Arapi më hypi – arapi më zhdrypi!
– letërsi popullore
Djemt e tezes Lakë mblodhën pare dhe e nisën të amën për në Arabi me i vizitue vendet e shejta, ishte viti 1968. Tezja Lakë kur mbërrini në vend e tue zhdrypun prej autobusit rrëzohet dhe e then kambën, mjekët e banën punën e tyne dmth. ia lidhën dhe ia mbështillën kambën. Laka mbeti truç prandaj shokët e saj e gjetën nji arab dhe e goditën me e bajt Lakën andej e këndej. Arabi qe nji burrë i madh i fortë e i fuqishëm e tezja Lakë nuk i kishte as 50 kg. Arabi e merrte Lakën e fuste në nji kosh dhe e hypte përmbi krye e e bante andej e këndej.
Çdo e keqe e ka nga nji të mirë Laka nuk lodhej me hec në kambë dhe ashtu përmbi krye të arabit edhe pushonte edhe shihte ma larg e ma shumë e ma mirë. Kur u kthye tezja Lake në shtëpi të gjitha gratë e mahallës e të katundit ngajtën me e pa e me e pyet e me e ndëgjue çka ka pa e çka ka ndëgjue e çka po kallzon. Dihet se atëherë gratë ishin të padalme e përfundonin jetën kurrë pa dalë në ndonji katund tjetër.
I hapnin sy e veshë e me ndëgjue se çka po kallëzonte Lakje e Lake zeza nuk dinte gja tjetër çka me thanë e me kallëzue. Nja-dy ajo thoshte “më kapi arapi, më hypi arapi, më zhdrypi arapi, ma ngjiti arapi etj”. Ato të pafytyra vetëm qeshnin e zgërdhiheshin dhe përhapshin fjalë nëpër katund se si Lakës i ka hyp e i ka zhdryp arapi. Tezës Lake i ka dal bari qyshmoti përmbi vorr veçse edhe shumica e atyne të zezave ma nuk bajnë hije përmbi tokë. Kanë mbetun vetëm edhe disa prej atyne rruspijave edhe ato së shpejti do ta thejnë qafën dhe të hypmet e të zhdrypmet e tezës Lake do të humben e do të zhduken e harrohen e nuk do të përmenden ma kurrë.
Qamil S. Dardhankodra
– mbledhës i folklorit
Blej djalit kapuç…!
– letërsi popullore (e përpunueme)
Nji njeri i cili po e zamë se quhej Xixan punonte jo në Gjermani e as në Zvicër, jo se aty punojnë shumë njerëz të mi e njerëzit janë ba shumë të ndieshëm e të prekshëm por po e zamë se kyfar Xixani punonte në Luksemburg sepse atje nuk asht askush prej nesh. Ky asht burrë i zoti e punëtor, shkonte atje në pranverë e vinte në vjeshtë për pushime dimore. Erdhi për pushim në vjeshtë dhe mbas 3 muejsh i lindi nji djalë. Xixanit i hyni në krye nji mendje e mbrapsht, i shkonte mendja kah asht ma keq se mendja veç për keq punon.
Nuk i hahej buka as nuk e zinte gjumi dhe numronte e njehte diçka me gishta, mat-shmat, njeh – shnjeh e nuk dilshin ma shumë se 3 muej që kishte ardh në shtëpi e për nji javë të tanë djalin nuk e kishte marr në dorë. Nji ditë prej ditësh i tha grues “grue bre shumë shpejt u ba ky djalë unë veç qe 3 muej që…” grueja ia ndërpreu fjalën se ajo ishte zojë e mençme e dijshme besa edhe shumë e ndershme, e i tha Xixanit “njehi: 3 muej ditë, 3 muej natë a bajnë 6 edhe qe 3 muej që ke ardh a po bahen 9 – blej kapuç djalit e mos më shurdho”!!!
Qamil S. Dardhankodra
– mbledhës i folklorit
Kremtojnë ushtarët italianë
– letërsi popullore
Kur ishin këtu italianë gjatë L2B-së shpeshherë ndodhte që u vinte ndonji letër nga vendlindja me ndonji lajm të mirë. I vinte atij apo këtij ndonji letër se i kishte lind ndonji djalë apo ndonji vajzë. Mblidheshin ushtarët në midis të Tiranës dhe gjithë natën hanin, pinin e këndonin se ndonjanit prej tyne i erdhi lajmi se kishte djalë. Mrekullia Zotit kishte lind djalë tri vjet pa shkue në shtëpi dhe tri vjet pa e pa gruen me sy! – Zoti e ka fuqinë e madhe!
Qamil S. Dardhankodra
– mbledhës i folklorit