: “Antart e Lidhjes së Prizrenit si të parës ashtu edhe të dytës u martirizuan të gjithë por shtoi edhe një gja martirizimi i atyre patriotëve të lidhjes së Prizrenit është për tu vajtue prej popullit shqiptar, por duhet me i mallkue edhe me i vajtue jo vetëm ata që i kanë shtypur dhe likuidue ata burra, por edhe ata që kanë sy e faqe e zemër shtazare që vejn gojë përbuzjeje ndaj atyre burrave që e formuan Lidhjen e Prizrenit”.

Prandaj siç thamë edhe disa herë më parë se Lidhja e Prizrenit ishte hesht në zemër të çdo anmiku, e këtë herën e mbramë, e shkatrruan lidhjen e dytë anmiqtë të të cilët u përkrahën edhe nga rusofilët shqiptarë. Çka është ba në popullin shqiptar të Kosovës mbas shkatrimit të lidhjes së dytë nuk është e nevojshme me e përshkrue se çdo shqiptar i ndershëm e ka përshkrue me gjakun e vet. Si e dini edhe vet mbaroi Lidhja e Prizrenit e mbas saj edhe Liria, erdhi mjerimi, gjakderdhja, friga e të gjitha të zezat.

Përkundër vështirsive të shumta atdhetarët shqiptarë filluan që edhe njëherë të mundohen që ta pengojnë kthimin e komunistëve në viset shqiptare dhe filluan organizimin në grupe në fillim të vogla por sa kalonte koha ato vinin e rriteshin. Ja si e përshkruen në këto shenime Gjokë Spaqi formimin e Grupit të Lidhjes së Prizrenit (G.L.P), “titulli i bekuar simbolik kombëtar rrahte në zemrat tona dhe ne filluam punën organizative. Një nga një e u bëmë katër dhe filloi të shtohet numri i djelmoshave shqiptar si në qytetin në të cilin ishte selia e shenjtë e lidhjes ashtu edhe nëpër fshatra mbledhjet në fillim mbajtën nëpër shtëpia të anëtarëve me numër më të vogël.

Tue u shtue numri u rritke guximi, ideali por edhe veprimtaria ashtu u rritën edhe grupet në mbledhje rreth punëve organizative. Grupi i Lidhjes së Prizrenit u shtue mjaft sa që në një mbledhje kryesore që u bë e pagzuem me emrin G.L.P (Grupi i Lidhjes së Prizrenit). Në këtë mbledhje u zgjodh kryesia dhe u caktue programi i veprimtarisë me ç’rast mueren të gjithë anëtarët detyrat e veta. Detyrë më kryesore ju dha këshillit për kandidime të reja me kushte që këshilli në fjalë me hetime të pastra me pranue anëtarë të rinjë”.

Por siç shihet nga këto shenime nacionalistat shqiptar për pranimin e antarëve të rinj kishin vënë disa kushte, e kushtet ishin këto:
1. Anëtari i ri që duhej të pranohej mos të jetë komunist.
2. Mos të rrjedh prej familjes komuniste.
3. Mos të jetë prej familjes shpiune dhe të rrjedh prej familjes nacionaliste.
4. Të konstruktohen vulat zyrtare me përmbajtje G.L.P.
5. U caktua anëtarësia mujore.

Pas punës së sukseshme që bënin nacionalistët shqiptar dhe zgjerimit të rrjetit nëpër të gjithë Kosovën, por siç shihet veprimtaria e tyre ishte përcjellur këmba këmbës dhe pas një kohë relativisht të shkurtër pjesa më e madhe e këtij grupi do të gjinden në duart dhe gjyqet e xhelatëve sllavo-komunistë. Ja se si e përshkruan Nacionalisti Gjokë Spaqi rënien e tij në burg si dhe të shokëve të tij, “Në vitin 1945 shtatmadhoria e ferrit transferoi një shtab në Kosovë, komandanti suprem i ferrit me dekretin e tij të mallkuem urdhëroi që ky shtab në Kosovë të formohej prej Serboviqëve dhe Shqiptaroviqëve.

Ligjin e pruni dhe në nenin e parë ishte ky paragraf “Çdo shqiptar i ndershëm e patriotë Kosovare, që mendojnë ta shkulin këtë shtab të ferrit serbo shqiptaroviq prej Kosove duhet të kapet dhe të futet në qendrat e ferrit, nëpër qytetet e Kosovës dhe aty të vinte jo vetëm me shpirt por edhe me (korp), trup. Në këtë paragraf kishte dhënë edhe skjarime aqë sa i kanë provue shqiptarët e Kosovës në fjalë janë këto metoda: MOS TU DHIMET GJAKU MISHI ASHTI E AS FAMILJA E TYRE POR PËRDORENI NË TA TË GJITHA VUAJTJET. E pra ne u kapëm dhe u futëm në ferr dhe u kapluam me thonjët e përgjakshëm të djemve të ferrit serbo – shqiptaroviq.

Pas rënies së këtij grupi në burgjet komuniste filluan netët e gjata të Shën Bartolomeut, por nacionalistët nuk dorëzoheshin por edhe me kthetrat e burgjeve luftonin për idealet kombëtare megjithse UDBA kishte kapur edhe një sasi të materialit si dhe vulat ku në materialin e kapur ndër të tjera ishin edhe këto fjalë G.L.P.SH.SH.V.D.T. si fjali të shkurtra si dhe formula e betimit para tyre. Në përmbajtjen e materialit UDBA shihte qëllimet organizative të Grupit të Lidhjes së Prizrenit, qëllimi i të cilëve ishte që Nacionalistët të tërhiqen qëllimit të tyre dhe siç shkruan Gjokë Spaqi “Qëllimi i Udbashëve ishte që ne të devijojmë rrugën nacionaliste, ti zbulojnë anëtarët tjerë dhe të bëhemi shpijuna komunista”.

Shkurtimi i këtyre fjalëve i hante shumë dhe kërkonin që t’ia spjegojmë në pytjet që na u benin vazhdon Gjokë Spaqi në shkrimet e tij ishin këto: “Ne jemi Nacionalista – Ne kërkojmë bashkangjitjen e Kosovës me nënën Shqipni. Në pyetje po a me Enver Hoxhën? U përgjegjshmëni me fjalë: Jo. Dhe u epshim skjarime në këtë mënyrë: Duam bashkangjitjen e Kosovës me Shqipnin pa Enverin, pa komunizëm, por një Shqipni Demokratike, me parime kombëtare dhe fetare shkurtimisht me sistemin perendimor dhe jo at lindor.

Pas gjithë këtyre vuajtjeve të gjata Grupi i Lidhjes së Prizrenit u transferua në Prishtinë me ç’rast në Prishtinë ju bë edhe gjykimi ku u denuan me burg të rënd. E veçanta e këtij gjykimi është se ai ishte mbajtur me dyer të mbyllura nga friga se po të mbahej me dyer të hapura do të shpërthej ndonjë konflikt. Gjykimi zgjati tri ditë ndërsa në ditën e katërt ju shqiptua denimi i cili ishte drakonik prej gjashtë e deri në njëzetë vjet burg. Në burgun e Prishtinës shkruan Gjokë Spaqi e gjetëm edhe një nacionalist të përbetuar por fatkeqësisht jetshkurt. Ky ishte kapetan Gjon Dedë Stanishta i denuam me vdekje, i cili ne këmb mbante prangat 25 Okshe. Gjendej Gjoni në një vend afër dhomës në fund të derës. Këtë vend, si na tha ai vet, nuk e kishte të imponuem prej të burgosurve por e kishte zgjedh ai vet që mos ti mërziste shokët me rrapamate e atyre hekurave.

Me leje lexues i dashur t’i shkruaj nja dy fjalë për këtë burrë i martirizuem për Kosovën tonë se ai kishte qenë prej Shqipnis Vjetër. Ky Gjon Dedë Stanishta në kohën e Shqipnisë kishte qenë kapetan i një togu ushtarësh e gjindarësh për ta pastruar vendin prej komunistave dhe serbëve dhe në Suhodol, në një katun afër Lipjanit ku e kishin pas çerdhen komunistat dhe drazhistat kishte pas kryer një aksion të bukur. Si ishte kap nuk e dimë hollësisht por e denuan me vdekje. Qëndrimi i tij gjatë gjykimit kishte qenë burëror dhe i pathyeshëm, gjithashtu edhe deri natën e fundit të jetës së tij ipte kurajo të gjithë të burgosurve, por sjelljet e të burgosurve ndaj tij kishin qenë më tepër se vëllazërore edhe përpara se me qenë ne nacionalistat aty. Sa i përket gjërave ushqimore që na i bishin ma të bukurat ia ipshin Gjonit.

Bisedat e tij kishin plot ideal dhe na thoshte se djelmosha të jeni të sigurt se keni për t’ja mërri qëllimit. Ja si e spjegon Gjok Spaqi pushkatimin e Gjon Ded Stanishtës, familja e të cilit mbas këtij shkrimi do ta dinë së paku që djali i tyre atdhetari Gjon Ded Stanishta është pushkatuar rreth murëve të burgut të Prishtinës ” Një natë në ora një mbas mesnate kur të gjithë të burgosurit ishin në gjumë u hap dera, hynë tre njerëz pa uniforma dhe me zë të vogël e quan Gjonin prej gjumit dhe thanë hajde se po të thërasin në drejtori se ka ardhë vendim në interes tanë. Gjoni tha po po e di. U munduan ta nxjerrin pa fol por Gjoni foli këto fjalë të mbrame me ne: BURRA MA BANI HALLALL. JU FALEMINDERIT PËR NDIHMËN DHE RESPEKTIN QË M’A KENI BA. MOS U MËRZITNI ASPAK.

E murren rrebelqe dhe e nzuren prej ode e mbyllën derën. Afër dere në koridor e kishin pasur kovaçin për me ja thye prangat. U ndien të ramet e çekiçit e ndiem kur i tha Gjoni magjup sillë ma mirë. Kur dulën në oborr u nien edhe dy herë fjalët e Gjonit: RRNOFT SHQIPNIA!; RRNOFT ÇAMËRIA!, por kur deshi të thotë të tretën herë RR. (KOSOVA) e kapën sigurisht në fyt e i met fjala posa filloi. Mbas pesë minutash u ndëgjuan dy rafale mitralozash pas murit të burgut. Me Gjonin u kry. Në atë moment fytyra e të gjithë nacionalistëve ishte si flaka e qirit. Lot u derdhshin prej syve tanë si shiu e jo vetëm prej neve por prej gjithë shqiptarëve që ishin në atë dhomë përpos atyre stalinistave. Tre katër ditë bukë nuk kemi ngrënë nga dhimbja për humbjen e ati farë idealisti”.

Duke parë se ky grup nacionalistash nuk thyhet lehtë vendosin që t’i transferojnë nga burgu i Prishtinës për në atë të Nishit. Gjatë largimit nga burgu i Prishtinës për në burgun e Nishit përkundër asaj që ishin urdhëruar të mos flasin nacionalistët filluan ta këndojnë këngën:

LAMTUMIRË KOSOVA JONË SE PREJ TEJE NE SOT PO NDAHEMI, POR NË ZEMËR TË KEM GJITHMON DHE PËR TY NË GJAK DO TË LAHEMI.