NJË DEPUTETE E DENJË PËR KUVENDIN E KOSOVËS

1
473
Alma-ldk-cover-finale

Alma Lama është Dr. e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, një politikane dhe diplomate e provuar për qëndrimet e saj të palëkundura, në interes të më të mirës në Kosovë, për integrimin Europian dhe pro-perëndimor të popullit shqiptar, një politikane moderne, e ditur dhe e arsyeshme, në mbrojtje të të drejtave të grave dhe shtresave në nevojë.

Arben Çokaj
Arben Çokaj
– analist politik

Nga Arben Çokaj

Kur shikon veprimtarinë dhe aktivitetin politik e publik të znj. Alma Lama, e vëren me lehtësi, se punën e saj e përshkruan një modesti e thjeshtësi njerëzore, që ia rrit vlerën zgjuarsisë, dijes, arsyes racionale dhe kuptueshmërisë së botës e shoqërisë në përgjithësi, që ajo ka. Një politikan e diplomat, pa qenë njeri i ditur, nuk mundet kurrë të jetë i mirë në punën e tij. Dhe ne shqiptarët nuk kemi shumë të tillë!

Se dija duhet të jetë në një nivel të tillë sipëror, sa të mos lejojë të korruptohesh e kompromentohesh për afera të ulëta, pra, duhet një dije e qëndrueshme, që të jetë shndërruar në karakterin e njeriut. Ne shqiptarëve, e më gjerë, na duhen politikanë të mirë, të ditur, por edhe me karakter. Mendoj se këto cilësi i ka znj. Alma Lama, ndryshe nuk do e merrja mundimin t’i shkruaja këto radhë.

Në jetën e saj, znj. Lama ka patur mjaft arritje, duke kaluar përmes vështirësive të shumta, pasi Shqipëria e Kosova kaluan një kohë mjaft të vështirë tranzicioni dhe me sfida të mëdha në këto 20-30 vjetët e fundit. Por ajo ka ditur të fitojë përvojë dhe të mësojë edhe nga këto vështirësi e sprova, duke mos lejuar që të shembet, që ta lejojë të keqen ta pushtojë dhe ta infektojë në karakter, dhe vazhdon të jetë ende një burim ekuilibrues politik e diplomatik, që është vënë re së fundi, edhe në daljet e saj publike në media apo në reagimet e shkrimet e saj të vazhdueshme.

Orientimi politik i shqiptarëve drejt Europës e Perëndimit, është një orientim i pakompromis.

Nuk kemi rrugë tjetër më të mirë. Dhe këtë orientim e mbështet me mjaft elokuencë edhe zonja Lama, duke u përpjekur me kujdes që të shmangë konfliktet, që krijohen në luftën për pushtet, mes krahëve politikë e partive politike. Në një diskutim me znj. Evi Kokalari, një shqiptare që bënte politikë për Trump në SHBA, znj. Lama, që pëkrahte kandidatin Biden, e tregoi veten në lartësinë duhur, me tolerancë e qetësi të admirueshme, kundrejt agresivitetit të zonës përballë, pasi si politikane e Kosovës, ajo duhet të dijë të gjejë gjuhën e komunikimit me përfaqësuesit amerikanë, pavarësisht nëse fitonte Trump apo Biden.

Edhe pse kjo gjuhë e komunikimit politik e diplomatik, nuk është e lehtë nganjëherë – kujto këtu psh. rrëzimin e qeverisë Kurti, ngaqë z. Kurti donte t’i tregonte amerikanëve se si bëhet politikë. Dihet kjo, i forti bën ligjin, dhe ne me arsye duhet të shikojmë të gjejmë rrugët, për të qenë në linjë me aleatët tanë të fuqishëm, dhe t’i imponojmë interesat tona me kujdes, që të mos refuzohemi si Albini, por të pranohemi e përkrahemi si Rugova. Kjo është zgjuarsi dhe diplomaci. Se i forti nuk të ndihmon edhe kur ke të drejtë, nëse nuk ia kërkon ndihmën me kujdes dhe me zgjuarsi! Ne nuk jemi aq të fortë, sa të imponojmë respekt me forcë e arrogancë, por mund të mbijetojmë më mirë, me zgjuarsi!

Edhe në rastin e rrezikut të ekstremizmit fetar, znj. Lama u gjend në anën e të moderuarve, duke luftuar me forcë kundër ekstremizmit islamik, në kohën kur ISIS përbënte një rrezik të përmasave botërore dhe kur disa shqiptarë të indoktrinuar kishin marrë pjesë në këtë luftë pa kuptim. (Këtë gjë nuk e bëri znj. Osmani). Natyrisht se politikani që përballet me fenomene të tilla, dhe mban një qëndrim të caktuar, ka edhe koston e vet. Por t’i shërbesh shëndetit të popullit tënd, t’i shërbesh të mirës së tij, është një sfidë dhe një çmim, që duhet paguar! Dhe znj. Lama ishte e guximshme dhe e gatshme ta paguante çmimin e qëndrimeve të saj të drejta e konsekuente, në dobi dhe në interes të popullit shqiptar.

Nëse përballim znj. Lama me znj. Osmani, vërejmë se zonja Osmani ka patur sukses nga qëndrimet e saj politike disi folklorike e populiste, jo gjithmonë edhe aq të matura e të ekuilibruara. Shpeshherë ekstremizmi politik merr mbështetje. Psh. 75 milionë amerikanë e votuan presidentin Trump në zgjedhjet e fundit. Por ai prapë humbi. Humbi sepse kundërshtari i tij Biden, fitoi, se ishte më stabil dhe më i ekuilibruar në politikat e tij, ishte profesor në politikë, në krahasim me amatorin Trump. Edhe znj. Osmani ka marrë mbështetje, duke qenë se ka manipuluar me psikologjinë e turmave si Trump, por mund të dështojë në fund, nëse ajo nuk di të ruajë ekuilibrat e nevojshëm politikë.

Dr. Alma Lama e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, është profesore në politikë për shumë politikanë të Kosovës dhe duhet vlerësuar pikërisht për njohuritë e saj politike dhe diplomatike, si dhe për vullnetin e saj, për t’i shërbyer të mirës së përbashkët, duke luftuar ekstremizmin dhe duke ruajtur ekuilibrat në politikë! Ajo e tregoi veten me punën e saj si ambasadore në Itali, ku u vlerësua edhe me çmime. Njerëz të tillë, që e njohin politikën globale dhe ruajnë ekuilibrat, janë në gjendje të bëjnë shtet dhe të ruajnë stabilitetin e një shteti. E jo ngatërrestarët, që krijojnë konflikte.

Nëse përsëri i referohemi znj. Osmani, ajo në vizitën e fundit në Shqipëri krijoi një kundërshti të panevojshme me kryeministrin Rama, duke e sulmuar atë për mini-schengenin Ballkanik dhe traun në rrugën e kombit. Është më e zgjuar arritja e rezultateve në këto raste, se sa kamuflimi i tyre folklorik, që krijon pakënaqësi dhe asnjë rezultat. Për mini-schengenin Ballkanik duhet pranuar se është një projekt europian dhe mbështetet edhe nga administrata amerikane. Duhet parë me kujdes. Sekretari i ri i shtetit amerikan, z. Blinken, e mbështeti arritjen e Grenell në bisedimet Kosovë – Serbi, ku përfshihet edhe mini-schengeni Ballkanik. Si do të veprojë znj. Osmani e z. Kurti, nëse administrata e re amerikane e mbështetë këtë projekt? Apo prapë znj. Osmani do të sulmojë Ramën, e mjaftohet me kaq?!

Ndërsa për traun në rrugën e kombit, duhet të bisedohet me qeverinë shqiptare, dhe duhen parë mundësitë reale ekonomike në këtë rast, për ta ulur tarifën ose hequr atë, nëse është mundur, se nuk bëhet kjo punë me deklarata publike populiste, që mund të çojnë në ftohjen e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë. Kosova duhet të përdorë më shumë trurin se emocionet në politikën e saj, për marrëdhënie të mira me fqinjët, e sidomos me shtetin amë, Shqipërinë! Se ndryshe vetë-izolohet, e kjo nuk i shërben asaj. Në këtë kontekst, znj. Lama, duke i dashur të dyja shtetet tona njëlloj, tregohet më ekuilibruar.

Përfshirja e znj. Lama si kandidate për deputete në listën e LDK-së, me numrin #87, ia shton vlerën kësaj liste, padyshim, pasi ajo me shumë kandidatë të tjerë në këtë listë, kanë treguar pjekuri, dinjitet dhe integritet politik, dhe i japin siguri Kuvendit të Kosovës, se do i ruajnë ekuilibrat e duhura aty, brenda mundësive që do të krijohen, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në ditën e të dashuruarve, besoj se znj. Lama, do e marrë përsëri mbështetjen e popullit të Kosovës, si deputete për të tretën herë, pasi ajo në vetvete është edhe simbol i një dashurie shqiptare, në dy shtetet tona, në të dyja anët e kufirit. Politika e Kosovës duhet t’i ruajë ekuilibrat dhe të zhvillohet pa kaluar në ekstreme, pikërisht duke zgjedhur politikanë të aftë e me dinjitet, që dinë t’i ruajnë këto ekuilibra dhe e çojnë shoqërinë përpara me zgjuarsi, drejt integrimit Europian!

1 KOMENT

  1. Padyshim Alma Lama eshte e denje per parlamentin e Kosoves… e sidomos nese krahasohet me barbaret komuniste te partise Islamo-Komuniste VVV, ne te cilen kandidate jane komunistet Donika Grrvallak Schwartz, Vjosa Osman, Shqipe Selim si dhe Muslimanet Bernarda Radonqiq, La Bin Ote Demi… edhe shum barbar tjere IslamoKomuniste te VVV.

Komentet janë mbyllur.