Si e ndërtoi Perëndimi një shtet të dështuar në Kosovë?

3
1052
Kosova- ISIS

Për ta rritur dëmin edhe më shumë, ngulmi për të ruajtur në mënyrë artificiale fasadën e paqes dhe stabilitetit brenda Kosovës ka bërë që akterët e jashtëm të tolerojnë, dhe nganjëherë edhe të përkrahin, korrupsionin dhe shkeljet e rënda ligjore të rrjetit të fuqishëm kriminal të Kosovës.

Nga Aidan Hehir, 02.09.2016 – dialogplus

Kosova, prej ndërhyrjes së NATO-s më 1999, ka qenë subjekt i mbikëqyrjes së pashembullt ndërkombëtare. UNMIK-ut, EULEX-it e KFOR-it i ishin dhënë kompetenca të zgjeruara, vendimtare dhe pa iu kërkuar llogari për të ruajtur rendin dhe rregulluar sistemin politik, ekonomik e të drejtësisë të Kosovës. Dhe nëse merren të hyrat për kokë banori, Kosova ka pranuar ndihmën më të madhe që ndonjëherë i është ndarë ndonjë shteti në zhvillim: bashkësia ndërkombëtare ka ndarë njëzetepesë herë më shumë para dhe pesëdhjetë herë më shumë trupa për kokë banori në Kosovën e pasluftës se në Afganistanin e pasluftës.

Vazhdimisht duke e lartësuar si storie të suksesshme, shumëkush e përmend me krenari rastin e Kosovë se si nuk dështojnë të gjitha projektet e nisura nën flamurin e internacionalizmit liberal. Së fundi, në vazhdën e kësaj pikëpamjeje, Victoria Nuland, ndihmëssekretare e Shtetit për çështje europiane dhe euroaziatike, ka lavdëruar zëshëm «përparimin e konsiderueshëm» dhe «stabilitetin politik» të Kosovës. Ajo ka shprehur bindjen se Kosova do të shndërrohet në «një shtet multietnik ku serbët e Kosovës, shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha etnitë mund të jetojnë së bashku në paqe, sepse kjo jo vetëm që i duhet rajonit, por edhe botës dhe Kosova ka mundësinë të bëhet shembulli i duhur».

Prapëseprapë, pavarësisht prej hiperbolës dhe përmasave të jashtëzakonshme të projektit të shtetndërtimit, Kosova po vuan së fundi prej një morie problemesh, dhe i ka të gjitha shenjat e një shteti të dështuar. Kjo mund të verifikohet nëse merren parasysh indikatorët e Indeksit të Shtetit të Dështuar. Kosova nuk konsiderohet «shtetit me sovranitet të njohur».

Si pasojë e investimeve masive të kapitalit ekonomik dhe politik, krijimi i imazhit të Kosovës si vend «multietnik», «demokratik» dhe «paqësor» ka qenë qenësor për imazhin e internacionalizmit liberal. Sidoqoftë në vazhdën e ruajtjes së këtij imazhi është punuar për imponimin e një identiteti kombëtar që thjesht nuk shkon me realitetin në terren në Kosovë. Për ta rritur dëmin edhe më shumë, ngulmi për të ruajtur në mënyrë artificiale fasadën e paqes dhe stabilitetit brenda Kosovës ka bërë që akterët e jashtëm të tolerojnë, dhe nganjëherë edhe të përkrahin, korrupsionin dhe shkeljet e rënda ligjore të rrjetit të fuqishëm kriminal të Kosovës. Andaj është paradoksale që populli i Kosovës është detyruar të pranojë praktika me themel joliberale të orkestruara prej «ndërkombëtarëve» të shumtë, që janë mikromenaxherë të vendit, me qëllim të ruajtjes së imazhit Kosovës si sukses i tyre.

Pakënaqësi e madhe

Më shumë se shtatëdhjetë mijë kosovarë – përfshirë edhe vëllain e kryeministrit të vendit – kanë aplikuar prej tetorit 2014 deri në mars 2015 për azil në Bashkimin Europian. Shumicës së tyre u janë refuzuar kërkesat, meqë arsyeja e largimit ka qenë papunësia e madhe më fort se përndjekja politike. Papunësia në mesin e moshës prej pesëmbëdhjetë deri në moshën 24-vjeçare në Kosovë ka fluturuar në 60.2 për qind, ndër më të lartat në botë, sipas Bankës Botërore. Shkalla mesatare e papunësisë në BE është 10.1 për qind, megjithëse shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë konsiderohet të jetë 35.1 për qind, më keq se në Palestinë dhe Jemen. Prospektet e rritjes ekonomike nuk po ndihmohen prej investimeve të drejtpërdrejta perëndimore në Kosovë, që tani kanë nisur të bien; pa 600 milionë eurot në vit që dërgohen mesatarisht nga diaspora e fuqishme – një shifër që paraqet gjysmën e bruto prodhimit të brendshëm – gjendja do të ishte larg më e tmerrshme.

Në kulmin e zotimeve ekonomike, dy vitet e kaluara kanë pasuar kundërthënie të vazhdueshme që kanë zhytur Kosovën në krizë. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, dy partitë më të mëdha politike formuan koalicion qeverisës; megjithëse shumëkush do të kishte pritur se kështu do të kishte shkallë më të madhe stabiliteti, në terren ka ndodhur krejtësisht e kundërta. Qeveria ka përdorur shumicën e saj bindëse në Kuvend për të çuar përpara një seri masash krejtësisht jopopullore, si marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) dhe një marrëveshje për demarkacion të ri kufitar me Malin e Zi. E pafuqishme për të ndikuar nëpërmjet fuqisë së votës, opozita ka përdorur vazhdimisht gaz lotsjellës në sallë. Protestat në rrugë vazhdimisht janë shndërruar në trazira.

Dhe nuk ka asnjë dyshim se populli ka vuajtur më së shumti. Në anketimin e kryer së fundi prej UNDP-së në Kosovë, vetëm 7 për qind e kosovarëve janë «të kënaqur» ose «shumë të kënaqur» me drejtimin aktual politik të vendit, derisa 70 për qind janë «të pakënaqur». Disponimi pozitiv qytetar ndaj institucionet kryesore ekzekutive, legjislative dhe juridike tani është larg më e ulët se në kohën e shpalljes së pavarësisë më 2008.

«Shoqëri multietnike?» 

Vizitorët në Kosovë shumë shpejt mund ta vërejnë se flamuri shqiptar shihet gjithandej, ndërkaq flamuri zyrtar i Kosovës bie rrallëherë në sy. Flamuri zyrtar nuk reflekton frymën e popullsisë – që nuk është e papritur, duke pasur parasysh se ishte imponuar prej akterëve të jashtëm që më fort kishin hallin e imazhit të Kosovës. Me sfondin e kaltër e hartën e verdhë të Kosovës në qendër të rrethuar me gjashtë yje të bardhë, flamuri është dizajnuar për të përçuar dy mesazhe: Kosova është europiane dhe Kosova është multietnike. Duke e përshkruar flamurin si diçka «që me lehtësi do të mund të përdorej si peshqir në ndonjë hotel në Turqi», gazetari veteran kosovar, Veton Surroi, ka vërejtur se flamuri «nuk ka asnjë kriter estetik» dhe «ishte zgjedhur për shkak të fjalorit të tij burokratik». Skema me ngjyra dhe yjet padyshim se janë përpjekje për t’i dhënë jehonë flamurit të BE-së. Ngjashëm, edhe himni kombëtar i Kosovë titullohet «Europa» dhe nuk ka tekst, me qëllim të shmangies së përplasjeve gjuhësore nacionaliste.

Secili yll në flamur përfaqëson njërin prej gjashtë grupeve etnike të Kosovës: shqiptarët, serbët, turqit, goranët, romët dhe boshnjakët. Megjithëse kjo është një njohje bujare simbolike, Kosova është një prej shteteve me homogjenitetin më të madh etnik në Europë, me shqiptarët që përbëjnë 92 për qind të popullsisë. Megjithëse kanë yllin e tyre në flamur, turqit përbëjnë vetëm 1.1 për qind të popullsisë, edhe pse në përqindje më shumë ka libanezë në SHBA (0.79 për qind) se sa goranë në Kosovë (0.6 për qind).

Përveç kësaj, grupi më i madh etnik joshqiptar – serbët – janë të përqendruar në rajone të caktuara, si Mitrovica Veriore dhe Graçanica. Në mënyrë ilustruese në komunat e Prishtinës, Prizrenit dhe Pejës, që janë tri prej qyteteve më të mëdha të Kosovës, serbët përbëjnë vetëm 0.2 për qind të popullsisë së përgjithshme, meqë shumica prej tyre janë larguar prej dhunës etnike pas ndërhyrjes së NATO-s. Shenjat e vetme të dukshme se ka pasur ndonjëherë serbë në këto zona janë shtëpitë e djegura serbe dhe kisha ortodokse të mbrojtura prej trupave të NATO-s.

Kushtetuta e Kosovës – gjithashtu e imponuar prej akterëve të jashtëm, sidomos prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës – i referohet vendit me karakter «multietnik» jo më pak se shtatë herë. Prapëseprapë, ndërveprimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve vazhdon të jetë fort i vogël. Promovimi me padurim i karakterit fiktiv multietnik të Kosovës është produkt i dëshirës së patronëve të jashtëm për të ruajtur imazhin në kapacitetin e tyre për krijuar bindjen e harmonisë ndëretnike.

Statusi statik i Kosovës

Në nivel më të gjerë, projekti për ta bërë Kosovën anëtare të mirëqenë të bashkësisë ndërkombëtare ka hasur në gozhdë. Me të hyrë në Kosovë, vizitorëve u vjen një mesazh telefonik, në të cilin shkruan «Mirë se erdhët në Slloveni!» Ky është ilustrim i menjëhershëm i statusit të kontestuar të Kosovës – Kosova nuk ka kod të vetin ndërkombëtar telefonik. Kjo është e ashpër duke pasur parasysh se çfarë fati të ndryshëm kanë pasur këto vende që ishin dikur pjesë e Jugosllavisë. Sllovenia është anëtare e NATO-s, OKB-së dhe BE-së, Kosova po vazhdon të lëngojë prej paralizës.

Deri sot, 111 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur Kosovën, megjithëse kanë ardhur vetëm gjashtë njohje të reja prej janarit 2014. Rusia e Kina vazhdojnë të mos e njohin – afërmendsh qysh vepron edhe Serbia – duke ia pamundësuar Kosovës anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Ngjashëm, pesë shtete anëtare të BE-së dhe katër të NATO-s ende nuk e kanë njohur Kosovën. Në nëntorin e vjetëm, Serbia i priu me sukses fushatës për bllokimin e aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, duke pretenduar se Qeverisë së Kosovës nuk mund t’i besohet mbrojtja e shumë manastireve ortodokse që ndodhen në rajon në listën e mbrojtjes së UNESCO-s.

BE-ja ishte zotuar në qershor 2003 se do t’i integronte shtetet që kishin dalë prej ish-Jugosllavisë dhe kjo ishte parë si mundësi për stabilitet, paqe dhe prosperitet që do të mund të lulëzonin në rajon. Prapëseprapë, vetëm Kroacia është bërë anëtare e BE-së prej atëherë; Kosova tani është «kandidate potenciale» në këtë listë – status më i ulët krahasuar me atë të Serbisë – dhe duke pasur parasysh krizën e BE-së, Kosovë si janë zbehur gjasat për anëtarësim të shpejtë.

Toleranca ndaj korrupsionit

Përveç këtyre përpjekjeve të dështuara për të krijuar një imazh të mirë të Kosovës dhe për arritjen e sigurimit të njohjes ndërkombëtare si shtet, ndërkombëtarët janë angazhuar në një projekt edhe më zullumqar. Ata kanë mbyllur sytë prej vitit 1999 kundrejt aktiviteteve të rrjetit kriminal të Kosovës. Pavarësisht pranisë së UNMIK-ut e EULEX-it, korrupsioni në Kosovë është përshkruar në një raport të Komisionit Europian si «përhapur gjithandej», ndërkaq Indeksi për perceptimin e korrupsionit i «Transparency International» ka listuar Bjellorusinë dhe Azerbajxhanin si shtetet e vetme që ndodhen në gjendje më të keqe se Kosova. Një anketim i kryer së fundi ka treguar se 46.4 për qind e qytetarëve të Kosovë mendojnë se korrupsioni është rritur në tri vitet e fundit, ndërkaq 38.2 për qind mendojnë se është në nivel të njëjtë. Duke parë praktikat korruptuese të partive më të mëdha politike, «Freedom House» e ka konsideruar Kosovën si «vend me regjim gjysmë të konsoliduar autoritar» dhe e radhit Kosovën poshtë mesatares rajonale në secilën prej shtatë kategorive që i përdor për përcaktimin e «gjendjes së demokracisë» së vendit.

Megjithatë, korrupsionin nuk duhet konsideruar si diçka «tipike ballkanike», por më fort si të lidhur ngushtë me interesat e ndërkombëtarëve. Konflikti brenda Kosovës pas «çlirimit» të NATO-s afërmendsh se do të komprometonte rrëfimin «e suksesshëm» të lartësuar atëherë. Ngulmi për ta shmangur këtë çoi drejt tolerimit të aktiviteteve të rrjeteve kriminale në Kosovë që buruan prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke pasur parasysh se rrjeti kriminal i armatosur rëndë do t’i rezistonte dhunshëm çfarëdo përpjekjeje për ndaljen e hovit aktiviteteve dhe fuqisë së tij, konfrontimi do të nënkuptonte me gjasë rrezikim të paqes në Kosovë – kështu që u çmuan më fort vlerat e marrëdhënieve me publikun. Andaj, aktorët ndërkombëtarë në Kosovë janë angazhuar qysh prej vitit 1999 në një projekt paradoksalisht të trashëguar: si të ruhej imazhi i një internacionalizmi liberal efikas, duke sakrifikuar themelet e demokracisë liberale.

Pas vitit 1999 ishte zhvilluar ajo çfarë Andrea Capussela, ish-kryekëshillitar ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë, e përshkruan si «marrëdhënie incesti» ndërmjet ndërkombëtarëve dhe elitave kriminale. Me dy palët që nuk i japin kurrkujt llogari për pushtetin e pakufishëm në Kosovë, ndërkombëtarët kishin mbyllur sytë para praktikave kriminale, ndërsa lejohej prania ndërkombëtare dhe nuk rrezikoheshin ose kundërshtoheshin përpjekjet e tyre për ta paraqitur Kosovën si multietnike dhe demokratike. Një hetim i brendshëm, i kryer më 2016 prej UNMIK-ut për sulmet kundër pakicave, ka treguar se «mungojnë hetimet e duhura penale në lidhje me zhdukjet, rrëmbimet dhe vrasjet» dhe ishte nxjerrë përfundimi se procesi ka qenë «dështim i plotë» dhe «shuplakë» EULEX-it, që ngjashëm ka vuajtur prej akuzave e dyshimeve se është treguar qyqar dhe se është korruptuar; një vlerësim i brendshëm më 2015 theksonte se reformat ishin të nevojshme për adresimin e problemeve të lidhura me efikasitetin dhe «kredibilitetin» e shkatërruar.

Ky vullnet për të toleruar korrupsionin me qëllim të ruajtjes së imazhit të internacionalizmit liberal është fort i dukshëm në lidhje me përkrahjen e parezervë dhënë Hashim Thaçit, liderit të UÇK—së gjatë ndërhyrjes së NATO-s. Thaçi ishte ftuar në Lutjet e Mëngjesit të presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte përshkruar prej zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, si «George Washingtoni i Kosovës», në vitin 2010 emri i Thaçit ishte në raportin e Këshillit të Europës si një prej «akterëve kryesorë» për orkestrimin «strukturave mafioze të krimit të organizuar» nga një bazë në Drenicë. Grupi ishte akuzuar për trafikim droge, trafikim qeniesh njerëzore, reketim, vrasje politike dhe, më e tmerrshmja, për heqjen e organeve të qenieve njerëzore. Sidoqoftë, me siguri se pjesa kryesore e raportit ishte fakti se bashkësia ndërkombëtare i dinte të gjitha këto, por kishte zgjedhur heshtjen. Në raport theksohej se «çfarë është edhe më bindëse është se e gjithë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë – prej Qeverive të SHBA-së dhe të fuqive të tjera aleate perëndimore, e deri te autoritetet e drejtësisë të mbështetura nga BE-ja – nuk ka dyshim se kanë dokumentacion të bollshëm dhe të njëjtë të përmasave të gjera të krimeve të Grupit të Drenicës, por askush nuk duket i përgatitur për të reaguar karshi një situatë të ngjashme dhe për t’i nxjerrë kriminelët para drejtësisë».

Një raport i vitit 2014 i Task-Forcës Speciale të Hetimeve, prirë prej avokatit amerikan, Clint Williamson, dëshmoi se operativët e UÇK-së ishin angazhuar në fushatë të paligjshme të vrasjeve, rrëmbimeve, zhdukjeve të dhunshme, burgosjeve ilegale, dhunës seksuale, shpërnguljeve të detyruara të personave, dhe për shkatërrimin e kishave dhe zonave të tjera fetare», që kishin shkaktuar «spastrim etnik» gjatë kohës kur bashkësia ndërkombëtare po ushtronte kontroll të plotë në Kosovë pas ndërhyrjes së NATO-së. Raporti i Williamsonit i priu themelimit të Gjykatës Speciale, që ka mandatin të ndjekë penalisht të dyshuarit për krime lufte në radhët e UÇK-së. Sidoqoftë në shkurt të këtij viti, Thaçi u zgjodh president i Kosovës në një lëvizje që më fort është konsideruar si dhuratë për t’i dhënë imunitete në gjykatë. Dhe ndërsa Thaçi po zgjidhej, turma njerëzish rrethuan ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke protestuar kundër asaj që e konsideronin triumf të korrupsionit dhe të keqes. Është interesante se në reagimin e tij, vetëm ambasadori amerikan dënoi taktikat e protestuesve.

Trazirat afër shpërthimit?

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet se shteti i ri i pavarur «do t’i kontribuojë stabilitetit në rajon dhe mbarë Europën». Duke pasur parasysh numrin e madh të kosovarëve që po kërkojnë azil anembanë BE-së dhe faktit se presidenti aktual është akuzuar prej Këshillit të Europës për udhëheqje të një rrjeti kriminal të shtrirë në tërë kontinentin në trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucion dhe shpërndarje të heroinës, është e qartë se nuk do të arrihet ky qëllim.

Së fundi, Kosova po vë në pah rreziqet e pushtetit të pakufishëm dhe të fanatizmit liberal. Prapa fasadës së «lirisë» dhe «multietnicitetit» të Kosovës, fshihet mali i korrupsionit në mesin e rrjeteve kriminale lokale dhe ndërkombëtarëve. Në vend se të flitet për paragjykimet e dembelisë së ballkanasve dhe të fajësohen në këtë vazhdë vetëm faktorët lokalë, e keqja e madhe që ka kapluar Kosovën mund të shihet si funksion, së paku deri në njëfarë shkalle, e zgjedhjeve të bëra prej aktorëve të jashtëm të vendosur për të ruajtur imazhin e tyre në kurriz të kosovarëve të rëndomtë.

Ndërsa kosovarët stoikë kanë përballur kostot e humnerës së Kosovës dhe efekteve të korrupsionit të përhapur me të madhe, nuk pritet që ata të qëndrojnë gjatë pa lëvizur vendi. Dalja për votim në zgjedhjet e fundit ka qenë më e ulëta qysh prej kohës së para ndërhyrjes së NATO-s; 62 për qind e kosovarëve të anketuar më 2016 ose besojnë se vota e tyre nuk mund të përmirësojë gjendjen aktuale politike në Kosovë ose janë të pasigurt për aftësinë e tyre për të pasur ndikim nëpërmjet votimit. Andaj Kosova dëshmon përzierjen e mundshme eksplozive të pakënaqësisë së madhe dhe mungesën e stabilitetit social të kombinuar me mungesë të besimit në sistem demokratik, me zemërim popullor përherë në rritje dhe me trazira të dhunshme civile si mundësi e drejtpërdrejtë. Kosova shumë shpejt mund të kthehet në vëmendjen e botës për të gjitha të zezat.

(Autori është ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit; fushat e interesimit të tij studimor përfshijnë ndërhyrjen ndërkombëtare, shtetndërtimin në Kosovë dhe ligjet që qeverisin përdorimin e forcës. Ai është autor dhe botues i tetë librave. Ky tekst u botua në «National Interest», një revistë amerikane që trajton marrëdhëniet ndërkombëtare).

3 KOMENTE

  1. Duke lexuar nje artikull broçkullik, i cili fatkeqesisht eshte perhape keto dite shumë, sidomos nga forcat antikosovare nuk mundem te mos reagoj me disa mendime te mija, lidhur me genjeshtrat qellimkeqija te ketij broqkullisti.

    Se pari autori ka pak njohuri dhe informata per Kosoven. Se dyti referenca e krahasimit eshte irelevante per Kosoven, sepse ky broqkullist krahason Kosoven me Afghanistanin apo Palestinen!

    Kosova eshte nje nder mrekullite me te medha qe kane ndodhe ne vitin e fundit te mileniumit te dyte dhe ne 16 vitet e para te mileniumit te trete.

    Ja numrat qe tmerrojne kete broqkullist:

    Prej 5 Mars 1998 deri me 12 Qershor 1999, ne Kosove ishin te shkaterruar nga Serbia, 200 mije shtepia individuale, 100 mije banesa , dhe ishin vra 14 Mije Shqiptar.
    Te gjitha fabrikat ishin te shkaterruara ne vitet 1990-1999.

    Qe nga 12 Qershori dita kur NATO AMERIKA e qliruan Kosoven ka ndodh si vijon:
    Jane rindertuar 200 shtepia dhe 100 mije banesa. Jane ndertuar 100 mije banesa te reja, dhe 150 mije shtepi te reja. Jane punesuar 324 mije punetor te regjistruar zyrtarisht, dhe afersisht 350 mije te paregjistruar. Sot jane 480 mije student dhe nxenes qe vijojne mesimet ne sistemin publik dhe privat.

    Jane ndertuat mbi 600 fabrika private te reja, 250 hotele te reja, 110 pishina te reja, 85 shoping qendra te reja, ekziston adminsitrata shtetrore komunale dhe qendrore… qe funkcionon por qe ka shum mangesi ….dhe mund te permiresohen.
    Edhe mbi te gjitha ky broqkullist duhet te kuptoje se Kosova e arriti lirine pas 587 viteve te okupimeve otomanoserbe. Dhe sot shtetasit e Kosoves jetojne ne LIRI qe 17 vite.
    LIRIA ESHTE PASURIA ME E MADHE QE E KANE SOT QYTATARET EKOSOVES.

    Edhe mund te e informoj kete broqkullist, dhe pro-broqkullistet tjere te Kosoves, qe Kosova ka standard me te larte te jeteses se Rumania, Bullgaria, Mali i I, Shqiperia, Serbia, Moldavia, Rusia, Turqia, edhe plot shtete tjera, ndersa krahasimi i broqkullisitit me Afghaninstanin dhe Palestinen deshmon se ky broqkullist nuk ka qene kurrr ne Kosove por eshte keqinformuar nga statistikat e rrejshme te veton surrojave dhe vetvenodsjeve apo muslimanve qe genjejne per varferi ne Kosove.

  2. Shumë gënjestra ne kêtë artikull. Nuk eshte reale te shkruash artikuj per shtete nëse jeton ne kabinete universitare. Shtetet nuk jane matematikë, kimi, fizikë po sociologji qe duhet vetifikuar ne terren, e jo në kabinete. Perndryshe ky autor kishte shumë artikuj anti-kosovar. Artikulli eshte 95% genjeshtra.

Komentet janë mbyllur.