Violeta Kadriu
O i madhërishmi Kryetrim Skënderbe,
lum nënë Shqipëria atë ditë Ty që të ka le,
lum ai diell e hënë Ty që të shëndriti
e lum Kombi shqiptar që kthimin tënd e priti!
Kur Ty peng të mori Turqia
me dashuri e dhimbje, baba Gjoni të përbeu
– Kurrë mos i harro, bir, këto vende që ka Shqipëria,
me Flamur Lavdie në tokën ëmë prap ktheu!
– Mos i harro, bir, këto vende të shenjta,
ku më së miri nxenë dielli e aq më mirë hëna shëndritë,
këta lumenj, ujëvara, gurra e kroje të shtrenjta
ku dhe terri i natës ka shkëlqim si ditë!
-Mos i harro, bir, këto vende, ku kemi varret stërgjyshore,
këto vargmale, që me aq hijeshi dimrit mbushen me dëborë,
ku, brez pas brezi të parët, për armiq vunë taborre
ku dua me jataganë e tupana të të bëj dasëm
me qinda-mijë shqipe dasmorë!
– Ku shqiponjat me skifterë me madhështi hapërojnë qiellin
ku me shpirt e më së miri ia thotë këngës
thëllënëza, bilbili,
ku, pulëbardha nga kaltërsi deti harlisen e zbardhojnë dhe diellin,
e si mëndafsh livadhet ledhaton e bleron tërfili!
– Mos i harro, bir, këto kulla e kështjella prej guri,
të larta,
ku rri varur shpata e lahuta nga gra e burra arbërorë,
ku shtrohet e hahet buka, ku dhe balta shijon si mjalta
ku nga trimat këndohet kënga
me të arbërorit zë hyjnor!
– Mos i harro, bir, këto troje të lashta
ku , së pari nënë Vojsava të mikëloi,
e me aq zjarrë e krenari në gjoksin e saj për herë të parë të ndjeu,
ku më së qeti na peshon e lumturon ashti e rrashta
ku çdo lis, pemë, bar e lule
vie erë Mëmëdheu!
Mbami mend shumë gjatë, biro, këta lotë burrërie,
që me dhimbje, mallë e krenari burri Arbërie
në këtë tokë sot për ty po i lëshoj,
ktheju prap këtij vendi e populli, ashtu siç trimave u ka hije,
mos lejo që turk barbari
këtë popull të lashtë ta mallkojë!
Me emrin SKENDERBE
Gjergj-Kryehero, prap në Atdhe u ktheve,
për babë Gjonin, për këtë Gjuhë, Popull e këtë Shqipëri
prap për së dyti, si dragua leve,
me treqindë shqiponja zemërluanë
çave stuhi, acare, furtuna
me koka të prera barbarësh, nga shpatë e Jote
u mbush e kuqëloi Drini, Shkumbini, Vardari, Buna.
25 vite plot, në këto troje
me lavdi të vringëlloi kordha e shpata,
25 vite, në këto troje larë me gjak
çdo ditë barbari përbiu nata
dhe për fëmijët e Sulltanëve, përkund në djepa mëndafshi
u përmendëm e mbetëm përjetë lugata!
25 vjet me radhë, në Fushëbeteja Arbërore
triumfove SKENDERBE-DRAGUA,
25 vjet me radhë gjak i turkut, që sundoi e përdhosi këtë popull
kuqëloi e rrodhi si krua,
përkrenare e Pirros dhe e Lekës mbi kokë
flamurshkaba që mbajte në shpinë pelerinë,
bashkë me vringëllimën e shpatës, që veq ti mund ta mbaje
Shqipërisë ndër shekuj i mbajnë mbi re lavdinë!
Madhështi e Shqipërisë mëmë
mbushur shqiponja, skifterë,
nuk duroi më Krajla, Sulltanë
emra “pashë”, “be”, “zengjin”, “bejler”,
të gjithë në një, me Besa-Besë lidhë për të Arbrit Nder
“- Ai që guxon të shkelë këto Troje
do të mbetet kokëprerë!”
VIOLETA KADRIU, 16 JANAR 2021 – PODUJEVE