Shkruan Prof. Zymer Mehani
Te kujtojmë, po kështu, se në veprimtaritë gjuhësore standardizuese në Tiranë e në Prishtinë, roli i faktorëve jashtëgjuhësorë ishte i madh dhe kjo është e kuptueshme, jo vetëm për rrethanat politike në të cilat gjendej populli shqiptar andej e këtej kufirit, por edhe për arsyen se faktorët jashtëgjuhësorë kudo e kurdo kanë peshën e vet në përcaktimin dhe krijimin e politikave gjuhësore, shtetërore e kombëtare. Edhe në kohën e mbajtjes së Konsultës, por edhe të mbledhjeve të tjera gjuhësore në Tiranë e Prishtinë, përgjatë afro gjysmë shekulli, ndikimi i faktorëve politikë e shoqerorë ka qenë i madh dhe i përligjur.
Duke pranuar bashkimin gjuhësor me të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke pranuar si normë Projektin e Rregullave të Drejtshkrimit të Tiranës të vitit 1967, duke hequr dorë nga rregullat e drejtshkrimit të vitit 1964 të gegërishtes standarde, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi i dhanë fund rrugës ndarëse gjuhësore nëpër të cilën kishin ecur në historinë e tyre të gjatë gjuhësore dhe hapi rrugën e bashkimit gjuhësor. Klasa intelektuale shqiptare, populli, por edhe klasa politike shqiptare, që i dha shtysë e dorë këtij procesi, ishin të vetëdijshëm se një veprim i tillë nuk ishte aspak i lehtë dhe ishte një veprim jo pak sakrifikues, duke pasur parasysh shumë rrethana e momente teë zhvillimit të tyre politik, shoqëror e ekonomik, po sidomos arsimor e kulturor, në të vërtetë ata ishin të vetëdijshëm se rruga e përvetësimit dhe e zbatimit të atyre rregullave nuk do të ishte punë e lehtë, sepse në Kosovë ende po luftohej analfabetizmi dhe shkalla e tij ishte shumë e lartë.
Megjithatë, dëshira e entuziazmi dhe sidomos, vetëdija e lartë për rëndësinë e këtij veprimi, bënë që, me gjithë vështirësitë, përvetësimi dhe zbatimi në formën e shkruar të shënonte suksese. Zbatimi i rregullave të Projektit të Drejtshkrimit filloi të realizohej menjëherë në gazetat, në emisionet e radios, në shkolla, sidomos në mësimin e gjuhës amtare, po pak a shumë edhe në mësimin e lëndëve të tjera, më pas në botimet shkollore, botimet letrare e të tjera dhe në institucionet shtetërore, aty ku kishte hapësirë për shqipen. Mund të thuhet se shumë shpejt shqipja letrare fitoi autoritetin e pakontestueshëm. Rezultatet në përdorimin praktik të saj ishin më se modeste për arsyet e ditura, megjithatë pranimi i gjerë dhe gatishmëria që të mësohej e të përdorej, hapën mundësitë që rrjedha e këtij procesi të kishte të ardhme të mirë. Dhe kjo ndodhi.
Me gjithë vështirësitë objektive të fillimit, vitet ’70 ishin vendimtaret që gjuha standarde në këto hapësira të shënonte suksese edhe përtej parashikimeve. Rruga e filluar mirë, fatkeqësisht do të ketë vështirësi pas ngjarjeve të vitit ’81 për t’u intensifikuar sidomos gjatë viteve ’90 për arsyet e njohura. Kriza politike, shoqërore, ekonomike, solli krizën e madhe arsimore dhe rrjedhimisht edhe gjuhësore, në të vërtetë solli vështirësi në rrugën e zhvillimeve të filluara mirë. Pësoi rënie sidomos shkolla shqipe, dhe kjo pati reflektim sidomos në mësimin e gjuhës. Rënia e disiplinës gjuhësore do të sjellë pasoja jo të vogla për kulturën gjuhësore. Megjithatë, asnjëherë nuk u lëkund mendimi e qëndrimi për drejtësinë e vendimit të vitit 1968.
Duhet të theksojmë se në Kosovë është arritur shkallë e dëshirueshme e zotërimit të gjuhës standarde kur të kihen parasysh vështirësitë që kanë shoqëruar rrugën standardizuese të shqipes sidomos në këto dy dekadat e fundit. Se do të ketë vështirësi në mësimin e përvetësimin është paralajmëruar edhe në Kongresin e Drejtshkrimit. Profesor Emil Lafe në një shkrim të tij për këto probleme shkruan: “Edhe kur u formua gjuha letrare është theksuar se e sotmja nuk do t’i takojë plotësisht gjuhës standarde.”( IAP, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, Prishtinë, 2008, faqe 44). Ky mendim i shprehur asokohe, në mënyrë objektive e ka çmuar problemin, sepse gjuha standarde po krijohej për hapësirën shqiptare të copëtuar e me kontekste të ndryshme politike, shoqërore, ekonomike e kulturore. Më tej Lafe shton se lajmi i Konsultës së Prishtinës dhe i vendimit kryesor të saj, që ajo njohu njëzëri gjuhën letrare të vendit amë si gjuhë letrare të gjithë shqiptarëve të përfaqësuar atje, erdhi si i papritur te ne (në Shqipëri).
Në veprimtaritë standardizuese të shqipes, në hartimin e teksteve normëzuese kanë marrë pjesë, siç dihet, studiuesit tanë të njohur, njohësit e mirë të shqipes. Hartues të Projektortografisë së vitit 1967 dhe të Rregullave të Drejtshkrimit kanë qenë Çabej, Domi, Kostallari dhe Lafe, personalitete këto me kompetenca jo vetëm në fushën e studimeve thjeshtë gjuhësore, por edhe në fushën e planifikimit gjuhësor. Këta emra do t’i gjejmë si autorë të gramatikave, hartues të fjalorit të shqipes dhe të fjalorëve të tjerë terminologjikë. “Autorët e përmendur, studiuesit e njohur të gjuhës shqipe e të shqipes standarde kanë shfrytëzuar erudicionin e tyre, kompetencën e tyre dhe parimet e tyre moralo-shkencore në punën rreth krijimit të gjuhës standarde.” (Dr. Qemal Murati, Standardi gjuhësor dhe kultura e shprehjes, IAP, Prishtinë, 2004). Puna dhe perpjekja e tyre në këtë drejtim kërkon vlerësimin dhe nderimin e pasardhësve, kërkon vlerësimin dhe nderimin tonë për ta. Një punë e tillë sot është vështirë e realizueshme, për të mos thënë e parealizueshme, për arsyet që i dimë mirëfilli të gjithë.
Prej asaj që na ofrohet në këtë histori të gjuhës letrare del se gjuhëtarët janë pajtuar që standardi i përzgjedhur përmbush kriteret themelore që shtrohen para një forme të tillë të gjuhës: se baza e përzgjedhur dialektore ka paraqitur shkallë të lartë normëzimi, se gjuha e krijuar standarde del e përpunuar në të gjitha nënsistemet, se shpreh mundësi të gjera për pasurim nga shumë anë: nga shqipja e shkruar që prej fillimeve e përkëtej, nga të folmet të ndryshme të shqipes, rrjedhimisht edhe nga të folmet e gegërishtes në vijë të gjerë horizontale dhe nga gjuhët e huaja, natyrisht duke i përshtatur ato brenda sistemit fonologjik e gramatikor të standardit.
Puna në tekstet standardizuese duke filluar nga rregullat e drejtshkrimit deri te fjalori i drejtshkrimit dhe tekstet e tjera pasuese, dëshmon se autorët e lartpërmendur janë përpjekur për rregulla sa më të sakta dhe me sa më pak përjashtime në të gjitha nënsistemet, janë përpjekur për një drejtshkrim të qëndrueshëm duke pasur për bazë kryesisht parimin fonetik, po edhe parimet e tjera, si morfologjik, semantik, etimologjik, me përpjekjen që të ketë sa më pak dublete dhe sa më pak përjashtime nga rregullat e përcaktuara.
Me vendimin që morën këtu e 45 vjet më parë në Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, shqiptarët e Kosovës dhe ata që jetonin në trojet e tyre në ish-Jugosllavi, me vendimin që morën në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) të gjithë shqiptarët kudo që janë, bënë hapin e madh historik: nga kombi klasik, u bënë komb modern. Dhe sot duhet te sillen si komb modern.