ISMAIL QEMALI U HELMUA, NUK VDIQ NGA HEMORRAGJIA CEREBRALE

0
359
Ismail Qemali - 1844-1919
Nga cikli “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”

Gazeta “Albanian Free Press” publikon sot detaje mbi një tjetër nga vdekjet më të bujshme në Shqipëri, atë të Ismail Qemalit. Ato janë pjesë e librit më të ri të publicistit Roland Qafoku, opinionist i “Albanian Free Press”, “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, një libër që vjen në kuadrin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Mjaft më me teorinë se Ismail Qemali vdiq nga hemorragjia cerebrale. Ajo ishte vrasje e pastër dhe unë me shumë modesti pretendoj se kjo vërtetohet plotësisht në këtë libër. Jam besimplotë që një ditë edhe zyrtarisht ky rast do të njihet si vrasje. Frymëzimi im më i madh është marrë nga ekzaminimi pak vite më parë në laboratorët e FBI-së, në SHBA, ku nga kockat e Napoleon Bonapartit doli konkluzioni pas 170 vjetësh, se vdekja e tij u shkaktua nga helmimi me arsenik dhe jo nga problemet me stomakun, siç u shkrua zyrtarisht në dokumentet e kohës.

Opinionisti i “Albanian Free Press”, Roland Qafoku, shprehet kështu në “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, një libër që vjen në kuadrin e 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Gazetari Qafoku që ka qëmtuar prej shumë vitesh materiale që lidhen me vrasjet më të bujshme, duke u përqendruar në rastin e kryeministrit të parë të Shqipërisë pas Pavarësisë, thotë se ai e kishte parashikuar vdekjen e tij.

“Ismail Qemali gati e ka parashikuar vdekjen e vet aspak natyrale, por si një dëshmor. Luigj Gurakuqi ka folur hapur për vdekjen e Ismail Qemalit, më pas është vrarë vetë. Hasan Prishtina ka mbajtur fjalim në varrimin e Luigj Gurakuqit dhe më pas është vrarë vetë. Preng Bibë Doda ka lënë një thënie lapidare për kohën. Nuk dihen arsyet e sakta, por, sipas tij, që Shqipëria të gjente qetësi duhet të vdisnin Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani por dhe ai vetë. Vetëm 5 vjet më pas, të tre u vranë, duke përfshirë edhe autorin e kësaj thënieje. Të gjithë këta shprehen gati njësoj si në parandjenjën e presidentit amerikan Abraham Lincoln, që përpara se ta vrisnin kishte thënë: Nëse vritem, vdes një herë; por të jetosh nën tmerrin e vazhdueshëm të saj, është të vdesësh pa pushim.

KUR ISMAIL QEMALI SHPALLTE PAVARËSINË

Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut për 400 vjet dhe shpallte Pavarësinë e Shqipërisë, atë 28 Nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali sikur e parandjeu që privilegji i madh si baba i shtetit shqiptar do të shoqërohej edhe me vdekjen e tij. Më saktë akoma, me vrasjen e tij. Në fund të fjalimit që lindi një shtet, themeluesi i tij tha: “I dërgoj një lutje të madhit Zot… të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i Atdheut ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë”.

Vetëm 7 vjet më vonë nga ky moment sublim, Ismail Qemali ndërroi jetë larg Vlorës dhe larg Shqipërisë, në një hotel në Peruggia të Italisë, në rrethana që më shumë konvergojnë në vrasje sesa nga versioni zyrtar, sipas të cilit ai pësoi hemorragji cerebrale. Por Ismail Qemali ndërroi jetë 5 vjet nga një thënie lapidare e zëvendëskryeministrit Preng Bibë Doda, i cili gjatë një darke në vitin 1914 iu drejtua princ Ëied-it me fjalët:

“Nëse do që Shqipëria të bjenë në qetësi, duhet të vriten Ismail Qemali, Esad Pashë Toptani dhe unë.”

Ismail Qemali u eliminua i pari i kësaj liste. Afro dy muaj më vonë, vetë Preng Bibë Doda u vra në një pritë dhe pak më shumë se 1 vit pas vrasjes së tij, u vra edhe Esad Pashë Toptani.

NJË VDEKJE PLOT DYSHIME – “MË HËNGRËT ME TË PABESË”

Njeriu që kishte nxjerrë nga goja frazat më të ëmbla në gjuhën shqipe për Shqipërinë, për herë të fundit në jetë mundi të shqiptojë vetëm këto 5 fjalë me 18 germa po në gjuhën shqipe. Pak minuta më vonë ai vdiq. Zyrtarisht vdekja e tij u cilësua natyrale, por edhe pse kanë kaluar 98 vjet, rrethanat, shkaqet dhe ndodhia, tregojnë se ajo ishte një vrasje e pastër nëpërmjet helmimit. Pasi shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, pasi qëndroi në detyrën e kryeministrit të parë të shtetit shqiptar për 1 vit, 1 muaj e 18 ditë, Ismail Vlora vendosi të kryente aktin final në jetën e vet, atë të rikonfirmimit të pavarësisë dhe shtetit shqiptar me të gjitha trojet që i ishin zaptuar. Rasti dukej se po vinte në Konferencën e Paqes në Paris.

Viti 1919 sapo kishte hyrë dhe themeluesi i shtetit shqiptar po gjente mundësinë për të qenë edhe ai në këtë konferencë. Me premtimin e liderëve të Italisë deri të kryeministrit Vittorio Emanuale Orlando, Ismail Vlora po bëhej gati të shkonte në kryeqytetin francez për çështjen e madhe të Shqipërisë së vogël. Por entuziazmi po i linte vend zhgënjimit që po dukej në horizont. Ja çfarë shkruan vetë Ismail Vlora në një letër vetëm katër ditë para vdekjes:

“Sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”.

Teksa në një dhomë në hotel “Brufani” në Peruggia të Italisë po priste lajmin për të takuar politikanët italianë, ndodhi krejt papritur vdekja e tij. Një vdekje shokuese jo vetëm për dy djemtë që nuk iu ndanë deri momentin e fundit të jetës, por edhe për ata që e mësuan këtë lajm. Ethem Vlora, djali i Ismail Qemalit që ishte me të kur vdiq, ia ka treguar kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit qëndrimin e tyre në Peruggia:

“Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespondentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët”.

Bardhosh Gaçe, një nga biografët modernë të Ismail Qemalit, dhe studiuesi që ka bërë kërkime të thelluara për figurën e tij nuk ka dyshime. Ai është i bindur që Ismail Qemalin e helmuan. Dëshmia e pronarit të hotelit që sjell Gaçe është unikale.

“Pronari i hotelit pak moment përpara se të ndërronte jetë i është drejtuar të bijës duke i thënë: Po vdes me një peng, kryeministrin e Shqipërisë ma helmuan këtu në hotel”.

Por dëshmia e Fatushe Shedulës, shërbëtores së Ismail Qemalit e sjellë nga studiuesi Koli Xoxe e konfirmon plotësisht versionin e helmimit.

“Plakun patriot e helmuam në kafene. Pasi kishte pirë kafe i kishin filluar dhimbjet e mëdha në stomak. Plaku kishte thirrur me gojën e tij më helmuan, e më pas vdiq”.

Diçka ishte hedhur në të dy filxhanët e kafesë që kishin pirë atë e bir në barin e hotelit, pak minuta para konferencës. E ndërsa plaku i gjorë ndërroi jetë, i biri, Ethemi, kaloi shumë peripeci në spital. Falë lavazheve të forta, moshës së re, por edhe nga fiziku prej një ushtaraku të stërvitur mirë, apo organizmit të fortë, ai nuk vdiq. Por pasojat e këtij helmimi i ka ndjerë gjatë gjithë jetës së vet.

Dyshimet kthehen në bindje kur kjo grua besnike e shkroi në ditarin e saj faktin se Ismail Qemali ishte helmuar, por edhe ajo vetë u gjet e helmuar në vitet ’30, kur erdhi me banim në Tiranë. Si për ta mbyllur fare që kishim të bënim me një vrasje, u zhduk edhe ditari i Fatushes.

ENIGMAT E VDEKJES SË ISMAIL QEMALIT

Plot 98 vjet nga vrasja është e vështirë por jo e pamundur të nxjerrësh konkluzione, por faktet e renditura sërish anojnë nga vrasja: Ismail Qemalit nuk i është dhënë ndihma e duhur mjekësore pas shqetësimeve dhe të vjellave që kishte. Të dhënat e grumbulluara tregojnë se ekipi mjekësor shkoi aq me vonesë, sa nuk u arrit që t’i jepej fare ndihmë. E vetmja punë e mjekëve ishte kryerja e formaliteteve pas vdekjes që në fakt nuk hedhin dyshime, por vërtetojnë se kemi të bëjmë me helmim.

Mjeku ligjor që ka këqyrur kufomën ka lëshuar një deklaratë e cila përmban shumë gabime. Së pari ai shkruan se Ismail Qemali ka vdekur më 26 janar, kur në fakt vdekja ndodhi më 24 janar. Së dyti, mjeku ligjor shkruan se këqyrjen e kufomës e ka bërë më 27 janar, pra tre ditë pas vdekjes kur në fakt duhet të bëhej ditën e vdekjes. Kjo lë shumë dyshime se përse ka ndodhur kjo vonesë. Së treti, mjeku ligjor shkruan se varrosja duhet të bëhet pas 27 janarit për një arsye që vetëm ai e ka ditur. Dhe si për t’i bërë pirg faktet kundër, mjeku nuk ka vendosur as emrin në fund të kësaj deklarate.

Ja teksti i formularit origjinal:

Komuna e Peruggia-s

“Unë i nënshkruari sanitar deklaroj që kam vizituar trupin e Ismail Qemal Vlorës, i biri i Mahmudit dhe Hedijes, 75 vjeç, lindur në Vlorë, banues në hotel Brufani, që vdiq më 26 janar 1919, ora 23.50, nga hemorragjia cerebrale. Deklaroj se kjo kufomë mund të traspotohet brenda disa orësh dhe varrosur pas datës 27 janar 1919. Sanitari, firma”.(Deklaratë e mjekut ligjor të spitalit të Peruggia-s, Arkivi i Spitalit Shtetëror të Peruggia-s, 27 janar, 1917)

Por versionit të helmimit i vendos kapakun zyra e gjendjes civile të Peruggia-s që i referohet raporti të Mjekësisë Ligjore, teksa shprehet se vdekja e Ismail Qemalit është e paqartë.

Ja çfarë shkruhet në raportin zyrtar të kësaj zyre:

Komuna e Peruggia-s/ Zyra e gjendjes civile/ Raporti nekroskopik

“Deklarata e sanitarit për hemorragjinë cerebrale si shkak i vdekjes së Ismail Qemalit është e paqartë. Zyrtari i gjendjes civile/ Gabellini Era”. (Komuna e Peruggia-s, zyra e gjendjes civile 27 janar, 1919, nr. 52, pjesa 1.)

Por provat për helmim shtohen me kalimin e viteve. Pas kryerjes së formaliteteve të vdekjes në Itali u bë balsamosja e kufomës që mori dy javë kohë dhe më pas u soll në Shqipëri për t’u varrosur në Kaninë. Por në vitin 1932 varri u hap për ta varrosur për herë të dytë në Vlorë, aty ku ndodhet edhe sot. Por këqyrja e kufomës gjatë zhvarrimit nxori fakte të tjera. Në raportin e zhvarrimit të kufomës shkruhet:

“Në trupin e kufomës së Ismail Vlorës nuk kishte asnjë shenjë balsami dhe kufoma është gjysmë e dekompozuar”.

Atëherë çfarë ishte kjo lloj balsamosje? Si ka mundësi që të dekompozohej trupi kur dihen mirë cilësitë e balsamit. Sot ende nëntoka zbulon të paprishura mumje mijëra vjeçare dhe si ka mundësi që të dekompozohej një kufomë e balsamuar para 13-vjetësh? Pra gjithçka çon në konkluzonin se Ismail Qemal Vlorën e vranë në një metodë që ishte në “modë” në atë kohë, me helmim.

SI U KRYE VRASJA?

Njeriu që privatisht ka kryer këto hetime ka qenë Nermin Vlora, vajza e vajzës së Kleoniqit, gruas së Ismail Vlorës. Ja çfarë thotë Bardhosh Gaçe për atë që ka bërë Nermini, një nga pasardhësit e Ismail Vlorës.

“Ismail Qemali është vrarë, domethënë helmuar nga njerëz që nuk donin që ai të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, sepse donin që këtë konferencë ta zotëronte Esad Pashë Toptani. Autorët janë njerëz të afërm të Esad Pashë Toptanit. Janë nipërit e tij, që janë autorë të kësaj vrasjeje. Unë me Nermin Vlorën, mbesën e Ismail Qemalit, kemi investiguar për këtë vdekje. Kemi kontaktuar edhe me policinë e Peruxhas dhe të gjitha gjurmët na çonin në një hotel përballë hotelit “Brufani” ku qëndronte Ismail Qemali, i cili ishte 35 metra larg tij”.

Katër shqiptarë kanë udhëtuar me tren drejt Periuggia-s më 24 janar 1919 dhe kanë bujtur në hotelin përballë hotelit “Burfanit”. Ata kanë paguar kafexhiun e hotel “Brufanit”, i cili ka hedhur helmin në kafe. Biografi Bardhosh Gaçe nuk ka dyshime, por është i bindur se Ismail Qemalin e kanë vrarë, pra helmuar. Po kush e helmoi kryeministrin parë dhe babanë që themeloi pavarësinë? Ja versioni i tij për vrasjen:

“Vrasësit shqiptarë kanë blerë kafexhiun që përgatiti kafen për Ismail beun dhe djalin e tij Ethem beu. E bija e pronarit më ka treguar se i ati vdiq me një peng sipas të cilës ishte helmimi jo vdekja natyrale e Ismail Qemalit”.

KUSH E DONTE VDEKJEN E ISMAIL QEMALIT?

Armiku numër një i Ismail Qemalit ishte Esad Pashë Toptani. Ishte Esadi që jo vetëm nuk e aprovoi qeverinë e Vlorës dhe nuk pranoi as ofertën e Ismail Qemalit për të qenë ministër i kabinetit, por ngriti dhe një qeveri paralele.

Duket paradoksal, por armiqtë e dytë më të rrezikshëm të Ismail Qemalit ishin pjesëtarët e familjes së madhe Vlora. Mjaft të komplikuara janë marrëdhëniet e Ismail beut me Syrja Vlorën, kushëririn e dytë të tij, babain e Eqrem Vlorës. Gjatë gjithë jetës ata kanë qenë rivalë në pushtet dhe pasuri. Syrja Vlora ishte investuar në jetë për pavarësinë e Shqipërisë, por këtë e realizoi Ismail Vlora dhe kjo ishte një arsye e madhe për të qenë njëherësh kushërinj dhe armiq. Kjo është edhe arsyeja që kjo marrëdhënie e çuditshme ndihet hapur edhe në librin e famshëm me kujtime të Eqrem bej Vlorës.

Edhe pse Ismaili e çmon nipin e tij, por vetë nipi përveç vlerësimeve maksimale për Ismailin gjen vend të “harrojë” apo edhe tregojë në një mënyrë apo tjetër inatet e vjetra të familjes. Kulmi është kur Eqrem bej Vlora rrëfen gati me mburrje se nuk ishte pjesëmarrës në momentin e shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Kjo edhe sepse ai ishte zgjedhur delegat i Vlorës. Preteksti i Eqrem beut se ishte duke luftuar në Himarë, pavarësisht kërkesës këmbëngulëse të Ismail Qemalit për të qenë në Vlorë, duket qesharak, kur dihet që më shumë se armën ai përdorte penën.

Në dokumentet e kohës është lënë shumë gjurmë në një rivalitet mes Ismail Qemalit dhe Syrja Vlorës. Në momentin kur ishin rivalë për deputetë të Vlorës në vitin 1908, Syrja beu thotë në një kafe në skelë:

“Nja 100 vlonjatë kishin vajtur në Bari për të pritur Ismail Qemal benë. Pritën një javë edhe u kthyen në Vlorë kur mësuan se njeriu që prisnin shkoi n’ Athine me udhë të Napolit. Shqipëtarët janë si foshnja, të paditur edhe paopinion . S’ u arriti turp’ i Barit, nja 20 veta vanë dha e pritnë në Korfus! Kur arriti në Vlorë, edhe ata që s’e donin i duallën përpara për të pritur : u-huathnë 10 topa, zgjithnë kuajt e qerres ku ryri Ismail Qemali dhe e muarën në krah. Vlonjatët, e dinë se ç’farë njeriu duke shkuar edhe në të vajtur edhe në është Ismail Qemali, po i bejnë gjithë kundrë Ferid Pashës”.

Dhe ky ligjërim mbyllet sikur Syrja Vlora ta kishte armik Ismail Vlorën dhe jo djalin e xhaxhait.

“E çka ky njeri që e presin me salltanete. A mos ka çifligjet e pallate? Le që s’ka sjellë gjë, por është mbytur edhe në borxhe nëpër hotelet e Evropës, ku ka rendur si vagabond. Pa duan ta zgjedhin edhe deputet”.

Por armiku akoma më i madh i asaj kohe i Ismail Qemalit ishte Faik Konica, i cili e ngjyen penën në acid ndaj Ismail Qemalit. Në gazetën “Dielli” të datës 14 janar 1922, Faik Konica shkruan:

“Shqiptarët kishin zakon të thoshin se shpëtimin dhe përparimin e Shtetit e ndalojnë tre veta: Esadi (Toptani), Bib Doda, Ismail Qemali. Njëri nga këta vdiq, dy u vranë. Që të tre u çduknë. Se më parë kish një ballancë të tiranisë në Shqipëri: despotizma e Esadit në mes, intrigat e Bib Dodës në Veri, gënjeshtrat e Ismail Qemalit në Jug, rëndonin njëra kundër tjetrës. Kur shkuan Bib Doda me Ismail Qemalin, duallnë n’ato vënde një grup tiranësh dhe vagabondësh të cilët menjëherë ballancuan tiranin’ e Esadit”.

TENTATIVAT PER TA VRARË ISMAIL BEJ VLORËN

Në jetën e Ismail Qemalit janë tre tentativa për ta vrarë atë. E para ka qenë më 7 shtator 1901 kur sulltani kishte kërkuar kokën e tij si mik i Mit’hat Pashës, të cilin e vrau. Falë ndihmës që ambasadori anglez në Stamboll, N.O.Konor, i dha Ismail Qemalit, bashkë me familjen e nxorën nga kryeqyteti i perandorisë në të cilin e priste vdekja e sigurt. Tentativa e dytë kishte të bënte me Gani Toptanin, vëllanë e Esad Pashë Toptanit. Sipas dokumenteve të kohës, përveç se pjesë e truprojës, Ganiu ishte një agjent direkt i sulltanit të Perandorisë Osmane dhe nuk ishin të pakta rastet që Ganiu kishte kryer vrasje me porosi direkte të tij. Ngjarja mori përmasa reale kur dy miqtë e Ismail Vlorës i thanë se sulltani kishte urdhëruar Gani Toptanin për ta vrarë. Në bisedë e sipër miqtë i kishin thënë Ismail Qemal Vlorës se Ganiu i kishte garantuar që edhe pse sulltani i kishte dhënë urdhër, ai nuk do ta vriste Ismail Vlorën, në të kundërt do të arratisej ose do të vriste veten. Pak kohë më vonë Gani Toptani u vra.

VRITET VRASËSI I VRASËSIT TË VRASËSIT

Hasan Riza Pashën e vrau Esad Pashë Toptani me anë të rojes së tij Osman Bali. Ministrin e Financave, Nexhati Libohovën, e vrau Osman Bali me urdhër të Esad Pashë Toptanit. Ismail Qemalin e helmuan njerëz të Esad Pashë Toptanit. Esad Pashë Toptanin e vrau Avni Rustemi. Avni Rustemin e vrau Isuf Keçi, një njeri i afërt i Esad Toptanit. Osman Balin e vrau Myslim Peza. Vetë ky libër tregon se ai që ka vrarë ose ka inspiruar një vrasje, është bërë vetë target i një vrasjeje të dytë. Në këtë libër bëhet fjalë për disa ekzekutime që si shkak kryesor kanë hakmarrjen për një vrasje të kryer më parë. Natyrisht që zinxhirin me më shumë hallka e kryeson Esad Pashë Toptani, që ashtu siç thoshte nipi i tij, Eqrem bej Vlora, “ecte mbi kufoma”[ii] e një ditë edhe vetë u shndërrua në kufomë.

30 POLITIKANË TË VRARË

Fundja nuk është romancë, por politikë. Të jesh pjesë e establishmentit shtetëror në Shqipëri ka qenë aq rrezik sa më mirë se kushdo e ka thënë At Zef Pllumi: Nëse je politikan në Shqipëri, një këmbë e ke në varr dhe një këmbë e ke në burg. Nga ministri i Financave të qeverisë së Esad Pashë Toptanit e deri te deputeti Azem Hajdari janë 30 politikanë që janë pjesë e 100 vrasjeve. Mes tyre ka politikanë të të gjitha rangjeve që nisin nga kryeministra si Esad Pashë Toptani, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Qazim Koculi, Idhomen Kosturi, Kostaq Kotte e deri te Mehmet Shehu. Por edhe zëvendëskryeministër si Preng Bibë Doda, ose ministra si Mark Gjon Markaj, Lefter Kosova, Nako Spiru etj. Në listën e të vrarëve janë edhe deputetë, si Azem Hajdari dhe Fatmir Xhindi e deri te politikanë të disa rangjeve që nisin me firmëtarët e Pavarësisë, si Xhelal Koprëncka e deri te Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e Avdyl Ypi.